E premte, 19.04.2024, 06:23 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Dita e zezë e 7 prillit 1939 / Hubert Bouchet: E pashë të vdesë Shqipërinë

E diele, 07.04.2013, 10:01 AM


Dita e zezë e 7 prillit 1939

Përgatitur nga Fotaq Andrea

Zakonisht është njohur nga Historiografia botërore si data e fillimit të Luftës së Dytë Botërore 1 shtatori i vitit 1939, kur Hitleri në krye të Raihut III sulmoi Poloninë. E megjithatë, ne shqiptarët nga ana jonë, kemi të drejtë të pyesim me plot gojën përse të mos njihet si data e fillimit të Luftës së Dytë Botërore 7 prilli 1939, kur Italia fashiste sulmoi Shqipërinë e vogël në mes të Europës? Përse ajo qëndresë e shqiptarëve, sado simbolike, në numër e në mjete, në brigjet e Adriatikut dhe kryesisht në Durrës, përballë mobilizimit ushtarak të Italisë fashiste, armatosur kokë e këmbë, të mos konsiderohet nga Historiografia botërore si sinjali i parë i qëndresës së fuqishme të popujve kundër bishës nazi-fashiste hitlero-musoliniane? Përse Heroi i popullit shqiptar Mujo Ulqinaku të mos konsiderohet si martiri i parë i qëndresës gjatë Luftës së Dytë Botërore? Ja do pyetje që na dalin vetvetiu nga shpirti, kur është e njohur që shqiptari historikisht, gjithmonë ka derdhur gjakun e tij në mbrojtje të qytetërimit europian, duke filluar nga qëndresa skënderbejane e gjer në ditët e para të Luftës së fundit botërore. Kuptohet se, veç mjaft e mjaft padrejtësive historike në kurriz të shqiptarëve, në rrudhjen e trojeve të tyre shekull mbas shekulli, kemi qenë të detyruar të mbajmë mbi kurriz, si gurin e Sizifit, gjatë mbijetesës sonë stoike e herkuliane, edhe një mal të tërë  paragjykimesh, qoftë edhe nga vetë Historiografia botërore. I takon pra historianëve tanë dhe Historisë sonë kombëtare shqiptaro-kosovare të lartojnë vlerat e mirëfillta shqiptare, të vënë pika mbi -i- për çdo padrejtësi e paragjykim, mbi bazën e fakteve dhe dokumenteve historike. Dhe fakt më konkret për atë fillim të Luftës së Dytë botërore është shi krisma e dyfekut shqiptar ndaj hordhisë fashiste, vetë gjaku i derdhur i Mujo Ulqinaku me shokë atë 7 prill të zi të vitit 1939.

Dëshmon për këtë edhe një kronikë e kohës nga gazetari francez Hubert Bouchet, botuar në revistën VOILA më 14 prill 1939, për atë ditë fatkeqësie kombëtare, që mbahej si e premtja e shenjtë, por që për ne shqiptarët do mbetet veç dita e zezë e pushtimit fashist të vendit, e njëkohësisht edhe dita e krismës së parë shqiptare në agim të qëndresës së popujve kundër nazi-fashizmit.

E pashë të vdesë Shqipërinë

Nga Hubert Bouchet

Durrësi u zgjua këtë mëngjes të së premtes së shenjtë si zakonisht. Në port ishin ankoruar dy anije të vogla të përhirta, me pamje peshkaqeni dhe që mbanin flamurin e Madhërisë së Tij Perandorit të Italisë e të Etiopisë. Të tjera anije, në det të hapët, disa milje larg po patrullonin si me pamje të pafajshme...

... Befas, një skuadrilje ajrore, grupuar si patat e egra që mërgojnë, kalon gjithë gumëzhimë në lartësi të ulët, duke shurdhuar zonën me bubullimën e mijëra kuajve fuqi në oshtimë. Të jetë vallë një sinjal? Kryqëzorë e silurues shfaqen në horizont me ndriçime të kuqërremta. Topi gjëmon. Grykat 380 mm të marinësve vjellin vdekjen nga mitralozët mbi shtëpitë e bëra në shumicën e tyre me qerpiç e dërrasa. Por edhe shtëpitë prej guri nuk është se rezistojnë më shumë përballë atij shiu të plumbtë e të çeliktë. Popullsia, që në shumicën e saj merret me peshkim, me toruan krejt të humbur pyet, në këtë të premte të shenjtë përse qielli po zëmërohet dhe po u dërgon zjarrin e skëterrës. Të jetë vallë fundi i botës? Aspak, është thjesht dëshira e Zotërisë Musolini që po vihet në jetë. Kërkon ta vërë Shqipërinë në hap, se na qenka vend mesjetar, me zakone barbare, me mbret tradhtar (Duce dixit!)

Gratë, me ferexhetë që fluturojnë nga era, rendin sa djathtas, majtas, duke kërkuar një strehim. Një strehim!... Sa qesharake. Në këtë vend me zakone patriarkale, ku njerëzit nuk kanë shumë kërkesa nga qytetërimi, pikërisht strehime nuk ka. Kasollet e vogla përgjatë bregut fluturojnë në ajër nga shpërthimet.

E megjithatë, me të kaluar të shtangurit e parë, burrat, ata shqiptarë të guximshëm, që nuk i tremben barutit, shpejt e mblodhën veten. Kanë rrëmbyer dyfekët, martinat, të vjetra ndoshta, por që vetëm duart e tyre dinë t’i përdorin. Rrëmujazi, por të vendosur, marrin për nga porti, ku disa mole, të prekur nga predhat me qitje të shkurtër, shfaqin tashmë rrënim të plotë.

Ushtarët e Madhërisë së Tij Zotërisë Viktor-Emuanuelit III zënë të zbarkojnë. Barka të mëdha mbushur dëng me ushtarë e armë moderne kërkojnë të arrijnë bregun. Disa plumba fshikullojnë sipërfaqen e ujit përreth barkave. Dhe prej tyre, veç kur shpërthen zjarr breshërie që i bën barkat të luhaten, tronditur nga mitralimi. Më në fund, një barkë i afrohet ranishtës. Dhe menjëherë, pas strehimit të një kodrine ranore, ushtarët montojnë mitralozat e rëndë dhe tak-taku vdekjeprurës nis këngën e tij të kobshme, ndërkohë që një zjarr breshërie mushqetash të bersalierëve ka për tabelë qitjeje shqiptarët, që fshihen si të mundin prapa barkave të përmbysura apo prapa hekurave ku lidhen ballamarët.

Topat e rëndë vijojnë bombardimin dhe nën goditjen e tyre trupat mund të vazhdojnë pa u dëmtuar zbarkimin. Janë në raportin njëqind italianë me një shqiptar. Lufta është tepër e pabarabartë, për më tepër që tashmë qitësit shqiptarë janë nxjerrë jashtë lufte. Metalurgjia e fuqishme italiane në formë predhash e armësh të blinduara ngadhënjen ndaj guximit të tyre të dëshpëruar dhe ndaj dyfekëve të vjetruar. Musolini mund të thotë sa të dojë nëpërmjet agjencisë Stefani se gjaku rrodhi rrëke dhe se trupat e tij pushtuan qytetet shqiptare, pavarësisht nga një mbrojtje heroike të ushtarëve shqiptarë. Kjo i shkon për shtat aleatëve të tij.

Gjithçka mbaroi. Mbi rrënojat në tym, mund të vendoset tani flamuri italian për të festuar këtë ngadhënjim të lavdishëm armësh. Disa fëmijë qajnë mbi kufomat e nënave të tyre mbuluar në gjak të freskët, duke shikuar syshqyer ata ushtarë trimosha, me pendë gjithë ngjyra majë kape, që valëviten nga era e fitores.

101 të shtënat me topa një ditë më parë – paqësore këto për të lajmëruar ardhjen në jetë të princit trashëgimtar [Leka Zogut] – pasuan gjëmimin e topave të Duçes për të lajmëruar një “jetë të lumtur, duke e çliruar popullin shqiptar nga zgjedha e një plutokrati!”...

Sepse kishte mbetur në Europën e mekanizuar në kulm edhe një ishull i vogël njerëzish me zakonet e tyre të lashta, që hanin bukën e thekrës, pinin qumështin e dhive, këndonin luginave baladat e të parëve të tyre!

Dhe tani u dashka që këta të marshojnë me hapin e patës, të këndojnë “Giovinezzan”, të përshëndesin fashistçe, të njohin uniformën e përhimtë të një populli vënë në rresht regjimentesh...

Por, në fund të fundit, duhet thënë se as që u kërkua ndonjëherë të merret mendimi i tyre.

Para agresionit

Për të shkuar në Tiranë, juve ju shfaqen mjete të ndryshme lëvizjeje. Përzgjedhja varet nga temperamenti që keni. Mund t’i hipni në Venecia apo në Trieste një prej atyre anijeve të bukura të bardha që zbresin brigjet e mahnitshme të Dalmacisë, që mbajnë vulën e Republikës së Sinjorisë dhe që kanë ngritur në majën më të lartë të direkut kryqin e Shën Markut. Por me ta parë veten në kuvertë, veç kur përfshiheni mes kopeve të derrave me lëkurë të trëndafiltë apo mes dhenve anemike, drejtuar nga një kapiten anije që mban në dorë një palë tespihe qelibari. Mbi të gjitha, ushqimi në anije ishte i llahtarshëm dhe vetë anija voziste si një fuçi.

Por kishit një mundësi tjetër që të niseshit nga Trieste duke zbritur Dalmacinë me automobil apo tren dhe, nëpërmjet maleve danteske të Çerna Gorës, mund të arrinit në trojet e “Bijve të Shqipes”. Mirëpo, edhe kjo udhë, me një përjashtim të vogël, do e rrënonte krejt moralin e njeriut më të kalitur.

Mbetej atëherë rruga ajrore, e shpejtë dhe e rehatshme, që ju çonte për pak kohë nga Brindisi në Tiranë nëpërmjet Vlorës. Pikërisht këtë rrugë të fundit zgjodha unë për të arritur në fillim të muajit prill në Shqipëri, kur të gjithë tashmë parandienin kërcënimin.

Shëtitje në qytet

Tirana mbështetet mbi një mal të përhirtë, gunguar nga ventuza bardhëllore. Dallohen me vështirësi disa udhë të ngushta mushkash dhe diku një bunker rrethuar nga telat e tij me gjemba. Sepse gjaku i aleatëve është derdhur këtu para njëzet vjetësh për zotërimin e këtij trualli në thellësi të grykave...

Në tërë kohërat, shqiptari ka qenë një luftëtar i rreptë, në tërë kohërat shqiptari ka qenë një amator i barutit dhe e ka shpalosur me krenari pasionin e tij për armët, duke shëtitur rrugëve me një arsenal të tërë, nga hanxhari gjithë zbukurime arabeskash gjer te revolveri cilindrik në brez. Sot shqiptari vishet si ju e unë, po prapë jo me shumë kujdes. Për fat të keq, gjen vetëm ditët e festave dollomanin, xhurdinë, tallaganin, që dikur dallonin klanet, apo fiset, siç thuhet këtu! Zakoni për të mbajtur këmishën përmbi tirq është zhdukur dhe gratë i kanë braktisur shallvaret e gjera të modelit turk. Vetëm ferexheja, vello që mbulon fytyrën është një “tolerancë” e së shkuarës.

Të dielën, një turmë në qejf të vet gjallëron rrugën kryesore me ecejaket e veta dhe veç kur ndjen duhanin me aromë të mirë të Orientit. Ky arter i madh me dhé të ngjeshur, ndriçuar nga elektriciteti rreth dyqind metra larg barakave të mbuluara me llamarinë të valëzuar, dhe që përfundon me shfaqjen e një xhamie, minarja e së cilës - me një hijeshi që kontraston dukshëm me format barkgjera të godinës kryesore -, zbukurohet nga flamuj shumëngjyrësh. Desh filozofikë [ëndërrimtarë], derra hungëritës dhe qen gërnjarë ju përzien mes këmbëve. Aty-këtu ndonjë pajton, krejt të ngjashëm me pamjet e karrove të shekullit V-të, me të cilat zbukurohet libri ynë i historisë.

Dyqanet nuk e njohin mbylljen në orën gjashtë. Edhe pse një orë e vonuar, tregtarët qëndrojnë ulur majë froneve në dyqanet me dërrasa, si ato figurat e budave brenda  kamareve të tyre. Më duket sikur mjafton që dikush të teshtijë dhe s’do mbetej më kurrgjë nëpër rafte e mure. Ata mbretërojnë mes mallrave më të këqija importuar nga Italia, me një filxhan të vogël kafeje në dorë.

Në fakt, pritja që të bëjnë është e këndshme. Të ulin në fron, të japin për të pirë duhan, janë të gatshëm për kuvendim. Flitet për gjithçka, veç për politikë jo, sepse “polizei”, përcaktim gjermanik i postës së xhandarmërisë, mbetur që nga koha e sundimit austriak është në përgjim, dhe xhandari ka për detyrë të mbikëqyrë rendin... por edhe mendimet e njerëzve! Xhandari shqiptar, si gjithë xhandarët e botës është, me sa duket, i pamëshirshëm, por me një origjinalitet të lezetshëm dhe me një ashpërsi të kalitur; ndaj të huajit, ka një sjellje të ëmbël. Në postë-komandën e Shkodrës, ku u paraqita për vizë, gati sa nuk u prita me të gjitha nderimet ushtarake. Shefi më uli në kolltukun e tij, më drejtoi cigaret, më foli gjithë kënaqësi për do gjëra të këndshme dhe as që donte t’ia dinte për t’u hedhur një sy rekomandimeve që kisha marrë me vete... Madje më dhuroi me kushtim fotografinë e tij!

Mbi murin e dhomës së gjumit që zura, në të majtë, një kromo me ngjyra paraqet në mënyrë prekëse shfaqjen e Margaritës në sytë e një Fausti të magjepsur. Përmbi të, një shkrim dore i lajmëron udhëtarët se çmimi i kësaj dhome me krevat është pesëmbëdhjetë lekë. Megjithatë, nëse do doja, mund ta ndaja krevatin me dikë tjetër dhe në këtë rast, çmimi është pesë lekë. S’më mbetet veç t’ua vë në dukje këtë mënyrë interesante të fjeturi hotelistëve tanë të Francës!

***

Tirana, është kryeqyteti europian sa i këndshëm aq edhe i çuditshëm. Qyteti, rreth dyzet kilometra larg bregut të detit, vendosur rrëzë një zinxhiri malor të valëzuar e ka zanafillën nga një kamp ushtarak dhe më pas nga një fshat që shërbente si front lufte... Është në rindërtim të plotë, madje ka edhe një skenë teatri, ku aktorët mësojnë të interpretojnë me seriozitet një pjesë klasike të një Molieri modern titulluar Europiani pa dashje të tij.

Origjinaliteti i parë: Tirana është e vetmja nga të gjitha kryeqytetet e Europës ku mund të shkohet me mushkë, me pajton, apo avion. Nga Vlora, mund t’i drejtohesh qytetit mbretëror përmes plazheve, kalimit në va të përrenjve dhe pellgaçeve të shumta. Herë pas here, kalohet nëpër një udhë të lashtë, vjetruar nga shekujt e nga shirat. Merret me mend se ç’fat i pret automobilat!... Mezi që kalojnë, në mos të ngelen fare në llucë. Dhe në çast ia mbërrijnë barinj e bujq për t’ju ardhur në ndihmë; dëshira e mirë e atyre njerëzve, të gjithë me fytyra të ashpra dhe me dyfekë krahëqafë është për t’u admiruar.

Dhe me të mbërritur në destinacion, ndesheni menjëherë me problemin më të jashtëzakontë që s’mund ta merrni dot me mend: çështja e këmbimit të monedhës. Shqipëria, me një vonesë prej dhjetë shekujsh nga qytetërimi ynë, nuk njeh as zhvlerësim monedhe, as humbje këmbimi. Jeton vlerën e arit. Sapo mbërrita, kërkova të këmbej paranë. Dhe ja në mes të rrugës një kambist, si të më priste! Në një kafene, ku endeshin shitës cigaresh të shumtë si në Belgjikë, personi solli qesen e tij të monedhave dhe numëroi mbi tryezë njëmbëdhjetë luigje me kokën e Napolonit III për njëmijë franga të bankës kombëtare. Ca çaste më pas, një prej këtyre luigjeve u këmbye me një turli monedhash. Dhe veç kur e pashë kuletën time mbushur me korona të vjetra austriake, dhrahmi, dinarë, lira e lekë. Dhe të gjitha këto qarkullojnë lirshëm në vend. Që të gjejnë vendin e tyre të duhur, shqiptarët duhet të jenë në këtë rast arbitrazhistë nga më të zotët. Por ky nuk është veçse fillimi i shfaqjes!

Gjithë qyteti është si një pazar i çuditshëm, ku paraqiten në një rrëmujë marramendase që nga mallrat më modernet gjer te vjeturinat më të nderuarat. Sheh tek endesh udhës njëmijë zejtarë që punojnë me mënyrat më mesjetare drurin, leshin, metalet. Këpucari shqiptar pret e qep lëkurën tek gatit opinga tradicionale dhe nuk çuditet se po prodhon aty mbathina nga të shekullit VII, gati të ngjashme me këpucët e dikurshme të mbretëreshës Bathilda, që mund t’i shohësh ende në kishën e Shellës, pranë Parisit.

Tirqe gjithë shirita shtrënguar nga ushkure të kryqëzuara, malësorë me bruce qimegjata hedhur krahëve, gra zbukuruar me kapëse veshur gjithë argjend jetojnë naivisht si në kohë të dinastisë së Merove [në shekujt V-VIII]...

Pranë një minareje, që prej shekujsh lëshon përmbi qyteti thirrjen për lutje, kundrohej ende deri dje një godinë, gjysmë harkore e gjysmë këndore me një palë shkallë të mbuluara. Ishte godina e deputetëve, ku dallëndyshet kishin ngritur foletë e tyre pa kurrfarë respekti...

Jeta diplomatike

Rreth pesëmbëdhjetë diplomatë të akredituar në Tiranë, prej të cilëve një ministër i Francës, ishin krenaria e Ministrisë së jashtme shqiptare. Bënin aty një jetë krejt patriarkale, shoqëruar nga ajo zhurmë e zakontë e posteve që quhen të rëndësishme, tek banonin nëpër legata. Ajo e Francës, për fat të keq, binte më pak në sy dhe përfaqësuesi ynë po hartonte raporte, vjelë nga të thënat lart e poshtë të oborrit diplomatik përreth tij. Amerikanët ishin strehuar në godinën e tyre të hijshme me tulla, por pa ujë! Gjithë diplomatët kalonin krahëqafë shiritin e tyre me ngjyrat e kredencialeve, dhe me t’u vënë në krye të postit, i vetmi merak që kishin, ishte të përkujdeseshin që shqiptarët të mos u gllabëronin kryesinë e Klubit të Tenisit!

Megjithatë, një përjashtim për shërbenjësit e Lart Madhërive të Tyre, Mbretërit e Italisë e të Jugosllavisë: kishin rivalizuar plot zell mes tyre për të ndërtuar godinën më të bukur të diplomacisë dhe për ta armatosur atë me flamurin më gjigand në raport me legatat e tjera. Pa dyshim, italiani kishte ngadhënjyer në ndërtimin e godinës. Legata e Italisë, një vilë e madhe me tulla të kuqe ishte domosdo godina më e bukur e Tiranës dhe e vendosur më mirë nga të tjerat, përballë sheshit mbretëror. Por ama, jugosllavi ia kishte kaluar me flamurin, i cili sundonte tashmë kryeqytetin në një lartësi të paparë. Me një lëvizje të mrekullueshme diplomatike, falë nismës së përfaqësuesit të të ndjerit mbret Aleksandri I-rë, përfaqësuesi jugosllav solli nga Beogradi një direk anijeje dhe e vendosi atë në mes të kopshtit të tij, tek mbërtheu në majë flamurin mbretëror. Siç e shihni, diplomatët kishin me se ta mbushnin kohën në Tiranë!

Emocione shkencore

Për amatorët e prirjeve shkencore, Tirana zotëron të vetmin muze që ka, por që doemos është edhe i vetmi në llojin e vet! Është një shtëpi e vjetër, si të tundej nga themelet, që shfaq në vështrimet tuaja, çuditërisht të gëzueshme, gati-gati vitrinën e një tregtari rrangullinash: kafka të pluhurosura, shpata të ndryshkura, statuja të lashta, manekina veshur me kostume kombëtare, makina shkrimi, zbukurime flamujsh, të gjitha këto katrahurë, për gëzimin e miushëve dhe të minjve buçkamanë. Madje, për mungesë vendi, u ndërpre çdo dërgesë - nga gërmimet arkeologjike të francezëve në Apoloni e të italianëve në Gjirokastër, edhe pse kishte nga më interesantet - tek u shtyp krejt bari i kopshtit mikroskopik që zbukuron hyrjen e godinës nën peshën e gurëve gjigandë të skulpturuar.

Për të vizituar këtë kafarnaum [rrëmujë objektesh] historiko-arkeologjiko-pluhuriko-kukurizmatesk, s’ka nevojë të presësh biletë. Mjaft të qëndrosh në mes të oborrit, të ngresh kokën në drejtim të dritareve të katit të dytë, të bësh shenjë me dorë, apo të vësh duart në gojë si hinkë e të bërtasësh me sa fuqi, derisa të çelet një dritare. Një konservator truphollë e që dridhet në këmbë, shqetësohet për vizitën tuaj dhe disa çaste më pas, e dëgjoni tek zbret shkallët me tufën e çelësave në dorë. Burri është i brumosur me dëshirën e mirë për të treguar gjithçka... por “ja që pa para, s’ka Zvicër!” Ka bërë për më tepër një mrekulli, duke krijuar një bibliotekë publike prej gati tetë mijë vëllimesh. Është një nga bibliotekat më të vizituara të Europës. E le ta gjykojmë edhe vetë: numërohen në sallën e leximit gjithë-gjithë dhjetë karrige... Por në rast nevoje shtohen edhe dyzet të tjera, në çast. Vendosen aty si të munden, por ama, njerëzit i përpijnë librat, nga më të rrallat që ndodhen aty.

***

Mirëpo, ja tani që gjithçka do ndryshojë. Flamuri tringjyrësh italian, i blertë i bardhë, i kuq po valëvitet në erën e maleve. U kujton shqiptarëve një farë të premte të shenjtë kremtuar alla fashistçe. Një kujtim për ta nga më të papriturit...

Dhe me zemrën disi të vrarë, unë po iki, ndërkohë që vendi i maleve, vendi i njerëzve të guximshëm e të thjeshtë zhduket nga sytë e mi gjatë fluturimit të avionit. E pashë të vdesë Shqipërinë.



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora