E enjte, 25.04.2024, 06:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Josif Papagjoni: Agnesa sheh “Kaosin e bukur”

E enjte, 04.04.2013, 08:57 PM


Agnesa sheh “Kaosin e bukur”

Nga Dr. Josif Papagjoni

Agnesa Muharremi është pedagoge e arteve pamore në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Një vajzë e brishtë, që di të respektojë tjetrin. Një piktore që luan me ngjyrën. Ajo vjen nga një familje artistësh. Doemos nuk më shtyu ky afinitet që të shkruaja dy fjalë për Agnesën, përkundrazi arti që ajo bën.

Teksa shihja ekspozitën e saj të fundit çelur në  Galerinë FAB të Universitetit të Arteve Tiranë, vorbullimin ngjyror që shfaqet si prirja zotëruese e fantazisë së saj desha ta konotoja përtej kapriços së një artisteje, pushtuar nga “:demonët” e krijimit. Desha të pikasja aty edhe diçka nga ontologjia e qenies si kundërshti, veprim, frymë, transformim, transfigurim, shpërndërrim. Diçka nga krijimi si mesazh. Madje desha të dalloja siluetën e një mendimi që ngjizej ndërmjet atyre shpëndërrimeve ngjyrore si dhe të trajtave të shumëfarta prej një bote virtuale që rrekej të strehohej në pikturat e saj. Dhe e para gjë që më erdhi në mendje ishte: NGJIZJA. Pse e them këtë? Sepse gjithkah sheh do pluskime flluskash, që mund t’i marrësh edhe si sy njerëzish (a shpirtrash) që të shohin e të ndjekin ngado, por edhe si embrione vezësh në çastin e ngjizjes. Mund t’i marrësh edhe si sythe, pistile lulesh a spore. E kuqja e gjakut, e bardha e farës, bluja (uji, qielli) ku lind e frymon jeta, janë për mua disa metafora e shenja piktorike që mendja shkon vetiu, sepse, herë-herë, bash mes tyre ne shikojmë edhe një fytyrë femre, herë në paqen e saj e herë në trazimin e saj. Pllenimi dhe shtatëzania e botës dhe e qenies në çastin e krijimit – a është kjo një nga idetë e piktores?

Them se po. Porse nuk është vetëm ky dekodimi im. Është së dyti, kozmosi si situatë shpirtërore. Vërtet që në përplasjen dhe luftën e ngjyrave, Agnesa sheh “Kaosin e Bukur”. Sytë që thash pak më sipër, shndërrohen tashmë në planetë. Planetë që shkojnë e vijnë mes luzmës së krijimit kozmik, që fqinjërojnë dhe konfliktuojnë njëkohësisht. Planetë të bukur, që veçse fantazia piktorike mund t’i krijojë. Dhe një nebulozë a mjegullnajë pa fund që i rrethon, ashtu si galaktikat nga pluhuri kozmik. Dhe shira që bien, flukse thërrmiash magnetike që mbështillen e shpështillen rreth tyre, oqeane, stuhi e tramundana, imazhe fantazmagorike që e shoqërojnë gjithë këtë spektakël kozmik, dete e ujëra ku ngjizet jeta me qenie të reja, qiej që hapen a copëtohen në mijëra ngjyra e mijëra përmasa. Gjallimi i kozmosit, furia dhe shpështjellimi i tij, lëvizja e tij, krijimi dhe rikrijimi i tij nga vetvetja dhe për vetveten: filozofia e krijimit dhe e gjallimit – kjo mund të jetë një ide e dytë, qoftë dhe e paartikuluar në mënyrë racionale, por që ngjan se është bërë pjesë e shqetësimit të piktores. Se ngjet rëndom në art që ato çka trajtësohen përmes imagjinatës, nisen në kryeherë me një mendim dhe riformësohen më pas në disa shtresa e nënshtresa duke e dimensionuar domethënien. Çka po them tashmë është diçka që e vlerëson ekspozitën e Agnesës dhe jo e kundërta.

E treta gjë që më la mbresë është loja e ngjyrave. E kuqja, e bardha, bluja dhe e verdha janë në një përplasje e harmoni me njëra-tjetrën, por hyn aty edhe e kafta, e murrmja, e zeza, e gjelbra. Ndjeshmëria e piktores ndaj ngjyrës është e gjitha estetike, ndjehet harmonia. Por assesi s’është diçka e qetë, si liqenet në muzg me të artën e perëndimit të diellit. Jo. Ka trazim, shqetësim. Ndjehet kudo lëvizja, shpërthimi. Format janë të çrregullta, veçse në çrregullsinë e tyre ndërhyn harmonia e ngjyrave dhe e përmasave, e cila na bën që kaosin ta pëlqejmë dhe perceptojmë si pjesë të rregullsisë së ardhur nga kohezioni piktorik brenda shijes së Agnesës. Dhe prandaj imagjinata, fantazia dhe irracionalja nuk shpërfaqen siç jua ka “qejfi”, por përputhur ligjësive të rrepta të artit, ku idetë, mendimi estetik, madje edhe filozofia infiltrojnë brenda tyre duke na krijuar atë që veçse arti ka fuqinë ta shpjegojë: BOTËN TONË.

Atë të mendjes, atë të trupit, kozmosin krejt...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora