E premte, 19.04.2024, 01:40 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Një tregim ndryshe i historisë sonë!

E premte, 05.04.2013, 07:01 PM


Një tregim ndryshe i historisë sonë!

Nga Elvi Sidheri

E zëmë se sot këtu krah meje (largqoftë) ndërsa po shkruaj, të jetë një emisar i qeverisë turke, historian a ku di unë dhe të dy të kemi marrë përsipër që të “korrigjojmë” mënyrën sesi unë shkruaj lidhur me turqit dhe punët e tyre me ne shqiptarët!

Ky tip “kontrollori cilësie”, ka ardhur pranë meje me ftesën time (orientim nga lart e detyrim nga poshtë) me qëllimin “fisnik” që mua të më kthejë në “udhën e Zotit” nga e cila me siguri paskam dalë meqë nuk para shkruaj gjëra të mira për “vëllezërit turq” dhe në fund ne “së bashku” të dalim në një përfundim aspak “të detyruar”, por të miratuar “unanimisht” që do të thotë se gjerat kanë qenë ashtu siç thoshin osmanët njëherë e një kohë dhe siç thonë turqit, pasuesit e tyre sot.

Ky i dërguari “temsilci” pra në turqisht, i bie të ketë ardhur “me qëllimet më të mira”, duke synuar që edhe tek fjalët e shkruara apo shtypur në tastierën e PC-së nga unë, ai të “qëmtojë” ato që fyejnë ndjenjat e brishta të popullit mik dhe vëlla turk.

Ky emisar nuk do të ketë asnjë qëllim dashakeq në këtë vizitë të tij, por ardhja e tij do të synojë veçse përforcimin e vëllazërisë sonë të pandashme (si kur në 2005-ën u shisnim haptazi turqve një ndeshje kualifikuese për botërorin e atëhershëm, ndërsa na duhej të zgjidhnim mes dy armiqve, pra midis tyre dhe helenëve dinakë...për hir të kësaj “vëllazërie-kardeshliku” siç shkruante një pankartë turke në stadiumin tonë Qemal Stafa)!

Ai njeri i pajisur me të gjitha “të drejtat eksluzive”(registered trademark siç e kanë amerikanët)... lidhur me lëndën e historisë jo vetëm në Turqinë e tij mëmë, por edhe në Kosovë, Shqipëri e më gjerë, do të ketë ardhur tek unë, me dëshirën e mirë dhe shpirtin e panjollë, për të më këshilluar mua miqësisht, që të zhbëj disa prej gabimeve që gjenden mes shkrimeve të mia të cilët përmendin qoftë edhe tërthorazi turqit e dashur.

Ja të themi që nuk do ishte dashur të dëshmoja se ata kanë bërë ndonjë genocid në historinë e tyre ndaj nesh shqiptarëve për shembull para 500 vitesh kur disa nga sulltanët me të aftë dhe të njohur të tyre (Murati i II-të dhe Mehmeti i II-të) na sulmuan personalisht megjithë ca qindra-mijëra ushtarë të tyre, vranë, masakruan e shkretuan tokat e paraardhësve tanë arbër e aq më pak pasuesit e tyre që i pinë gjakun këtij vëndi në shekujt e mëpasshëm.

Aq më pak do ishte dashur të pohoja unë që ata të kenë bërë ndonjë genocid masiv kundër miliona armenëve të ngratë andej nga viti i 15-të i shekullit të kaluar, ashtu siç përveç meje të tregojnë se ka ndodhur edhe vetë armenët, francezët e këqinj dhe historianët e treçerekut të botës, mënjanë ata turq normalisht.

Unë e kam pasur gabim dhe për këtë arsye ndër të tjera emisari turk po supozojmë se e ka marrë mundimin që të vijë deri tek unë, për të më sqaruar pra se kurrësesi vendin tim turqit e kanë lënë qëllimisht në prapambetjen më të thellë të mundshme, në bisht të Europës në çdo këndvështrim, pa rrugë, pa porte detare, pa zhvillim, pa hekurudha, pa shkolla, pa spitale, pa gjë prej gjëje!

Jo, kjo nuk është e vërtetë, por një spekullim, një manifest antiturk siç qe edhe ai palo peticion me shumë firma, ndër të tjera edhe të asaj të Kadaresë që se ç’ka e gjithmonë u ngërdheshet këtyre vëllezërve të dhembshur turq kohë pas kohe.

Të gjithë neve, unë po ashtu, ia fusim kot ditë për ditë kur pa asnjë të drejtë morale, njerëzore dhe hyjnore, guxojmë të mos flasim mirë për vëllezërit turq, për veprat e shumta humanitare, për dashurinë, paqen e mirësinë që ata në shekuj si edhe sot e kësaj dite, kanë ditur të sjellin me kaq dëlirësi shpirti mes nesh të pagdhendurve shqiptarë mosmirënjohës!

E kemi gabim pra, të na vijë turp, ”jazëk” vërtet!

Po si ore shkoni e më përlyeni njerëz të kalibrit botëror, jo vetëm për nga symprehtësia në luftë, por edhe për nga shpirtmadhësia në jetë, si ata sulltanë që iu avitën Krujës ku fshihej ai i pabesi, tradhëtari e bukëshkali Skënderbe, si mendoni se mund të mateni me ta, se mund t’a përmendni kështu emrin e tyre mitik, si mundeni që të ngatërroni misionin e tyre civilizues, me ndonjë pushtim të egër a gjëra të tilla pa kuptim?

-“Me ty mirë, se një copë njeri që mezi di të lidhësh dy rrjeshta në kompjuter je, por me ata që vënë studimet dhe mendimet e tyre në kartë e më pas në librat shqiptarë të historisë e kam mërinë unë”!-do jetë duke më thënë ky emisari në fjalë.

-“Po pastaj ç’të ka zënë edhe ty me fjalët e bukura e plot tinguj të ëmbël turke në gjuhën që zotrote flet përditë, në atë shqipen e çalë, që të mos qe për turqizmat që me “bujari” u kemi lënë neve, do ishte thjesht një gjuhë malësorësh pa kuptim”!-do vazhdonte emisari hipotetikisht me mua.

-“T’u prish gjiza zotërisë tate nga penxherja, jorgani, çarçafi, jazëku, jastiku, tavani, çatia, havaja, sehiri, kasabaja, shehri, gjoli, akshami, pazari, vakti, çezma, çeliku, qerpiku, fustanet, sabahu, bereqaversi, qyli etj”?-do t’a mbyllte ai me këtë ankim të gjatë timin ndaj kulturës së “vyer” turkomane në vendin, gjuhën e traditat e mija shqiptare.

Normalisht që unë edhe me dy “princër të spikatur” të turqizmës në historinë tonë, pra me Esat Pashanë dhe Haxhi Qamilin...do ia kisha “mbytur kot” domethënë dhe të ngratët do i kisha pas akuzuar si tradhëtarë e “DumBabistë” pa të drejtë.

Pse ç’të keqe ka të jesh një DumBabist fundja?

Është si të të pëlqejë një skuadër futbolli, një këngëtare e bukur me zë të mrekullueshëm apo një tortë e shijshme!

Edhe DumBabistët kishin të drejtën e tyre legjitime që të donin “babën”, pra të varfrin sulltan në Stamboll, i cili megjithëse paturpësisht një grusht pseudo-rilindasish na e kishin larguar në 1912-ën, ai sërish mbetej idhulli i këtyre njerëzve në Shqipërinë e porsaformuar.

Haxhi Qamili kishte të drejtën e tij të ligjshme që të ishte një injorant analfabet dhe që këtë debilitet të shquar të tij, t’ia përkushtonte dhe vinte në shërbim të sulltanit dhe vëllezërve të vet në injorancë e “paudhësi”, pra osmanëve turq.

Kurse nga ana tjetër Esat Pashai, gëzonte po ashtu lirinë e mendimit dhe veprimit, që përveç ambicjeve të tij të shfrenuara antishqiptare karrieriste, të mbante përherë një bashkëpunim sa të hapur aq edhe të fshehtë nëntokësor me turqit.

E çfarë pastaj se Shqipëria e mëvetësuar rishtaz, as ato 28 mijë e ca km katrorë nuk do i gëzonte dot e do ishte regjur e dergjur deri në ndonjë principatë otomane mesjetare, pashallëk pra i vogël andej nga një pjesë e Shqipërisë së Mesme, me pak tokë, pak njerëz, shumë budallenj, shumë tradhëtarë, shumë turkomanë dhe ndonjë tutelë e varësi direkte, në mos nga Stambolli, të paktën direkt nga Beogradi?!

Kush e çan kokën more njerëz, sepse në llogari të fundit, sipas emisarit turk pranë meje në këtë hipotezë dhe shefave të tij kokëmbushur me “turkomadhizëm” (kjo është pra e vërteta, se ekziston edhe një e tillë përveç teorive agresive serbomëdha e grekomëdha)...në Ankara, Esati, Haxhi Qamili e të tërë DumBabistët shqiptarë përgjatë historisë, duke përfshirë edhe Ballaban Pashën e të tjerë renegatë si ai, ata kanë luftuar e punuar për vëllazërinë mes popujve tanë të afërt në gjak (nga ai i yni i derdhur me shumicë nën “hyqmin” turk), histori dhe vlera e tradita.

Neve mosmirënjohësit shqiptarë, ku “Mea Culpa” bënkam sinqerisht dhe unë, kemi bërë këtë gabim trashanik...dhe këtu i heq kapelen në shenjë respekti emisarit të ngrohtë turk,  cili në këtë imagjinatë timen, me sheh gjithë përdëllim (si Gjon Pagëzori para se të zhysi në ujërat e lumit Jordan dikë)...me sytë e përlotur tashmë që mendon se më ka rifutur në “rrugën e drejtë”, pra neve kemi bërë një “vërre” (vrimë në korçarisht) në ujë duke i sharë e përfolur jo për mirë vëllezërit tanë mirëdashës turq.

Nënë Tereza sipas përfundimit ku dal unë falë mendjes dhe ideve të “përndritura” të emisarit të lartpërmendur, ajo paska qenë një “zero me bisht” para sulltanëve bamirës, zemërçiltër e të dhënë tejmase pas nesh shqiptarëve, një populli malësorësh, fisesh të ndara mes tyre, njerëzish pa kulturë e histori, të cilëve osmanët u dhanë dinjitet, poste të larta në administratën sulltanore, fuqi e ligje!

Ca qindra-mijëra nizamë shqiptarë, të shkëputur siç duan të thonë “gojët e liga”...me dhunë nga familjet e tyre e të plasur andej-këtej në cepat e shkretë të perandorisë së osmanëve-turq, për të gjetur vdekjen për sulltanin e huaj, nuk janë aspak një arsye e mjaftueshme për t’i armiqësuar pa qenë nevoja popujt tanë.

Ata kanë rënë “dëshmorë-shehitër” për perandorinë zemërmirë që i ushqente me bukë dhe dituri!

Morët vesh tani?

Morët të thoni dhe t’a mbyllim këtë “muhabet” se shumë e zgjatëm!

Po kaq dëshmorë për “vatanin-atdhe” shqiptar (apo Osman, se për sulltanin luftonin ata deri në provë të kundërt)...më thotë imagjinueshmërisht edhe mua ky emisari turk, kanë rënë nja pesëdhjetë mijë ushtarë turq në trojet shqiptare gjatë luftërave ballkanike të fillimshekullit të XX-të.

Sa prej tyre kanë qenë shqiptarë nga gjaku, nuk e dimë saktësisht, por të shumtë do kenë qenë dhe ata, ndërsa të gjithë ndërkohë, kështu kam menduar “gabim” edhe unë përpara se të m’i hapte sytë emisari i mësipërm, pra ata kanë luftuar, janë vrarë e kanë lënë kockat vetëm eskluzivisht për të mbajtur në këmbë pushtetin e huaj të sulltanit turk-osman mbi tokat tona stërgjyshërore!

Por ata janë heronj, pse mos t’u bëjmë një monument në mes të Tiranës fundja, për të kujtuar gjestet e tyre heroike në mbrojtje të ligjit të turkut-vëlla mbi trojet tona?!

T’u bëjmë nga një monument me rradhë (e kjo vjen spontanisht si një kërkesë e imja, pas sugjerimit “miqësor” nga emisari i Ankarasë që në këtë fantazi, më bën me dëshirën time sovrane, të them fjalët e tij me gojën time)...edhe Esat Pashait, Haxhi Qamilit, turmës kërrmangrënëse të DumBabistëve që i venin pas, Ballaban Pashës dhe secilit tradhëtar tjetër të kombit tonë shqiptar, që në mënyrë aq largpamëse i pati shkuar pas qerres së “osmanizëm-tuqizmës” dhe sulltanëve të madhërishëm me seli në Portën e Lartë të TopKapi-së përmbi Bosfor.

Ju lumtë shpata, mendja perverse antishqiptare, pushka, topi apo thika pas shpine që ia kanë ngulur popullit të tyre, gjithë këtyre burrave të cilët tek Osmanëria turke, kanë parë qysh në të parat orë, mikun dhe vëllain e tyre të përjetshëm në krim, besëshkelje dhe pafytyrësi pakufi!

I paçim e na rroftë përherë kujtimi i tyre i ndyrë, t’i mbajmë me krenari në “altarin e tradhëtisë” të shqiptarizmës tonë!

Një altar i veçantë ky, i cili padyshim që do të mbushej plot e përplot, pasi siç dihet mirë, historia shqiptare, që nga koha e Dhimitër Farit, gjeneralit që shiti mbretëreshën e madhe të tokës dhe detrave ilire Teutën e deri tek pashallarët shqiptarë që në emër të turkut digjnin, piqnin e masakronin njerëzit dhe tokën e tyre, tek të shiturit e shumtë gjakshpëlarë tek sllavët e grekët, si Spiromilo e Zervasi e për t’a mbyllur tek Esati me Haxhiun në kërkim të ethshëm vetëshkatërrues të “babës turk”, të tërë do të zinin vendet e nderit në këtë shfaqje të turpit tonë nacional.

Në këtë pikë “fiction-i” mbaron dhe unë kthehem në realitet pas kësaj ëndërre me sy hapur.

Nuk ka për fat pranë meje asnjë emisar special turk të ardhur me “reccomandée” nga institucionet turkomëdhaja të Ankarasë.

Edhe po të kishte ardhur, si shqiptar i mirë, do e kisha mikpritur, do e kisha marrë me vete në ndonjë mejhane lagjeje tironse, do i kisha dhënë “i teke raki me meze, molçi, qepë ene i dor djath t’bardh” !

Do e kisha çuar për të ngrënë tek ndonjë restorant familjar ku do t’a shqepja me pilaf-kos dy porcionësh, me tasqebap dhe paçe e në fund do i kisha dhënë të provojë edhe ndonjë ëmbëlsirë shtëpie të traditës më të respektuar turke, pra pse jo një revani të butë gjithë sherbet!

Me një bozë (pije turke dhe kjo thonë), do e kisha mbyllur “sajdisjen” apo mirësjelljen time shqiptare për të.

Më pas, kur të dilnim sipas kësaj hipoteze “ndërhyrëse” në punët dhe mendimet e bindjet e mia për turqit dhe marrëdhëniet e tyre me ne shqiptarët, kur të flisnim pra për ato që emisari në fjalë dhe eprorët e tij gjykojnë se unë eventualisht i them gabim apo jo, atëherë unë normalisht që mikun do t’a ftoja që të merrte prapanicën në dorë dhe të kthehej nga kishte ardhur, pa m’u ngritur mirë nervat të paktën!

Ia fus unë apo kushdo tjetër qytetar privat me kombësi dhe gjak shqiptar, në shqelmë mollaqeve ndonjë emisari “korrektues” turk apo figurativisht edhe Davutoglut, Erdoganit edhe qarqeve akademike neo-turke në Ankara e këtej nga anët tona...kjo është puna dhe zgjedhja jonë e lirë.

Por nëse neve e kemi këtë fuqi, këtë forcë të mendimit tonë të lirë, këtë aftësi për t’u shprehur me vepra, fjalë apo shkrim kundër futjes së hundëve nga turqit në këtë rast aktual, apo nga grekë, serbë e kushedi se kush tjetër, në çështjet tona private dhe në mënyrën sesi neve i përshkruajmë kontaktet,  marrëdhëniet, zgjedhën e shkëmbimet tona lidhur me secilin mik apo pushtues gjakatar që i ka rënë rruga nga vendi ynë, atëherë asgjë në botë nuk i pengon autoritetet në ministritë e arsimit përkatëse të dy shteteve shqiptare, që t’a ngrenë zërin dhe t’u japin së paku një “shpullë turinjve” apo një “gëlboqe” plot jargë në fytyrë emisarëve të vërtetë turq që vijnë të na e shkruajnë neve, sipas dëshirës së tyre, historinë tonë!

Unë vura shumë “sikur” më parë gjatë këtij shkrimi, sepse s’ka asnjë gjasë (siç duken bathët të paktën)...që ndokush në katet e larta të “Olimpit” turkoman në Ankara t’u kushtojë vëmendje analistëve të ndryshëm shqiptarë, por ndërkohë në realitet turqit, emisarët e tyre me direktiva të qarta nga Davutoglu & Co, po i shikoj unë dhe ju po ashtu, që hyjnë e dalin si në një “han me shumë porta” nëpër ministri arsimi e botën akademike shqiptare, duke kërkuar me një ekzigjencë arrogante, që të “meremetojnë” historinë tonë sipas shijes së tyre.

E vërteta e tillë është, do treguar sidoqoftë pa e lyer shumë, se ndryshe asaj i mbulohen aspekte tejet të rëndësishme të cilat më pas bëhen sekrete të errëta, që na shfaqen me tërë peshën e rrezikut që përmbajnë, vetëm kur një ditë pashmangshmërisht do të “dalin lakrat” në pah.

Prandaj hapni sytë popull, gjindje dhe njerëz shqiptarë, se megjithëse shumëkush do t’u shpjegojë se kjo që po ndodh me historinë tonë, është vetëm një tip “arnimi’ sa për të sistemuar ca “fyerje” të paqena ndaj turqve, në fakt kjo është një ndërhyrje në punët tona sovrane, në të drejtat tona elementare si individë me gjak, vetëdije e gjuhë shqiptari!

Ndryshe çfarë do t’i pengojë serbët e malazezët të shpallin brenda në Shkodër si heronj, kockat e 15 e ca mijë pushtuesve të rracës së tyre që mbetën të vdekur (e meritonin plotësisht atë fund pa lavdi)...aty gjatë rrethimit të atij qyteti të lashtë shqiptar.

Asgjë nuk do të mund të ndalë edhe grekët që të kërkojnë që fëmijët tanë të mësojnë në shkolla, se andartët kriminelë helenë, kanë qenë burra të mirë, shpirtëra njeriu që në Shqipëri kanë hyrë jo si banditë me duart të zhytura në gjak shqiptar, por si çlirimtarë që neve na kanë dashur vetëm të mirën e asgjë tjetër.

Po ashtu krahina fantazëm e ngritur mbi bajonetat dhe tytat greke...e Vorio Epirit, do na bjerë të mësojmë pas ndonjë “arnimi” filogrek të këtij lloji, se ka qenë një strehë e ngrohtë për popullsinë shqipfolëse me identitet helen të jugut tonë shqiptar (grekët kështu thonë në librat e tyre të historisë)!

Greku mund të ankohet me të drejtë, se për të është fyes edhe citimi që i bëhet Gramenos, Gërmenjit e Sali Butkës në librat tanë të historisë, këtyre të paudhëve që patën guxuar me një pabesi të padëgjuar, që të luftojnë grekët e ngratë, duke shkuar aq larg sa të shpallin edhe një të flamosur “Republikë Shqiptare të Korçës”!

Pse të mos presim edhe që serbët të ankohen siç bëjnë ende për UÇK-në, për pseudo-trafiqe organesh e dokrra të këtij lloji në Kosovë, t’a ngrenë fort zërin edhe ndaj nesh në Shqipëri për përmendjen që librat tanë i bëjnë Azem Galicës, Boletinit, Hasan Prishtinës, luftës së Lumës etj?!

“Reaksion zinxhir” i thonë këtij dhe kur hapet një portë apo krijohet një e çarë në këtë drejtim, atëherë diga jonë shqiptare, do të bjerë nën peshën e budallëkut të tmerrshëm historik që vetë përfaqësuesit tanë dhe mefshtësia e reagimit popullor-intelektual ndaj tyre, po lejon të mblidhet.

“Asnjëherë nuk është tepër vonë” thonë, të dojë perëndia që ky të jetë rasti edhe kësaj rradhe për ne!



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora