Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Vetëvrasja ''artistike'' e AbdulhaKim Mehmetit

| E enjte, 04.04.2013, 06:02 PM |


VETËVRASJA “ARTISTIKE” E ABDULHAKIM MEMETIT

NGA KALOSH ÇELIKU

Moti e kam ditur, po nuk e ka ditur “ABAZI” i Malit, “Patriotin” e vonuar në barkun e Kalit të Trojës pas porte. E mori nga shkolla politike e “Koperativës bujqësore” në Saraj të Shkupit dhe i dha post politik të zv/drejtorit në TVM. E, ai gjithë ditën e natën fotografoheshte para kamerave televizive me emrin e tij në gojë: Ali Ahmetin e kam mik. Nesër, po të thotë “ABAZI”, unë bëhem edhe shërbetor. E pyesja veten në atë kohë pas Lufte (2001), çfarë shkrimtari është ky që bëhet shërbetor për një post politik, një torbë taxhi për qafe?!

Kohë tjera ishin pas lufte. “ABAZI”, ende nuk i njihte mirë njerëzit e fushës. E pas lufte, dalin shumë “trima”. Nuk e ka thënë kotë populli: Trima pas lufte. Edhe “komandantë” kishim, u mbushën malet e fushat. Qeveria më vonë, pas zgjedhjeve parlamentare. Ministritë. Kabinetet. Mjerisht, vetëm një “Asker”, që pas lufte nuk kërkoi dekorata e as poste partiake, u kthye në Katund. Prandaj, edhe “komandantët” tanë pas lufte si ministra, deputetë e politikanë, i ndërronin partitë brenda një nate si kurva burrat. Edhe “Patrioti” i vonuar si gjithmonë, që nga koha e komunizmit, shkonte nga fryente era. I ka ndërruar deri më sot disa burra e parti politike “demokratike” derë më derë.

E sot, era nuk fryen nga shkon “Patrioti” i Vonuar me shokë. Shkak ky, që edhe e ka humbur rrugën në mes të ditës në oborr, përpara Shtëpisë. E ka ngatërruar “ABAZIN” me Ali Ahmetin. Shqipërinë me Turqinë (fenë islame). E ka dashur dikur shumë “ABAZIN”, edhe më tepër se babain, po ja kohën e fundit, shkaku i Ali Ahmetit, edhe “ABAZI” i delë nga zemra. E pabesueshme!? E di, ju do të pyesni: PSE???!!! Deri dje, kudo i shihje krah për krahu me DoktorZiun dhe Nusen kuqezi në rendin e parë nëpër manifestime të Akademive përkujtimore të dëshmorëve të kombit. Festave shtetërore. Zbulimin e përmendoreve. Shënimin e përvjetorit të Skënderbeut... Ditën e flamurit… Natën qafë për qafe me Dhëndrrin, matanë Vardarit që tha për Universitetin e Tetovës se, është foshnje e vdekur. E shi sot, i paska “tradhtuar” Ali Ahmeti?! Nuk i dëgjon më këta “patriotë kuqezi” të vonuar, siç i dëgjonte dje “ABAZI”. Dorën në zemër, kanë deri diku edhe të drejtë. Vërtetë, kohën e fundit nuk i dëgjon “këshillat” e tyre Ali Ahmeti, siç i dëgjonte dikur “ABAZI”. E këta “burra fisi”, që nga koha e komunizmit, veten e kanë hequr si këshilltarë dhe baballarë për të ardhmen e kombit shqiptar. Edhe të mençur. E si është e mundur, sot të mos i dëgjoj Ali Ahmeti këta “profetë” në të gjitha sistemet politike antishqiptare?! E kërkojnë “ABAZIN”, që pas lufte me shokë zbriti nga malet. Vitet pas lufte, kur këta të parët me shokë si kuadër “deficitar” iu turrën me të katra për poste politike në Parti e Qeveri. E përgëzuan për guximin si komnadant lufte. E përqafuan me të dyja duart si shpëtimtar i kombit shqiptar. Ia rrahën krahët dhe ia uruan “fitoren” e luftës çlirimtare. U ngutën të parët ta këshillojnë që të formojë parti politike. Edhe e dalldisën, i thanë: ti duhet të jesh kryetari i partisë demokratike politike shqiptare në IRJ të Maqedonisë, që zbriti nga mali. I afruan listat e anëtarëve që duhet t’i ketë kjo parti politike. E pagëzuan edhe me emër evropian BDI. Fundrrinat e të gjitha partive politike shqiptare të mëhershme i mbëlodhi në një thes me arna Partia e Ali Ahmetit. Dhe, dolën në zgjedhjet parlamentare krah për krahu me premtime, parulla demagogjike, me flamuj partiak e kombëtar kuqezi.

Populli shqiptar i etshëm për liri ua dha votën. Edhe fitoi krahu i luftës (UÇK) në zgjedhjet e para parlamentare. Rast i rrallë ky në histori, e dha provimin politik populli shqiptar dhe doli mbi nivelin e politikanëve. Dihet, hynë në Qeveri plot gëzim dhe i ndanë postet e fituara me gjak. Shembull ky, që nuk ndodhi me popullin shqiptar të Kosovës, që pas lufte në zgjedhjet e para parlamentare, fitoi Lidhja Demokratike e Kosovës, e humbi Krahu i Luftës (UÇK). Që, do të thotë: Përderisa, në Kosovë populli shqiptar hyri në politikë pa bagazhin e luftës, në IRJ të Maqedonisë hyri edhe shumë më i fuqishëm me gjithë bagazh lufte. Ja shkaku, pse veprimi i shqiptarëve në këtë “Shqipërizë të Maqedonisë” ka pasur një përparësi më të madhe për të bërë politikë madhore dhe korrë fitore historike. Vetëmse, me komunistë të djeshën e “demokratë” të sotshëm teknefesë, fundrrina të mbetura nga ish Partia Komuniste e Jugosllavisë me Kalin e Trojës pas porte, nuk bëhet politikë.

“ABAZI” me shokë, që zbriti pas lufte nga malet, këtë jo vetëm që nuk e dinte, po as edhe e parashikoi, kur themeloi parti politike dhe hyri në Qeveri. Edhe, filloi të merret me politikë. Ali Ahmeti gjatë këtyre viteve e mësoi politikën, po vonë pasi iu thye rrota e qerres në mes të rrugës. Ose, siç thotë populli: erdhën mendtë, po ikën dhentë. E pasi të thyhet rrota e qerres, gjenden plotë rrugë për në shtëpi.

E tashti, ku është problemi që “Patrioti” i vonuar me shokë e kërkon “ABAZIN”, e nuk e do Ali Ahmetin?! E qartë: Katundi që shihet nuk do kallauz. E kam ditur dhe e kam pritur një veprim të këtillë të AbdulhaKim Memetit se, një ditë do të dalë me këtë “tezë të mirënjohur shkencore” teknefese. Shkaku se, AbdulhaKim Memeti shkollimin fillor dhe të mesëm të ndërtimtarisë (gjeodezi) i ka kryer në gjuhën maqedonase. Një kohë para se të merret me letërsi ka punuar në një Organizatë Ndërtimtarie “Granit”, në Kërçovë. E më vonë nëpër disa qytete të Jugosllavisë komunsite dhe Shtetet Arabe. Gjatë kohës komuniste, pa konkurs pranues në Flakën e Vëllazërimit  me dy tri vende pune, ku e “mësoi” edhe gjuhën shqipe. Që, do të thotë se: AbdulhaKim Memeti nuk është rritur me vjeshat dhe librat e Rilindasëve shqiptar. Porosinë e Madhe të Naim Frashërit. Fatkeqësisht, edhe sot mendon dhe flet sllavisht dhe përpiqet të shkruaj shqip.

Ali Ahmeti këtë vit i mbush mbi dhjetë vjet që merret me politikë. Mezi e fitoi Kërçovën si komunë. Rrezik ka me Tetovën dhe Gostivarin. I pa njerëzit e fushës të këtij soji “patriotik”. Edhe, më në fund u mësua të bëjë politikë. Kohën e fundit ka filluar edhe të mos i dëgjoj “trimat pas lufte” dhe t’i pastrojë radhët nga bërlloku i skaduar politik, fundrrinat komuniste. Edhe bënë mirë dhe punë me mend. Përndryshe, nëse vazhdon kështu me këtë politikë ditore dhe bagazh “intelektual” në radhët partiake, duhet sa ma parë ta pastroj veten, laj duart nga “politika medhore”. Rrugën, veç më ia kanë treguar kundërshatarët e tij të përjetshëm politik: të kthehet në vendlindje, Zajaz. Ose, të ikë nga ka ardhë, në kurbet (Zvicër).

E, “Patrioti” i Vonuar me shokë, që edhe në Shkup me përurime të librave e protesta politike - fetare me “organizarorë të fshehtë” e thirr “Pranverën arabe”? Mos Zot më keq! Librat e tij teknefesë, që me shumë vështirësi janë përkthyer nga gjuha maqedonase e kanë lënë në mes të rrugës, sokaqeve të Bit – Pazarit, në Shkup. Asaj kohe si luftëtar i flaktë i Maqedonisë multietnike, jepte edhe intervista në mjetet e informacionit si shkrimtar maqedonas. Kutadi unë, nesër kështu siç e ka nisur rrugën e haxhillëkut për në Mekë, i teket dhe e shpallë veten edhe si shkrimtar turk ose arab. Nuk ka kjo gjithaq rëndësi, është dëshirë dhe punë e tij private, po nuk duhet t’i fus hundët aty ku nuk e ka vendin, në Historinë Kombëtare Shqiptare. Vërtetë, më vjen keq për “Patriotin” e vonuar! Edhe po të dua, nuk kam si e shpëtoj përpara stuhisë së pamëshirshme për themelimin e një partie politike - fetare. I ndërroi që nga koha e “artë” komuniste duke dhënë shpirt e deri më tani në këtë kohë “demokratike” disa vende pune. Redaktor me dy-tri poste partiake në redaksinë e një gazete komuniste të “vëllazërim-bashkimit”. Fat i tij, këtu e “mësoi” për sherr edhe gjuhën shqipe. Në prag të ndryshimeve  “demokratike” e provoi edhe “ABAZIN”. E, merreni me mend ky “ptriot”, po ta ngrente zërin për ndryshime demeokratike që në atë kohë! Heshti, në kohën komuniste. Heshti, në kohën e ndryshimeve “demokratike”. Heshti, edhe në kohën e “ABAZIT”. Tashti, i doli gjumi pasmesnate si “analist politik”: “Shqiptarinë e ka shpëtuar Islamizmi”?! I dështoi edhe përpjekja e themelimit të një Organiazate “joqeveritare” PYKA, që më vonë mendonte ta avansojë në Parti Politike Fetare Myslimane. Nëpër gazeta e para kamerave televizive shkruan e fol jerm vetmevete me hajmali turku përqafe. Merreni me mend: Pavetëdije, me dërdëllisjet e tij teknefese, mohon personalitetet më të njohur shqiptar, që Turqinë e bënë Shtet duke shpresuar në “vëllezërit mysliman” se do ta  ndihmojnë Shqipërinë. Numri i tyre nuk ishte i paktë: Skënderbeu (ushtri turke) Ismail Qemali, Sami Frashëri (gjuhë letrare shqipe), Naim Frashëri, Vaso Pashë Shkodrani e Filip Shiroka në Egjipt… Ataturku, që Turqinë e bëri shtet modern. Haptas pa fije turpi i mohon Rilindasit shqiptar: Jeronim De Radën, Asdrenin, Zef Seremben, Çajupin, Gjergj Fishtën, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Ndre Mjedjen, Ali Asllanin, Fan Nolin, Hil Mosin me shokë, që gjithë jetën e luftuan Turqinë si pushtuese duke asimiluar popullin shqiptar. Kryengritjen e Dervish Carës. Burra, që me penë e pushkë deri në vdekje e luftuan robërinë pushtuese shekullore të Perandorisë Osmane.

Shpërblimi dihet: shqiptarëve, Turqia “Nënë” ua ndaloi gjuhën amëtare dhe shkollat shqipe, përmes fesë islame duke i asimiluar në turq “ehamdurila” dhe në bashkëpunim me Serbinë me marrëveshje politike i ka shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre me gjithë familje në Turqi. Dhe, përçudi, sot rrugën e tyre të “shenjtë” e vazhdon pasardhësi i tyre me shokët “myslimanë”, AbdulhaKim Memeti. Shkrimtari, që e vetmja rrugë e shptëtimit nga Përmbytja e madhe politike (Kiameti) i ka mbetur dhe është: “ABAZI”. Tekefundit, ai edhe i donte shërbetorët besnik dhe servilët e përjetshëm në politikë. Ali Ahmeti, kohën e fundit i do ujqërit dhe luanët.

I zemruar me Ali Ahmetin, në rrjetin e tij në Facebook AbdulhaKim Memeti ka shkruar se: shumë nga ata të UÇK –së, përfshirë edhe Ali Ahmetin do të përfundojnë si heronj mbi gomarë. Kulminacionin e zemërimit do ta arrijë, kur e shpalli veten kandidat i përbashkët i opozitës për kryetar të qytetit të Shkupit në zgjedhjet lokale (2013), e nuk e kandidoi asnjë parti politike shqiptare e as maqedonase (LSDM), që e dalldisi para kohe me protesta maratonike të fotografohet edhe përpara Qeverisë.

Gazeta “LAJM”, që del në gjuhën shqipe në Shkup, dhe me këmbëngulje e reklamon AbdulhaKim Memetin si lider të ardhshëm në themelimin e ndonjë Partie Politike Fetare Islame, boton edhe një shkrim të çuditshëm: se, “e kanë vrarë Kim Mehmetin”?! Dalldisësit e tij se, ai mund të bëhet një lider politik në IRJ të Maqedonisë, trumbetojnë se, edhe pas këtij “lajmi” kontaktuan me Kim Mehmetin, i cili u është përgjigjur: “Jo, ende nuk më kanë vrarë…”

Qesharake, ë?! Publikisht them: AbdulhaKim Memetin nuk e vret njeri. Asnjëri nuk do t’i përlyej duart me këtë kalorës të arratisur në Bit - Pazar. Nuk e duan maqedonasit, nuk e duan shqiptarët. Falë u qoftë turqve dhe arabëve! Moti me “veprimet e tia patriotike”, vetë e ka vrarë vetveten. Tashti, me tezën e tij të mirënjohur “shkencore” për shqiptarët, në Prishtinë: “Shqiptarinë e ka shpëtuar Islamizmi”, e vrau vetëveten me një “plumb” në kokë për vdekje duke e varrosur në varrin historik të rrufjanëve.

“ABAZI”, ishte i malit… E ky Ali Ahmeti, të cilin nuk e do sot AbdulhaKim Memeti me shokët “mysliman”, është i fushës…