E marte, 16.04.2024, 05:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Sot 30 vjet nga vrasja e Aldo Moros

E premte, 09.05.2008, 06:13 PM


Sot 30 vjet nga vrasja e Aldo Moros. Si u mor peng dhe u ekzekutua ish-kryeministri i Italise 

Nga Tirana Observer

Çështja Moro është konsideruar më shumë një çështje politike, se sa         gjyqësore. Një çështje që gjithsesi mbetet ende e hapur.........
Dokumentet, dëshmitë, 55 ditët e Aldo Moros në të ashtuquajturin "Burgu i Popullit", tregohen nga burgosësit e tij, anëtarët e "Brigadave të Kuqe". Dhe me tej, hipotezat se kush e dëshironte vdekjen e Aldo Moros, kush bëri që të zhduken kujtimet e tij?

.....E enjte 16 mars 1978, ora 10 para dreke, rruga "Fani" në Romë: Rrëmbimi i Aldo Moros (disa herë ministër dhe kryeministër i Italisë) dhe masakrimi i policëve të grupit të shoqërimit...
......E martë 9 maj 1978, ora 18.30, rruga "Kaetani" në Romë: Në një autoveturë, në protobagazhin e saj gjendet kufoma e Aldo Moros.....

Ishte  pikërisht gjetja e automjeteve dhe e trupave pa jetë të katër rojeve të grupit shoqërues të Aldo Moros, në kryqëzimin e rrugëve "Fani" dhe "Streza" në Romë, që shënoi fillimin e 55 ditëve të sekuestrimit Moro, "Ferrin Moro", siç do ta quante Leonardo Shasha. Kjo ngjarje do të kthehej mbi të gjitha, në një çështje më shumë politike, sesa gjyqësore, që në një farë mënyre duket e pamundur të mbyllet në të gjitha sirtarët. Mjafton të thuhet se janë zhvilluar një numër i madh procesesh. Publikimi i akteve të punës së Komisionit parlamentar për këtë çështje, ka arritur në 90 volume dhe përfshin mbi 100 mijë faqe.
 
Valerio Moruçi, në procesin Moro, ka thënë se në krye të automjeteve dhe njësisë që organizoi rrëmbimin e Aldo Moros, ishte Mario Moreti dhe me të, ishin Barabara Balzerani, Prospero Galinari, Marko Fiore, Franko Bonizoli dhe vetë Moruçi.
    Kështu, Valerio Moruçi, njëri nga brigadistët e pranishem në rrugën "Fani", ka dhënë para trupit gjykues versionin e tij lidhur me grackën për Aldo Moron. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, ngjarja pak a shume ka ndodhur kështu: "Drejtuesi i autoveturës "FIAT 128" që kishte për detyrë të frenonte fort dhe të shkaktonte bllokimin e autoveturës "FIAT 130" të Aldo Moros, ishte Mario Moreti. Për të kontrolluar kryqëzimin e rrugës, ishte ngarkuar Barbara Balzerani, e armatosur me një mitraloz dhe një tabelë për ndërprerjen e trafikut. Kanë qëlluar mbi autoveturën e Moros, Valerio Moruçi dhe Marko Fiore, të vendosur në anën e majtë të saj. Ndërsa mbi veturën "ALFETA" të grupit të shoqërimit, kanë qëlluar Prospero Galinari dhe Franko Bonizoli. Për të mbyllur skenën e grackës, ishte një tjetër "FIAT 128", vendosur në pozicionin kryq, nga e cila mendohet që të kenë zbritur dy brigadistë të tjerë, Alesio Kazimiri dhe Alvaro Nojakono. Më tej, mbi rrugën "Streza" duke drejtuar një "FIAT 132", Bruno Segeti, lëvizje prapa me anën e një manovre për t'u afruar dhe për të futur brenda Aldo Moron".
 
Nga shqyrtimi i kujdesshëm që i është bërë autoveturave pjesëmarrëse në ngjarje, rezulton se në to, ka vrima hyrjeje të plumbave, shume më tepër nga sa bën fjalë Moruçi ne shpjegimet e tij. Një gjë e tillë hedh dyshime se në pusi, ka pasur të paktën edhe një brigadist tjetër, që nuk përmendet gjëkundi. Kështu pra, në lidhje edhe me dinamikën e grackës në rrugën "Fani", mbeten hije të tjera. Nga të dhënat, del se në kryqëzimin e rrugëve, ka qenë duke kaluar edhe një motoçikletë, me dy persona, të cilët edhe ata kanë qëlluar. Megjithatë, brigadistët gjithmonë e kanë mohuar faktin që personat në motor, të bënin pjesë në komandën që organizoi masakrën dhe rrëmbimin.
    Nëse kjo motoçiklete ishte në rrugën "Fani" dhe nuk i përkiste "Brigadave të Kuqe", kush ishte në bordin e saj? Më 15 tetor 1993, një i akuzuar, që i përkiste Organizatës Kriminale "NDRANGHETA", i quajtur Saverio Morrabito, ka deklaruar se në rrugën "Fani" atë ditë ka qenë edhe Antonio Nirta, që i përkiste një klani të fuqishëm të Mafies Kalabreze dhe që ishte i infiltruar në "Brigadat e Kuqe".
 Ja se çfarë thotë Serxhio Flamini, pjesëtar i Komisionit Parlamentar të hetimit për këtë moment: "Kur në mesin e tetorit 1993 u mësua mbi deklarimin e këtij të pandehuri të "NDRANGHETA"-s, menjëherë mu kujtua, që disa të dhëna mbi prezencën e një kalabrezi lidhur me çështjen Moro, ekzistonin në disa nga aktet e Komisionit dhe të Procesit".
 
Në fakt, është një dëshmi që bën fjalë për ekzistencën e disa fotografive të bëra në rrugën "Fani" në atë ditë fatale. Thuhet se pikërisht atë mëngjes, që një banor në kryqëzimin e rrugëve "Fani" dhe "Streza", të kishte realizuar disa fotografi, menjëherë pas ikjes së komandës që realizuan rrëmbimin. Këto fotografi janë dorëzuar organeve të hetimit, por prej tyre është thënë se nuk kanë rëndësi mbasi janë bërë nga një njeri inkompetent, një karrocier, janë fotografi të realizuara shumë shpejt dhe nuk mund të përpunohen. Fakti është se ky rul fotografik nuk gjendet me. Është zhdukur.    
  Po ashtu, misteri mbulon edhe hetimet e bëra për 55 ditët e burgosjes së Moros. Këto hetime të koordinuara nga një Komitet Tekniko-Politiko-Organizativ, i krijuar pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, u udhëhoqën  nga Ministri i atëhershëm, Francesko Kosiga. Mbetet i dyshimte fakti se përse "strofka" në rrugën "Gradoli", në të cilin u gjetën dokumente të rrëmbimit, u zbulua në datën 18 prill 1978, kur të dhënat dhe sinjalet për të ishin shumë të hershme. U desh të pritej zbulimi  "vullnetar" i saj shumë më vonë, për të mos thënë një zbulim rastësor.
Sipas shtypit italian, në kërkimet për të gjetur Aldo Moron, kërkime të cilat filluan menjëherë me masakrën e rrugës "Fani", shumë shpejt u kuptua se diçka nuk shkonte. Pikërisht, më 16 mars 1978, shef i "DIGO"-s (policia speciale), mori një telegram urgjent, në të cilin thuhej se duhej të vihej në zbatim menjëherë "Plani 0", një plan ky i përpunuar për provincën e Salsarit, por mbi të gjitha, i panjohur për Kuesturat e tjera Italiane. Një gjë e tillë, nxirrte jashtë loje bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve. Përsëri një urdhër tjetër për të revokuar këtë plan, pas 24 orësh. Më pas, Komisioni Parlamentar i Hetimeve, ka vërtetuar se në vitin 1978 ishte akoma në fuqi një sistem që mbante nën tutelë rendin publik, hyr në fuqi në vitet '50. Një gjë e tillë (paradoksale), nuk lejonte të njihej situata në vitet '70, periudhë që kishte një rritje të dukshme të organizimit terrorist më 2.000 anëtarë, 42 vrasje, 47 plagosje, 59 revolta në burgje, 559 arratisje nga burgu. Kështu që nga e gjithë Italia, kërkimet u përqendruan praktikisht mbi Romen. Nga 16 marsi deri më 10 maj u impenjuan, gjithmonë në territorin urbanistik të Romës, 172 mijë policë dhe karabinierë, të cilët realizuan 6 mijë vende bllokimi dhe 7 mijë kontrolle banesash, duke kontrolluar në total 168 mijë persona dhe 90 mijë autovetura. Dikush shprehet , se ishte organizuar vetëm një operacion i madh parade. Komisioni Parlamentar i Hetimit, përkundrazi, konkludoi duke gjykuar, se pika më e lartë e sulmit terrorist, koinçidoi me pikën me të ulët të veprimtarisë së Shërbimeve Sekrete dhe të Sigurimit.
  
Serxhio Flaminji, është shumë interesant kur thote: "...Hetimet mbi këto 55 ditë kishin shënuar një seri gabimesh, mosveprimesh e neglizhencash. Mjafton që të qëndrohet në njërën prej tyre. Kishte një sinjalizim të ardhur anonimisht në Ministrinë e Brendshme,  një telefonatë që komunikonte emrat e katër Brigadistëve, si dhe automjetet qe kishin përdorur. Ky sinjalizim u transmetua menjëherë pranë DIGO-s, që ishte organi operativ, i cili duhet që të reagonte menjëherë. Kur DIGO mori këtë sinjalizim, individualizoi menjëherë njërin nga katër brigadistët, që midis të tjerash ishte në "liri me kusht", kështu që duhej të paraqitej sistematikisht pranë Komisariatit të Sigurimit Publik. Menjëherë, duke ndjekur këtë brigadist, u arrit që të individualizohet tipografia në rrugën "Foa", tipografi e "Brigadave të Kuqe", ku stampoheshin Komunikatat Brigadiste, komunikatat e 55 ditëve. Dhe, nëse ky sinjalizim, për të cilin u fol me lart, do te transmetohej një muaj më parë, me çdo propabilitet mund të individualizohej gjurma që do të mund të çonte në "Burgun e Moros".
 
Robart Katz, historian e gazetar gjerman shkruan": "....Siç është bërë e qartë, të gjithë personat që janë marre me hetimin e kësaj çështjeje, si dhe drejtues të Shërbimeve Sekrete, ishin të shkruar në Lozhën e inkriminuar Masonike P-2. E çuditshmja qëndron gjithashtu, në faktin se edhe këshilltarët e Kosiges, ishin shkruar në P-2. E pra, operacionet për të gjetur Aldo Moron, ishin në duart e atyre që nuk dëshironin gjetjen e tij".
 
Serxhio Flaminji:  "...interesa të huaja rreth fatit të Moros, mund të konsideroheshin se ishin për vrasjen e Aldo Moros. Kishte mbetur një llogari e pambyllur midis Aldo Moros dhe Departamentit të Shtetit, e hapur kjo që nga viti 1964, kur Moro kërkonte dhe filloi të vepronte për t'u hapur me socialistët, duke përballuar një politikë kritike dhe kapërcyer centralizmin. Amerikanët kundërshtuan menjëherë. Me pas, u detyruan të hapnin një problem të madh, kur Moro dëshironte të kalonte në një fazë tjetër, akoma më të acaruar, për aleancë me komunistët. Dhe, pikërisht ishte ky moment, kur del në  plan të parë, elementi i Aldo Moros. Më parë tentuan ta vrisnin politikisht, duke i atribuar çështjen, "LOCHID", skandalin "LOCHID". Sipas një zëri, që vinte pikërisht nga Ambasada Amerikane në Romë, si dhe nga një burim i Shërbimit Sekret Amerikan, Moro do të ishte një "Pemë me shumë degë, më të mëdha se trupi i saj". Përkundrazi, pastaj vjen një konfirmim dërmues. Gjykata Kushtetuese italiane, konkludon se Aldo Moro nuk kishte asnjë lidhje me Antela Pecopler (LOCHID). E megjithatë, pavarësisht nga kjo, fati Moros ishte në kurs".
 
Robert Katz:"....Por ai  (Moro), e dinte shumë mirë, se kundër tij ishin si Bashkimi Sovjetik, ashtu dhe SHBA. Kjo ishte e qartë. Sepse ai,.... ai thoshte se kishte pasur edhe kërcënime, sepse pozicioni politik i SHBA-së në atë kohë ishte..... dëshironin që komunistët të mos hynin në Qeveri, dëshironin që komunistët të zhdukeshin, sepse për Amerikën nuk ishte e volitshme një situatë e tillë, sepse Moro, siç dihej, ishte arkitekt i madh i "Kompromisit Historik....".
 
Sexho Flaminji: "Kosiga" ka  thirrur në Ministrinë e Brendshme një ekspert amerikan, duke ja kërkuar atë Departamentit të Shtetit. Ky individ, duhej që të kishte eksperiencë relative mbi terrorizimin në Amerikën Latine, por edhe në vende të tjera. Mirëpo, ai nuk kishte asnjë dijeni rreth "Brigadave të Kuqe". Qëndrimi që u mbajt nga Ministria e Brendshme për sugjerimin mbi këtë ekspert, fliste për faktin, se në këtë rast u veprua siç do të veprohej për çdo masakër tjetër. Pra për të, qëndronte teoria, se nuk kishte "njeri të rëndësishëm". Pra, edhe Moro nuk mund të konsiderohej si i rëndësishëm për seriozitetin e  një shteti. Edhe sikur ai të vritej, siç ndodhi më pas, demokracia në Itali do të vazhdonte normalisht..."

LETRAT E MOROS  
Nga letra e Moros drejtuar Kosiges:  "... I dashur Francesko. Ndërsa nuk kam asnjë dijeni, as për mënyrën e as për arsyet që ndodhem këtu, është jashtë çdo diskutimi, se jam konsideruar si një i burgosur politik. Në të vërtetë jemi të gjithë në, grupi drejtues, që jemi thirrur në këtë çështje. Nën akuzë është vënë puna jonë kolektive, për të cilën kërkojnë të përgjigjemi. Gjendem nën një trysni të plotë dhe të pakontrollueshme; nën një proces "Popullor", që mund të jetë në mënyrë oportune i shkallëzuar me rreziqe, ose në gjendjen e të qenurit i konsideruar apo i induktuar, të flasësh në një mënyrë që mund të jetë e papëlqyeshme dhe e rrezikshme. Doktrina, për të cilën, ose sipas së cilës, një rrëmbim nuk duhet të sjellë avantazhe, por që duhet trajtuar si një rast i zakonshëm që propabilisht sjell dëme, në rrethanat konkrete politike, nuk mendoj se duron. Janë rrethana ku provokohen dëme të sigurta dhe të pallogaritshme, jo vetëm për personin, por veçanërisht për shtetin. Sakrifikimi i të pafajshmit në emër të një mbulese parimore e ligjore, ndërsa ndodhemi në një pozitë që nuk kërkon diskutime, por veprime të domosdoshme, mendoj se është e papranueshme. Një qëndrim i tillë në dukje parimor, do të ishte një gabim dhe një abstraktësi. Që unë mundohem t`ju ndriçoj, këtë e bëj për të mirë, duke menduar se jemi ngatërruar në një episod të dhimshëm, nga i cili mund të varen shumë gjëra....".
  
Lidhur me letrat e Aldo Moros, të dërguara nga i ashtuquajturi "Burg i Popullit", siç dihet, ka pasur shumë qëndrime e hipoteza. Megjithatë, e pyetur gjatë gjykimit të Procesin "Moro 4",  bashkëshortja e tij, Eleonora, ka konfirmuar se letrat janë me të vërtetë të bashkëshortit të saj. Le të shohim si shprehet ajo.Eleonora Moro: "....Këto gjëra janë shkruar nga im shoq. Të menduara nga vetë ai, të shprehura në mënyrën se si ai i shikonte gjërat. Është mënyra e tij për të vlerësuar situatat. Ato japin shenja mjaft të sakta, për ata që duan të shohin dhe për ata që duan me të vërtetë të dëgjojnë, se si mund të dilej nga një situatë e tillë....".

Nga letra e Moros dërguar Xhulio Andreotit, atëkohë Kryeministër: "I dashur President, e di mirë se tashmë problemi, në komponentët e tij më kryesore është në duart e tua. Nuk dua të shkruaj për situatën, në të cilën ndodhem dhe perspektivat që kam përpara. Por megjithatë mund të shpreh gjithë sinqeritetin tim që nëse kjo fazë e re politike fillon kështu me një banjë të terë gjaku  dhe veçanërisht me kontradikta lidhur me qëndrimin humanitar ndaj socialisteve, ajo nuk është sjellëse e së mirës,as për vendin dhe as për Qeverinë."
 
Nga letra e Moros dërguar Betino Kraksit, atëhohë sekretar i Partisë Socialiste:, "I dashur Kraks, sapo kam mësuar nëpërmjet lajmeve fragmentare që më kanë ardhur, lidhur me sensibilitetin e fortë dhe humanitar të partisë suaj në këtë ngjarje të dhimbshme. E vlerësoj shumë të rëndësishme këtë iniciativë tuajën. Demokracia Kristiane duket se nuk e kupton një gjë të tillë dhe kjo më duket absurde. Ajo që ja vlen, nuk është të shpjegosh apo të shpjegohesh. Por në se mundet të bësh diçka, bëje....".

Nga letra e Aldo Moros drejtuar Partisë Demo-kristiane:...."..Pas letrës sime arsyetuese shoh një qëndrim negativ të mbajtur nga Demokracia Kristiane. Jo se nuk ka vend për të diskutuar. Për këtë ka bile, ka shumë. Por përkundrazi mungon kurajua civile në parti për të hapur një debat mbi temën e propozuar. Atë të shpëtimit të jetës sime si dhe për kushtet për të ndjekur një kurs të ekuilibruar. Është e vërtetë unë jam një i burgosur, por nuk jam i droguar. Shkruaj me shkrimin tim. Me kaligrafinë time. Por, sipas disave, megjithatë jam një tjetër dhe nuk meritoj që të merrem seriozisht. Atëherë, të paktën përgjigjuni argumenteve të mia. Nëse vazhdoni kështu, kemi të bëjmë me një pajtim të degraduar, që do të thotë frikë nga debati, frikë nga e vërteta, frikë për të firmosur vendimin me vdekje. Përse ky poshtërim ndaj kërkesës për autenticitetin tim? Por midis "Brigadave të Kuqe" dhe meje nuk ka as më të voglin bashkësi mendimesh. Është i njohur fakti se shumë probleme të rënda te familjes sime, janë arsyet themelore të luftës që unë po bej kundër vdekjes. Megjithatë vdes se kështu vendosi partia ime. Por kjo banjë gjaku, nuk do të jetë e mire as për Zakanjinin (atëkohë sekretar i Partisë Demokristiane), as për Andreotin, as për Demokracinë Kristiane, as për vendin. Secili do të këtë përgjegjësinë e tij. Nëse e gjithë kjo është vendosur le të bëhet vullneti i Zotit. Nuk ka asnjë përgjegjësi të fshehur prapa një detyre. Gjërat janë të qarta. Do të sqarohen edhe më shumë, shumë shpejt...."
Valerio Moruci, ish-shef brigadist, shprehet:"...në rast se kërkesat e "Brigadave të Kuqe", do të merreshin parasysh nga Qeveria dhe nuk do të hidheshin poshtë, Moro do të kishte shpëtuar, do të ishte liruar..."
   
Nga letra e Moros drejtuar Beninjo Zakanjinit, atëkohë sekretar i Partisë Demokristiane:  "I dashur Zakanjini. Jemi pothuajse në situatën zero. Mungojnë vetëm më shumë sekonda, se sa minuta. Jemi në momentin e masakrës. Me hidhërim të thellë dhe i habitur, shikoj se nuk ka asnjë vlerësim serioz, njerëzor dhe politik, për të marrë një vendim të saktë dhe të rreptë. Vetë familja ime fatkeqe është në një farë mënyre e mbytur e pa mundur që të nxjerrë britmën e saj të dhimbshme. Si është e mundur, që të jeni të gjithë dakord për të dëshiruar vdekjen time? Si është e mundur që t'a bëni këtë, duke u justifikuar me arsye të prezumuara shtetërore, të cilat dikush tinëzisht, ju a ka sugjeruar? Nëse ky krim do të realizohet, atëherë do të krijohej një vorbull uji e tmerrshme, nga e cila asnjeri prej jush, nuk do të mund të mbrohet. Ajo do t'u përfshinte të gjithëve. Unë ju them qartë nga ana ime, se nuk do të shfajësoj dhe nuk do të justifikoj asnjërin. Vendimi që do të vijë me krimin, në këtë eksperiencë të gjatë dhe dramatike, do të lërë të hapura shumë probleme. Nuk besoj se Demokracia Kristiane do të mbyllë problemet e saj, duke likuiduar Aldo Moron. Unë do të jem akoma si një pikë e pamposhtur e kundërshtimit dhe alternatives, për të evituar që Demokracia Kristiane, të bëjë atë që duhej të bënte sot. Duke u nisur nga kjo arsye, kërkoj që në funeralin tim, të mos marrin pjesë autoritetet e shtetit, as njerëzit e partisë. Kërkoj të shoqërohem nga njerëz të thjeshtë e të paktë, që më kanë dashur me të vërtetë dhe që kanë të drejtën të më shoqërojnë me lutjet dhe dashurinë e tyre".

Mirëpo nëse memoriali i gjetur nuk është i plotë, atëherë çfarë fundi kanë pasur pjesët e tjera dhe kush ka pasur interes që ato të zhdukeshin ?
  Pyetjet për këtë problem janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen. Egziston një histori interesante, që bën fjalë për gjetjen e memorialit të Moros dhe materialeve të tjera, në datën 1 tetor l978, në një anë muri të njërës nga dhomat e shtëpisë në rrugën "Monte Nevoso", nga karabinierët e bërthamës operative antiterroriste të gjeneralit Karlo Alberto Dalla Kieza. Kjo histori është mohuar nga versionet zyrtare. Po ashtu, sipas shtypit italian, rezulton se pikërisht atë natë të 1 tetorit l978, gjenerali pas gjetjes së memorialit dhe materialeve të tjera, është nisur urgjent për në Rome dhe është pritur nga një funksionar i lartë politik, shume afër Andreotit.
   
Sergio Flaminji, i cili ka shkruar rreth kësaj historie, shprehet: ".....Gjenerali Dalla Kieza, në datën 1 tetor l978, në darkë vonë, udhëton me avion për në Romë. Është i besueshëm dhe i njohur versioni, se gjenerali realizonte operacione speciale dhe kishte të infiltruar agjentë që i drejtonte personalisht.
   Në datën 6 prill të vitit l993, i pyetur nga ana e prokurorit të Palermos, Xhankarlo Kazeli, Tomazo Busheta, i penduari i madh i Cosa Nostras, ka deklaruar:"..Andreoti ishte i preokupuar që mund të dilnin në shesh këto sekrete të sekuestrimit të Moros, të cilat i njihte edhe gjenerali Dalla Kieza.." Gjithashtu Busheta shton se.."..vrasja e gjeneralit Dalla Kieza (1982), si dhe ajo e gazetarit Mino Pekoreli (1979), janë gjëra që gërshetohen me njëra-tjetrën dhe lidhen me dijenitë e tyre rreth memorialit dhe rrëmbimit të Moros..".
  Sidoqoftë, pas dhjetëra procesesh gjyqësore, ende sot nuk ka një përgjigje përfundimtare rreth të vërtetës për rrëmbimin dhe vrasjen e Aldo Moros.
  
Ja çfarë ka thënë në vitin l994, pas l6 vjet heshtje në burgim, njëra nga personazhet dhe protagonistet, Anna Laura Bregeti, lidhur me 55 ditët e Aldo Moros në "Burgun e Popullit": "..ishte një dhomë e vogël me WC brenda saj. Kishte një sipërfaqe 1 x 3,5 m. Në të nuk kishte as vaskë e as komodinë. Një shtrat i improvizuar dhe çarçafë. Moro shkruante i ulur në shtrat duke e mbajtur letrën mbi një bllok. Dhoma gjatë gjithë kohës kishte ndriçim. Bisedimet me Moron bëheshin drejtpërdrejtë vetëm nga njëri prej nesh që e mbante fytyrën të mbuluar. Moro nuk ka parë kurrë fytyrë të zbuluar dhe nuk ka pasur asnjë dijeni, se kush ishin personalisht burgosësit e tij. Nuk ju krijua asnjë mundësi për të parë, mbasi ai, nga ajo dhomë mund të dilte i gjallë. Kishte ditë që me Moron nuk shkëmbehej asnjë fjalë. Fakti se Moro nuk ka parë asnjë fytyrë, duhet të kuptohet mirë dhe nga të gjithë. E përsëris, ai mund të dilte i gjallë. Ishte në një shtëpi në mes të Romës. Në një nga lagjet me të pasura të saj. Ai nuk duhet të njihte as njërin, as shtëpinë ku ishte. Ishim katër veta. Njëri nga ne nuk ka qenë dakord që ai të vritej. Vendimi me vdekje u mor një ditë para ekzekutimit. Deri ditët e fundit, është besuar për realizimin e tratativave të shkëmbimit. Besohej në një rruge-dalje. Ditën e fundit, u realizua edhe një telefonate me familjen, për të ritentuar për tratativë. Moros ju tha se "Brigadat e Kuqe" kishin marrë vendimin e dënimit me vdekje. Kjo ju tha në ditët e mëparshme. Më vonë dhe konkretisht në datën 9 maj, ju tha përfundimisht se prej aty do të dilte i vdekur. Ju tha nga personi që merrte në pyetje. Emrin e tij nuk dëshiroj t'a them. Askush nuk u preokupua për rrëfimin e Moros. Nuk ju dha mundësia për t'u rrëfyer. Unë vetë personalisht nuk besoj në kishë. E transportuam, besoj rreth orës 06.30 të pasdites. Nuk u dëgjuan krisma, mbasi u përdor silenciatori. Ashtu i vrarë u vendos në portobagazhin e autoveturës, pikërisht në pozicionin në të cilin u gjet më pas. Ndaj tij u qëlluan disa plumba. Se sa nuk mund ta them, por me siguri mbi pesë. Nuk mund të them nëse ishte e njëjta armë. Nuk jam e zonja që të kuptoj këtë gjë. Moro, para vdekjes nuk tha asgjë. Nuk përshëndeti në veçanti asnjëri. Bëri një përshëndetje për të gjithë...".
 
Nga letra drejtuar Eleonora Moros, bashkëshortes: "..E ëmbla ime Loreta. Jemi tashmë na fund. Nuk ma duket rasti qa ta diskutojmë rreth çështjes së përse ndodhi. Çdo gjë është e qartë. Gjithçka u bë lidhur me moderimin tim, me veprën time. Por, nga ana tjetër është e vërtetë se e gjithë përgjegjësia është e Demokracisë Kristiane, me qëndrimin dhe sjelljen e saj absurde, të pabesueshme. Do të dëshiroja t'i thoja Giovannit (djali) se çfarë do të thotë një veprimtari politike. Dhe Zakanjini si mund të rrijë i qetë në vendin e tij. Dhe Kosiga, nuk diti të mendojë asnjë mbrojtje. Gjaku im do të bjerë mbi ta. Por megjithatë, nuk është kjo për të cilën dua të flas. Dua të flas për ju, që ju dua e që ju kam dashur gjithmonë. Jam kaq mirënjohës për të gjithë, për çfarë keni bërë. Tashmë gjithçka është e padobishme. Papa, bëri shumë pak. Pres urdhrin e ekzekutimit. Loreta, e ëmbla ime. Jam në duart e Zotit dhe të tuat. Një puthje dashurie për të gjithë ju....".  

Kane thene per Aldo Moron

Ana Laura Bragheti, ish-brigadiste:  "...Në takimet me Moron rrinim me fytyrë të mbuluar. Ai mund të dilte i gjallë nga ajo shtëpi...".
 
Valerio Moruci,ish-brigadist dhe pjesëmarrës në rrëmbim i arrestuar: "...Aldo Moro u rrëmbye nga "Brigada e Kuqe", mbahej i burgosur nga "Brigadat e Kuqe", pyetej nga "Brigadat e Kuqe" dhe u vra nga "Brigadat e Kuqe...".
 
Tomazo Mançini, gazetar: "...Me siguri që në radhët e "Brigadave të Kuqe" ka pasur individë që kanë dashur të shpëtojnë Aldo Moron...".
    
Papa Vojtila: (ceremonia funebre)"...O Zot i jetës dhe i vdekjes, ti nuk ke plotësuar lutjen tonë për shpëtimin e Aldo Moros, këtij njeriu të mirë, të arsyeshëm, të urtë, të pafajshëm dhe mik...".
    
Henri Kisinger, ish-sekretar i Shtetit të SHBA.-së, i intervistuar në datën 06.04.1993 nga gazetari i shquar italian Xhovani Minoli, thotë:  "...ka pasur zëra në Itali sipas të cilave unë do të kisha dhënë një dënim kundër një hapjeje me të majtët dhe "Kompromisin Historik". Një gjë e tillë nuk është e vërtetë, sepse kur unë kam njohur Moron ishte viti 1974. Ndërsa ishte viti 1977 kur filloi "Kompromisi Historik".

Barbara Balzerani, një nga krerët e "Brigadave të Kuqe" shprehet: "Ajo që shtyu më shumë për t'u marrë vendimi, ishte fakti se politikanët në atë kohë nuk arritën të kuptonin atë që kërkonte Aldo Moro. Sipas tyre, në ato letra Moro nuk ishte Moro. Ai ishte i droguar dhe shkruante ato që i thuheshin apo dëshironin "Brigadat e Kuqe". Ato që thuheshin në letra, nuk ishin mendimet e Moros, nuk ishin mendimet e tij të lira, nuk kishte një arsyetim në atë që ai thoshte....".

Francesko Bishone, profesor i sociologjisë, shprehet:"...Nga studimi dhe analiza e materialeve të hedhura në dorë, mund të jepen një seri konsideratash. Një gjë mund të thuhet me siguri. Memoriali i gjetur i Moros, nuk është i plotë...".

Kronologji

30 prill 1978.
Telefonatë e "Brigadave të Kuqe" në familjen Moro. Zëri anonim bën të ditur se: " Të gjitha gjërat siç janë, nuk mund të sjellin asgjë. Tashmë vendimi është marrë dhe siç e kemi thënë në Komunikatën Nr. 8, nuk mbetet gjë tjetër për të bërë, veç ekzekutimit. Sidoqoftë, është e mundur një ndërhyrje e Zakanjinit, madje shpejt...".

E marte 9 maj 1978.
Telefonatë e "Brigadave të Kuqe" në adresë të Franko Trito, ndihmës i Moros: "...Komunikoni familjes, se trupi i  Aldo Moros ndodhet në një autoveturë, në rrugën "Kaetani"...".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora