E premte, 19.04.2024, 03:14 AM (GMT+1)

Sport » Legjenda

Skifter Kellici: Anton Mazreku, mikrofoni, gazetari, pena dhe futbolli

E premte, 09.05.2008, 06:01 PM


Anton Mazreku, mikrofoni, gazetari, pena dhe futbolli   
 
Shkruar nga Skifter KELLICI

 
Një mesditë fillim shkurti të vitit 1966, kur po dilja nga ngrehina e Radio-Tiranës, ku punoja prej thuajse shtatë vitesh, siç ndodhte jo rrallë, në Rrugën e Kavajës u takova me kolegun tim, Anton Mazreku, që kishte dalë nga Ministria e Arsimit, ku ndodheshin zyrat e Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike, shtëpia e tij e dytë. Megjithëse përpiqej të mbahej, një hije mallëngjimi kishte mbuluar fytyrën e tij fisnike. E pyeta se mos ishte sëmurë.
"Jo, mu përgjigj, por sot më njoftuan se dal në pension. Ndaj jam dhe i emocionuar". Pas këtyre fjalëve, një nënqeshje e lehtë  u shfaq në buzët e tij. Mbeta i shtangur dhe vetëtimthi kujtova se ai nuk i kishte mbushur 60 vjeç. Madje, do t'i duheshin plot dy vjet e tre muaj, po të marrim parasysh se kishte lindur më 8 maj të vitit 1908.
"Por nuk ka gjë, vazhdoi, do të shihemi gjithnjë në mikrofon".
27 vjet më pas, një pasdite të majit të vitit 1993, kur po bisedoja me të bijën, doktoreshë Adelinën, specialiste e njohur në Spitalin Onkologjik të Tiranës, mora vesh se si e kishte pritur Anton Mazreku këtë njoftim të beftë. "Me të mbërritur në shtëpi, më tha Adelina, së cilës po i kërkoja disa të dhëna që nuk i dija për një artikull që do të shkruaja për të atin, babai më tha mua dhe mamasë: "Më nxorën në pension, që nesër të më merrni me kamion". Dhe me të vërtetë Anton Mazreku u nda nga ne një ditë gushti të vitit 1969, kur nuk kishte veçse 61 vjeç dhe kur do t'i kishte dhënë gjithnjë e më shumë futbollit, si komentator, gazetar, publicist, historian, specialist dhe organizator i rrallë i të gjitha veprimtarive të futbollit që në vitet '30. Po, atëherë, përse u nxor në pension me kaq ngut dhe madje me ceremoni në një mbledhje zhvilluar në Ministrinë e Arsimit?
Anton Mazreku për tetë vjet kishte qenë bashkënxënës me diktatorin Enver Hoxha në Liceun Francez të Korçës. Pas mbarimit të këtij liceu rrugët tyre u ndanë. Antoni punoi disa vite mësues në këtë qytet, u vendos pastaj  në Tiranë, krijoi në dhjetor  të vitit 1935 gazetën "Sporti Shqiptar". Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, kur kjo gazetë nuk doli më në qarkullim, nuk u nda nga gazetaria sportive. Shkroi në shtypin e kohës, bëri komente për veprimtari sportive në mikrofonin e Radio-Tiranës, ku më 1 shtator të vitit 1938 kishte komentuar nga fusha sportive e Shallvares ndeshjen e parë, midis "Tiranës" dhe "Kavallës" së Greqisë, ishte ndër krijuesit e skuadrës së famshme "Shprefeja", lindur nga bashkimi i dy skuadrave të Tiranës "Shpresa", dhe "Rrufeja", ku bënin pjesë futbollistët nga më të  mirët e vendit, A. Visha, P. Myzeqari. Xh. Demneri. R. Peza, S. Begeja. Z. Lisi. Dhe ishte kjo skuadër që zhvilloi disa takime me skuadrat ushtarake italiane, duke i kthyer ato në manifestime kundër pushtuesve fashistë. Madje në qershor të vitit 1944, kur komanda e ushtrisë gjermane e kërkonte që nga mikrofoni i Radio-Tiranës të komentonte një ndeshje midis skuadrës së pushtuesve gjermanë, "Vermaht Ausvald" dhe SK "Tirana" ai, i këshilluar edhe nga Qarkori i Partisë i Tiranës, ato ditë humbi gjurmët.
Pra, vërtet Anton Mazreku nuk mori pushkën të dilte në mal, por e përkrahu luftën. Dhe ishte kjo arsyeja që pas çlirimit për pak kohë qe ndër drejtuesit e parë të Federatës Shqiptare të Sporteve, duke vazhduar, doemos, edhe komentet në mikrofonin e Radio-Tiranës. Jo vetëm kaq. Ai pati edhe disa funksione honorifike, si kryetar i Komitetit Olimpik Shqiptar, kur Shqipëria nuk merrte pjesë në asnjë olimpiadë, ose nënkryetar i BSFSH-së, që ishte një organizatë sportive formale. Madje, për herë të parë dhe të fundit sa qe gjallë, më 8 maj të vitit 1958, Komiteti Shtetëror i Kulturës Fizike dhe Sporteve organizoi edhe një me ceremoni me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij. Si ndodhi, atëherë, që ky  veprimtar i rrallë në fushën e sporteve, dhe veçanërisht të futbollit, të nxirrej në pension pa mbushur moshën, ose, më saktësisht, "pasi i "numëruan edhe vitet kur kishte qenë arsimtar". Dhe përse me kaq ngut?
Siç dihet, pas viti 1966 Enver  Hoxha ndërmori disa masa "për revolucionarizimin e mëtejshëm të vendit". Në kuadrin e këtij "revolucionarizimi" u përfshi edhe Anton Mazreku. Nën zë nisi të flitej se ai kishte qenë drejtori i një gazete në periudhën e mbretit Zog, se në të i kishte thurur lavdi këtij mbreti satrap. Me fjalë të tjera, si ishte e mundur që ky ish-nëpunës i lartë në kohën e mbretërisë të vazhdonte të punonte ende në administratën e re të Shqipërisë socialiste. Por harrohej se në gazetën "Sporti Shqiptar", Anton Mazreku ishte i detyruar të lëvdonte mbretin Zog, kjo, sepse "Sporti Shqiptar", ishte gazetë zyrtare, botim i Ministrisë së Arsimit dhe jo gazetë private. Sidoqoftë, ai gjente rast në këtë gazetë të sulmonte regjimin për kushtet e vështira në të cilat zhvillohej sporti.
Për këtë mjafton të përmendim një fragment nga një artikull, botuar më 17 tetor të vitit 1937. "Fajin kryesor që nuk po përparojmë sa duhet në sport e në art, nuk e kanë këshillat sportive e aq më tepër lojtarët tanë. Natyrisht nuk e ka as populli i unjtër, por një varg i gjatë arsyesh. Fajin e kanë klasat e nalta të vendit, e më parë se kushdo, zyrtarët e naltë, ministrat, deputetët, të pasurit". E megjithatë, atë ditë shkurti të vitit 1966, Anton Mazreku nxirrej në pension. Nuk ishte më i nevojshëm. Mund të mjaftohej me komentet sportive që bënte në Radio-Tirana. Siç tregojnë familjarët, ai e përjetoi rëndë këtë gjendje që iu krijua. Në shtëpi merrej me lexime të veprave të letërsisë franceze e, madje, edhe përkthente nga klasikë të tillë si Korneji dhe Rasini. Ai pëlqente nga shkrimtarët tanë, sidomos Fishtën, Mjedën. Edhe shkruante poezi.
Nga fundi i viteve '60 një studiues e kritik u shpreh si me shaka se Anton Mazreku ishte shkrimtar i mbetur në rrugë. Kjo është e vërtetë. Në qoftë se ai nuk do të ishte dhënë plotësisht pas futbollit, të cilit i kushtoi edhe jetën, do të kishte qenë studiues, kritik, madje jurist, po të kemi parasysh se deri më 1943 vazhdoi studimet me korrespondencë për drejtësi në Universitetin e Bolonjës, të cilat nuk i përfundoi për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Anton Mazreku vdiq papritmas nga një hemorragji cerebrale kur sapo ishte kthyer nga një ndeshje futbolli midis skuadrash të të rinjve. Është e çuditshme se si  Enver Hoxha, shoku i tij i ngushtë i Liceut të Korçës, që në të tilla raste, siç dëshmohet nga libri i tij "I juaji, Enver", nuk linte radhë të ngushëllonte me telegrame edhe familjen e ndonjë bariu të vdekur, që e kishte njohur gjatë viteve të luftës, nuk denjoi që ta bënte këtë për një figurë si shoku i tij i viteve të rinisë, Anton Mazreku.
Siç dëshmohet në një foto, qysh pas mbarimit të studimeve në Korçë, në fillim të viteve '30, Enver Hoxha e ka takuar atë vetëm një herë në një konferencë kombëtare për kulturën fizike e sportet, të mbajtur  më 1958 në sallën e Teatrit Popullor. Dhe ka këmbyer me të vetëm disa fjalë. Por, më 29 nëntor të vitit 1964, kur Anton Mazekut, më së fundi i dhanë një ftesë, që të merrte pjesë në festimet e 20-vjetorit të çlirimit, të cilat bëheshin në Pallatin e Brigadave, ndodhi edhe më keq. Enver Hoxha, siç kujton e bija, Adelina, me të hyrë, u ndal në sallën D, ku ishte vegjëlia, u dha dorën thuajse të tërëve, kurse Antonit, që e ishte pranë, jo. Ta kishte harruar? Shoku tjetër i ngushtë i tij, Pilo Peristeri, kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, që kishte qenë futbollist me të në skuadrën e "Skënderbeut", siç thamë, kampione e vitit 1930, jo vetëm nuk bëri vizitë  në familje, por as nuk mori të paktën në telefon të shoqen e Mazrekut, për ta ngushëlluar, aq më tepër që, si korçarkë, e njihte prej vitesh. Anton Mazreku nuk u kujtua as në 10-vjetorin e vdekjes më 1969, as më 1988, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Ai nuk u përkujtua për asnjë rast. Ndoshta edhe sepse, për ironi të fatit, ditëlindja e tij përkonte edhe me vitin  lindjes së Enver Hoxhës, 1908. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora