E premte, 19.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Libri ''Te delta e mjellmave'' nga Adem Zaplluzha

E diele, 07.04.2013, 05:32 PM


Adem Zaplluzha

TE DELTA E MJELLMAVE

POEZI

Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”

Kastriot

2o13

Redaktor:

Bedri Neziri

Recensent :

Mazllum Baraliu

Lektor:

Veli Veliu

Botimin e këtij libri financiarisht e ndihmoi Departamenti për kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Prishtinës

Adem Zaplluzha

TE DELTA E MJELLMAVE

POEZI

Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”

Kastriot

2013

Poet i  simboleve dhe  mendimit  të  thellë

Poeti  kosovar Adem Zaplluzha vjen rishtas me një vëllim të ri poetik të titulluar “Te delta e mjellmave”. Është libri poetik i 80 -të i këtij poeti kaq prodhimtar, e megjithatë lexohet sikur të ishte libri i parë i jetës së tij si poet. Adem Zaplluzha është sot një nga poetët më kurajë dhe më i përkushtuar ndaj poezisë, dhe jo vetëm asaj. Përkushtimi ndaj artit të poezisë e ka bërë poetin  Zaplluzha  që të ndërtojë stilin e tij të poetikës , të mjeshtërisë së dhënies së mendimeve duke i skanuar një filozofi të mirëfilltë nëpërmjet simboleve të shumta e tejet të gjetura. Prandaj ,kam theksuar dhe vazhdoj të konstatoj se në krijimtarinë e bollshme të këtij poeti kemi të bëjmë me filozofinë e jetës. Nuk është aspak normale që të mendohet se ekziston rreziku i përsëritjes. Po,ky rrezik, mund të ekzistojë thjeshtë për një lexues që shfleton përciptazi, por e kundërta ndodh me njeriun e ditur, atdhetar, të thjeshtë që është larg euforive dhe sloganeve e që e thith mendimin e poezisë.

Kështu lexohet poezia e Adem Zaplluzhës që e sheh botën e kosovarëve në Kosovën e lirë, ashtu siç është,me andrallat e ndërtimit të një jete të re, në përpjekje për të tejkaluar ato të këqija që aty këtu mbeten. Këto konstatime përfitojmë nga ky libër i fundit i Adem Zaplluzhës, konstatime që shqetësojnë jo vetëm nënat por dhe lumenjtë, lisat e zogjtë e hapësirave kosovare.

Diku në Ballkanin e trazuar

Prej kryqeve

Dhe gjysmë hënave,

Një nënë vajton mbi një hartë

Fatin e grisur të atdheut.

Në këtë libër të ri që mbështetet nga  Shoqata e Shkrimtarëve “ Fahri Fazliu” të Kastriotit  dhe nën kujdesin e recensentit Mazllum Baraliu e lektorit Veli Veliu , lexuesi do të gjejë konceptualitet e lirisë të stigmatizuara në simbolet e mjellmës. Mjellma, kjo “ zonjë e rëndë “ jo vetëm e liqeneve shqiptare e ka frymëzuar  poetin tej mase duke e bërë që të krijojë kaleidoskope me pamje nga më të ndryshme të këtij shpendi fisnik.

Mjellma për Ademin është si  një nuse e bukur, një vajzë e trishtuar, një konkuruese me zogjtë e tjerë, një mjellmë e murosur, një krijuese deltash ( të lumenjve) . Janë pikërisht këto struktura të ndërtimit të simboleve që e bëjnë poetikën e Ademit modern, jashtë skemave skeletore të rëndomta e të shumë përsëritura  të poezive që botohen  nëpër faqet e gazetave politike të ditës.

  Libri i mjellmave “ , do ta quaja këtë vëllim të ri poetik. Ky libër sjell akuarele të veçanta me fluturime mjellmash jo në qiej të zakonshëm por për midis mjegullnajave të kohës “ që shi nuk lëshojnë” apo “erës, kjo që than pendët e mjellmave”.

Nuk mungojnë në këto akuarele edhe simbolet e reja që poeti Adem Zaplluzha na ofron rishtas, atë të dunave. Koncepti i futjes së këtij simboli shkon paralel me atë të deltës së lumenjve, që në rastin tonë është delta e mjellmave. Dunat janë grumbullimi i mendimeve, ngjarjeve, njerëzve, zogjve, antitezave dhe kontradiktave të mendimeve.

E mbi këto duna fluturojnë trishtimet e mjellmave , e vetë mjellmat intersektohen me fjalë njerëzish e me pamje qytetesh ku dridhjet e xhamave të vitrinave rezonojnë me dridhjet e mendimeve dhe me rrahjen e krahëve të mjellmave.

Janë këto përsiatje që ilustrojnë poezitë moderne të librit “Te delta e mjellmave”, përsiatje që japin pak a shumë dhe melodiozitetin e vargjeve të  poezive të ndryshme. Ja  një varg i Adem Zaplluzhës ‘’ shirat kishin ndërruar pamjen” që na kujton De Radën me vargjet lapidare  “ jeta lisa kish ndërruar”.Muzikaliteti në poezinë e Zaplluzhës  është i tipit “muzikalitet mendim”. Ai , poeti vuan dhe trishtimin,  revoltën, ndjenjat e bukura për njeriun e dashur apo për qytetin e tij i tregon me forma të ndryshme e tek i shpreh me forcë, qetësohet.

Ato mote të prera

Te shkallët e liqenit

Ikën mbi kujtime mjellmash

Ikën nëpër pluhurin e harresës

Me një sini të artë!

Duke ndërtuar laboratorin e metaforave, simboleve e metonomive , poeti arrin të kapë majën e mendimit filozofik ,duke hyrë thellë në shpirtin e njeriut, jo nëpërmjet predikimit sloganesk, por me magjinë e gjykimit të dekoruar me figurat që natyra na dhuron. Kjo është një vuajtje e poetëve të mëdhenj, vuajtje jo për të gjetur figurat  komerciale  por  një vuajtje shpirtërore që kërkon mënyra të shërimit të shpirtit të vetë poetit.

Në një pasazh prej interneti, kam gjetur  një shkrim të një poeteje dhe studiuese për poetin e madh lirik Lasgush Poradeci , e cila thotë:

“…ai kish një muaj që përgjonte ardhjen  e mjellmave nga Ohri. Ato ende s’kishin fluturuar mbi liqen, sepse nuk kishte ardhur nata e shenjtë e qirinjve që lundrojnë mbi ujë!”

Si gjithmonë ,edhe në këtë libër të ri, nuk mungojnë poezitë për atdheun, për muajin e ngjarjeve, marsin, për Prekazin e për lumin e ëndrrave të Adem Zaplluzhës, Lumëbardhin.

E poeti udhëton rrugëve të çuditshme:

Ky udhëtim i tejdukshëm

Me dizgjinët prej ere

Si kaprojtë e egër

Kalëron qiejve.

Ashtu është, udhëtimi i poetit me këtë libër është si pamjet e poezive të tij e ai kalëron i sigurt me artin e tij poetik, i bindur se po i jep gjithçka popullit të tij.

I qoftë kalërim i mbarë!

Fatmir Minguli

 

TROKITJA

 

Njëqind vjet trokita

Ne veten e parë

Asnjë korbë

Nuk u ndalë te molla

 

U thash në veten e dytë

Zhdukuni nga zhgjëndrra e ime

Ju ende krakëllini

Si kjo natë e lemerishme

 

Kur dënesa në veten e tretë

Mushmollat  i shkundi era

Sa shumë lot kishin mjegullat

Në sytë e përlotura të hënës

Prishtinë, O1. shkurt 2013

 

LUMENJ  FJALËSH

 

Sa shumë po i përngjajnë

Këto gurë

Atyre të pendimit

Nga duart e murrme të ditës

Pikojnë mëkatet

 

Një lule e fishkur

Në sytë e njeriut sfinks

Përjeton

Baladën e një krakëllime

 

Po ikin zogjtë nga fshati im

Po ikën

Edhe e nesërmja nëpër tundimin

E erës

 

Ku t’i kërkoj ciflat e fjalëve

Që i lash peng mjellmës

Sot në mëngjes mëllaga e kuqe

I humbi të gjitha rrugët

Në kokrrat e papjekura të klorofilit

 

2.

 

Një zog nate

Qante me qyqen e bardhë

Lumenj fjalësh

Derdhen

Nëpër brigjet e kujtesës

 

Balada e mykur e lumëbardhit

Qetësisht noton

Deri te portat ujore

Të Jonit të kaltër

 

Lumenj fjalësh

Mbi të kaluarën

Dhe të ardhmen e imagjinatës

Një mjellmë e bardhë

Fluturoi tej hapësirës

 

DIKU NË THELLËSI

 

Mbase

Trokita fshehurazi

Në amalgamën e heshtjes

Dolën nga këmishët e fëmijërisë

Me qindra cifla kujtimesh

 

Dolën dhe ikën tejpërtejmes

Cicërimat e zogjve të egër

Në pasqyrën e ndryshkur

Diku në thellësi

Prej të qeshurave

Zgërdhihej një  njeri

 

Moj amalgamë e tejdukshme

Që fle

Në dunat e shpirtit

Më rrëfe si dikur

Të lutem më rrëfe

Për fluturimet e mjellmave

Nëpër sqepa plepash

 

Më trego

Për thyerjen e hijeve

Në parmakët e këputura

Të qepenave

 

Më rrëfe të lutem

Për tregimin në heshtje

Që të ngufati  dikur moti

Në fëmijëri

 

DO PRESIM EDHE PAK

 

Nën degët e thyera

Të mollëve

Një arkivol i kaltër

Noton deri

Ose përtej portave të Janinës

 

Nëpër tehun e një trishtimi

Po ikin gjethet e kalbura

Të kësaj stine

 

Nëse vdesin detet

Nën pashnikun e etjes

Kurrë më

Nuk do të flenë guacat

 

Cili lumë buroi mbrëmë

Nën qepallat e ikjes së zogjve

Nën thundrat e kalit të egër

Të Myftarit u zgjua smira

U zgjuan mallkimet

 

Ato  mote të prera

Te shkallët e liqenit

Ikën mbi kujtime mjellmash

Ikën nëpër pluhurin e harresës

Me një sini të artë

2.

Po shterojnë lumenjtë e shpresës

Tek kthesa e fundit

Të udhës së vjetër

Dy mjellma të egra

Hynë në valsin e mbrëmjes

 

Do presim edhe pak

Deri sa të piqen sheftelitë

Sa me mallëngjim

Qajnë te moli

Një plak besnik

Dhe një e ve

Për degët e shkundura

Të një nerenxe

 

NË KËTË KOHË TË LIG

 

Qohet peshë nga heshtja

Lëvorja e drurit

Nën lëkurën e kujtesës

Zbërthehen hijet e lakuara

 

Nga  baladat e vjetra dalin nuset

Në dukje mjellmash

Dhe i krehin flokët

Në trishtimin e hënës

 

Në një lumë

Lahet një pjesë e kujtesës

Kurse ajo tjetra

Si sogjetarë tundimesh

Përkundet nën rrezet e pritjes

 

Me flokë të shprishura

Nënat dalin në rrugë

Dhe përshëndeten me meteorët

Që pahiten nën hije

 

Kush i ftoi shirat

Të mbështjella me trishtim

Në këto kohëra të liga

Njerëzit akoma vdesin vertikalisht

 

NË LAGJEN TONË

 

Në lagjen tonë

Në çdo kohë hapen dyert

Gjethet e zverdhura

I mbyllin dritaret ligështimit të erës

 

Kalldrëmeve tërmal

Kundrojnë lehjet e lukunive

Një furtunë e paparë

Shpërthen

Nga xhepat e arnuara të ditës

 

Lëkunden çatitë

Tunden rrapet si rrënjët e lundrave

Daulltarët nuk pushojnë

Duke mi rënë

Daulleve të kushtrimit

 

Në pasqyrën e mendjes

Nuk ndalen varkat

Vijnë e shkojnë këndej pari

Ushtritë

Me gjeneral të çmendur

 

Në lagjen tonë

Nuk ka mbetur asnjë arkivol

Po largohen edhe skeletet

E karbonizuara

 

Në lagjen tonë

Me nga një copë thesi të shqyer

Mbështillen hijet

E arnuara prej dhembjeve

 

NUSET

 

Të rënët

Gjethe zogjsh

Mbi pastelet e shiut

 

Kur u shembën kalatë

Kjo erë e molisur

Hyri në flokët e mjellmave

 

Një nënë

Mbi një gurë të murrmë

Shikon se si tretet

Një copë mjegulle e brymte

 

Nga troku i kalit të egër

Nëpër kalldrëmet e shkulura

Shpërthejnë

Xixëllonjat e shpresës

 

Mbi çatitë e vetmuara

Mjaullinë ca mace

Yjet bredhin nëpër flokët

E shprishura të hënës

Te baladat

Këndojnë nuset e mira

 

Të rënët

Herë zbresin

E herë i hipin kuajve të egër

Nuset lindin

Ushtri prej dragonjve

 

NËN ULLUKËT E ÇATISË

Ishte natë

Kur nga kujtesa e ujit

Nxorëm hënën e qullur

Në mëhallën e kujtimeve

Binte një shi prej fjalëve

 

Asnjë pemë e zhveshur

S’kishin gjethe prej ëndrrave

Nëpër lëkurën e regjur të kaprollit

Galopuan furtunat

 

Kur i bashkuam

Thonjtë e prerë të lisave

Nën qullët e lagura të kuajve

I fshehëm patkonjtë e ndryshkur

 

Mos o zot

Të kujt ishin këto lehje

Prej trishtimeve

Nën ullukët e çatisë

I gjetëm

Hartat e humbura të mendjes

 

NE TË GJITHË

 

Ne të gjithë

I kishim ëndrrat tona

Te ritmi i erës

Herë këndonim

E herë

I përngjanin

Pasteleve të lotëve

 

Një ditë ishim

Ylber xixëllonjash

Kurse ditën tjetër

Trishtim prej fjalëve

 

Ne të gjithë

Donim të jemi

Fëmijë zogjsh

Prej  ëndrrave tona

Lindnin yjet e përgjumura

 

Dhe kështu i përngjanim

Kujtimeve të mjellmës

Një ditë ishim ëndërr

Kurse ditën tjetër

Zhgjëndrra e nuses

E cila i përngjante

Drenushës  së vetmuar

 

KY ISHA UNË

 

Gati njëqind vjet

I përngjaj ecjes së drurit

Ky ishte fati im prej gjetheve

Kjo ishte udha ime

Me trishtime mjellmash

 

Herë krijoja shpresa të lëngshme

Në kokën time

E herë

Perëndi të rrejshme

 

Ky isha unë

Në gjendje të lëngtë

Dhe i tejdukshëm

Në pasqyrën e erës

 

Herë më kapnin për hunde

E herë

Për gjymtyrët

Që s’preken me sy

 

Ky isha unë

Era dhe lisi

Herë më rrihte furtuna

E herë

I përngjaja strallit kryengritës

Prishtinë, 02 shkurt 2013

 

SHKONTE PËRTEJ KUJTESËS

 

Te shirat e bardha

I lëmë portat e hapura

Asnjë njeri nuk doli

Nga baladat

 

Pritëm edhe disa qindra vjet

Nëpër shtigjet e mjegullave

Nuk u dukën në horizont

Kalorësit e ftuar

 

Më pastaj

Mbase kishim harruar

Se si priten miqtë

Asnjë lajmëtarë nuk bëzante

 

Kjo heshtje sfinksi

Shikonte përtej kujtesës

Shkundja e portokajve

Ngjau

Ditën kur erdhën furtunat

 

Dhe kurrë më

Nuk qemë në gjendje

T’i shërojmë ato grithje të mëdha

Në hartat e shqyera të atdheut

 

TE PËRMENDORET E MJEGULLAVE

 

Rri i përgjumur

Me ëndrrën time

Nën rrënjët e zambakëve

Përherë zgjohet dita

Më e mrrolur se qielli i vjedhur

 

Nuk di se sa vjet fjetën lyrat

Eposet kishin ikur

Nga shpirtrat e korijeve

Shi nuk binte më

Nëpër kujtesa të këngëve

 

Pritëm një kohë të gjatë

Te përmendoret e mjegullave

Nuk erdhën asnjëherë zogjtë

Ishin kohërat e ujqërve

Që na i bluanin reliktet e fjetura

 

KY SHI PREJ FJALËVE

 

I patëm disa lloje kryqesh

Të atyre prej balte

Dhe kryqe prej shiu

Thyer nga koha

 

Te një shiringë i lëngtë

E gjeta fëmijërinë time

Kush ishin ata tek portat

Që kurrë nuk u hapën

 

Ky shi prej fjalëve

Po i thyen grilat e kujtesës

Nga  baladat e vjetra

Si zogjtë e detit

Fluturuan legjendat

 

Një mjellmë e murosur

Nën rrënjët e dunave

Ja lanë sytë e mëngjesit

Kurse diku në kujtesë

Te majat e mjegullave

Fati im

Mbarësohet  me shirat

 

TE SHIRAT E QYTETIT

 

Si një zambak pastelesh

Drita hyri në legjendë

Andej kujtesës

U pamë me cirqet

Prej mjellmave

 

Shirat kishin ndërruar pamjen

Dukeshin

Si lisa gjethesh

Pranvera ka kohë

Që iku nga këto fusha

 

Një nënë te varret e bardha

Mbi një dunë prej dhembjes

Nuk i ndalte klithmat

Herët në mëngjes

E vranë këndesin e fshatit

 

Si hamshorët e egër

Hingëllonin mjegullat

Te shirat e qytetit

Kalbeshin

Barojat e egra

 

KËTU POSA ÇELIN FJALËT

 

Në mëgojëzat e vrapit

Si lulet e egra çelën fjalët

Asnjë hamshor prej shiu

Nuk u besoi legjendave

 

Vrapuan e vrapuan kuajt

Nëpër kujtesën e etjes

Diku në mes rërës

Shtrihej

Një oazë anemike

 

Këtu vijnë kuajt e egër

Të skalitur nga era

Asnjë krife e thinjur

Nuk bëzan

Kjo heshtje zallore

I kapërcen të gjitha etjet

 

Pas vdekjes së perëndive

I krijuam disa të tjerë

Që nuk ëndërronin si ne

Më pastaj

Filluam tu përngjajnë

Shpirtrave të kaprojve

 

Nga krojet e reve

Pikuan fluturimet e zogjve

Mbi arkivolet e ngjyrosura

Njerëzit u bënë flutura

 

Cikli i dytë

Te delta e mjellmave

 

HARTA E FUNDIT

 

Kur s’kisha se çfarë të bëj

U shndërrova në gjethe

Një zog i egër mali

Më se njëqind vjet

Çukiti

Në ndërgjegjen e Evropës

 

Herë qeshte

E herë zgërdhihej

Mbi shtatin e Gjergjit

Nëntë lloje plagësh

Kullonin trishtim

 

Ky gjeth i ullirit

Thahej e tkurrej

Në shqepin e shkabës

Harta e fundit

E turpit të Evropës

Grisej  e asgjësohej

 

KËTO PASAPORTA BIOMETRIKE

 

Loti zog

Në shpirtin e gjethes

Drurët e kalbur

Në strofujt e gjeraqinave

I kërkojnë epitafet e humbura

 

Sa me mall

Shikonim derdhjen e Drinit

Të delta e dhembjeve

Një dunë prej trishtimi

Përjetoi vetëvrasjen e dytë

 

Na duhet edhe pak

Edhe shumë pak ka mbetur

Deri te frymëmarrja e zogjve

Kjo furtunë me kllapi

Po i numëron arkivolet

 

Ja pra shikoni

Këto pasaporta biometrike

Ndoshta sonte era

Përfundimisht do i shqyej

Letrat e shkruara

Në një kohë

Dhe hapësirë tjetër

 

KUR HESHTIM

 

Kur heshtim

Puthjet i përngjajnë myshqeve

Lëvizin ngadalë

Marrin frymë nga energjia diellore

Më pastaj

Dalin nga lëkura e ditës

 

Kur heshtim

Bëhemi përmendore

Mbretërit kurrë nuk abdikojnë

Në shumë raste të rralla

Hymë në lëkurën e qengjit

Dhe bëhemi miq

Me ujqërit

 

Kur heshtim

Ecjet e zogjve u përngjajnë

Atyre të lejlekëve

Shevarët te plepat zgjohen

Dhe fillojnë

Serenatat e trishtimeve

 

Kur heshtim

Në ajrin e tymosur

I gjuajmë shikimet e zbrazëta

Më pastaj dalim nga lëkura e jonë

Dhe fshihemi

Nën arkivolet e gurëve të murrmë

 

NË QYTETIN TONË

 

Në qytetin tonë

Sa çel e mbyllë sytë

Hapen varret

Të vdekurve

Ua vjedhin pasaportat

Dhe protezat prej plastike

 

Sa herë që ndryshon moti

Këtu Drini gjëmon

Në rrënjët e shelgjishteve

Mbinë relikte e një kohe

 

Te përmendoret e thyera

Trenohen mushkonjat

Tokës i vjen

Një erë e rënd terpentine

Dhe nerenxat piqen vetëm në hënë

 

Në qytetin tonë

Vashat i ndërrojnë këmishët

Me ato të erës

 

Në qytetin tonë

Për çdo mëngjes

Vidhen këpucët  e të gjallëve

Nëpër faltore

Dhe ua qojnë të vdekurve në varre

 

Në qytetin tonë

Fëmijët dalin lakuriq në shi

Dhe tërë ditën vrapojnë

Si ëndrrat e kaprojve të egër

 

TE DELTA E MJELLMAVE

 

Paskan mbetur jashtë kornizave

Stërkalat e shiut të brymtë

Një trup gjeometrik

Fundoset në lotët e Lumëbardhit

 

Në ikonën e Shën Mërisë

Myshqet hedhin një valle të lashtë

Hedhin

Dhe nuk ndalen të lehurat

 

Një somnambul i dehur

Nëpër xhepat e mykura të erës

Vazhdon vallen e mortit

Meteorët e këputur

Hynë në serenatat e erës

 

Mushkonjat

Te dërrasat e arkivoleve

Përshëndesin si të babëzitura

Erën

Që sillet vërdallë tej urës

 

Lumi i pikëlluar

I ka hapur krahët

Te delta e mjellmave

Qethen kujtimet e deleve

 

VETËM TROKËLLIMAT E PATKONJVE

 

Preki këto pak gjethe

Në shpirtin e barit

Dhe më pastaj

Hape në daç

Kutinë e Pandorës

 

Ishte një kohë e turbullt

Nuk binte shi

Ama as nuk kishte shtrezë

Vetëm hapat e trishtimit

Kalonin zhurmshëm

Mbi tastierat e mendjes

 

Ne u bëmë

Se s’pamë asgjë

I mbyllëm sytë

Me leckat e kujtesës

Dhe vrapuam deri të akaciet

Ku vetëvriten

Egërsitë e shpendëve

 

Dielli kishte ikur

Diku te mjegullat

Kur erdhën kalorësit

Përfunduan serenatat

Vetëm trokëllimat e patkonjve

I dëgjonim në heshtje

Te ëndrrat tona të përgjumura

 

NË SQEPAT E LISAVE

 

Nëse e kthejmë kokën mbrapa

Dhe lozim me gishtat e këmishës

Nga mëngët

Mund të pikojnë trishtimet

 

Mos or njeri i mirë

Mos i harro ato pak rrugë

Që të humbën

Në kujtesën e hidhur të fëmijërisë

 

Nëse do

T’i përngjash vetvetes

Mëso  udhëtimin tënd përmendësh

Se në të kundërtën

Kryekëput  u përngjan

Lakuriqëve të natës

 

Po që se i harron sërish rrugët

Pyeti  zogjtë shtegtarë

Në sqepat e lisave

Trishtimi mi erës

Takohet me qukapikët

 

VETËM QENTË E LAGJES

 

Nëse udhëtoni

Për në vendlindje

Pikturoni në çdo hap

Nga një kornizë të imagjinuar

 

Me këto pastele gjethesh

Mund t’i mashtroni

Vetëm krimbat e mëndafshit

 

Këtu rrallë herë bie shi

Nga shtambat e papjekura

Poçari dinak

I mësoi përmendësh

Sekretin e zjarrit

 

Kur ikëm me zogjtë ndër sqetull

Ju kujtohen lehjet e vjeshtës

Në vend se të shkurtohen

Ditët

Ato zgjateshin tej çdo mase

 

Ne ikëm se ikëm

Askush nuk na doli përpara

Vetëm qentë e lagjes

Disi kuisnin pak më ndryshe

Prishtinë, 04 shkurt 2013

 

ISHA FËMIJË I ERËS

 

Si sot më kujtohet

Kur jetoja mes zogjve rebel

Qielli më dukej aq i vogël

Sa që mund të fshihej

Në xhepat e shqyera të pantallonave
 
Isha vetëm unë
Përpos që nuk më mungonin ëndrrat
Kush mund ta ndalte rrjedhën e lumit
Në përgjumjen e deltës
 
Mjellmat i pata ftuar në dasmë
Me qindra lloje zogjsh
këndonin
Serenatat e lëngëta
Në qepallat e mjegullave
Lumturia ime i përngjante fluturave
 
Me një të kërcyer
I kapërceja brigjet e strallta
Nuk mund të më ndalte
As shakullina
Isha fëmijë i erës
Në ëndrrat e mjellmave të kristalta
 
LUMËBARDHI
 
Bien
Me shiun e imtë të pranverës
Kjo fërfëllizë
Që s’ndalet te moli
I morri edhe sandalet e vashës
 
Një freski e kristaltë
Si hije e tejdukshme
Depërton në mendjen time
Kurse lumi
Rri në shi dhe i numëroj ylberet
 
Disa bien në fatin e Drinit
E ca të tjerë
Hynë në shpirtin e erës
Dhe bëhen mjegull prej kujtimi
 
Dy mjellma të bardha
Te ura e gurit
I numërojnë guralecët e murrmë
Lumëbardhi përkund
Përgjumjen e një serenate
 
KY ISHA UNË
 
Në sfondin e mendjes
Qielli i ngrysur
Shoh mes mjegullave
Përrallën e një nate
Dhe qeshi si fëmijë
Me akuarelin e kujtesës
 
Te kopshti i kambanës
Një tundim era
I theu degët e mollës
Në shuplakat e ditës
Një eve mbiu prej ëndrre
 
I kalërove flokët e mjegullave
Prej ylbereve
Thura serenatën e një nate
Ky isha unë
Poet i humbur
Te udhët e shirave
 
KUR I PËRCOLLËM BINDJET TONA
 
Qau era
Me një çirrmë të llahtarshme
Si krakëllimë korbi
Vinte nga lashtësia
 
Ky ishte fati i jonë
Ose kryqi i shiut
Që dëneste përsëri
Te korijet e djegura
 
Kur i përcollëm bindjet tona
Mbetëm njerëz pa peshë
Një mjellmë e bardhë
Mbante në sqep
Krahun e thyer të ditës
 
Era e murrme
Hyri nëpër të çarat e mendjes
Dhe i theu
Kryqet e mjegullave
 
Diku te baladat
Flinte një kërrabë
Procesion arkivolesh
Te rrapet e përgjumur
 
I VARROSNIM HINGËLLIMAT
 
Kur u pamë me etërit
Më duket se
Na kishin kishim ikur
Të gjitha përrallat nga baladat
 
Dymijë vjet fjetëm
Nëpër shtegun e dhembjes
Dhe kurrë më
Nuk u takuam me vetveten
 
Ishim  ndoshta
Vetëm fjalë prej mjegulle
Ose dëshira prej kryqeve
Që na rinin mbi kokë
 
Ngjante që i përzinim shirat
Dhe në maja kambanash
I varrosnim  hingëllimat
E ylbereve
 
Ishim fëmijë
Të një adoleshence të papjekur
Ishim
Ku ta di më unë
Se çfarë ishim
 
NA PRESIN SHTOJZOVALLET
 
Kalimthi rendim
Drejtë përrallave të egra
Atje poshtë të gjethet
Na pret një dunë prej shiu
I mbuluar me trishtim
 
Kur na zë etja
Në harkun e unazës
I kërkojmë stërkalat e brymta
Era frynë diku te lisat
Ku flenë baladat e një nate
 
Largohemi
Ose pa Dëshirën tonë
Hymë në ingranazhet e gjumit
Atje diku te majat e fjalëve
Na presin shtojzovallet
 
QUKAPIKËT
 
Ende nuk pashë njeri pa ëndrra
Secili prej jush
Mund të hyni në përrallën time
Dhe t’i përngjani vetvetes
 
Kur bie shi në lagjen tonë
Gjethet marrin një udhë të gjatë
Netët duken të bardha
Si ato hije prej dëbore
 
Ne herë
Shndërrohemi në krizantema
E herë pa vetëdije
Ua zëmë frymën mjegullave
 
Këto fjalë prej bronzi
Nuk zbresin nga përmendorja
Truri i lëngtë i gurit
I përngjan mjaullimës
 
Një copë akulli prej dylli
Ua zë shtegun mushkonjave
Qukapikët
Me çukitjet e pandërprera
I mbarësojnë lisat
 
HIJE KORBASH
 
Ishte mëngjesi i mjegullt
Pastaj
Në horizont doli
Një diell i harlisur
 
Njerëzit filluan të vrapojnë
Askush nuk di
Se çfarë i pret te fund
I fillimit të sapo nisur
 
Në këtë udhëtim
Çapon një kërrabë
Hije korbash
Nën degët e mështeknave
 
NË ËNDRRËN E KUJT
 
Kur kam marramendje
Dëgjoj zërin e heshtjes
Kjo kokë e ime e gurtë
Me gjasa
Ka një shije deltine
 
Një ditë më thërrasin mjegullat
Kurse ditën tjetër
Bëhem erë prej fjale
E kujt është kjo përrallë
Që troket në mendjen e fjalëve
 
Kur të plakem
Do i thërras mjegullnajat
Të rrinë me përrallën e imagjinuar
 
Këto bishta rrezesh prej ylberi
Po ma prekin gjumin
Në ëndrrën e kujt
Rriten meduzat
 
RRUGA E KRRABËS
 
Të lutem
Prekmi këto duar prej shiu
Gati dymijë vjet
Mbase edhe më shumë
Nuk i kam përqafuar arkivolet
 
Kur këndoja me baladat
Ndryshe e kisha frymëmarrjen
Cirqet zbritën nga anijet
Dhe i përqafonin dallgët
 
Kur panë në hijet e zeza
Të ujit kuptuam
Se si kullotnin në mjegulla
Lopët e diellit
 
Kur te odiseja
U thyen patërshanat
Deti kishte një shije gjaku
Në prehrin e sirenave të çmendura
Zgjoheshin dallgët e epsheve
 
Dymijë
Ndoshta edhe tremijë vjet
Ka që vdiqën ciklopët
Një njeri i urtë
Akoma ethshëm shikon
Rrugën e pasosur të kërrabës
 
VETËM TE PORTAT E SHIRAVE
 
Sa herë që na mbetën të hapura dyert
Prej shirave lindën hingëllimat
Mbi gur mermeri
Skalitëm hartën e dhembjes
 
Ndoshta ishim të mallkuar
Ose mallkimi
Ishte bërë një pjesë e qenies tonë
Me qindra vjet
U ngjizëm me gurin e mëkatit
 
Ecëm përtej pamundësisë
Dhe në ngjyrën e deltinës së kuqe
U pamë me vetveten
Një hije jeshile
Kundronte te majat e maleve
 
Nuk di më
A kishim kohë për të ecur
Kudo na mbylleshin dyert
Vetëm te portat e shirave
Shtrihej një rrugë e vetmuar
 
KËTO SHIRA PREJ MYKU
 
Te kasnakët e dritares
Rrinin mjegullat
Qe disa vjet
Nuk kaluan shirat këndej
 
Mbase kurrë nuk i mbyllëm dritaret
As portat
Thyheshin patërshanat
Prej frike
Thyhej mermeri i kristaltë
 
Pritëm disa qindra vjet
Dasmorët
Vetëm kalonin këndej
Era kurrë nuk e ktheu kryet
Për t’i përshëndetur arkivolet
 
Nuk di
Edhe sa do të presim
Këto shira prej myku
Që po i përngjajnë
ullukëve të ndryshkur të melankolisë
 
JA KËSHTU DUKET QYTETI IM
 
Ja kështu duket qyteti im
Ky koncert prej shiu
Dashje hynë
Në korin e bretkosave
 
Nga sfondi i mbamendjes
Zbresin  teatrot e pluhurosura
Diku te kujtesa
Hapet një portë e verdhë
 
Mbi tastierat e gjuhës
Dëgjohen këlthitjet e germave
Njerëzit si gurtë e mermertë
Kanë filluar të lëvizin vertikalisht
 
Në qytetin tim
Ndërtohen rrugë të reja
Dhe hapen portat e vjetra
Vetëm për sojin e zvarranikëve
 
Ja kështu me këtë pamje të zymtë
Duket qyteti im në sfond
Një perde prej shiu te mjegullat
Hapet për vertikalet e dyshuara
 
DIKUR VONË
 
Ecim nëpër ritmin e një zhurme
Kalojmë si somnambul
deri te portat e gjumit të barit
përtej asaj  udhe
Na presin mjegullat e dyshimta
 
Një  kryq prej fjalëve
Ka kohë që rri vertikalisht
Mbi kokën e lisit
drita zbret tinëzisht
Nëpër stërkalat e shiut
 
Përtej trotuarit blu
Deri te dritat e kuqe
vrapojnë hijet prej zvarranikëve
Një fanar i zi si sterra
Hyri në këmishën e heshtjes
 
Këtu në këtë mëhallë
Herë kyçen e herë shkyçen
Dritat vezulluese
Dikur vonë në shpirtin e plagosur
Të erës
Lëshohen perdet e zeza
 
Cikli i tretë

Një varkë prej loti

DIKU NË KORIJE
 
Si një dunë prej fjalëve
Hëna rri në zabel
Diku në korije
Cicëron  një gushëkuqe
Atje tej luadheve
Këndon një gjel
Një baladë të vjetër
Për mollën e kuqe
 
NJË LINDJE E RE
 
Një zë trishtili
U dëgjua te vjeshta
Si nëpër balada vinte një trok
Këndonin gjethet në maja lisash
Te flokët e eposit
zgjohej një botë
 
Nga dheu mbiu një arkivol
E pastër si dëbora
Dita u ringjallë
Frynte në korije
Si në agshol
Një lindje e re
Diku te një përrallë
 
NË CILËN STINË
 
Iku diku
Edhe flutura e fundit
Mes stinëve i humba duart
Kujt i duhet më kjo vjeshtë
Prej gjethesh të këputura
 
Një zë çeli si lulja
Portat e harresës u hapën
Ky dimër paska mbetur pak si vonë
Në cilën stinë
Do të mbërrimë nesër
 
Ndoshta do ecim deri në fund
Atje poshtë të kroi
Na pret një shtambë e thyer
Me një copë mermeri
Në duart e rrudhura të erës

Prishtinë, 05 shkurt 2013

ORA E NDALUR
 
Një korb
Që vjen nga legjenda
Për çdo stinë çel zogj
Mbi çatinë e kujtesës së erës
 
Krakëllijnë ullukët
Krakëllijnë edhe stërkalat e shiut
Mbase dimri sivjet
I harroi këpucët
Në polin e ngrirë
 
Diku në Ballkanin e trazuar
Prej kryqeve
Dhe gjysmë hënave
Një nënë
Vajton mbi një hartë
Fatin e grisur të atdheut
 
Era fërshëllen në stacion
Ora e ndalur
Bisedon
Me akrepin e zi
Kjo natë e lemerishme
Dëgjohet për herë të parë
Mbi dunat e shembura të shpirtit
 
HE HE HEJ O NJERI
 
Te majat e Ashtës së Keqe
Pa rënë në tokë
Si thupra të çelikta
Dridhen meteorët
 
Një melodi e lasht
Prej gjetheve
Mbështillet me kujtime
 
Atë ditë vjeshte
Sëpata hyri në asht
Te Guri i Zi mbetën
Vetëm stërkalat prej gjaku
 
Mbeti
Një përmendore trishtimi
Te sukat e Kabashit
O mbetën pa ledhatime
Ca gjethe nëpër korniza
 
He , he hej, o, o ,o
Sali Shabani burri
Ta puthsha fatin
Si nusen n’ gjerdek
 
Ti ishe i vetmi njeri
Që i shpove dymbëdhjetë  qese
Në kraharorin e gjokut të verdhë
Në kraharorin e kalbur
Të kapedanit të zi
 
NJË DITË
 
Një ditë
Ndoshta do të kthehemi tek ju
Si njerëz
Ne nuk jemi perëndi
Që ulen mbi frone të mermerta
 
Kjo tokë e jona
Sa e sa herë u gatua
Prej gurit të murrmë
Dhe u zie
Në dhjamin  e trishtimit
 
Ishim bonjak
Të harruar nga zotat
Vetëm malli për sinor
Na përvëlonte
Ashtin e ndrydhur
 
Vetëm malli
I përngjante
Rrugës së bashkimit
 
Një ditë
Ndoshta  nesër
Do vijmë tek ju
O varre të vrara
O eshtra të ziera
Në vorba trishtimesh
 
O GUR I IM I SHTRYDHUR
 
Nëse nesër
Këndoj në ndonjë degë të thyer
Mos mendoni se jam zog
 
Këto fjalë prej ere
Mbase fluturojnë mbi imazhin
E atdheut të vjedhur
 
Unë herë pas here
Nëpër këto metropole
I përngjaj zvarranikëve
 
Kur më zë vetmia
I shikoj hartat prej yjeve
Dhe e thërras mallëngjimin
 
O guri im i shtrydhur
Dhe  i  ndrydhur në buzët e thara
Të Jonit të kaltër
 
EGËRSIA E NJË FJALE
 
Nëse heshtim
Dhembja si ushejza depërton
Nëpër trishtimin e gjetheve
Dhe kurrë më nuk ndalet
Te ëndrra e një Eve
 
Lumëbardhi si nëpër balada
Gjarpëron në drejtim të panjohurës
Përrallat ikin
Tejmatanë lumit
Nga lëvozhga e kujtesës
Lulëzojnë manaferrat
 
Më kujtohet
Te udhët e legjendave
Diku pranë varre
Nuset i krehin flokët
Kurse shirat
Vajtonin me stinën
 
Mbrëmë arkivolet e theu
Egërsia e një fjale
Dhe nuk na mbeti
Asnjë  mur
Ku mund të vajtojmë
 
DERI TE NISJA E TRENIT
 
Stina paska ndërruar këmishën
E arnuar të gjarprit
Në sqetullat e ditës
Pikon myku i harresës
Kjo përrallë
Ka mbetur diku te korijet
 
Duhma e lagështisë
Si një gozhdë e ndryshku
Rri ngulur
Në muret e kujtesës
Sot herët në mëngjes
Ikën mjellma mjellmat e zeza
Nga liqeni i harrimit
 
Ty nuk të ndali asnjë furtunë
As lëngimi i vjeshtës
Sa pak paska mbetur nga heshtja
Sa që po më mërdhin duart
Në këtë acar të pasosur
 
Edhe pak
Shumë pak paska mbetur
Deri te nisja e trenit
Sa shpejtë po largohen binarët
Sa afër
po na duket tregim i harrimit
 
KURSE DIMRIT
 
Në këtë fushë
Urrejtja përtypet si çamçakëzi
Sa ora ndërrojnë stinët
Vera bëhet dimër
Kurse dimri
As që e di kush se si quhet
 
Njerëzit herë veshin këmisha
Të bardha
E herë të zeza
Për një fjalë goje
Shndërrohen në zvarranik
Në disa raste
Nuk e njohin as vetveten
 
Dalin nga lëkura e qengjit
Dhe hynë në atë të ujkut
U përngjajnë
kushteve meteorologjike
 
Në pikë të verës dëgjohen bubullimat
Kurse dimrit
Si me një saç të skuqur
Janë ë gjendje ta shkrin
Edhe dëborën e disa viteve
 
NJË VARKË PREJ LOTI
 
Disa  mjellma të zeza
Në kaltërsinë e paanë
Fluturojnë në drejtim të mjegullave
Mbi një varkë prej furtune
Përkunden baladat
 
Dy motra llamburitin
Me lopate prej shkume
Hapësirës së tejdukshme
Udhëtojnë
Hijet e pakapshme
 
Njëra në krah
Mbanë shpatën e Gjergjit
Kurse tjetra në sqep
Krenarinë e gjokut
Mbështjellë
Me ca harta të grisura
 
Disa kryqe prej mjegullave
Çelin si zambakët e bardhë
Nga dritat inkandeshente
Të sterrës mbinë
Psalmet e pa këndua
 
Mbi valët e turbullta
Një varkë prej loti
Ethshëm bisedon
Me parathënien e zanafillës
 

EDHE NJË NATË

Sonte për asgjë nuk kam nevojë
Ky libër i pluhurosur
Hyri si fryma e shenjtë
Nga portat e pasme
Të mjegullnajave
 
Një krakëllimë e vetme
Po i shëron plagët
E kiçit të thyer të harrimit
Era e tejdukshme
I ledhaton arkivolet e lisave
 
Edhe një natë e ngjashme
Me aromën e kësaj qershie
Do t’i deh
Të gjitha britmat e shpirtit
Në shtatin e dërmuar të kujtesës
 
SA SHUMË I PËRNGJAJE ERËS
 
Ti përherë
Kur takohesh me veten e parë
Harron prejardhjen e ujit
 
Pastaj del nga bota e jote
Lakuriqe
Me të vetmen dëshirë
T’i përngjash lindjes tënde
 
I kalëron luadhet e fëmijërisë
Duke i imitua bretkosat
Harron se dikur ishe njeri
 
E kishe librin tënd
Dhe nuk kishe dëshirë t’i përngjash
Kainit
 
Një ditë bëheshe vëlla me erën
Kurse ditën tjetër
Thoshe se e ke motër ujkonjën
Asnjëherë
Nuk ishe në gjendje të njëjtë
Sa shumë i përngjaje erës

Prishtinë, 07 shkurt 2013

NË NJË KOHË TJETËR

Po që se në degët e mushmollave
Mbjellim shiun
Shumë shpejt mund të mbesim
Pa asnjë gjurmë të erës
 
Nuk lindëm dje
Në vdekjet dhe dasmat tona
Asnjëherë s’hymë
Të gjymtuar
 
Kur na i lëruan udhët
S’kishim guxim të këndojmë
Baladat i fshehëm diku në kujtesë
Që të mbinë
Në një kohë tjetër
 
Dhe ja
Dolëm në majat e shtigjeve
Me të vetmen dëshirë
Të ecim deri te ëndrra e jote
Atdheu im i paçmuar

KOHA IME

Tani më nuk dihet
Se nga cila kohë erdha
Dhe në cilën po shkoj
Me duart e mia të ngrira
 
Ky udhëtim i tejdukshëm
Me dizgjinët prej ere
Si kaprojtë e egër
Kalëron qiejve
 
Koha ime
Nuk po i përngjan manaferrave
As manave të konvertuara
Ajo po vrapon si era e çmendur
Mbi tastierat e mjegullave
 
Disi paska një shije të egër
Kjo mollë e kuqe
Kur ndjej
Se në degët e kopshtit tim
Po pikon një eve

Me sy prej qielli

SA HERË QË DALIM NË FUND
 
Përsëri paskam ardhur te ti
Qyteti im
Përsëri po më rikujtohen
Ngjyrat e zambakëve
 
Atë ditë ushtonte
Ndoshta edhe qeshte Lumëbardhi
Kur te xhamia në shatërvan
Kur u takova
Me sytë e tua moj Eve
 
Mbase atë çast
U fundosa si një Titanik
Në detin e paanë
Të një mjegullnaje
 
Ti qeshe me mua
Sikurse unë sot
Që jam duke qeshur me ty
Loja e jonë  e cila kurrë
Nuk përfundoi
Vinte disi nga lashtësia
 
Dhe kështu
Është për tu befasuar
Nuk paska të sosur ky idil
Sa herë që dalim në fund
Pa dashje
Fillojmë nga e para
 
MARSI
 
Ne deshëm apo nuk deshëm
Të gjithë jemi fëmijët e një Marsi
Dhe prej Marsit në Mars
I kemi  ndezur
dhe i ndezim flakadanët e lirisë
 
Sërish presim një Marsin
Mu atëherë ngjallen zotat
Perëndit  zbresin fushave
Dhe u japin ujë dragonjve
 
Prej Marsit në Mars
Dalin në bejleg  kuçedrat
Dhe i këndojnë atdheut
Këngët e një tjetër kohe
 
Edhe ky Mars që po vjen
I ka kyçur të gjitha pikëllimet
Dhe asnjëherë më
Nuk do i përngjaj lotëve
 
PREKAZI
 
Mbi pergamene trishtimesh
Një Mars i pikëlluar
Vetëm një herë në jetë
Kaloi mbi dhembjen e çative
 
Era kalëroi  këndej pari
Dhe i këputi në ulëri
Portokajtë e shpresave
 
Bien e po bien gjëmat
E daulleve të luftës
S’pushojnë
As të rrahurat e topave
 
Te lugu i trimave
Nën çatinë e vjetër
Një zë deti
Thërret lashtësinë e ujit
 
Atje diku mes malesh
Në Ballkanin e  trazuar
Te gryka e një preje
Sa krenar
Po aq edhe madhështor
Prekazi hyri në histori
 
TE GJERDEKU I DHEMBJES
 
Anës manaferrave
Një grusht gjethesh të fishkura
Para pak kohe
Pranvera frymonte këtu
Si njeriu që vuante nga astma
 
Ne ishim duke ecur
Nëpër një rrugë të gjatë
Në vrapin e kaprollit
Kalëronte shpirti i erës
Dhe qante trishtueshëm një zog
 
Kur na ndalën
Te lisat e dasmorëve
Ne veç kishim harruar
Formën e frymëmarrjes
Vetëm gjëma ndihej  te hithrat
 
Si korniza abstrakte
Shtrihej para nesh
Një shteg i pakapërcyeshëm
Dhe nusja pa duvak
Te gjerdeku i dhembjes
Toka kundërmonte bliri të kalbur
 
DIMRI
 
Kam të ftohtë
Teshtij  si dëbora  e janarit
Meteorëve të trishtuar
Iu këputen lastarët anemik
 
Bien mbi daullet e shurdhët
Një muzikë e lashtë
Ua zë frymën notave në pentagram
Një gërnetë  e thyer
Përvajshëm dënes në korije
 
Pak më larg
te baladat e shelgjishteve
Jehon një këngë shtojzovallesh
Në mëgojëzat e mjegullave
Zgjohen eposet e lashtësisë
 
Në këtë dimër të acartë
Ku mërdhinë gjaku i erës
Në shpirtra të njerëzve
Ca gjethe të njoma
lëshojnë rrënjë prej dhembjeve
 

QENI

Kur hyri në dhomë
Më pa se bisedoja me vetminë
Një mizë e bezdisshme
Ishte ulur mbi kokën time
Dhe lexonte shtypin e verdhë
 
Ky shi i marrë
Që zbret
Çmendurisht zbret
Nëpër ullukët e skamjes
Bisedon me kotësia e pritjes
 
Jashtë mureve të lagshta
Një valle prej myku
Gozhdon  në shtatin e lisave
Mërzinë e ditës anemike
 
Një qen duke vrapuar pas mizave
Te ura e gurit
Rra në dy gjunjë
Dhe i humbi shqisat e të nuhaturit
 
SHIU DHE NËNA
 
Gjithmonë  pata hyrë
Nëpër të njëjtën portë
Dritaret rrinin të hapura
Dhe i përngjanin
Sqepave të zogjve të uritur
 
Shirat nuk më pengonin
Përkundrazi
Më pëlqente aroma e lagështisë
Më pëlqente ajo lojë virgjër
E stërkalave të reve
 
Në qytetin tim
Shirat janë të ngrohta
Avullojnë si buka e lokes sime
Dhe sa herë që më merrte uria
I përqafoja  kallinjtë
E mbarsura të shpresës
 
Edhe ky shi që bie sot
Rrënjët i ka diku në qiell
Dhe sa herë që mi lag flokët e thinjura
Mi përkujton çastet
E fëmijërisë
Dhe lotët e një nëna
 
KU TË KTHEHEM
 
Ju mund të befasoheni
Por unë i kam humbur duart
Nëpër xhepat e shqyera të mjegullave
Ku përherë vrapojnë
Kalorësit e shfrenuar të vetëtimave
 
Në ecjen time i përngjaj erës
E herë mjegullave
Që nuk sjellin shi
Bubullimat
Më shoqërojnë përtej mëkatit
 
Do dalë nga lëkura e ime
Do shkoj deri te portat e Ferrit
Ose të Parajsës
Po që se nuk hapen
Ku të kthehem

Ku t’i kërkoj këto duar prej bryme

NËSE ZGJOHEN MËKATET

Nëse do të mos i zgjosh mëkatet
Lëre gurin le të fle
Ti edhe ashtu ke hyrë thellë
Në shpirtin e mushkonjës
 
Të pata thënë ndale hapin tënd
Por ti vrapoje si era
Dhe asnjëherë nuk mbërrite
T’i shkulësh të ligat nga akacia
 
Ky mëkat që rri me gurin
I ka disa tehe
Cilin do që e prek
Mund të verbohen yjet
 
Sërish po të them
Lëre gurin le të fle
Nëse i zgjon mëkatet
Kurrë më nuk ke për të fjetur

Prishtinë, 07 shkurt 2013

Biografia

Adem Zaplluzha u lind në Prizren, më o1. o2 1943.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Akademinë Pedagogjike në Prishtinë.

Një kohë punoi mësues nëpër fshatrat  Studençan të Therandës dhe Hoça e Qytetit, afër Prizrenit. Ndërkohë punësohet si përkthyes në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Me shkrime  filloi të merret  kryesisht me poezi që nga mosha e fëmijërisë. Rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të cilën e botoi në revistën ”Pionieri”, më 1957

Si i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me shokët e punës dhe të penës, themeloi grupin letrar “Lulëkuqet e Kosovës”. Në kuadër të punës së këtij grupi u botua përmbledhja“Ngjyra e Kohës”, në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij. Krahas krijimeve të publikuara në revistat për fëmijë, botoi edhe një sërë krijimesh letrare nëpër gazeta dhe revista, që dalin në Prishtinë,Shkup dhe Zagreb. Në vitin 2o1o i përkthehet një libër në gjuhën Rumune, nga përkthyesi i mirënjohur  Baki Ymeri,“Pema e Bekuar”, libër, i cili u mirëprit nga lexuesi Rumun.

Po atë vit, në një nga numrat e revistës “Shqiptari”,

në Rumani, në bashkëpunim me redaksinë revistës “Dituria”,në Boras të Suedisë, botohet një antologji, “Jehona e Shekujve”, autor Sokol Demaku, ku përfshihen edhe disa punime të Adem Zaplluzhës.

Është prezantuar në LEKSIKONIN SHKRIMT-ARËVE SHQIPTARË 15O1-1990, Nga Hasan Hasani, si dhe në LEKSIKONIN SHKRIMTARËT SHQIPTARË PËR FËMIJË,1872- 1995 Nga Odhise K. Grillo, dhe në librin Portrete Shkrimtarësh nga Demir Behlul,Prishtinë 2oo2.

Si dhe është përfaqësuar në Rumuni në një antologji të shkrimtarëve të Kosovës nga Monica Marushan KOSOVA LITERARA, (Kosova letrare, përkthyer nga Baki Ymeri, alias Alban Voka .2o11

Është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Jeton në Prishtinë.

 

BOTIME TË AUTORIT

 

1. “Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974.

2. “Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995.

3. “Çamarrokët e Thepores”, poezi për fëmijë, “Shkëndija”,Prishtinë 1996.

4. “Muret”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë, 1997.

5. “Morfologjia e dhembjes”, poezi, “Faik Konica”, Prishtinë,2000

6. “Ai vjen nesër”, poezi, Qendra e Kulturës, Klubi letrar“Fahri Fazliu”, Kastriot, 2oo7

7. “Letër nga mërgimi”, poezi, Klubi letrar “Fahri Fazliu”Kastriot , 2007
8. “Letër nga mërgimi 2 “ poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar , “Fahri Fazliu”, Kastriot 2007

9. “Udhëndarja”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar ,“Fahri Fazliu”, Kastriot , 2008

1o. “Thirrje e gjakut”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Klubi letrar, “Fahri Fazliu”Kastriot 2008

11. “Asgjë sikur molla”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar “Fahri Fazliu”, Kastriot, 2009.

12. “Vesa në lotin tim”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi letrar “Fahri Fazliu”, 2009,

13. “Puthja e gozhduar”, poezi, “Qendra e Kulturës”, Klubi

letrar, “Fahri Fazliu”, Kastriot , 2oo9.

14. “Kashelasha në vargje”, poezi për fëmijë,” Qendra e kulturës, Kastriot, 2oo9.

 

15. “Pema e bekuar”, E përkthyer, Rumani, 2o1o.

16. “Bajraktarët e vatanit”, poezi satirike, Klubi letrar, ”Fahri Fazliu” Kastriot , 2010.

17. “Hijet e ndryshkura”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

18.”Stuhi në Kutulishte”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

19. “Posa ikte nata”, poezi, “Qendra e kulturës “, Kastriot,2010.

2o. “Loja e myshqeve”, poezi,”Qendra e kulturës”, Kastriot,2010.

21. ”Lumëbardhi dhe gjëma”, poezi,”Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

22. “Metafora e heshtjes”, poezi, “Qendra e kulturës”,Kastriot, 2o1o

23. ”Hyji në Prekaz”, poezi,”Qendra e Kulturës”, Kastriot,2010.

24. ”Sinorët e hinores”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot 2010

25. ”Don Kishoti dhe Rosinanti”, poezi, Shoqata  e Shkrimtarëve, Kastriot, 2010

26.”Zjarri i dashurisë”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2010

27. ”Kur likenet vallëzojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

28. “Ditari në vargje”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 201O

29. “Tingujt që nuk përfundojnë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o1o.

3o.  “Shtegu i mallit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2010

31. ”Korniza e thyer”’,Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, -Kastriot, 2010

32. “Zgjimi i gjëmës”,Poezi, Shoqata e Shkrimtareve-Kastriot, 2010

33. “Vallja mistike”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2010

 

34. ”Merre kodin”,  Poezi për fëmijë, Shoqata e shkrimtarëve Kastriot,2011

35. “ Letër atdheut” poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

36. “ Tejdukshmëria e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

37. “ Përtej teje”,poezi, Shoqata e  Shkrimtarëve-Kastriot, 2011

38. “Sa afër e sa larg” , poezi, Shoqata e shkrimtarëve-

Kastriot, 2011

39. “Vallja e zanoreve”, Poezi , Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

40. “Ikja e eshtrave”, Poezi për të rritur, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o11

41.”Kalorësit e mjegullave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot, 2012

42. “Hingëllimat e shiut”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot 2012

43. “Kur pemët i ndërrojnë këmishët”. Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot,  2o12

44. “Mirëmëngjes Imzot”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

45. “Kafshimi i mikut”, Poezi satirike, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

46. “Atje tej maleve”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve , Kastriot-2012

47. “Heshtja që del në shesh,” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve, Kastriot -2o12

48. “Portat e shpresës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve, Kastriot-2012

49. “Në dhomën time gjysmë të errët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

5o. “Kinse Lojë Shahu”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

51. “ Për çdo dekadë nga një baladë “, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

52. “Fusha e mëllenjave”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

53. “E kujt është kjo vetmi”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

54. “Mos pyet për adresën e lumit”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2012

55. “ Stoli në parkun vjetër” Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2012

56. “Urori i stralltë”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

57. “Po të mos ishte fjala”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot,2o12

58. “Thyerja e urave”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve –Kastriot, 2o12

59. “ Trokëllimat në gjumin e dallgëve”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

60. “ Në flokët e dëborës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

61. “Një grusht nostalgji”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2o12

62. “ Kur filluan të flasin njerëzit”, poezi, Shoqata e shkrimtarëve- Kastriot, 2012

63. “Kur stinët kapërcejnë fshehurazi”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot,2012

64. “ Lisi në rrënjët e veta” , Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot 2o12

65. “Eca ecëm dhe do ecim”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve – Kastriot, 2o12

66. “Fëmijët e erës”, Poezi, Shoqata e shkrimtarëve-Kastriot 2012

67. “ Çast në fund të stinës”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot-2012

68. “Si të flas me drurët”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

69, “ Më pëlqejnë mendimet e tua”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

70. ”Andej dhe këndej kohës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot , 2012

71. “Zëri i heshtjes”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve- Kastriot, 2o12

72. “Kush i lexoi letrat prej erës”, poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

73. “ Fluturimi i korbave në netët pa hënë”, prozë poetike, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

 

74. “Koha e ime dhe koha e jote”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot , 2012

75.” Diku te një baladë”, Poezi, Shoqate e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

76. “ Sonte çdo gjë po i përngjan lotëve”,Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve –Kastriot, 2012

77. “ Ky def prej hëne”, Poezi, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012

78 .“ Pyesni zogjtë në ikje”,Poezi, Shtëpia botuese “Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

79. “ Fërfërimë gjethesh “ Poezi, shtëpia,botuese-Kastriot, 2013

80 . “ Refrene yjesh”, Poezi, shtëpia botuese “ Fahri Fazliu”- Kastriot 2013

81. “Te delta e mjellmave”, Poezi,shtëpia  botuese  “ Fahri Fazliu”- Kastriot , 2013

 

Përmbajtja

 
Cikli i parë
Nën ullukët e çatisë
 
Trokitja
Lumenj fjalësh
2.
Do presim edhe pak
2.
Në këtë kohë të lig
Në lagjen tonë
Nuset
Nën ullukët e çatisë
Ne të gjithë
Ky isha unë
Shkonte përtej kujtesës
Te përmendoret e mjegullave
Ky shi prej fjalëve
Te shirat e qytetit
Këtu posa çelin fjalët
 
Cikli i dytë
Te delta e mjellmave
 
Harta e fundit
Këto pasaporta biometrike
Kur heshtim
Në qytetin tonë
Te delta e mjellmave
Vetëm trokëllimat e patkonjve
Në sqepat e lisave
Vetëm qentë e lagjes
Isha fëmijë i erës
Lumëbardhi
Ky isha unë
Kur i përcollëm bindjet tona
I varrosëm hingëllimat
Na presin shtojzovallet
Qukapikët
Hije korbash
Në ëndrrën e kujt
Rruga e kërrabës
Vetëm te portat e shirave
Këto shira prej myku
Ja kështu duket qyteti im
Dikur vonë
 
Cikli i tretë
Një varkë prej loti
 
Diku në korije
Një lindje e re
Në cilën stinë
Ora e ndalur
He he hej o njeri
Një ditë
O guri im i shtrydhur
Egërsia e një fjale
Deri te nisja e trenit
Kurse dimrit
Një varkë prej loti
Edhe një natë
Sa shumë i përngjaje erës
Në një kohë tjetër
Koha ime
Sa herë që dalim në fund
Marsi
Prekazi
Te gjerdeku i dhembjes
Dimri
Qeni
Shiu dhe nëna
Ku të kthehem
Nëse zgjohen mëkatet
Biografia


(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora