E premte, 29.03.2024, 10:14 AM (GMT)

Mendime

Dhimitër Gegprifti: Kosova: histori e dhimbshme, Pavarësia domosdoshmëri historike

E premte, 09.05.2008, 04:41 PM


Kosova: histori e dhimbshme, Pavarësia domosdoshmëri historike.

Nga Dhimitër Gegprifti
    
Kur lexon librin: "Kosova" një analizë gjeopolitike, monografi e Prof. Dr. Stefan Karastojanovit

Në letërsinë botërore janë të njohura rastet dhe këto nuk janë pak, që një numër veprash marrin vlera të veçanta, jo vetëm nga tema, problematika e tyre dhe niveli i realizimit, por edhe nga koha, kur botohen, aktualizimi me të. Në këtë kuadër bën pjesë dhe sjell vlera vepra e Karastojanovit për çështjen e Kosovës dhe statusit të saj politik. Jemi në një moment historik për Kosovën, u shpreh presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi në vizitën në Kosovë në krye të një delegacioni të gjerë në vigjilje të shpalljes së Pavarësisë. Prof. Dr. S. Karastojanov është themelues dhe kryetar i Departamentit "Gjeografi Politike dhe Rajonale" në fakulitetin e Gjeografisë dhe Gjeologjisë në Universitetin e Sofjes "Shën Klimend Ohridski". Libri është botuar nga Shtëpia Botuese "Serembe", Shkup 2007. Kjo vepër, për mendimin tonë, duhet të jetë e para e këtij lloji, që merret me analizën e Kosovës dhe problemit të saj imperativ, Pavarësinë, të para në një plan më të gjerë dhe nga një optikë tjetër: nga Gjeopolitika, hapsira gjeografike, shteti si një formë hapsinore gjeopolitike, ku bashkëveprimi i këtyre elementëve në momente të caktuara, kur herë determinonte njëri dhe herë tjetri, kanë sjellë ndryshime dhe pasoja. Këta faktorë kanë vepruar në një territor gjeografik siç është Ballkani me një sipërfaqe prej 505 mijë km2, ku bashkëjetojnë 11 shtete, midis të cilëve edhe Kosova, duke pasur ndikim mbi zhvillimin politik, ekonomik dhe historik. Është e domosdoshme t'u kushtohet rëndësi faktorëve gjeografik dhe politik që kanë çuar në këtë coptim. Sipas (Batakliev 1940), shkaqet kryesore janë dy: pozicioni gjeografik dhe udhëkryqi i Ballkanit, gjë që favorizon lëvizjet përmes tij. Tjetri është thyerja e sipërfaqes tokësore, që lejon organizimin e komuniteteve të mëdha e të vogla, popuj dhe shtete. Vlerat e këtij studimi me përmasa europjane nuk kufizohen me kaq. Ky është vetëm fillimi. Analiza e detajuar gjeografike, historike dhe politike e shteteve të këtij rajoni përbën një vlerë tjetër.
Ajo fillon nga lashtësia, epoka e Gurit (Neoliti) nga 7000-5500 vjet p.e.sonë e deri në ditët e sotme. Mandej autori i kushtohet Kosovës dhe problemeve të saj me pesë kapituj: Kosova gjatë Lashtësisë dhe Mesjetës - Kosova gjatë periudhës së pushtimit Osman - Kosova mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore - Kosova në fillim të shekullit XXI. Nëse e studjojmë me kujdes këtë vepër dhe njëherësh këtë autor të
tërheq vëmendjen literatura e studjuar me rreth 180 autorë e vepra në mënyrë shteruese, ku midis tyre të bjen në sy dhe autor bullgar. Autori jo rastësisht, por me bindje kërkon ndihmesat reale të autorëve bashkëkombas dhe të shtetit Bullgar sot në kushtet e reja në Ballkan në shekullin XXI, kur Bullgaria është anëtare e NATOS dhe BE. Llogjikisht shtron pyetjet: -Pse në Bullgari vazhdon të dominojë nihilizmi kombëtar? -Cilat janë arësyet që Bullgaria nuk ka një doktrinë kombëtare të pranuar nga të gjithë? - Ku është koncepti i sotëm gjeopolitik i Bullgarisë? Pse nuk kemi një planifikim afatgjatë të marrëdhënieve ndërshtetërore me shtetet ballkanike? Deri kur do të qëndrojmë skllevër të steriotipeve të vjetra të të menduarit dhe të sjelljes? A nuk mund të pranojë shtresa jonë politike se duhet ta ripunojmë me shumë seriozitet politikën tonë të jashtme në Ballkan? "Kosova"...f 262-263. Formimi i një shteti të ri legjitim sipas politologut amerikan Janush Bugajski, i hapur ndaj institucioneve ndërkombëtare është një zgjidhje më reale për Europën Juglindore se sa mbajtja e federatave të paqëndrueshme dhe njësive të varura. Ky është një vendim prapa të cilit duhet të qëndrojë Bullgaria dhe qeveritë e tjera ballkanike të mbështetura nga vullneti i BE, garant për realizimin e këtij procesi. Në të shumtën e rasteve Prof. Dr. Karastojanov shtron një sërë pyetjesh në formë retorike dhe me një nënëtekst, që i lihet lexuesit. Me shumë vlera janë tezat, konkluzionet, vlerësimet e studjuesve të ndryshëm, ku më interesante janë ato të atyre serb për raportet dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, Kosovë-Sërbi, Kosova-shtete të tjera të Europës, Kosovë-SHBA. Janë determinative të studjohen marrëdhëniet Sërbi- Rusi për problemin e Kosovës, për qëndrimet dhe veprimet e fuqive të mëdha. Sipas mendimit dhe vlerësimit të optikës sonë, ky libër i duhet politikës dhe politikanëve në këtë territor gjeografik, ku kufizohen 11 shtete me kushte e problematika të ndryshme dhe me histori të veçanta. Problemi i Kosovës dhe Kosovarëve ka ardhur gjithmonë duke u rritur në mënyrë progresive deri sa u ndërkombtarizua. Sot ëndërra shekullore për një shtet kosovar u bë realitet. Pavarësia një eveniment historik, jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë. Problemi kosovar shpesh herë është gjykuar në Europë, Ballkan, por edhe ne Botë si një shpërthim a një problem i çastit dhe nuk janë kërkuar rrënjët e tij të vërteta, kompleksitetin e tyre dhe domosdoshmërinë e vlerësimit real të tij. Nëse politika dhe politikanët brënda Kosovës, Europës apo dhe Botës do ta njihnin problemin si autori Karastojanov, mbase do të kishin dhënë një zgjidhje më të herëshme e të mos i lihej shekullit XXI?!. E megjithatë ka shtete europiane, aziatike, që ende janë në dileme për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Herë hapur dhe herë e moderuar ka qënë politika e Rusisë, por edhe e ndonjë shteti në Ballkan. Edhe në politikën e sotme sërbe ideologët e saj të moderuar edhe atje me kohë kanë dhënë sinjale se Kosova duhet të shkëputet, të jetë e pavarur, por është ecur me një politikë kolonizuese, cinike, agresive, çnjerëzore, majat e së cilës arritën në shekullin XX me Sllabodan Millosheviçin. Shkrimtari i njohur serb Dobrica Qosiç, në veprën e tij për Kosovën shkruan se demostratat e shqiptarëve në vitin 1981 janë të gjitha të popullit. Në to marrin pjesë fëmijë, nxënës, studentë dhe punëtorë, të cilët i kundërvihen Jugosllavisë socialiste të Titos. Ai është i mendimit se udhëheqja jugosllave, duke ndjekur ideologjinë e kominternit, padrejtësisht i identifikoj ngjarjet në Kosovë si kundërrevolucionare. "Në qoftë se nuk jemi gati ta lejmë të lirë Kosovën, vazhdon Qosiç, atëhere duhet ta ndajmë me Shqipërinë, duke marrë manastiret dhe rajonet sërbe, ndërsa shqiptarëve t'i japim çdo gjë tjetër, që është shqiptare. Përndryshe do të jemi vazhdimisht në luftë me shqiptarët, luftë të cilën nuk mund ta fitojmë. Në një luftë të tillë gjithëmoë fitojnë ata, që luftojnë për lirinë e tyre". Që në vitin 1968 shkrimtari i madh serb flet para Plenumit të KQ të Jugosllavisë. Midis të tjerash thekson "jotolerancën dhe urrejtjen që ekziston mes popujve të Jugosllavisë. Që në atë kohë tha shprehjen e tij të famshme: "Në Kosovë mund të ketë ose shtet jugosllav ose shqiptar. Të dy variantet së bashku nuk qendrojnë". Autori tjetër Milovan Gjilas më 1993 është shprehur: "Derisa Kosova të jetë pjesë e Sërbisë, në Sërbi nuk do të ketë demokraci". Sipas Karastojanovit dhe realiteteve të krijuara, kjo prognozë profetike duket e saktë. Ne do të shtonim se po shkon drejt një zgjidhje dhe po sjell realitete ë reja për Sërbinë. Me këtë vepër Pro.Dr. Karastojanov "bën përpjekje, jo vetëm të ndjek fatin e Kosovës nga lashtësia deri në ditët e sotme, por edhe të sugjerojë zgjidhje të caktuara të problemit, duke patur parasysh specifikat e konfliktit si dhe ngarkesën e tij historike..." G. Bakollov. Sipas autorit, ai kërkon që t gjejnë zgjidhje pyetje t tilla: - Cilat janë rrënjët historike të konfliktit Sërbo-Shqiptar? - A kanë bazë të argumentuar pretendimet e sërbëve për hapsirën nga Triestja deri në Detin e Zi? - Cili është roli i fuqive të mëdha në krijimin e "nyjës Gordiane"-Kosovës?
Retrospektiv historike... Sipas autorit, fundi i vitit 2006 dhe fillimi i vitit 2007, çështja parësore ka qënë si të zgjidhet statusi politik i Kosovës. Duhet të pranojmë që territori i Kosovës së sotme është përcaktuar pas vitit 1945. Ka një sipërfaqe 10.900 km2 me pozitë gjeografike shumë të favorëshme midis dy qyterimeve: katolik dhe musliman, që jep mundësi të konsiderueshme për një integrim të shpejtë në Europën e Bashkuar në aspektin historiko-shoqëror. Jeta në Kosovë fillon me fiset Dardane dhe pjesërisht Iliri dhe Peonë. Këtu ndeshet për herë të parë emërtimi etnik -Arbër. Gjithmonë sipas autorit, popullsia e Kosovës ka qënë e përfshirë në sferën kulturore të Perandorisë Bullgare, që do të thotë se ka qenë nën ndikimin e Kishës Orthodhokse Bullgare. Teza, që Kosova është djepi i shtetit mesjetar sërb, nuk është e bazuar mbi asnjë fakt historik. f.55 .Një tezë tjetër e historianëve serb është se gjatë luftës Osmano- Austriake 1683-1690 gjithë popullsia e Kosovës ka qenë sërbe. Kjo tezë do të jetë dhe pjesë e mitologjisë nacionale fetare e Serbisë. Në këtë mitologji përfshihen tri ngjarje të mëdha: humbja e sërbëve më 1389, shpërngulja e popullsisë nga Kosova dhe "ringjallja", ripushtimi i Kosovës më 1912. Gjatë shekullit t XIX, vazhdon autori, rajoni i Ballkanit bëhet qendër kryesore e kundërshtimeve gjeopolitike mes fuqive të mëdha: Britania e Madhe, Franca, Austria, Rusia dhe më vonë futet Gjermania dhe Italia. Viti 1877 ka rëndësi të madhe për çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar në një marrëveshje të fshehtë i njihet e drejta të ketë shtetin e saj. Lidhja e Prizërenit 10 qershor 1878. Kosova kthehet në djep të Rilindjes Kombëtare shqiptare. Shpallja e Pavarësisë 28 nëntor 1912, pas kryengritjeve të vitit 1910-1911, kjo nënkuptonte se shqiptarët kishin shtetin e tyre brenda Perandorisë Osmane. Në të njëjtën kohë Sërbia dhe Mali i Zi nuk do të realizonin synimet e tyre gjeopolitike, duke aneksuar një pjesë të tokave shqiptare. Një pjesë e opozitës në Sërbi reagoi kundër politikës sërbe. Dimitër Tucoviç më 1914 shkruan: "...që në vitin 1913 qeveritarët sërb e hapën regjistrin e tyre të masakrave dhe mizorive koloniale". f.126
Pas pushtimit të Prishtinës janë vrarë nga 5000 deri në 25.000, djegje shtëpishë me synimin e ndryshimit të karakterit unik të rajonit. Fuqitë e Mëdha Franca dhe Rusia e mbështetën Sërbinë për të siguruar sa më shumë territore. Qeveria e Beogradit e kishte të qartë se ripushtimi i Kosovës do t'i hapte një mal me probleme, midis të cilëve, një bashkim i mundshëm me Shqipërinë, i cili u lakua shpesh dhe tani në fillimet e shekullit XXI nga kancelaritë ndërkombëtare. Nga pikëpamja juridike Kosova kurrë nuk ka qënë e përfshirë në shtetin Sërb. Pushtimi i saj më 1912-1913 është i parashkruar me Kushtetutën e vitit 1903, art.4. Viti 1918 shënon formimin e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosvës, i cili kishte si qëllim lobimin para qeverisë amerikane. Shkurti i vitit 1919 shënon ripushtimin dhe njëherë, kolonializimin, vendosen rreth 14.000 familje sërbe, të cilat morën afërsisht 200.000 ha tokë. Njëherësh filloi përpunimi i një ideologjie e përfaqësuar nga "Klubi Kulturor sërb" i udhëhequr nga Vasa Çubriloviç, autor i tezës dhe veprimit të emigrimit masiv të shqiptarëve siç e bëri Gjermania me çifutët. Ai do të arrinte deri në spastrim etnik i përdorur që në vitin 1942 i përdorur nga mihaljovistët. Krijimi i PKJ po përhapte në mënyrë të fshehtë të drejtën për vetvendosje dhe të drejtën për t'u ndarë. Ky mendim do të vij deri në vitet 1944-1945, kur E. Kardel mbështeti tezën:" Zgjidhja më e mirë do të kishte qënë bashkimi me Shqipërinë". Vizita e Titos në Kosovë më 1967 dhe deklarata për ë drejta të barabarta, demokratizimit ë jetës politiko-shoqërore u dhanë arësye popujve jo sërb të shfaqin në mënyrë kategorike identitetin kombëtar. Kardel mbron tezën për vetvendosje për secilin popull deri në shkëputje. Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 u dha ë drejtë provincave autonome të hartonin kushtetutën e tyre. Me politikat e saja Jugosllavia, sipas Jakshiç, ishte mbyllur në proceset e integrimit në Europë shumë më tepër se çdo vnd tjetër i socializmit real. Elitat politike të popujve të Jugosllavisë i çuan shoqëritë e tyre drejt rrugës së luftës, konflikteve dhe vuajtjeve dhe jo drejt bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
Krizat e shteit jugosllav u shfaqën dhe në Kosovë dhe nisën me protestat e vitit 1981, me moton: "Kosova Republikë". Likuidimi i autonomisë së Kosovës nga politika armiqsore e Millosheviçit e parë nga diatanca e kohës mund të përcaktohet si një gabim katastrofal. Gabim i cili çoi drejt shpërbërjes përfundimtare të Jugosllavisë dhe drejt vuajtjeve të pamasa të popullit sërb. Në këtë situata të reja për Kosovën në zhvillimin e proceseve politko-gjeografike të rajonit kishte dhe shoqata e shkrimtarëve në Kosovës me në krye Ibrahim Rugovën, e cila u bë baza për krijimin e një lëvizje masive për realizimin e qëllimeve politike kombëtare shqiptare. Viti 1990 shënon dhe krijimin e partive politike midis të cilave spikaste LDK me mbi 150 mijë vetë me lider Rugovën autoritet i pakontestueshëm, për pikëpamje të matura, për qëndresë paqësore ndaj okupacionit serb. Shtatori i vitit 1991 sjell referendumin për Pavarësinë, ku morën pjesë 87% dhe e mbështetën 99%. Rugova bëhet presidenti i parë. Përpjekjet e tij drejtoheshin për internacionalizimin e çështjes së Kosovës, duke përfshirë Kombet e Bashkuara. Ndërkohë Bullgaria ishte një ndër vendet e para që njohu Pavarësinë e Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Ajo ishte dhe vendi i parë që e njohu Mqedoninië. Izolimi diplomatik i Sërbisë, nënvlerësimi i opinionit publik ndërkombëtar ishin gabime të tjera të Millosheviçit. Paraqitjet e presidentit të atëhershëm të Shqipërisë Sali Berisha gjithashtu ndihmuan në internacionalizimin e kësaj çështjeje në një sërë fjalimesh dhe daljesh publike në vitin 1993. Ai argumentoi nevojën e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar dhe propozoi një plan për përmirësimin e situatës në Kosovë me ndihmën e BE, Këshillit të Sigurisë dhe NATO-s. Ai përjashtoi kategorikisht mundëinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Vjenë, viti 1997, "Die Presse". Në Jugosllavi mbizotëronte orientimi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me anë të forcës, që presupozonte spastrim etnik deri në masakra makabre. Ngjarjet sollën Rambujenë në vitin 1999, një arritje për Kosovën me garancinë e NATO-s dhe qeverinë e SHBA. Fuqitë e Mëdha përpiqeshin të gjenin një zgjidhje sesa të zgjeronin konfliktin. Shpresa më e madhe e Millosheviçit ishte te Rusia. Spastrimi etnik total i shqiptarëve do t'i shtynte drejt Maqedonisë dhe Shqipërisë për destabilizimin e këtyre dy shteteve. NATO fillon operacionet ushtarake. Janë dëbuar 850.000 rreth 50% e popullsisë. Rezoluta 1244 e OKB, Kosova kalon nën qeversjen e administratës civile të OKB. Revista londineze "Times" do të shkruaj: "Kosova do të hyj në histori si kolonia e parë e rendit t ri botëror". Nëntor 2001 Rugova e drejtohet BE për njojhe zyrtare të Pavarësisë, të clën e refuzuan duke kërkuar bashkëpunim me Beogradin dhe pune për krijimin e standarteve Europjane. 24 tetor 2005 Këshilli i Sigurimit mblidhet për të diskutuar çështjen e Kosovës ngarkohet Marti Ahtisari. Parlamenti kosovar pranon një rezolutë për një Kosovë të Pavarur dhe Sovrane.
Qendra për studime strategjike në Uashington thekson:" shndërrimi i Kosovës në një shtet të pavarur është e vetmja mundësi e zgjuar. Por ende vazhdoi të diskutohet gjatë se si do të vinte Pavarësia në Kosovë, format dhe etapat që duhej të kalonte. Kosovarët nuk negocionin asgjë vetëm Pavarësinë. Dhe kështu pas shumë negociatash me shtete e qeveri europiane, institucione ndërkombëtare, OKB, Këshilli i Sigurimit me mbështetjen e fuqishme të SHBA, me në pjesë shtetesh të BE, pavarësisht kundërshtive, "Vetos"së Rusisë dhe sugjerimeve të saj, mospranimi kategorik i Sërbisë, Kosova shpalli Pavarësinë. Sërbia pretendon dhe ngul këmbë për zgjedhje në territorin Kosova me popullsi sërbe më 12 maj 2008?!... Kjo ishte zgjidhja dhe domosdoshmëria historike, jovetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin, Europën dhe botën. Një analizë kaq e detajuar në aspektin hisorik, gjeografik, gjeo-politik, me një volum literature të shfrytëzuar në mënyrë shterues që të çon në zgjidhje të arësyeshme bashkëkohore dhe të moderuara siç është Pavarësa e Kosovës është meritë e padiskutueshme e autorit Prof. Dr. Karastojanov, por edhe e Shtëpisë Botuese "Serembe" Shkup që përzgjedh dhe boton vepra dhe autorë të tillë kaq potencial. Të tilla vepra i shërbejnë kohës dhe i mirëpret lexuesi i kudondodhur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora