E hene, 18.11.2019, 02:48 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Komunikatë e drejtorit të Kosovafilmit, Gani Mehmetaj

E premte, 05.04.2013, 07:55 PM


Kosovafilm, 5 prill, 2013

1. Dua t’u informoj se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës  për Shërbimin Civil të Kosovës, gjykoi në të mirën time. Kishte fakte të bollshme që dëshmonin se i tërë procesi kundër drejtorit të Kosovafilmit kishte një mal shpifjesh e falsifikimesh, të cilat i hodhi poshtë. Dua ta falënderoj publikisht këtë instancë të drejtësisë që gjykoi e vlerësoi me korrektësi profesionale e ndershmëri.

Po ashtu, dua të falënderoj Gjykatën Themelore të Prishtinës e gjykatësin që e zbatoi me vendosmëri e  shpejt vendimin e KPMSHK-së, duke i detyruar zyrtarët e Ministrisë së Kulturës të më kthejnë në punë brena 24 orësh, meqë herën e kaluar këta zyrtarë më pengun me dhunë të kthehem në zyrën time.

Kur më pushuan nga puna, pata deklaruar publikisht, në një komunikatë se, pres që instancat e drejtësisë të gjykojnë rastin tim, ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Kulturës nxitonin të fuqizonin shpifjet e tyre kundër punës sime. Drejtësia fitoi. Unë jam i lumtur për këtë, sepse ishte satisfaksion moral për mua e punën time. Uroj që drejtësia të fitoj mbi të gjitha shpifjet e kurdisjet edhe në të ardhmen, duke i mbrojtur ata që kanë nevojë për mbrojtje nga arbitrarizmi e arroganca burokratike. Ndërkaq  janë qindra të këtillë. Uroj që në të ardhmen t’u pritet hovi burokrateve arrogantë e arbitrar.

2. Me shpifje e falsifikime u përpoqën të më pushojnë nga puna, me shpifje e falsifikime u përpoqën ta mashtrojnë opinionin e institucionet e drejtësisë, kinse ka parregullsi e shkelje në punën time profesionale.

Projektin Kukumi, rreth të cilit zyrtarët e MKRS-së bënë zhurmë të çmendur, e ka kontrolluar me 2004 dhe me 2005 Auditori i përgjithshëm. Nuk ka gjetur asnjë parregullsi. Para tij e ka kontrolluar auditori i brendshëm Bislim Gashi dhe Kimete Gashi, nuk kanë gjetur asnjë parregullsi. Përkundrazi të dytë më kanë deklaruar publikisht se menaxheri ynë i projektit është shembull i ndershmërisë.

Pas tetët vjetësh auditori i brendshëm, e mohon vetën, e hap sërish projektin, kinse do ta kontrolloj. A dmth kjo se ai nuk e besoi auditorin e përgjithshëm? Apo nuk e besoi punën e vet? Ai ma ka pranuar më herët se nga presioni i ish-ministrit e administratës së tij e ka kontrolluar edhe gjashtë herë të tjera. Nga frika e presioni i kujt e mohoi vetën tash? Kur ka gënjyer e kur e ka thënë të vërtetën auditori i brendshëm: gjashtë herë më parë, kur ka thënë se s’ka asnjë parregullsi apo tash. Për këto shpifje e falsifikime do ta padisë këtë zyrtar, por edhe të tjerët nëse e dokumentoj se kanë gisht në shpifje. Pres të më dorëzohet raporti i auditorit.

3. Në filmin “Kukumi”, filmin shqiptar më të suksesshëm të të gjitha kohërave në arenën ndërkombëtare, unë kam qenë producent, ndërkaq, drejtori financiar i Kosovafilmit e ka udhëhequr në aspektin financiar. S’kisha qasje në xhirollogarinë e Kosovafilmit, nuk kam tërhequr as nuk kam futur asnjë cent, sepse e kishim ekspertin më të mirë të kësaj lamie jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi.

Ja ku janë dosjet e këtij projekti, me këtë dosje ka punuar auditori i përgjithshëm. Pra nuk është e vërtet se nuk janë dokumentet. Auditori i brendshëm dhe sekretari i përhershëm e kanë vërejtur fare mirë se në asnjë faqe të raportit financiar nuk figuron emri im, megjithatë çirreshin në televizion në kupë të qiellit, se me mua u dashka të merret policia. Kjo ishte shpifje që duhet denoncuar në gjyq.

Zyrtarët e MKRS-së mbase prapë do të vazhdojnë më shpifje, megjithëse deri me tash pësuan debakël, por i përmbahen më këmbëngulje parimit serb: gënje sa më shumë, mbase diçka do të mbetet. Por s’do të mbetet asgjë, sepse s’ka asnjë shmangie, është shpifje e zyrtarëve të MKRS-së, është kurdisje e tyre.

Filmi Kukumi do të mbetet në kujtesën e shqiptarëve si filmi më i suksesshëm që e ka prezantuar Kosovafilmin dhe Kosovën më shumë se të gjitha institucionet e kulturës së bashku. Unë mburrem që isha producent i këtij filmi, mburrem që e bëmë një film të mirë. Më vjen keq që producentët e regjisorët e tjerë më vonë nuk patën sukses, por është për keqardhje pse disa qarqe përpiqen ta njollosin suksesin e këtij filmi e punën tonë, përmes shpikjes së aferave.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT