E enjte, 18.04.2024, 09:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Kujtim Mateli: Muçi Fezga - ''Financieri rebel i Përmetit''

E diele, 07.04.2013, 05:59 PM


Realitete të kryqëzuara në romanin “Financieri rebel i Përmetit” i shkrimtarit Muçi Fezga.

Nga Kujtim Mateli

Muçi (Mustafa) Fezga, (lindur më 6 dhjetor 1939 në fshatin Xhanaj të Përmetit) njihet si studenti i shkëlqyer  i fakultetit të Matematikës të Universitetit “Lomonosov” të Moskës (MGU), si dhe   pedagog i matematikës së lartë në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë. Si pedagog i  këtij Instituti, ai bëri botimin e parë të  tij në dy vëllime.

Ka botuar shumë tekste shkollore dhe vazhdon të shkruajë pa u lodhur për të plotësuar serinë e botimit online “Kjo është matematika ime” për klasat 1-5 të shkollës nëntëvjeçare.

Po talenti i tij do të shfaqej në një fushë tjetër që siç duket qëndroi i fjetur deri pak vite më parë. Ka shkruar disa tregime e novela ku mund të përmendim: “Vija e trëndafilave”, “E the bukur, Abas” apo  “24 orët e para...” si dhe novelat: “Mësuesi i Gorumit”,  dhe “Aksioma e pestë”.

Këto ditë doli para lexuesit me romanin e tij të parë:“Financieri rebel i Përmetit”.

****

Ngjarjet e romanit  zhvillohen në dy luginat më të bukura të Shqipërisë jugore: në atë të Drinosit ku qyteti i Gjirokastrës  ngjason me një shqiponjë që ngrihet në fluturim dhe në Luginën e Sipërme të Vjosës ku hijeshon Përmeti, që njihet si qyteti trëndafilave. Të dy këto lugina  dëshmojnë një qytetërim  tepër të lashtë. Mitologjia shënon për këto dy lugina se kanë qenë djepi i lindjes së shoqërisë njerëzore. Realiteti dhe mistikja ndërthuren me njëra-tjetrin duke na dhënë tablonë e një qytetërimi me rrënjë në disa mijëvjeçarë para lindjes së Krishtit.

Fill pas Çlirimit të vendit, Shehat Aliu, personazhi kryesor i këtij romani, do të vendosej në Gjirokastër me detyrën e shefit të Financave. Ishte në një nga pozicionet kyçe, nëpër duart e të cilit do të qarkullonin vlerat monetare të shtetit shqiptar për qarkun e Gjirokastrës. Me dashje apo pa dashje do të vihet në qendër të vëmendjes. Tregëtarë që do të tatoheshin, zyrtarë të lartë që donin të pasuroheshin. Shehat Aliu u gjend në shoqërinë e drejtuesve më të lartë të rrethit. Autori ka arritur që t`i individualizojë personazhet e romanit duke i tipizuar sipas cilësive të grupeve shoqërore që përfaqësonin. Në zyrat e shtetit po hynin gjithë ata që kishin qenë pjesë e formacioneve partizane. Po të tjerët?

Disa do të tatoheshin deri në shkatërrimin e tyre e do të burgoseshin si njerëz që i kishin pirë gjakun popullit. Pjesa tjetër do të mbante përjetësisht damkën e bashkëpunëtorit me armikun apo të indiferencës, kur të tjerët luftonin. E gjithë shoqëria shqiptare, megjithëse  e rralluar nga flakët e Luftës, dalëngadalë po kategorizohej dhe secili po e gjente veten në një grup shoqëror jashtë vullnetit të vet.

Në zyrat e shtetit, aty në Gjirokastrën e Çerçiz Topullit e Avni Rustemit, u bë i pari i vendit Rrapi, që nuk dihej se nga vinte, veç dinin për të se kishte luftuar. Rrapi, është mishërim i vijës së Partisë për të mbledhur të tijtë në tufën e vet. Të tjerët, jashtë tufës së Rrapit, do të luftonin vetveten gjersa të asgjësoheshin nëpërmjet luftës së klasave. Megjithatë, dogma që i vinte nga i pari, atje Lart, për luftë të ashpër klasore, nuk e thau krejtësisht shpirtin e tij njerëzor.

Sofia, një tjetër personazh i këtij romani, paraqet tiparet më të mira të gruas gjirokastrite dhe të asaj shqiptare. Ajo sakrifikon edhe veten, që të tjerët të mos bëhen pre e së keqes. Lidhja e Shehatit me Sofinë është lidhje e sinqertë midis kolegësh. Në një mjedis ku, për t`u ngjitur më lart, shkelej mbi njëri-tjetrin, figura e Sofisë do të mbetet shpirti i dëlirë i gruas shqiptare. Me këtë figurë, autori ka mundur të skalitë modelin e gruas që di të mbijetojë edhe në situata të vështira.Po nuk mungojnë edhe momente që do të bëheshin shkak  për një lidhje dashurie midis Shehatit dhe Sofisë. Po ajo njohje ishte shumë e vonshme për ta. Tashmë Shehati e kishte krijuar familjen e vet.

I kundërt me Rrapin dhe Sofinë na jepet kryetari i komiteti të Gjirokastrës, z. Mero.

Një njeri i parsimuar dhe që i mungonte dhe dëshira të shkollohej, ngjiti shkallët e pushtetit për luftën që bëri. Po teksa mblidheshin florinjtë e tregtarëve, një mendim i lindi nga skutat e errëta të ndërgjegjes, në fillim i mjegullt, gjersa më në fund u formësua në dëshirën që një pjesë të vogël të tyre ta kishte për vete.

Po si? Rruga e vetme nëpër të cilën do të kalonte, ishte ajo e bashkëpunimit me Shehat Aliun. Këtu fillon dhe ngjizet konflikti i Shehatit me këta shtetarë me të cilët do të luftonte pa bërë kompromis.  Kryetari Mero simbolizon njeriun e lidhur me pushtetin në të gjithë segmentin e tij deri në qendër. Rrjeti i lidhjeve të tij mafioze kishte depërtuar deri te Vila e Kuqe në qytetin e Përmetit. Brenda këtij segmenti, nga baza deri në qendër, do të zhvillohet një luftë e ashpër. Njerëzit servilë do të dinë të mbijetojnë. Të ndershmit do ta kenë të vështirë ekzistencën  brenda këtij segmenti me tipare mafioze. Në këtë segment, edhe pse është bërë pjesë e tij, nuk mbijeton dot  Shehat Aliu. E detyrojnë të lërë Gjirokastrën. Në Përmet do të gjejë të tjera monstra. A do të mbetet e pastër figura e tij në atë qytet kampion të tolerancës e mirëkuptimit?

****

Shehati e gjeti Përmetin në në një situatë të ndryshme nga ajo e Gjirokastrës. Këtu lufta klasore ishte e butë, por ishte e ashpër midis dy vilave që sundonin Përmetin: Vila e Kuqe dhe Vila e Bardhë. Vila e Kuqe përfaqësohej nga Theofani, Sekretari i Parë, ndërsa Vila e Bardhë nga Bekimi, Kryetari i Komitetit.   Kush do të fitonte në këtë dy luftim? Anën e kujt do të mbante Shehati?

Ngjarjet në roman e mbajnë gjallë kureshtjen e lexuesit për të ditur deri në fund , jo si do të përfundonte ky luftim midis dy vilave, por si do të përfundonte jeta e një njeriu të thjeshtë që jeta, pa dashjen e tij, e kishte përfshirë në vorbullën e këtij dy luftimi.

Një galeri e tërë personazhesh jepen në këtë roman. Njerëz të dyluftimit, por edhe njerëzit e thjeshtë që mbanin radhën e qumështit.  Bisedat e tyre ishin kronika e ditës që sapo kaloi në qytetin e bukur buzë Vjosës. Madje edhe Dumi, njeriu gjysmë i çmendur i këtij qyteti, nuk mbetej jashtë kësaj qerthulle  thashethemesh.

****

Po ata atje lart, që ishin maja e Olimpit për Shqipërinë dhe Përmetin, do të dinin që këtë dyluftim mes zotash (kujtojmë se shpesh edhe perënditë klasike luftonin me njëra-tjetrën) ta zhvendosnin në një drejtim tjetër. Përmeti nuk po e zhvillonte luftën e klasave, madje ky front nuk ishte hapur ende në Përmet. Kishte apo nuk kishte dhe Përmeti armiq?  Luftonin apo nuk luftonin komunistët në Përmet për të mbrojtur vijën e partisë? Duhej hapur fronti. Po ku do ta çelnin së pari?

Atje në Bregas, në atë fshatin e vogël që shtrihej në pjerësinë e shpatit kodrinor  të Tajlarës, ishte një njeri i dyshimtë. Dyshimi i parë ishte se si ai njeri kishte arritur ta priste dorën e të bëhej i rrezikshëm për pushtetin popullor. Ky ishte Ganiu i Bregasit.

Të rinjve të sotëm do t`u duket sikur autori nuk është shumë i besueshëm kur ka zgjedhur për armik një njeri që jetonte i vetmuar në një fshat të largët dhe madje me një dorë. Po realiteti i atyre viteve na thotë se armiqtë e Partisë nga kjo kategori njerëzish përzgjidheshin. Njerëz pa mbështetje që, me goditjen që do t`u bëhej, të mos dëmtoheshin shumë njerëz të tjerë.

Romani “Financieri rebel i Përmetit”, na sjell pamje të gjalla të atyre viteve. Janë pamje që të trondisin me pasojat e kësaj lufte klasore.  Kureshtja se si do të përfundojë kjo luftë mes dy vilave e mban gjallë kureshtjen e lexuesit dhe faqet e librit shfletohen njëra pas tjetrës në pritje të një përfundimi. Libri është i mbushur me skena e mbresa nga jeta duke paraqitur me realizëm realitetin shqiptar të pas Luftës.

Shkrimtari i talentuar Muçi  shtron para lexuesit  disa nga çështjet themelore të atyre viteve. Partia depërtoi thellësisht jo vetëm në jetën ekonomike të qytetarit të atyre viteve, por edhe në qelizën bazë të shoqërisë, në familje. Konflikti i dy vilave erdhi si rezultat i depërtimit të vijës së partisë edhe në çështjet familjare. Bekimi, Kryetari i Vilës së Bardhë kishte për grua motrën e Theofanit, Sekretarit të Parë të Vilës së Kuqe.

Ky pozion i Theofanit edhe në familjen e Bekimit u bë i padurueshëm dhe çoi në shpërbërjen e kësaj familjeje. Autori nëpërmjet këtij rasti, arrin të përgjithësojë të gjitha ato raste të shumta ku partia pyetej, nëse duhej të merrej për grua një vajzë apo jo. Partia pyetej nëse duhej ta ndaje gruan apo jo. Autori këto të vërteta historike të periudhës së pas Luftës ka mundur t`i kthejë në të vërteta artistike. Njeriu i pas Luftës i shtrronte shpesh pyetjen vetes si në tragjeditë e Shekspirit: kam apo nuk kam leje të bëjë dashuri?!

****

Një tjetër temë e rëndësishme që trajtohet në këtë roman është ajo e njeriut  karierist që, për të arritur dhe një ofiq më lart, nuk pyesnin as për të afërmit e tyre. I tillë është dhe Novruzi, Shefi i Policisë së Këlcyrës. Për ta vënë në provë për besnikëri ndaj partisë, i kërkojnë që një kushëririn e vet, atë Ganiun fatkeq me një dorë, atje në fshatin e vogël të Bregasit, ta shpallte armik.

Kjo ishte prova e parë për Novruzin. Provë e vështirë, por nuk ishte dhe fare pa përvojë. Në mbledhje të ndryshme, sa herë që të afërmit e tij kishin bërë ndonjë gabim, ishte i pari që ngrihej e i kritikonte duke mos u lënë gjë pa thënë për të treguar se ishte njeri i drejtë dhe njerëz si ai i duheshin partisë. Këto raste, Novruzi i mbante shënim që t`i paraqiste kur t`i jepej rasti si shembuj besnikërie. Po këto kishin qenë gjëra pa shumë zarar. Pas mbledhjes, secili shkonte në shtëpi dhe të nesërmen, fillonte sërish njësoj dita që vinte. Këtë herë ishte ndryshe.

Po porosia duhej zbatuar pa dhënë asnjë shenjë lëkundje. Kur i thanë zgjidh një biopis (njeri me biografi të pistë) po të jetë nga gjaku yt, nuk kishte dhënë shenja ngurimi.

Këto vite të pas Luftës kishin diçka të ngjashme me kohët e vjetra. Edhe atëhere ndërtonin kala dhe ura, por ato nuk u qëndronin pa bërë flijime. Ishin vepra të mëdha, ndaj dhe flijimet nuk kishin si të mungonin.  Kishte ardhur përsëri koha të përsëritej historia. Që të qëndronin themelet e pushtetit  që po ngrinin komunistët, duheshin flijime. Flijuesishit ishin të paracaktuar. Ata do të merreshin nga biopisët. Po kjo përzgjedhje nuk ishte pa kushte. Personi që do të përzgjidhte, ishte mirë që biopisi të ishte nga njerëzit e gjakut të tij.

Kish ardhur koha dhe për Novruzin të tregonte besnikërinë e tij. Tek njerëzit e gjakut të tij ndodhej një biopis. Si ta do ta flijonte?

Në roman jepen detaje të kësaj akuze dhe lexuesi ndjek me ankth fatin e flisë. A do të mundej ai, njeri i pafajshëm, të mbrohej apo më mirë, a do të gjendej ndokush në organet e drejtësisë që ta mbronte nga ato akuza të padrejta? Njerëzit e thjeshtë të Bregasit kishin shpresë. Këto gjëra i shikonin si shpifje të  njerëzve që nuk ia duan të mirën njëri-tjetrit. Si shpifje të njeriut shpirtzi me emrin Novruz. Flisnin nën zë, në atë Bregasin e drobitur nga dimri që shkoi, ata njerëz të mirë që e shihnin veten ta paftë për ta mbrojtur Ganiun e gjorë,  përzier kjo dhe me një frikë që u rrinte vazhdimisht përsipër si grumbulli i reve të zeza  që kur dilte mbi Tajlarë, u shkatërronin të mbjellat .

Megjithatë, ata e ndienin se shorti i ra Bregasit të bënte flijimin e parë në rrethin e Përmetit për themelet që po hidhte koha e pas Luftës.

****

Ata Lart, në Tiranën e Kuqe, besonin se me zhvendosjen e konfliktit nga brenda partisë në terrenin konkret të luftës së klasave  atje në Bregas, do të pushonte lufta e Vilave. Po nuk ndodhi prashikimi i ekspertëve të Tiranës. Vila e Kuqe që kishte në dispozicion dhe Kryetarin e Degës, Dautin me nam të Përmetit, nuk i ndërpreu sulmet ndaj vilës së Bardhë.

Theo dhe Dauti kishin ngritur një rrjet mafioz për të përfshirë në të edhe kuadrot kryesorë të Përmetit. Ashtu si në një rrjetë peshkatari, kishin rënë brenda kësaj rrjete disa nga kuadrot, midis tyre dhe një femër: Dodona bukuroshe e Përmetit.

Zhvillimi i ngjarjeve në roman e sjell grykën e rrjetës edhe tek Shehat Aliu. Si do të vepronte ai?

 

Shehati kishte kohë që nuk udhëhiqej nga dogmat.  Dogma se lufta e klasave e çon përpara shoqërinë bëri që shumë njerëz të përlesheshin me njëri-tjetrin, duke besuar se vetëm kështu do të ishte mirë për shoqërinë. Vetëm kështu do të vinte përparimi. Në këtë rrjet mund të kishte rënë dhe Shehat Aliu. Po para se të dëgjonte zërin e dogmave, ai kishte dëgjuar një zë që i erdhi nga larg, zëri i prindërve dhe gjyshërve të tij.

Ky zë iu shfaq në imazhin e një Babai. Babai i besimit bektashi që është besimi i vetë Shehatit. Shehati dëgjoi atë zë dhe iu largua dogmave komuniste, megjithëse edhe vetë ishte anëtar partie. Në momentet e një përsiatje të thellë, kur gjumi i kaplonte sytë e lodhur mbi dosjet e shumta tek zyra e financës, atij i shfaqej Babai që i thosh ca të vërteta që do të jenë të përjetshme për shoqërinë njerëzore.

Shehat Aliu u ndodh dy herë rresht në grykën e rrjetës që kishte hedhur Dauti, Kryetari i Degës dhe Theofani, Sekretari i Parë i Vilës së Kuqe.

Hera e parë ishte kur i propozuan që të sillte  ca dëshmi rreth Ganiut të Bregasit si armik i Partisë. Hera e dytë ishte kur i kishin propozuar, që në cilësinë e sekretarit të partisë në Vilën e Bardhë, të shkarkonte  nga partia Kryetar Bekimin, si njeri imoral.

Nga brendësia e Vilës së Kuqe doli opinion që u përhap në të gjithë qytetin: Shehati nuk është më yni. Ishte koha kur shoqëria ishte ndarë sipas vlerësimit të Vilës së Kuqe: në njerëzit tanë dhe në armiqtë tanë.

Romani jep jetën që zhvillohej në qytetin e Përmetit aty rreh viteve `50-të. Njerëzit pyesnin njëri-tjetrin aty tek radha e qumështit se cili do të ishte fati i njërit dhe i tjetrit. A do të dënohej ndonjë ditë Theofani për të gjitha ato mëkate që kish bërë? Po një ditë dëgjuan se shoku Theofan ishte vlerësuar për punën që kish bërë dhe ishte ngritur në detyrë dhe po nisej për një post të rëndësishëm në Tiranë.

Po Bekimi? Si njeri që kishte ndarë gruan, nuk kishte vend më në Përmet dhe u nis me një detyrë të re në një qytet të  Shqipërisë së Mesme.

Të gjithë personazhet e romanit, kanë një jetë njerëzore e cila lëvizte brenda skemës: yni dhe jo yni.  Martesat filluan të bëheshin brenda këtyre dy grupimeve të mëdha që u nda shoqëria e atyre viteve. Filluan dalëngadalë që anëtarët e njërit grup të mos përziheshin me antarët e grupit tjetër sa herë që kishte gëzime apo hidhërime. Vetëm në disa raste lejohej që këto dy grupime t`i prishnin kufijtë midis njëri-tjetrit. Ishin rastet kur vinin ata nga Lart në përvjetorë e festa të mëdha. Të gjithë do të luteshin që Ai, i Madhi, të merrte nga ditët e tyre e këtë do ta thoshin me gjithë zemër, do t`u qeshte fytyra e do të përpiqnin fort duart.

Po çfarë ndodhi me Shehat Aliun? Nëpërmjet kësaj figure autori ka skalitur figurën e përmetarit, një figurë paqësore që rrezaton mençuri dhe dashuri. Veç në përfundim të romanit, lexuesi do të mbetetet disa momente i trishtuar për fatin e këtij njeriu që nuk e meritonte këtë fund.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora