E enjte, 25.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Faleminderit

Ndahet nga jeta, në moshën 75 vjecare, shkencëtari, intelektuali dhe atdhetari i palodhur, profesor Anastas Dodi

E enjte, 08.05.2008, 11:10 PM


Profesor Anastas Dodi
Pergatiti: Alma Papamihali - Zemra Shqiptare
 
Ne 27 Janarin e ketij viti, profesor Anastas Dodi, mes te afermve, miqsh, kolegesh, dashamires dhe adhurues te Letersise, festoi 75 vjetorin e lindjes. Mbase askush nuk e dinte, qe do ishte dhe ditelindja e tij e fundit, pasi per te tille njerez, si profesor Dodi, nuk mund te parashikohet vdekje. Megjithate, sot ai nderroi jete, ndaj dhe stafi i "Zemres Shqiptare" i  dergon ngushellimet me te thella, tek familja dhe te afermit e prof. Anastas Dodi. Qofte e paharruar jeta dhe vepra e tij. Nderime dhe mirenjohje per punen e palodhur, te nje njeriu, qe la vend te paharruar, ne gjuhesine shqiptare.
 
Dicka nga jeta dhe veprimtarie e cmuar e profesor Anastas Dodit*:
 
Anastas Dodi, ishte fëmija i parë i Kozma dhe Marika Dodit, që patën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. Ishte ende fëmijë, kur mbeti jetim nga babai. Nënë e baba, për ta u bë "Nënë Marika", një grua e dashur, e zgjuar dhe me kulturë, që kishte mbaruar "Zoisimean" e famshme në Greqi. Qëllimi i saj në jetë, ishte të rriste dhe të shkollonte fëmijët. Shqipëria sapo kishte dalë nga lufta, kur Anastasi mbaroi shkollën 7 –vjeçare në Skelë të Vlorës. Në vitin 1951 përfundoi shkollën e mesme me diplomën "Shkëlqyeshëm". Dhe përsëri "Shkëlqyeshëm", përfundoi studimet në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Tiranë, në vitin 1955. Gjatë viteve të universitetit, u dashurua me gjuhën shqipe, për t’u thelluar në studimin e saj, në gjurmët e më të mëdhenjve të kësaj fushe si Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj etj. Punoi si mësimdhënës i gjuhës shqipe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku zhvilloi kurset e fonetikës së gjuhës shqipe, të hyrjes në gjuhësi dhe të gramatikës historike. Janë vite pune dhe përvoje të madhe. Ai punoi përkrah më të mëdhenjve të studimeve të gjuhësisë shqiptare, si prof. Eqrem Çabej, prof. Shaban Demiraj, etj. duke fituar besimin, respektin dhe miqësinë e tyre, të cilën ai do t’ua kthente me të njëjtën vlerë, mbase dhe më shumë akoma. Duke shkuar thellë në vite, prof Anastasi sjell ndër mend atë ditë kur prof. E Çabej e thërret dhe i thotë: "Kam vendosur që ciklin tim të leksioneve të gramatikës historike ta vazhdosh ti në universitet." Ishte ky një veprim sipas parimit tradicional, që shkenca është një thesar, e si e tillë mund të lihet trashëgim.
          Shumë vite më vonë, kur prof. E. Çabej do të shkonte në Itali për kurime mjekësore, nga ku nuk do të kthehej gjallë, i lë Anastasit amanet librin e parë të veprës se tij madhore "Studime etimologjike" për ta botuar: "Dua të botohet kështu siç është, i plotë. Ndryshe le të mos botohet fare." Dhe u largua.
Ishin botuar, ndërkohë nga Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë dhe në Prishtinë vëllimi i dytë dhe i tretë i kësaj vepre monumentale për gjuhësinë dhe kulturën shqiptare. Por i pari jo. Prof. Anastasi, brenda pak ditëve, me ndihmën e çmuar të kryetarit të Akademisë se Shkencave të Shqipërisë prof. Aleks Buda, që ishte edhe mik i Çabejit, arrin ta çojë për shtyp këtë vëllim si botim i seksionit të shkencave shoqërore të kësaj Akademie. Kjo e gëzoi pa mase prof. Anastasin, por prof. Eqrem Çabej nuk arriti ta shihte dritën e këtij botimi.
          Si mësimdhënës prof. Anastasi ka qenë mjaft i talentuar. "Me gjithë vështirësitë e lëndëve, ai dinte t’ua transmetonte atë studentëve në një mënyrë të tillë, qe e bënte lëndën tërheqëse dhe të këndshme, mbante raporte të mira me studentët, ishte korrekt dhe i drejtë në vlerësimin e tyre. Me tekstet dhe kurset e tij të leksioneve janë përgatitur shumë studentë në universitetet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni etj. Për të gjitha këto ish-studentët e tij, sot kolegë e arsimtarë, apo në profesione të tjera, e kujtojnë dhe e nderojnë me respekt të veçantë pedagogun e tyre, profesor Anastas Dodin".
Foto nga festimi i ditelindjes se profesorit, organizuar nga shoqata "Bijte e Shqipes" ne Filadelfia
Krahas mësimdhënies, ai i përkushtohet punës studimore në fushë të fonetikës së shqipes. Gjatë viteve 1960-1961, ai shkon për specializim në fushën e fonetikës eksperimentale dhe të gjuhësisë së përgjithshme në Universitetin e Leningradit (sot Sankt Petërsburg). Ky ishte një hap i madh jo vetëm për Anastasin, por edhe për studimin e gjuhës shqipe në përgjithësi. Ishte një rrugë e re. Fonetika e gjuhës shqipe, kur ai ishte student, jepej jo në nivelin e duhur profesional e shkencor. Në këtë fushë nuk kishte asnjë përvojë, asnjë studim të mirëfilltë. Duhej ecur në rrugë të panjohur, boton "Fonetikën e gjuhës shqipe" për studentët e degës së gjuhës shqipe. Ishte i pari botim i këtij lloji. Për herë të parë paraqitej fonetika nyjëtimore, si formohen organikisht tingujt në gjuhën shqipe në krahasim me gjuhët e tjera. Për herë të parë ai bëri rentgenografimin e tingujve të gjuhës shqipe. Për herë të parë u realizua palatogrami (me qiellzë artificiale) e tingujve të shqipes. Duke njohur nga afër punën shkencore të prof. A. Dodit, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Prishtinë, studiuesi dhe gjuhëtari i respektuar, prof. Rexhep Ismajli në përshëndetjen e tij për këtë mbrëmje mirënjohje, shkruan: "Vlera e punës ngulmuese të Anastas Dodit në fushën e fonetikës se gjuhës së sotme shqipe është e madhe. Gjurmët e punë se tij në këtë disiplinë të studimeve të shqipes janë të pashlyeshme."
          Këto punime që nisën në Rusi në vitet ’60, do të vazhdonin në Paris në vitet ’80 dhe në mesin e viteve ’90 në Bonn të Gjermanisë. Teksti i Fonetikës, i ripunuar dhe i plotësuar, u botua më 1983 dhe 1985 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë i Universitetit të Tiranës. Me të drejtë linguistja amerikanë Janet Byron e vlerëson punën shkencore të prof. Anastas Dodit për fonetikën si "punë pionieri" në lëmin e shqipes. Në Bonn, shkencëtari i njohur dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë atje, prof. Karl Horst Shmidt, pasi dëgjon referatin e prof. Anastasit: "Gjuha standarde shqipe në epokën moderne", i drejtohet atij duke i thënë: "Ju shpreh respektin tim për ju, si autoritet shkencor".
Gjatë këtyre viteve, krahas detyrave të tjera si zëvendesdekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë (1964-1976) dhe sekretar shkencor për shkencat shoqërore të Akademisë së Shkencave (1976-1994), ai vazhdon pa ndërprerje mësimdhënien në universitetet e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, ku studentët përdornin librin e tij të fonetikës. Mban leksione për problemet e gjuhës shqipe edhe në universitetin e Kozencës e Salernos në Itali dhe në Bonn të Gjermanisë etj.Janë vite të mbushura me punë shkencore dhe organizative që do të linin gjurmë në historinë e gjuhës shqipe në veçanti dhe të kulturës kombëtare në përgjithësi.Ka qenë anëtar i redaksisë së revistave "Studime filologjike", anëtar i kolegjiumit të revistës "Studia Albanica", redaktor dhe kryeredaktor i revistës "Gjuha jonë". Merr pjesë me kumtesa në Konferencat e Studimeve Albanologjike në Tiranë si dhe në kongreset ndërkombëtare të studimeve ballkanike dhe Evropës Juglindore në Sofje, Athinë, Bukuresht, etj.
Fusha e botimeve të prof. Anastas Dodit përfshin rreth 100 studime, kumtesa dhe artikuj,për probleme të fonetikës dhe fushave të tjera të gjuhësisë. Në këto përfshihen artikuj studimorë, tekste për shkollën e lartë dhe gramatika për shkollën tetëvjeçare. Është bashkautor i "Fjalorit të termave gjuhësorë", bashkautor dhe anëtar i redaksisë se përgjithshme të "Fjalorit enciklopedik shqiptar", vepra me e madhe e botuar në shqip deri më sot. Është gjithashtu bashkautor në përgatitjen e botimit të veprës së Sami Frasherit.
     Profesori i Fjalës Shqipe, Anastas Dodi, ishte nga ata gjuhtarë, që me punën e tyre, kanë lënë gjurmë të thella në kujtesen e intelektualëve shqiptarë, e krijuesve shqiptarë, e atyre shqiptarëve, që fjalën shqipe e duan dhe e flasin mirë e bukur shqip. Puna e tij shkencore në fushën e gjuhësisë, i ka dhenë emër të përveçëm dhe e rreshton krahas gjuhëtarëve tanë të shquar, si Aleksandër Xhuvani , Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Mahir Domi, Idriz Ajeti, Shaban Demiraj etj. Poetët e shkrimtarët, pa dyshim, janë ata që i ndjejnë vlerat e punës së tyre dhe i nderojmë më shumë punëtorët e palodhur të fjalës shqipe.Prof. Anastas Dodi ka hedhur për herë të parë bazat shkencore të fonetikës së shqipes, me studimet e tij në vitet `60 të shekullit të kaluar. Ai është cilësuar themelues i studimeve shkencore në fushën e fonetikës së shqipes. Në studimet e prof. Dodit aplikohet për herë të parë metoda eksperimentale për fonetikën e shqipes standarde. Rezultatet e zgjeruara dhe të thelluara në një punë disadekadëshe, janë botuar në studime dhe artikuj të shumtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni dhe janë publikuar në akte kongresesh ndërkombëtare të linguistikës, ku autori i ka parashtruar. Linguistë nga shumë vende të botës u referohen në veprat e tyre për probleme të shqipes rezultateve të shënuara nga prof. Dodi për fonetikën. Përfundimet shkencore të „Fonetikës dhe fonologjisë së gjuhës shqipe“ bazohen në përvojën dhe punën eksperimentale të autorit, pranë Universiteteve të Sankt Petërburgut (1961), Parisit (1981), Bonit (1992). Eshtë shfrytëzuar edhe një literaturë e patakuar më parë në Filadelfia të SHBA, ku autori jeton që prej vitit 2000. Një listë e pasur me botimet dhe ribotimet më të fundit të literaturës gjuhësore për fonetikën dhe fonologjinë është paraqitur në fund të çdo kapitulli të librit. Rreth 70 figura, pasqyra e skica, të hartuara mbi bazën e punës eksperimentale të vetë autorit ilustrojnë çështjet e trajtuara në vepër.Në vepër mbahet qendrim edhe ndaj vlerësimeve, opinioneve dhe interpretimeve të autorëve të huaj për probleme të ve¬çanta të fonetikës së shqipes. Në material hidhet dritë edhe në çështje të rëndësishme siç janë rrugët për një trajtim më shkencor të elementeve të shqipes standarde me theks pasurimin e saj. “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe është një vepër shkencore referimi për filologët dhe gjithë të interesuarit për problemet e gjuhës shqipe. Autori është kujdesur që kjo vepër t’u shërbejë njëkohësisht edhe studentëve.

*Sipas materialeve te botuara nga Laver Niku, Artan Fili dhe Revista Pelegrin
 
"Profesor Anastas Dodi, një nga përfaqësuesit më të shquar të kulturës dhe shkencës shqiptare, me ndihmesat e tij të shumta e sidomos me kryeveprën e tij, Fonetikën e gjuhës shqipe, mbetet një ndër gjuhëtarët tanë më të mirë." – Prof. Shaban Demiraj
        
 "Historia e gjuhësisë shqiptare nuk mund të shkruhet pa emrin e Anastas Dodit." - Prof. Jorgo Bulo
        
 "Vlera e punës ngulmuese të Anastas Dodit në fushën e fonetikës së gjuhës së sotme shqipe është e madhe. Gjurmët e punës se tij në këtë disiplinë të studimeve të shqipes janë të pashlyeshme." - Prof. Rexhep Ismajli
         
"Kësaj fushe studimesh (fonetikës-shënimi im) prof. Anastas Dodi i ka kushtuar jetën e tij, duke i lënë gjuhësisë shqiptare një vepër dinjitoze." - Prof. Enver Hysa



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora