E shtune, 20.04.2024, 11:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Gazeta të vjetra shqiptare

E shtune, 06.04.2013, 01:02 PM


Gazeta të vjetra shqiptare

“Shqipëtari nuk pat kurrë/ Qëllim tjetër veç Lirisë/ Doli në shesh porsi burrë/ Me flamur të trimërisë/…/ A u erdhi mendja vallë/ Ju o Turqve të Asisë/ Shqiptari trim me pallë/ S’duron zgjedhën e robërisë.”

Nga Baki Ymeri

Bota sot dhe Zemra Shqiptare kanë idealistë të panumërt që me padurim presin të lexojnë lajme të reja nga biblioteka e sentimentalizmit patriotik. Nuk është hera e parë kur shkruhet për shtypin e vjetër shqiptar. Lidhur me kërë subjekt atraktiv, interesant apo joshës, dikush mund të ketë mbrojtur magjistraturën apo tezën e doktoratës, por kjo nuk don të thotë se ata kanë patur fatin t’i kenë në disponim të gjitha gazetat respektive. Për disa nga to janë dhënë fare pak burime, ndërsa ballinat e disave sosh nuk janë prezente as në www.google.com. Na buzëqeshi fati që një qytetar i rëndomtë i arkivave private të Bukureshtit (Domnul Dinescu), të na i gjejë e të na i shesë për pakë lekë (themi për pakë, edhepse disa sosh vlejnë sa një monument), disa gazeta të vjetra shqiptare që e kanë parë dritën e botimit para 100 vitesh.

La nuova Albania apo shqip "Shqipëria e re" ka qenë një revistë politike shoqërore që ka dalë në vitet 1898-1899 dhe 1904. Kjo revistë doli në Napoli, në italisht dhe pjesërisht në arbërisht, nën drejtimin e Gennaro Lusi. Në Numrin e 11-të të vitit të parë (1898), në një hapsirë tipografike prej 8 faqesh, defilojnë artikuj dhe poezi, shumica në gjuhën italiane (Gli Albanesi in Italia, Il movimento italo-albanese, Unificazione dell’alfabeto Albanse, Shqiperia, Al generosi figli dell’Albania, Per la questione Albanese, etj.).

Laimtari i Shqypenies (L’araldo d’Albania), Organ Xyretare i Keryekomitetit Dreitare (Organe Ufficiale del Comiteto Centrale Direttivo), del në Romë që nga viti 1904, por neve na ran ë dorë numri 12 i vitit të dytë (1905), me artikuj shqip si Tërmeti I Shkodrës, Fillet e Shqyptarëve, apo italisht, si: Giorgio Kastriota-Skanderbegh, Ortografia Albanese, Una conferenza sull’Albania, L’elemento latino nell’equilibrio balkanico, Per le vitime di Scutari in Albania, etj. Në faqen e 8-të jepet një banknotë e vjetër shqiptare me këtë tekst: “Atedhetarë! Po cesim ketu trusmet e pustullave t’Uhaes Kombetare bae per mbas te preemeve te Kuvendit te Bukureshtit. T’i mbushet mendeja atedhetareve ci Shcypenien t’one s’kena m’e bae ne vedi vechse me malle e me gjak t’one. Mict e Shcypenies kane me na nimue: por nuk do te presim peshtim prei tiereve, kuer vete kursehena per atedhene t’one. E pra se i tsili t’a keet fucien, le te hapin doren per me marre keto postulla, e m’e i-u bae ndime atedheut. Se e tsila pustull kushton 10 (dhete) frank. Paret do te chohen Arketarit te Kryekomitetit ne Rome, Xot. Cesare Rivera, Corso Vittorio Emanuele, 101, Roma (Italia). Kryekomiteti. Në faqen e dytë, në kuadrin e rubrikës Këndimtarëve, lexojmë: “I-u baime me dite kendimtareve te Laimtarit ne Rumanie, ci paghesat per Laimtare e per Gramatike Schyp, te dergohen Xot. Aleksi Drenova, Bucarest (Rumenia), Calea Vacaresti 136.” Në faqen e fundit jepet një hartë e Shqipërisë etnike me këtë nëntekst: “L’Albanie deve essere una ed independente ed estesa nelle sue naturali provincie: L’Hylliria, la Macedonia, l’Epiro e la Tessalia. L’Albania degli Albanesi.”

Liri e Shqipërisë u botua në Sofje në vitin 1911. Gazetë e përjavshme politike, shoqërore, kulturore, letrare. Gazeta botohej nga Kristo Luarasi me motonë: Mpron të drejtat e kombit Shqiptar. Në numrin 18-të (28 Gusht 1911), defilojnë artikuj si parape lodra, prape dinakeria, Per mbi te drejtat e Shqiptarevet (Hristo Mexi), Puna jone, Djal I prokopsur (A. Gurra), bejleret – Lufta pranë Korçës (Opinga), Letrë nga Stambolli, Lajme nga Konstanca (Avokat J. N. Mihail Lehova), Letrë nga New Yorku (Pietro Scaglione), Andej këtej, Në trimëri (J. A. T.), poezia S’më rihet (M. P.) me vargje si: “Shqipëtari nuk pat kurrë/ Qëllim tjetër veç Lirisë/ Doli në shesh porsi burrë/ Me flamur të trimërisë/…/ A u erdhi mendja vallë/ Ju o Turqve të Asisë/ Shqiptari trim me pallë/ S’duron zgjedhën e robërisë.” Gazeta del në format të Rilindjes së dikurshme, apo të Botës sot.

Në faqen e fundit jepen reklama lidhur me botimin e Diturisë në Sofje (Shtypshkronja Mbrothësia), Të Valëve të Detit të Spiro Dines, të Ervehesë botuar në Bukuresht më 1888, të librit Këndime për shkollat e para prej Lumo Skendos, të një furre buke në Sofje me këtë tekst: “Këta zotërinj në furrën e tyre pjekin aqë bukë të mira dhe të ëmbla sa s’ka tjetër këtu në kryeqytet. Kanë sjellë punëtorë t’akceptueshëm nga Stambolli, andaj u rekomandojmë Shqipëtarëve që ndodhen këtu në Sofje, të blenë bukë nga kjo furrë e cila le q’i pjekë e i gatuan më mirë nga të tjerat, po se këta zotërinj janë bashkatdhetarët tanë. E dyta se këta zotërinj zgjodhnë për të përndarë bukët nëpër shtëpirat, falë atdhetarit t’onë, zotit Sotir Ollani, një atdhetar që ka vojtur për çështjen shqipe, andaj u lutemi gjithë Shqipëtarëve të marrin bukë nga përndanjës i asaj furre z. Sotir Ollani.” Në vazhdim jepen reklama tjera dhe një listë librash të botuara asokohe në shtypshkronjën Mbrothësia të Sofjes, me shkronjat që i vendosi Kongresi i Manastirit.

Shqypeja e Shqypënis (Albanski Orel), „Organ për politikë dhe dituri”, botohej në Sofje të Bullgarisë. Sipas burimeve elektronike është njëra ndër gazetat me shkrime më demokratike të kohës së Rilindjes sonë Kombëtare. Gazeta në fjalë kishte filluar të dalë që nga 18 maji i vitit 1909 e deri më 2 prill 1911. Fillimisht kishte filluar të botohej në çdo dy javë, por me kalimin e kohës kishte dalë më rrallë. Ajo doli në 40 numra dhe për kryeredaktor e kishte atdhetarin, poetin dhe patriotin shqiptar Josif Bagerin. Nga numri 6 i vitit të dytë (1910), kemi fat të lexojmë artikuj si Kombi Shqypëtar dhe Tyrkia (Doinad, pseudonim i Visar Dodanit), Kombi Shqypëtar dhe ndryshimi i Tyrkisë (Grykë e Hosit), Ndryshimi i nji qëllimi të shejtë (Sotir S. Gjika), Mali i zi kralni, Lëvizja dhe të reat e Saja, Barësimi në Dibër, Urime, Falënderime etj. Në kuadrin e antetit botohen vargje si: “Un jam Shqypëja e Shqipënis/ Sqohi, or’zogjt e trimënis/ Un jam shpeza e furrikut/ Epni dërmën ma rezikut/ Mjaft në t’errët n’vorfuni/ Sqohi trima, zogjt e mi.” Dhe më tej: “Krahët un i kam shtallue/ Dhe fluturoj me ju gjet/ Se për Ju u kam mallzue/ Përandej Ju kërkoj vet/ Cihariqe un u ble/ Se Ju kam fëmi, fëmie!”

Përlindja e Shqipënies botohej në Vlorë. Ishte gazetë e shtetit të pavarur shqiptar e cila për herë të parë u botua më 24 gusht të vitit 1913,  nën drejtimin e Dhimitër Beratit. Gazeta u botua dy herë në javë dhe vijoi 21 numra deri në vitin 1914. Në artikujt e saj ndër të tjerash, kjo gazetë bënte thirrje për bashkimin e popullit shqiptar, për t’i bërë ballë sfidave të kohës. Nga numri 5 (Shkurt 1914) botohen disa artikuj si, Kur ikin grekët, Miku dhe armiku (Seit Qemal), Bombardim i Grekërvet në katundin Malint dhe Kapedani M. Maksuti (A. S. Leskoviku), Lajme të shkurta mbi ardhjen e princ Vidit në Shqipëri, Lajme të brendshme, Vendimet e Kuvendit Kombëtar të Vlonës, Kanun i dëmeve, Një ngjarje në Kaninë, reklama për botimet e shtëpisë tregtare Carlo Erba, Shoqëria Italo-Shqipëtare për trgti e lindrim, etj.

Liria Kombëtare (La Liberte Nationale), Organ i përjavshëm i nacionalistëve shqiptarë, botohej në Gjenevë, duke patur për drejtor Dr. Omer Nishani. Në numrin 20 të vitit të dytë (Gusht,1926) kemi nderin të lexojmë artikullin e gjatë, Shqiptarë dhe serbë, ku bëhet fjalë për politikanët serbë me Nikolla Pashiqin në krye. Të dehur nga triumfi i tyre në dy luftërat ballkanike, e të mbështetur prej Rusisë cariste, krijuan një rrjet të gjerë forcash diplomatike e ushtarake, dhe duke shfrytëzuar nga kalbëzimi i Perandorisë Osmane, “nuk lane mjet pa përdorur kundër popullit shqiptar të çarmatosur: as plumbin, as bajonetën, as fjalën, as pendën. Mijëra e mijëra shqiptarë, gra, foshnja, pleq e të rinj u vranë, u therrnë dhe u dëbuan. Fara shqiptare iu paraqit botës së qytetëruar si një njolë për te; populli autokton e më i vjetër ni Ballkanit u tregua si një bandë egërsirash antropofage, në fazën më primitive të njerëzisë. Me një fjalë, ky popull jo vetëm që s’ish në gjëndje të formonte një shtet më vete, por, n’interes të paqës së Ballkanit e të dinjitetit t’Europës së qytetëruar q’e kishte në gji, meritonte të shuhej kryekëput ose, e paka, të skllavërohej e ztë shtyhej në qytetërim me kërbaç.”

Më tej përshkruhen djallëzitë kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, që me shpenzimet e qeverisë mashtronte gjermanët dhe krejt botën me trillime fantasmagorike dhe gënjeshtra primitive kundër kombit shqiptar. Më tej, autori anonim mburret me zt. Grigor Bozhoviq me reagimin që ka bërë në Skupçinën e Beogradit për të mbrojtur kombin shqiptar kundër kanibalizmit serb, edhepse zëri i tij mbet i kufizuar në grupin e vogël të demokratëve të pavarur të asaj kohe. Gazeta respektive del në 4 faqe të formatit të Botës. Në vazhdim jepet një interpelatë për Ceno Beun, si dhe artikujt Jemi solidarë deri në fund, Vilat e Zogut imponohen me ligj, Pandeli Vangjeli dhe patriotizmi i tij, Pasuri e Esad Pashës në gjyq, Agjentët e Zogut në veprim, Burgime në Gjinokastër, persekutimet në Tiranë etj.

Ballina e Lajmtarit të Shqypnisë - 1905

Banknota të motshme shqiptare

Gazeta La nuova Allbania (1898)

Kuvendi Kombetar me Skenderbeun (1934)

Lajmtari i Shqypniës, 15 Qershor 1905

Liri e Shqiperise

Liria Kombëtare - 1926

Shqypeja e Shqypënis-1910

Uhaja Kombëtare e Shqypënisë (15 Maj 1905)



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora