E premte, 29.03.2024, 08:46 AM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Një grek me çifteli

E shtune, 06.04.2013, 10:06 AM


NJË GREK ME ÇIFTELI

Tregim nga Qazim D.  Shehu

Kur autobuzi i e një ekipi sportiv ndaloi tek sheshi i Bernës, sportistët u panë të zbrisnin një nga një  e u drejtuan drejt hotelit që ishte diku në cep. Vetëm njëri nuk i ndoqi pas.  Ai mbante çantën në duar dhe vështronte si i hutuar ndërtesat përreth. Pataj vështrimi i tij u përqëndrua në një pikë dhe sportisti filloi të lëvizte. Dukej se kishte një ngurrim të panevojshëm, sikur kërkonte të vidhej nga ndonjë pengesëdhe kjo pengesë  ishte aq e papritur sa ai shihte sheshin me një kujdes të tepëruar ose mezi kishte pritur që ta ndeshte pikërisht aty, në atë shesh ku qetësia rrinte pezull si një frymë e lumtur.

Me hapin e tij si  të kontrolluar-në të vërtetë lëvizja e tij e ngadalshme  dukej sikur donte t`i ikte pengesës- ai u gjend para një shitorje mbushur me flamuj shqiptarë e suvenire të ndryshme ku ngjyrat kuq e zi përziheshin me njëra tjetrën në një sfond të ndezur që hidhej përtej xhamave. Ajo ngjyrë e kuqe sikur donte t`ia vinte zjarrin asaj qetësie , ose ishte i vetmi kënd jete në sheshin e madh. Kapuçat e bardhë  ishin vënë ngjitur me çiftelitë,duke u radhitur në një simetri të ndryshme, suvenire, buste të vegjël të Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit,  ca prej të cilave dukeshin aq bukur dhe hijerëndë. Sportisti qëndroi para shitores, duke lënë çantën në tokë, mori një drejtqëndrim si për t`u shpirë prej lodhjes, në fillim deshi të hynte brenda, po kur pa se nuk kishte njeri, ngurroi dhe priti. Vështrimi i tij pasi u kthye njëherë brenda u ngul në vitrinën e xhamtë  rrezëllitur prej diellit dhe ngjyrave të kuqe e nuancave të tjera. Nga shitorja s`dihej pse kishin dalë disa çifteli dhe rrinin mbështetur në mur. Dukej ato ishin më të kërkuara dhe mezi prisnin t`i merrte në duar dikush. Telat e tyre si fije çeliku tendoseshin brenda asaj qetësie dhe mugulloheshin brenda enigmës së tyre.  

Ai   mori një çifteli dhe po e kqyrte me kujdes si  të qe një vegël muzikore të cilën e shihte për herë të parë. Vështrimin e nguli mbi fushën me shqiponjë të çiftelisë, mbi dy telat  si rrugë të gjata të pambarimta,dhe aq i zhytur ishte në këtë kqyrje  të ngulët,sa nuk e kuptoi kur pranë tij u gjend  një burrë i gjatë , thatim, i cili i foli shqip:Me çfarë mund të të ndihmojmë ,zotni…Vështrimin ende nuk po e shkëpuste nga fusha e çiftelisë sikur zëri i tjetrit t`i vinte nga larg ose në atë çast s`donte t`ia dinte për asgjë veçse për atë fushë me një shqiponjë të zezë  dhe s`dihej nëse donte ta pyeste atë pse rrinte nën dy tela që kyçnin e çkyçnin tinguj melodiozë.

Sportisti dha shenjën se nuk dinte shqip. Kosovari i gjatë nuk e kuptoi, ai e pyeti sërish se me çfarë mund t`i shërbente, po kur turisti i foli anglisht, atëhere u bindi se kishte të bënte me një të huaj. Jo rrallë i ndodhte që të huajt vinin dhe kqyrnin në shitore , ndonjëherë bëhesghin të bezdisshëm duke mos blerë gjë, po kishte raste , që ,o, fale o  zot, bënin për pak minuta xhiron e një muaji. Ai u largua  me nxitim, sepse edhe ky i huaj duhej të qe një blerës i mirë. Paspak e erdhi me një djalë të ri,hollak , me njërin krah të mbuluar nga një rrobe e kuqe.  Djali i foli anglisht dhe turisti në vend që të çilej në fytyrë që gjeti një mundësi të komunikonte u murrëtye edhe më, madje u skuq gjer në rrëzë të veshit. -Kjo vegla më pëlqen- foli sportisti- a mund ta di sa bën?

Djali në vend që t`i jepte çmimin po mendohej, atij s`i kishte ndodhur ndonjëherë një kërkesë e tillë kaq e shpejtë, me një ton kaq të vendosur.  I tha çmimin, po sportisti bëri sikur s`e dëgjoi, ose nuk i interesoi çmimi, ai po e përkëdhelte çiftelinë ngadalë sikur donte ta merrte me të mirë, nga frika nëse telat e saj do lëshonin apo jo, tinguj. Duart e tij të mëdha , krahët e fuqishëm të krijonin diçka frikësuese, në ato çaste të jepej një refleks kuptues sikur sportisti do ta shkërmoqte çiftelinë. Burri thatim u fut brenda në dyqan për t`i lënë tjetrit të kuptonte se ai, ose duhej ta blinte çiftelinë, ose duhej të largohej. Një heshtje e tillë kaq e tendosur për të blerë një vegël muzikore sikur s`shkonte. Paraqitja e tij po krijonte bezdi me një hije të ngufosur dhe të ashpër. Mbeti pranë tij vetëm djali që dinte anglisht, por ai nuk po fliste, përderisa tjetri s`kërkonte asnjë spjegim. I pëlqente të priste me një kuriozitet se çfarë do të bënte tjetri. Ndoshta edhe sportisti e kuptoi se nuk duhej ta zgjaste me shumë këtë heshtje të krisur, nuk kishte më kuptim të rrinte ashtu si vuv, ndaj e vendosi kokën e asaj në gjoks sikur donte ta shtërngonte, ndërsa bishtin ia kapi me dorën e majtë nga frika se ajo mos ikte. Kosovari i gjatë doli nga shitorja ,atij nuk i kishte ndodhur kurrë që një i huaj t`i binte çiftelisë, madje ata nuk blinin çifeli , përveç suvenireve. Sportisti me petëzën e hollë filloi të lëvizte telat për të intonuar diçka.

Gishtërinjtë e tij të fortë binin lehtë e vrullshëm  mbi telat si mbi dy udhë të gjata të cilat sikur donte t`i shkundte nga pluhuri i harresës së viteve. Tingujt nuk u hodhën më në lojën e lirisë së tyre të çregullt,po ato ngadalë po bindeshin në trajtën e krijimit të një melodie. Dhe melodia po vinte si një mall i largët, si një çkyçje nga kujtesa e gurëve që rrokullisen nga një shpat malor kur mban mot i lig. Vinte ngadalë, kokëfortë dhe e bukur. Përmes atyre gishtave të fortë, asaj petëze nazike,atyre telave që tendoseshin si dy vetëtima që s`dinë ku të përplasen në një qiell me re të mbarsura. Dhe ja ku mori formë të plotë:Ishte melodia e këngës për Hajredin Pashën. O zot, sa bukur i binte ky mjekrosh , ky i huaj, çitelisë,sikur të ishte një virtuoz. Mos vallë ishte djalli që kishte marrë pamjen e njeriut dhe kërkonte të vinte në provë risjelljen e një mundësie të re?Ndoshta nga frika se mos ai e mbaronte melodinë shpejt, kosovari që ishte brenda doli jashtë , e nga nxitimi gjuajti me këmbë diçka e për pak u rrëzua.

E ruajti ekuilibrin, mori një qëndrim të shpejtë,pa u ndjerë në zor për këtë. Ai u drejtua duke parë nga djaloshi me vëmendje e në sytë e tij shprehej një lutje që djaloshi ta riniste melodinë nga e para si të kishte frikë se mos tjetri dinte vetëm një melodi. Dhe aty nuk ishin vetëm dy njerëz nga Kosova, por u bënë katër.  U duk se sportisti u ndje mirë për këtë, kjo u duk nga buzët e tij që u çelën pakëz, nga sytë e zmadhuar dhe faqet që kishin marrë një lulëkuq të lehtë. Kjo  shihej nga gjoksi i tij që fryhej e shfryhej si një gjyryk, për të dhënë më shumë erë në ndezjen e tingujve të ardhshëm. Po kush duhej të ishte ky njeri që s`fliste shqip, mos vallë ishte pinjoll i ndonjë shqiptari të hershëm të Kosovës përzënë nga serbi për në Anadoll. Apo mos vallë vinte nga kosovarët e Australisë se anglishten e fliste ezberxhevap. Apo ndonjë nip stërnip i ndonjë shqiptari të tretur nëpër botë qyshkur. Sido që të ishte ,çiftelisë i binte bukur qerratai. Tingujt e çiftelisë sikur i kishin mpirë të gjithë, ata tinguj sikur i kishin çuar peshë për t`i hedhur në jehonën e largët të luftrave, në shpirtin e pamposhtur të të parëve ,shpirt që akoma rënkonte se Kosova ende po vuante. Dhe vinte ky i huaj dhe i zgjonte të gjitha këto.

-Zotëri,- e pyeti djali i ri, -nga të kemi ty?

-Unë jam grek. -u përgjigj sportisti anglisht.

-Grek?Mos je arvanitas, çam?

-Jo, jo jam grek, ç`të keqe ka kur një grek i bie çiftelisë?Jo, kjo s`ndodh, tha tjetri. -Ja që ndodh ,tha sportisti, dhe e vuri çiftelinë në pozicionin e përshtatshëm për t`i rënë. Të tjerët heshtën.  Fundja fjalët sa të zgjateshin aq shkonin. Rëndësi kishin meloditë. Tingujt u zgjuan sërish duke ardhë nga thellësia e çprangosjes. Dhe u dëgjua melodia për Mahmud Dacin. Ky Mahmud Daci një djalë dai, sikur pritej të vinte aty nga çasti në çat, e tinguj fluturonin ta sillnin sa më shpejt. Apo mos melodinë e tij e kishin rrëmbyer valët e Drinit për ta çuar tjetërkund  atje ku shqiptaria lëngonte më shumë. Tani nga katër vetë ishin bërë shtatë. Melodia e Mahmud Dacit ngrihej përtej tyre, duke tronditur themelet e një peshe të rëndë. Sportisti nuk fliste sikur kishte frikë mos i shpëtonte ndonjë tingull.

Kur e mbaroi melodinë ai e vuri çiftelinë diku, me kujdes, lehtë, sikur të kishte frikë se ajo ishte prej kristali dhe thyhej. Sikur bëri të ikte, kjo u kuptua nga lëvizja e tij gjysmë në profil, po u trus pak në vetvete pastaj e rimori veten, e mori prapë çiftelinë, sikur t`i ishte rizgjuar një peng që po e kujtonte pikërisht tani. Ai ia mori një melodi tjetër për Isa Boletinin. Ishte një nga ato këngët e bukura që i dinë të gjithë, e që këndohen odave të Kosovës nëpër gosti, dasma e raste nga më të ndryshme, një nga ato këngët  që të bënte me u menduar thellë, e që ta binte shpirtin e Isa Boletinit  si frymë të pashmangshme e ta injektonte me një dëshirë të sprovuar në trup. Dhe si e lëvizte atë dorë të fuqishme me gishtat e gjatë e të trashë mbërthyer në vetvete si grremëat e drurëve në  malet e Sharrit. Kordat dhe dy telat sikur shkëndijonin në ato gishta dhe ai s`donte t`i linte xixat e tyre të iknin , po i mblidhte dhe i disiplinonte në një vijë melodike të ëmbël dhe të fortë. Stuhia e tingujve në lojën mjeshtërore bëri që dikush nga të pranishmët të kthente kokën mënjanë.  por atë s`e vuri re kush, madje të pranishmit nuk e shihnin njëri tjetrin po vetëm sportistin e ri, që me pamjen kërcënuese të një trupi të fuqishëm s`dihej pse duhej të qe një artist kaq i hollë dhe i mallëngjyeshëm. Siç dukej nuk donte ta tregonte lotin, anipse loti për burrat është dhe i shkon këtij çasti. Dy tre kishin vënë në kokë kapuçët e bardhë.

Melodia rridhte si uji i Ibrit, merrte tëposhtë e zbriste për të shkuar fushës së Kosovës pastaj në Vlorë për tu derdhur në det. Kështu mbase e përfytyronte kosovari i gjatë, thatim e eshtërfortë si Kamani i Naim Frashërit. Kështu mbase e përfytyronin edhe të tjerët që ishin stërnipat e tij. Si e mbaroi melodinë, i huaji nxori portofolin dhe pyeti sa bënte çiftelia.  Heshtja tregoi se sportisti nuk duhej ta bënte atë pyetje. -Merre, merre , u nxitua dikush ta thotë. Por i huaji po rrinte në këmbë,sikur të mos i pëlqenin fjalët e tjetrit. - A mos janë pak njëqind euro, pyeti ai gjithnjë në anglisht. Pastaj vuri njëqind euro mbi çiftelinë dhe e la bashkë me të, atje ku e mori.  Askush nuk e vuri re këtë gjë. -Zoteri tha dikush, ju  duhet të na thoni se kush jeni, ju na kënaqët me këto melodi, ka kohë që s`i kemi dëgjuar kaq të buta e të ëmbla…na thoni të vërtetën, ju edhe shqip dini, pse nuk na e thoni, nëse keni ndonjë hall ,kemi plot shqiptarë në Zvicër, mund t`iu ndihmojmë…

-Jo, ia ktheu sportisti, gjithnjë në anglisht, s`kam asnjë problem, thjesht jam një amator i muzikës, e nëse ju kam bezdisur u kërkoj të falur…

-Jo, foli njëri, bajagi ju na kënaqët,po ju mor vlla jeni shqiptar, madje jeni nga Dibra.

-Jo, tha sportisti ,jam grek, unë mund të tregoj dokumentet e mia, po dua që ju  të më besoni.

- Një grek nuk mund t`u bjerë melodive për heronjtë shqiptarë…Edhe sikur t`i binte çiftelisë ai kurrë nuk donte ta bënte këtë. Sportisti bëri të pakuptuarin duke dhënë shenja se takimi tani s`mund të mbaronte e s`duhej të mbaronte, por atij i duhej të ikte, sepse dikush tjetër edhe mund ta survejonte apo kaq kohë i kishte dhënë leje. Në sytë e tij ndihej një mirënjohje e thellë veçse s`dihej nga i vinte ajo forcë e natyrshme e fshehjes së vetvetes. . Ai u përkul në shenjë respekti,dhe bëri të ikte.

-Zotëri, u kujtua djali i ri, merreni çiftelinë, ju e paguat…Sportisti ndali.

- Ju lutem mbajeni si kujtim nga unë, kam në shtëpi sa të duash…Anglishtja e tij  u shqiptua me fjalë të ngadalta,si diçka që rëndohej e përgatitej për t`ui hedhur drejt, një honi të thellë, po fillimisht i duhej një parapërgatitje për t`u ndarë e për të rënë… Ai bëri para me hap të ngadalshëm sikur të qe penduar pse po ikte dhe të shtatë burrat shihnin dy supe që tundeshin nga larg. Ata po shihnin gjithashtu trupin e tij të fortë si një copë shkëmb që tundet e ikën tutje në detin me dallgë…

_Sa bukur i binte, tha njëri.

_Vërtet bukur, po shqipo ishte, e s`dihet ç`hall duhet të ketë…

-Halli dihet ,ia preu njëri nga të pranishmit- po ai qe djalë prej djali dhe na i tha të gjitha…Vetëm një gjë s`mundi ta thoshte:sa kohë do vazhdojë të qëndrojë si grek…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora