E enjte, 28.03.2024, 11:46 PM (GMT)

Mendime

Agron Gjekmarkaj: Gylejmani dhe peticioni

E shtune, 06.04.2013, 10:40 AM


Gylejmani dhe peticioni

Nga Agron Gjekmarkaj

Lexova një shkrim të Gilman Bakallit te gazeta “Mapo”, që më la një shije të keqe, si për mungesën e koherencës logjike me të cilën fshihte pjesërisht mendimet e veta, si për analogjitë e stisura mes qëllimeve politike të Jozefina Topallit dhe një artikulli të Alfred Lelës, i cili më është dukur gjithnjë gazetar korrekt dhe dinjitoz. Duke marrë metaforën e vetë Gilmanit, nganjëherë të krijohet përshtypja se disave studimet në Europë u kanë vyer vetëm për të ndërruar kafen alla turka me ekspresin, pse nuk kanë mundur të emancipohen duke lënë pas vetes një seri të gjatë paragjykimesh, që i mbajnë skllevër të një të kaluare të palavdishme.

Kemi parë javët e fundit, me publikimin e peticionit kundër rishikimit të historisë nga ana e autoriteteve turke në Kosovë, sesi një sërë historianësh me një të kaluar komuniste, të mëkuar me tezat e Enver Hoxhës për luftën revolucionare të Haxhi Qamilit dhe me ato më të përpunuarat që shpalosen te libri “Shënime për Lindjen e Mesme”, ku i thuren himne botës islamike, kundërshtuan peticionin kundër ndërhyrjes arbitrare të shtetit turk në historishkrimin tonë.

Edhe Bakalli, së bashku me ndonjë tjetër më të defiluar, është ndër kundërshtarët e atij peticioni. Por, në kundërshtinë e tij, sado që përpiqet të duket mbi palët, ai njësohet me ata që ndiejnë kruarje intime kur preket tema e pushtimit osman.

Menjëherë ndodh metamorfoza, pak a shumë si ajo e Apuleit të antikitetit, dhe Gilmani kthehet në Gylejman. Ai e trajton si paragjykim faktin që Perandoria Osmane ka qenë pushtuese, duke rënë në pozitat e ndonjë historiani filo-osman tashmë të njohur. Bakallit i pëlqen të theksojë faktin se Europa është në krizë, por harron se paradigmat kulturore të asaj bote me të cilën ai shihet se është i lidhur janë të atilla, sa që nuk mund t’i prekë hëpërhë as vetë kriza, ajo kulturore që ushqehet prej shpirtit, jo kriza e bollgurit dhe e tërhanit hallvasi!

Gylejmani i quan “fraza personale” pohimet e rrezikshme të Kim Mehmetit, të cilat mund t’i paraprijnë vetëm thirrjes për krijimin e një republike islamike si shpëtim për shqiptarët në Ballkan. Ndërkaq, ai, me një lehtësi të paparë, i quan “ndryshime gjuhësore” trysninë dhe pretendimet turke, të paraprira prej doktrinës Davutogllu, për të rehabilituar pushtimin osman në Ballkan, duke e paraqitur si një vëllazërim pesëqindvjeçar.

Madje, Gylejmani shkon edhe më përtej, duke shfaqur edhe një lloj antiamerikanizmi tipik të sërës së tij, pasi barazon falsifikimin e vetëdijshëm të historisë nga ana e turqve me “collateral damages” të bombardimeve amerikane. Ndoshta Gylejman efendiu ka harruar se po të mos kishin qenë bombat amerikane, sot në Prishtinë do të valëvitej ende trobojnica serbe dhe kosovarët do të masakroheshin si përpara. Nuk qenë turqit dhe as deklarata e vetme qesharake e Tansu Çillerit që i shpëtoi kosovarët, por qe Bill Clintoni dhe Margaret Albright, së bashku me aleatët e tyre europianë, që shkatërruan makinën ushtarake serbe dhe çliruan Kosovën. Megjithëse për turpin tonë, në çajtoret e Prishtinës po merr trup legjenda se NATO-n e paskësh nxitur vetëm Turqia dhe se me shkjaun vetëm avionët e saj si katallaj fluturues paskëshin ba namin, se ata të kaurrit veç fluturonin për qejf e nuk u bante zemra me hedhë bomba. Me këtë folklor vilajeti nuk dua të zbeh aspak kontributin e Turqisë bashkëkohore në atë luftë.

Ai flet për “ithtarët e Kadaresë”, pasi duket se ka një alergji të veçantë ndaj thirrjeve të Kadaresë për një vetëdije më të thellë kombëtare, për nevojën që kemi për të kthyer kokën dhe për t’u përkulur me respekt përpara etërve të Rilindjes sonë Kombëtare, pjesa më e madhe e të cilëve edhe pse ishin myslimanë, nuk njësoheshin shpirtërisht me turkun pushtues. Madje, do të sillja këtu, sa për t’ia freskuar kujtesën Gylejmanit të madhërishëm, se çfarë ka shkruar Sami Frashëri për turqit:

Ç’janë tyrqitë? – Një komp i egërë t’ardhurë nga shkretëtirat’ e Asis’ së Veriut me nga një hosten në dorë. Këta, me egërsi të tyre zunë më të bukurit’ e vëndevet të botësë e më të qytetëruarëtë; edhe si i ropnë, i gremizë e i doqnë, po i mbajnë edhe gjer më sot nënë një egërsi, nënë një varfëri, nënë një tirani, që tmeron gjithë botënë. Nga gjithë këta vënde, që po rënkojnë, që nga kaqë qint vjet e tëhu, edhe njëri është Shqipëri’ e gjorë, që heq këtë tirani, a heq më shumë se gjithë vëndet’ e tjerë nga pakujdesj’ e Shqipëtarëvet. Tyrqitë janë nga ata kombe, që kanë shkuarë mi dhet si një breshërimë e si një borë. Ku janë hynëritë, vandalëtë, mongolëtë, avarëtë, gotërtë e kaqë kombe t’egërë, që zunë gjymësënë e faqes së dheut duke djegurë, duke gremizurë e duke derdhurë gjak? Tyrqitë s’kishinë të drejtë të rojnë më teprë se ata shokët’ e tyre; rojtjen’ e qëndrimnë gjer më tani e patnë qelepir, tani s’kanë nonjë të drejtë të rojn’ e të qëndrojnë më edhe as din’ e as duanë të rojnë më, se gjer më sot s’kanë bërë një kombëri e një qeveri si gjithë bota, por duanë të rojnë për jetë me egërsi. Këta do të humbasinë edhe duhetë të humbasinë që të shpëtojnë njerëzia syresh; po ç’kanë me na që, duke rënë, duanë të na marrinë edhe na me vetëhe? Ne ç’kemi me ta? A mos erthmë me ta? Jo, kurrë! Na s’jemi tyrq, as të ardhurë nga shkretëtirat’ e Asisë. Na jemi m’i vjetri komp i Evropësë; kemi të drejtë në dhet’ t’Evropësë më teprë se çdo komb. Këtë të drejtë të shenjtuarë shqipëtarëtë janë të zottë ta ruajnë e ta kërkojnë edhe me armë në dorë. Kur përzjehetë e drejta me fuqit, merr një forcë, të cilësë gjë s’i rri dot kuntreq. Shqipëtarëtë janë pra të zotë të mbajn’ e të ruajnë të drejtën’ e tyre, do-me-thënë kombërinë, gjuhënë e mëmëdhen’ e tyre kuntrë çdo armiku; arrin vetëm të duanë. (Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, vepra 2, Tiranë, 1988, ff. 63-64).

Bakalli flet edhe për një lloj sensi pragmatik të ballkanasve dhe lë të kuptohet se e kanë përqafuar dhe pranuar pushtuesin osman. Mund t’i them se jo të gjithë shqiptarët u treguan pragmatistë në sensin e keq që thekson ai. Të parët e mi, për shembull, s’pushuan duke luftuar me turqit, madje edhe atëherë kur paria muhamedane e prirur prej Abaz Bekteshit me shokë, duke vikatë “Padishah çok Jasha” , në pragun e Pavarësisë, u bashkua me halldupët për t’u rënë pas shpine malësorëve kryengritës; këta të fundit i kapën robër në breg të liqenit të Shkodrës dhe pasi i çarmatosën e i lanë në të linjta, i nisën me turp nga kishin ardhur se i konsideronin shqiptarë dhe e dëshironin Shqipërinë për të gjithë. Nuk kemi qenë pragmatikë, pse turku na i ka djegur kullat dhe ne prapëseprapë nuk jemi epur, na i ka therur foshnjat në djep e prapë jo. “Lahuta e Malcis” është një himn për këtë qëndresë heroike. Mos të harrojmë pastaj Ded Gjo Lulin, Gjon Ujk Micelin, Nik Gjelosh Lulin me shokë, të cilët ngritën flamurin e Skënderbeut në Bratilë, në prill të vitit 1911. Nuk jam i sigurt se në anën e kujt do të kishte qenë asokohe Bakalli, Xhufi, Puto e ndonjë tjetër! Duke u nisur prej pohimeve që bëjnë sot, kam përshtypjen se do ta kishin pasur shumë të vështirë të bëheshin bukëshkalë e të mohonim flamurin e dovletit, për të valëvitur atë me sorrë!

Gylejmani urren peticionin që i thotë “jo” mëtimeve turke për të na diktuar historishkrimin tonë.

Ne shqiptarët jemi ca kokëfortë dhe s’e kemi ndërmend të “qytetërohemi” nga fryma kinse liberale turke, pasi e dimë mirë se çfarë qëndrimi mban historiografia e Ankarasë (e cila nuk distancohet nga politika turke) ndaj gjenocidit armen. E njohim qëndrimin turk ndaj kurdëve dhe nuk mund t’i besojmë doktrinës kolonizuese të Davutogllusë dhe emisarëve të paguar të Turqisë me banim në Shqipëri.

Gylejman efendia preferon – siç shkruan ai vetë – atmosferën e ngeshme të shoqëruar me kafe turke. Është pikërisht ajo nge e Gylejmanit dhe e atyre që i kanë paraprirë, e cila ka bërë që ne të ishim populli i fundit i Ballkanit që u shkëput prej Perandorisë Osmane.

Ne të tjerët nuk kemi nge të humbim kohë të çmuar, atë kohë që miqtë e Bakallit na e morën duke na izoluar për shekuj nga Europa dhe nga qytetërimi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora