E premte, 29.03.2024, 12:06 AM (GMT)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Autorët lushnjarë në aktin shkrimor

E shtune, 06.04.2013, 04:51 PM


Autorët lushnjarë në aktin shkrimor estetik të letrave tona kombëtare

Nga Hyqmet HASKO

Nëse flasim për letërsinë që shkruajnë autorët e një treve apo komuniteti të caktuar, siç flitet bie fjala për poezinë e poetëve të Tropojës dhe atyre të Lezhës, që shkëlqyen në fillim të viteve ’80, me një hapësirë të re të vizionit estetik, kjo nuk bëhet për të krijuar mure, por përkundrazi, për të shembur mure, për të shqyrtuar veçanësitë e tipologjisë letrare, poezisë, prozës apo zhanreve të tjera letrare, në rrafshin krahasues dhe integrues. Në këtë kuptim, një studim mbi letërsinë e autorëve lushnjarë është një përpjekje për të depërtuar në disa veçori të autorëve që kanë ardhur nga kjo trevë si dhe atyre që vijojnë të vijnë, duke i pasuruar me emra dhe vepra letrat tona kombëtare.

Poetët dhe prozatorët lushnjarë kanë sjellë me vete tipologjinë e fushës, të butësisë së ëndrrës, të raporteve të njeriut me natyrën dhe me vetveten, një spektër ngjyrash, përvojash, kujtesash, mesazhesh dhe emocionesh, që kanë vendin e tyre të merituar në letërsinë shqipe.

Që nga Vath Koreshi, njëri nga autorët më të kompletuar të prozës së re shqipe, tek Faslli Haliti, një poet që ia ka kushtuar jetën artit poetik, tek Visar Zhiiti, poeti disident që e pagoi lirinë e krijimit me sprova të rënda jashtëletrare, tek Gëzim Hajdari, poeti emigrant që me poezinë e tij të angazhuar dhe antikonformiste në të njëjtën kohë, ka pushtuar mediat e disa vendeve perëndmore dhe ka zgjuar interesin e disa shtëpive botuese prestigjioze në Itali e gjetkë, tek Sherif Bali, poeti shpirtbutë, me ndjeshmërinë e fëshfërimave të fushës, një penë eseniane e Myzeqesë, deri tek më të rinjtë, emra dhe vepra të së cilëve do të trajtojmë në këtë shqyrtim kritik, letrat lushnjare rezulton se janë pjesë dinjitare e letrave tona kombëtare. Në to pulson shpirti i fushës, fëshfërima e grunjërave, butësia e dashurisë erotike dhe asaj njerëzore, thyerjet sociale, me drama dhe pasione të forta, një botë komplekse që lëviz nëpër faqet e librave të mbushura me ngjarje dhe përvoja nga më të larmishmet.

Me Vath Koreshin lidhet, pa dyshim, një nga kulmet e prozës së re shqiptare, një zë përfaqësues dinjitoz i së cilës ishte dhe në të cilën mbolli pemë të shëndetshme krijimtarie, që do t’iu qëndrojnë kohërave dhe epokave. Vepra e gjerë dhe e larmishme e shkrimtarit Vath Koreshi zë një vend të merituar në fondin e artë të krijimtarisë më elitare të letërsisë shqipe në kapërcyell të dy epokave.

Të paktë janë ata shkrimtarë që me vlerat që mishëron vepra e tyre, arrijnë të përballojnë sfidat seleksionuese në përqasje me prirjet dhe drejtimet letrare që shoqërojnë procesin evolutiv e të pandalshëm të ndërrimit të shekujve. Koreshi ishte ndër këta të paktë, që me veprën e tij të çmuar u bë një shkollë e prozës, veçanërisht e prozës së shkurtër, tregimit shqiptar, i cili gjeti në penën e tij dorën e një mjeshtri të vërtetë e të sprovuar. Po kështu një dorë mjeshtërore gjen tek ai novelistika dhe romani, të cilat i lëvroi me zell, pasion e teknologji të admirueshme dhe la në to gjurmë të pashlyeshme në kohën dhe hapësirën mbarëkombëtare të letrave tona, në një kohë kur akrepat e estetikës punonin në kahe e drejtime të kundërta me normalittein.

Me veprën e Koreshit, letërsia jonë kombëtare dhe shoqëria shqiptare shënon një kulm, një nivel të ri zhvillimi intelektual dhe emancipimi shpirtëror. Tek ai, më mirë se tek cilitdo autor tjetër, vihet re qartë ndikimi i drejtpërdrejtë që pati nga letërsia e traditës, kultivimi i saj në forma të reja në përqasje me frymën e kohës, duke depërtuar në hapësira të tjera jashtë barrierave të ndryshme estetike dhe ideologjike që ngrinte sistemi totalitar. Në këtë rrafsh këndvështrimi vlen të përmenden veprat e tij të njohura si romanet “Mars”, “Mali mbi kënetë”, apo novelat “Dasma e Sakos”, “Haxhiu i Frakullës”, “Balada e Kurbinit”, si edhe vëllimi me tregime “Kur zunë shirat e vjeshtës” etj. Në veprat e Koreshit pulson shpirti myzeqar, njeriu i punës që lëvron dhe mbjell, dashuron dhe ëndërron, lëviz peizashi i fushës, me butësinë, delikatesën, me aromën e grunjërave të pjekur, lëviz Myzeqeja, Lushnja, një botë e përndezur nga poetika dhe dramatika jetësore, të cilat ai i ngre në vektorë të fuqishëm artistikë.

Në përgjithësi, vepra e Koreshit, sidomos ajo e botuar pas viteve ’90, periudhë kur Shqipëria u përfshi nga lëvizjet e mëdha social-politike, ashtu si edhe shumë vende të tjera të Evropës Lindore, mund të themi se krahas veprës së Kadaresë dhe të ndonjë tjetri, që tentuan të thyenin kornizat e ngurta të kohës, proza e Koreshit ishte arti dhe letërsia tjetër, që u përgjigjej synimeve, shijeve estetike, si edhe gjykimit të ashpër të kritikës dhe të publikut të gjerë këtej dhe matanë kufirit, për një art dhe letërsi të vërtetë, ku vërehej shkëputja nga format tradicionale dhe arkaike të të shkruarit, jashtë skematizmit kompozicional, i cili, për fat të keq, vazhdonte të kultivohej dhe të përhapej si një epidemi edhe në krijimtarinë e mjaft autorëve të tjerë shqiptarë, të cilët vazhdonin të shkruanin edhe pas rënies së komunizmit, duke e kthyer këtë të fundit në një profil tjetër simetrik me modelet pararendëse, nga Letërsia e Realizmit Socialist në Letërsinë e Kriticizmit Antisocialist, si sintezë e papajtueshmërisë dhe mospërshtatjes me stadet bashkëkohore për lëvrimit e një letërsie ndryshe, në përputhje me kërkesat e kohës.

Faslli Haliti, ky poet sa delikat aq dhe shpërthyes, shënon një nga kulmet e poezisë moderne shqipe, të cilën e zhvesh nga kultet jashtëpoetike dhe e kthen në një akt të pastër estetik. Me njëzet e dy përmbledhjet e tij poetike, Haliti dëshmon një vlerë të padiskutueshme të letrave tona kombëtare, të letrave poetike, që janë stolia e veçantë, vetë kurora e shpirtit të një kombi. Poeti vijon të jetë lirik dhe dramatik në të njëjtën kohë, vijon të jetë i dyzuar; në vargjet e tij përleshen e mira me të keqen, frika me shpresën, dhimbja e depresioni me magjinë e gjërave të bukura, idili me rrënimin e vlerave dhe shitjen e shpirtit njerëzor. Brenda poetit nuk ka më frikë e hije, as mungesa e lirisë nuk ekziston më, por liria me tepri, anarshia, krimi, dhuna, intoleranca, degradimi i personalitetit njerëzopr, makutëria dhe grykësia janë pjesë e angazhiomit të tij poetik, për të dëshmuar të vërtetat e kohës sonë. Ka çaste që ai hepohet, zhytet në errësirë, klith me dëshpërim e dhimbje, por prapa del në dritë, shikon se si përthyhen rrezet jetëdhënëse dhe shpreson se nuk do të jemi gjithmonë në krizë e në tunele ankthioze ne shqiptarët.

Faslli Haliti është një poet me imazhe të gjalla, me gjendje dehëse e befasuese, me akte konkrete konkrete shkrimore, me motive të veçantë, të larmishëm dhe të begatë, me ide etike, morale, filozofike, transhendente dhe mesazhe të shumta që pulsojnë në çdo varg strofë e poezi të tij. Kredoja e tij poetike është dashuria, thelbi i heroit liriko-dramatik është uni i tij në raport me dukuritë e kohës, të së kaluarës dhe të së sotmes. Vargu i lirë është njësia kryesore e rrëfimit të tij poetik, që buroin si nevojë e e brendshme për t’u shprehur lirshëm poetikisht, për të dhënë sa më shumë impresione, thyerje dhe mesazhe. Ndonëse vargu ndërtohet pa ndonjë rregull të caktuar: në strukturën e tij të plotë ka harmoninë, ritmet e brendshëm, një ritëm të brendshëm të dukshëm e të padukshëm, të cilin ai e kthen në njësi të ligjerimit poetik. Strukturat e poezisë së Halitit duket se tij janë të larmishme, çfarë në thelb i përgjigjet kërkimit të tij në botën e motiveve, të ndjenjave dhe emocioanve që na përcjell. Haliti ka zërin e tij, këndvështrimin e tij, mjetet e tij poetike dhe e vështron realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit njëherësh, duke pikturuar me dorë të lirë gjendje dehëse, trallisëse dhe që përcjellin tek lexuesi emocione të forta.

Poezia e Visar Zhitit, por dhe pjesa tjetër e angazhimeve të tij letrare, zotërohen nga mesazhi i ndarjes së llograive të tij dhe të bashkëkohësve me të kaluarën e hidhur diktatoriale, me ankthin dhe delirin kolektiv, me botën e krimit dhe të manipulimit të së vërtetave, që sipas tij e çuan shoqërinë tonë në një zgrip ekzisetncial, në prag të shembjes së gjithçkaje, pra në prag të një apokalipsi shoqëror dhe shpirtëror.

I një natyre krejt tjetër është Sherif Bali, i cili ka një stof tjetër, një prerje tjetër poetike; është më i butë, më lirik, më pak dramatik dhe më shumë impulsive, i dyzuar; herë herë në vargjet e tij lëvrinë një ironi apo autoironi e hollë, duket spontan dhe me mjetet e tij, krejt të tij, ndërton imazhe të gjalla poetike. Strktura e tij poetike bazohet dhe ndërtohet mbi bazën e një lirizmi shpërrthyes, ku thjeshtësia e kumtimit poetik arrin nivele të zbulimit të të vërtetave esetike, që ai përcjell.

Ndryshe prej tyre, Gëzim Hajdari duket më nervoz, i alarmuar nga çfarë përjeton në raportet e tij me të kaluarën dhe me përdishmërinë; kriticizmin ai e kthen në një mjet për identifikimin e përvojës së tij poetike, duke na përcjellë mesazhin e luftës së përjetshme të njeriut kundër dhunës dhe degradimit të persanalitetit njerëzor.

Izet Shehu është gjithashtu një poet original, i cili në librat e tij me poezi plazmon një botë të pasur me përjetime dhe kujtesa metaforike. Poezitë e tij përcjellin ankthin ekzistencial të njeriut të vetërrethuar nga hijet dhe frika, deliri dhe ëndrra, shpresa dhe deziluzioni.

Një zë i veçantë poetik, që nuk dimë pse ka heshtur, është zëri i poetit lushnjar Bujar Xhaferri, i cili ka botuar disa përmbledhje me poezi, ku duket se ka shumë botë dhe ndjeshmëri, trazim, rebelim, sfidë, ankth, mall, ëndërrim, iluzion, erotikë, shpalime realitetesh në hije ose në gjysëmhije, të cilat poeti i paraqet me një petk të stolisur metaforik, aq joshës e grishës në magjinë e tyre.

Nuk mund të lëmë pa përmendur dramaturgun e mirënjohur Loni Papa, dramat e tij aq të njohura, sidmos “Cuca e maleve”, drama që sollën një problematikë të fortë shoqërore dhe u bënë modele shkrimore dhe të vënies në skenë të dramës së re shqipe, në një truall ku ky zhanër letrar dhe artistik njeherësh ishte në krizë.

Duke ardhur tek pak më të rinjtë në përvojën shkrimore, mund të veçonim poetin dhe studiuesin Besnik Meta, autor i tetë librave me poezi, një monografie dhe një ditari publicistik, midis të cilave mund të përmendim “Dhimbja më grish”, “Brenga blu”, “Lamtumirë komisar”, “Sy të pafjetur”, librin monografi “Mustafa Meta” etj.

Një emër që po bën emër midis dhjetëra krijuesve jo vetëm nga Lushnja por dhe më gjërë është Kozma Gjini, prozator e fabulist, i cili në disa vëllime të tij me tregime e fabula ka përcaktuar një profil të veçantë të vetvetes, ku është vlerësuar me çmime në konkurse kombëtare, për cilësinë e aktit shkrimor. Gjini ka një stil të tij, të pandikuar nga askush, ku me anë të zhbirimeve të holla groteske, alegroike e sarkastike, operon në ndërtimin e artit poetic, qoftë narrativ të mirëfilltë, qoftë fabulesk. Gjini është një kriujes që ka gjetur vetveten në shtratin shkrimor estetik, ku me mjete të thjeshta, por të freskëta dhe komunkiuese ia ka dalë të përcjellë një botë të përndezur të përditshmërisë sonë, në të gjitha shfaqjet dhe fasadat e saj.

Botëvështrimi i tij është kompleks, por pa stërhollime, artifice e zbukurime decorative, është një botëvështrim vertikal, që na përcjell një shumësi ndjenjash, përjetimesh, emocionesh dhe mesazhesh.

Miltiadh Davidi është një tjetër zë original, që oezitë e para i botoi në gazetën lokale “Shkëndija”, kur ishte vetëm 18 vjeç dhe ndërkohë ka ecur duke bërë një rrugë jot ë zakonshme drejt poezisë, me anë të disa vëllimeve poetike të botuara, si “Parajsa Danteske përballë Ezopit plak”, 2001, Dituria, “Ujëvara hëne”, 2008,Toena (Parathënia e këtij libri është botuar në gazetën “Iliria” në Amerikë), “I njëjti zë njeriu”, 2011, Uegen, “Globi mbi fije bari”, ”Duke ecur në rrugica ajri”. PROZË- “Bregu i ferrparajsës” roman, 2010, Ada“, “Në humnerën e pafund të një krimi.”, tregime,- “Në kopështin e dashurisë”, novelë. Davidi është përfshirë në antologjinë poetike ”Lotët e virgjër”, botuar nga Prof. Dr. Fatmir Terziu dhe Agim Mato, në “Historinë e letërsisë shqipe për fëmijë” shkruar nga Astrit Bishqemi, si dhe në antologjinë me tregime botuar nga shtëpia botuese Ada. Krijimtaria etij është përcjellë me mendimin vlerësues kritik dhe eseistik nga shkrimtarë e kritikë të njohur si poeti Faslli Haliti, Prof.Dr. Klara Kodra, poeti dhe shkrimtari disident Visar Zhiti, Prof. Dr. Fatmir Terziu, shkrimtari Kozma Gjini, etj. Po kështu poezitë, tregimet, fabulat e fragmentet e romanit të tij janë vlerësuar dhe vlerësohen çdo ditë nga shumë shkrimtarë e poetë të tjerë me emër e të rinj,nëpër faqet letrare që botohen prej gazetave e grupimeve letrare.

Nuk mund të mos shkruajmë për fresknë poetike të poetes Liljans Furrxhi, ku ëmbëlsia dhe brishtësia, droja dhe dëlirësia, këngëzimi dehës i gjendjes së një vajze në lule të moshës, që kërkon të fluturojë me zogjtë, në qiellin e praruar, ende nuk e kanë humbur atë shkëlqimin lëbyrtës të dëshirave disi naïve, ku përzihet lirizmi spontan dhe një soj dehjeje natyrale, me filozofinë e qëndresës së një sistemi vlerash, tek të cilat beson ajo dhe brezi i saj pa komplekse. Pas këtij fillim të brishtë, në një moshë të njomë, tani ajo ka një soj rebelizmi, jo se ëndrra e ka braktisur, por se ajo, për fat të keq, nuk mund të bëhet pëlhurë dashurie për të mbështjellë të gjithë bashkëmoshatarët e saj, siç do të donte Liljana dhe siç do të ishte normale, në një shoqëri të hapur e të drejtë.

Një tjetërautor që sapo ka dalë në rrugën e poezisë, por që premton është Zabit Sula, në poezinë e të cilit lëvrin një det i tallazaitur pasionesh të bukura, dashuria për vendin e tij, magjia e mallit dhe idilit, fryma përvëluese e dashurisë, toponimistika estetike e fushës, Myzeqeja e tij e dashur, që poeti e mbart me vete si një kumt, si një bekim dhe si një mesazh paqeje e begatie.

Natyrisht, në një studim të pathelluar dhe modest, siç është ky i imi, nuk mund të profilzohen të gjithë krijuesit nga kjo treve kaq e begatë letrare, por mund të rendisnim së paku emrat e atyre që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur në arën e letrave tona poetike si: Halil Jaçellari, Fatbardh Rustemi, Shpend Sallaku, Ilir Levonja, Miltiadh Davidhi, Luan Kurti, Elmaz Qerreti, Valter Dauti, Ollga Selmani, Arben Gjeka, Vasil Bozo, Bexhet Jacellari, Ermelinda Myzeqari, Shpend Sallaku, Ilir Levonja, Artur Koçi, Jovan Jano, Donika Stasa, Ermelinda Sina, Blerina Seferi, Kledia Sheme, Lirim Sulko, Anila Toni, Baki Nezha, Edlira Gorreja, Pali Xharo, Agim Bakushi, Irakli Papa etj. Bajame Çeliku, Luan Kurti, Ilir Levonja, Miranda Haxhia lëvrojne poezinë dhe prozën, ndërsa Jovan Jano është një studiues i kompletuar dhe ka shkruar disa monografi,

Artur Koçi ka botuar dy romane, që janë mirëpritur nga lexuesi dhe kritika etj.

Sigurisht, në një vështrim kaq të sipërfaqshëm nuk mund të thuhen të gjitha për autorët lushnjarë, por ishte thjeshtë një përpjekje e imja për të bërë një akt kujtese ndaj bashkëqytetarëve të mi krijues, ndaj atyre që na kanë lënë në rrugë gurë kiloemtrikë nga ku mund të orientohemi dhe ndaj atyre që sapo kanë nisur të shkruajnë apo të botojnë librat e parë.

Një gjë duhet thënë dhe e them me siguri të plotë: autorët lushnjarë, me aktin shkrimor estetik vijnë me fytyrën e trazuar të fushës, me aromën e grunjërave të Myzeqesë dhe sjellin një fllad të bukur në letërsinë e re shqipe. Ata ndihen dhe janë pjesë e rëndësishme e letrave tona komëbtare, të çliruara tashmë nga tabutë dhe kufizmet e të shkuarës, në stadin e ri të integrimit dhe bashkimit të botës shqiptare, brenda e jashtë kufijve tanë administrativë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora