Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Ikën shqiptarët, kush mbeti këtu?

| E merkure, 03.04.2013, 05:19 PM |


MIRËSE  IKEN  SHQIPTARËT,  PO  KUSH… MBETI  KËTU ?

Nga Fritz RADOVANI

Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, fryma e Tij mbeti nder Trojet tona...

Në vitin 1478, Kruja u detyrue me u dorzue nga urija. Premtimi i Mehmetit II, se nuk do të vritet njeri, u shkel dhe mbrojtësit trima me urdhen të sulltanit u therën të gjithë ndersa gratë me fëmijë u skllavruen. Në vitin 1479 ra edhe Shkodra. (Fan S. Noli, Gj. Kastrioti, fq. 149).

Viktor Hugo shkruen: “Turqit kaluan andej, çdo gjë u bë gërmadhë e zi.”(F.Noli, fq 151).

Autori Anonim prej Tivarit që shkruen ma saktësisht per Gjergj Kastriotin, mendohet se asht Argjipeshkëvi i Durrësit Imzot Pal Engjulli; ndonse shumë studjues e kundershtojnë per arsye se Argjipeshkëvi ka vdekë në vitin 1469, një vit mbas Kastriotit. Libri ka titullin “Annali di Rauza” (Analet e Raguzës). Sidokjoftë, librat ma të studjuem nga historianët e randsishem të periudhës historike të Gjergj Kastriotit mbesin edhe sot ata të Don Marin Barlecit.

Don Barleci tregon se Kruja u dorzue nga një rrethim i gjatë që solli urinë e popullit. Në fq. 41, Autori shkruen: “Ndodhë shpesh që ushtrinë e lodh ma teper zija se lufta, uria asht ma e pashpirtë se sa hekuri”. Dorëzimi i Krujës i trishtoi fort shkodranët, mbasi Kruja ishte edhe një simbol i qendresës së Shqiptarëve kunder mizorisë së turqëve të Anadollit...

Mbasi u pushtue Kruja sulltani u drejtue nga Shkodra. Në liber Don Barleci, permendë një emen per të cilin ka shkrue disa herë: Fra Bartolomeo, i urdhnit të Shen Françeskut, i cili me kapidanin e kalorësëve Nikollë Moneten, trim dhe i aftë në artin ushtarak, kontrollojnë të gjitha fortifikimet dhe “shkojnë tue u dhanë zemer popullit dhe ushtarëve që të qindronin si burra dhe të luftonin deri në fund per fé e per Atdhé.” (fq.73)

Jo pa qellim vuna në dukje këte paragraf ku autori tregon dhe urdhnin e Fra Bartolomeos, pra të një Françeskani, që merr pjesë në mbrojtjen e Kështjellës Rozafat dhe “qendresa si burrat” ka motiv Formulen “Fé e Atdhé”, pikrisht até Ideal, që Kleri Katolik Shqiptar e trashigoi brez mbas brezi deri në ditët tona. Me këte formulë Malësorët tanë të Alpeve “vdiqën si me lé”.

Mbas marrëveshjes së Venedikut me turqit, u vendos që Shkodra do t’i dorzohej atyne, ndersa, të gjithë shkodranët do të dilnin nga Kështjella dhe do të iknin për Venedik me anije.

Po të merren me rradhë Kështjellat Shqiptare që u pushtuen nga turqit prej asaj të Krujës, Lezhës, Drishtit e deri tek ajo e Shkodres, do të shohim të dokumentueme mizoritë e pashoqe që ata kanë ba kunder popullsisë katolike shqiptare jo vetem në periudhen e luftave të Kastriotit, por ato ma të mnershmet janë të periudhës mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit, dhe kryesisht në dhjetë vjeçarin e parë 1469 – 1479, kur ra edhe Shkodra. Qellimi dihet: “Nenshtrim dhe skllavrim!”

Në kjoftë se nga Kështjellat e Krujës, Drishtit dhe Lezhës, po thuej nuk mbeti Shqiptar i gjallë prej taganit turk, në Kështjellen e Shkodres nuk mbeti ma aty mbas pushtimit nga turqit asnjë katolik shqiptar, mbasi të gjithë ikën me nga një palë hebe me plaçka...

Kush erdhi nder këto Kështjella të këtyne qyteteve, tue mos lanë pa zanë me gojë se “çka ngjau në të njajten kohë në Durrës, Berat, Vlonë, Gjinokaster...e kudo, ku vuni thundrat turku?”

Nder ma të saktit studjues shkodranë Hamdi Bushati (edhe Ky pa titull), shkruen: “Shumë nga myslimanët që u vendosën në qytetin e braktisur nga të krishterët ishin turq ose me kombësi te tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje te huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodres. Ata ishin të ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj., që perbejne numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër.” (H. Bushati, “Shkodra dhe motet”)

***

Sot jemi në fillimin e shekullit të dytë të Pavarsisë së Shqipnisë, kur historianët tanë endè nuk kanë dhanë asnjë sinjal të mundshem per me shkrue Historinë e vertetë të Popullit Shqiptar.

Nder ngjarjet kryesore zanë vend ato “provokativet”, të cilat tue kenë jo vetem ngjarje të turpëshme dhe antiatdhetare hidhen me qellim nga qeveritarë të shitun dhe jo shqiptarë, mbasi ata vetë kanë deklarue se “jemi vëllezër gjaku me sunduesit turq”, per të ndrrue drejtimin aktual të domosdoshem dhe të duhun të programeve të Akademisë së Shkencave të Tiranës, në lidhje me “rishkrimin e saktë” të Historisë sonë. Deri tashti të gjitha sinjalet e tyne kanë tregue djallëzi, mjeshtri në shtremnime faktesh, hipokrizi, mosnjohje shkencore dhe paaftësi morale e shoqnore per me rishkrue Historinë e Shqipnisë dhe të Popullit tonë...

Pergjegjen e barbarizmave antishqiptare kjofshin ato anadollake të para sa shekujve apo ma vonë ato shoveniste malazeze dhe sllavo anadollake komuniste, e jep të saktë Qyteti Martir i Shkodres në 100 vjetët e fundit të pushtimit dhe të shkatrrimit të tij, nga bishat ma terroriste e gjaksorët ma kriminelë që ka njoh ndonjëherë historia e mesjetës dhe ajo moderne e Europës...

Ajo që ngjau në kohen e pushtimit të Shqipnisë nga otomanët me Popullin Shqiptar, që u detyrue me ikë ose me u vra, apo me u vue nder hunjë po nuk i lëshoi vendin pushtuesit turk, nuk ka asnjë ndryshim me pushtimin sllavokomunist të vitit 1944, kur pjesa ma e madhe e atyne që merreshin me politikën e shtetit ose u arratisen ose u pushkatuen kush mbeti në Shqipni. Ata që nuk u arratisën me shpresen e “rikthimit nga nderhymja anglo – amerikane” ku perfunduen?

Pa hy me persëritë “gjyqet” e terroristëve dhe vrasjet anë e kand Shqipnisë, po u drejtoj vetem një pyetje të gjithë Shqiptarëve: Nga viti 1944 e deri në vitin 1991, sa familje u interrnuen dhe u zhduken me breza e breza me fëmijët e tyne e deri tek pleqtë nder kampet e shfarosjes, që komunistët i kishin të hapuna nder të gjitha qoshet e Shqipnisë ku edhe sot ka njerëz atje?!

Cili asht ndryshimi i masakrimit Popullit Shqiptar prej turqëve të vjeter dhe anadollakëve të rijë që u vunë në sherbim të sllavokomunizmit, per hirë të kolltukut dhe rjepjes së pasunisë së Shqiptarëve? – Qellimi asht vetem një dhe i perbashkët: Shkombtarizimi i të gjithë Shqiptarëve?

Si mund të vazhdohet ndryshej shkombtarizimi në Shqipni edhe mbas vitit 1991 ?

Ja si u mendue dhe si po veprohet edhe sot mbas vitit 1991 porosia e terroristit kriminel Ramiz Alia, “presidenti i parë i pluralizmit” i varrosun me ceremoni shtetnore nga pasuesit e tij, i cili në vitin 1989 në byro politike të PPSh, shprehë urrejtjen e tij me këto fjalë: “Një gjë duhet të kemi parasysh; të kemi kujdes nga fëmijët e të persekutuarve politikë, pasi ata vetë janë aq pleq apo të sëmurë sa mezi rrinë në këmbë. Kësaj kategorie mendoj që t’i japim pasaportë për t’u larguar nga Shqipëria më mirë dhe me kaq do të jenë të kënaqur. Pasuria e tyre na përket neve, sepse ne e bëmë… Ndaj, për të mbrojtur mbajtjen e pushtetit duhet të jemi të përgatitur në të dyja anët; në rrugën paqësore dhe në atë të luftës së armatosur.

Kujt ia la tradhëtari R. Alia këta porosi!?

Kush po i zbaton edhe sot “vendimet e byrosë politike” të viteve 1989 – 2013..?!

Kush po “kujdeset” per fëmijët e të persekutuemëve politik?

Po Europa, Turqia, Arabia e “Konferenca Islamike”... a i di këto?

***

Shqiptarët po ikin që nga viti 1468...

Shqiptarët po ikin që nga viti 1479...

Shqiptarët po ikin që nga viti 1913...

Shqiptarët po ikin që nga viti 1925...

Shqiptarët po ikin që nga viti 1944...

Shqiptarët po ikin që nga viti 1991...

E kur, do të fillojnë me u “kthye” Shqiptarët në Atdhé, kush po e shkruen ?!..

Melbourne, 2013.