E enjte, 25.04.2024, 03:57 PM (GMT+1)

Mendime

Ymer Halimi: Vetëvrasja e ASHAK-ut

E merkure, 03.04.2013, 07:57 PM


VETËVRASJA E ASHAK-ut

Nga Ymer Halimi

Në një pushim të shkurtër mesdite, në mesin e intelektualëve universitarë, njëri nga bashkëbiseduesit, gjithashtu profesor universiteti, citonte mendimin e një akademiku të ASHAK-ut, i cili ishte shprehur se: “derisa ai flet për ne, le të harrojë se do të bëhet anëtar i Akademisë” (sa duket i kishte qortuar akademiket). Krejt në mënyrë humoristike, një bashkëbisedues iu drejtua: “A thua e kishte me gjithë mend akademiku…”?! Bashkëbiseduesi më la pa koment kur u betua për saktësi të fjalëve që i tha. Në kokën time murmuriste, si re e elektrizuar në qiell, mendimi i këtij akademiku që në zyrën e kolegut e kishte thënë: “Le ta harrojë” e “derisa flet”. Megjithatë, kuptimi i vlerësimit te akademizmit mbështetet të shprehjet, “derisa” dhe “le ta harrojë”. Vërtet derisa pretendenti për anëtar akademie, nuk ka vlera akademike, nuk ka vlerë morale, le ta harrojë, se nuk do jetë anëtar i ASHAK. Kjo është thelbësorja e një vlerësimi për anëtar akademie te të gjitha kombet. Por, ai “akademik” sa duket e kishte pas inatin dhe e kishte shpreh mundësinë e fuqisë ekzekutive personale edhe mbi vlerën, normën dhe ligjin. Çuditërisht si të ishte sulltani, dhe menduaka akademinë pronë te veten. Do te thotë, të bëhesh anëtar i ASHAK-ut nuk u varka nga puna e vlerësimi në shkencë, arte e kulturë, por nga bindja emocionale e akademikëve, apo sa je i disiplinuar edhe para keqbërësve. Kjo me shtyri ta mësoj shkakun e një qëndrimi të tillë akademik.

Seneka thërriste: “Nënshtroju arsyes”, për atë që do ta përdorësh, kur flitet e veprohet me njerëzit, me emrat e tyre, po edhe në përgjithësi. Përjashtueshmëria, paragjykimi, apriori si koncept, pa vlerësim faktesh, është ana më e errët te koka dhe veprimi i njeriut, për të mirën dhe të keqën, cilado qoftë kjo. Ky paragjykim si koncept a është prezent te akademikët? Le te flasin faktet.

Në Ligjin për ASHAK dhe në Statutin e saj shkruan: “Anëtar korrespondent zgjidhet punonjësi i dalluar i shkencës dhe arteve, shtetas i Kosovës, që jeton dhe punon në territorin e Kosovës dhe që ka krijuar vepra shkencore apo artistike të një rëndësie të veçantë”?! Kush e mohon këtë normë, e do ndryshe për veten e të tjerët, s’ka virtyt e as vlerësim akademiku. A u mohua kjo normë në ASHAK, në Kuvendin e saj!?

Cilët u pranuan dhe kush mbeti jashtë Akademisë

Ne lëmin e shkencave mjekësore, Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakulteti të Mjekësisë, për anëtarë korrespondent të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka pasur në vlerësim këta profesorë: Veton Hoxha, Afërdita Daka, Arsim Morina, Isuf Dedushaj, Sali Ahmeti dhe Hilmi Islami. Ndërkaq, për në ASHAK është propozuar Hilmi Islami.

Prof. dr. Hilmi Islami ka të publikuara në PubMed 11 autor 11 koautor, dhe 40 te tjera, autor e koautor ne revista profesionale e shkencore. Ka edhe mbi 40 konferenca shkencore. Ka 11 tekste, ca universitare. Në PubMed ishte i cituar 26 herë dhe, ka “Index –H” 2 (dy).

Ndërkaq, Prof. dr. Sali Ahmeti ka 9 punime ne PubMed, dhe të cituara këtu 66 herë. Është autor e koautor ne 78 punimeve ne revista profesionale e shkencore dhe pjesëmarrës në dhjetëra konferencave shkencore. “Index H” e ka 5 (pesë). Është koautor i zbulimit të virusit EHKK, genomit të ri Kosova-Hoti. Ka dy monografi.

Po ashtu, Prof. dr. Isuf Dedushaj ka 12 punime në PubMed, të cituara në këtë faqe 146 herë. “Index H” e ka 5(pesë). Është autor dhe koautor i 162 punimeve të botuara ne revista shkencore e profesionale dhe i 15 kumtesave shkencore. Është pjesëmarrës në dhjetëra konferenca kongrese dhe forume shkencore. Autor: i 5 (pesë) librave universitar, i 5 (pesë) monografive dhe koautor në 3 ( tri). Vetëm një monografi, si autor, ka 1780 faqe. Po ashtu, është koautor i zbulimit të genomit të ri të virusit të EHKK, i emëruar “Kosova-Hoti”. Më pastaj është njëri prej katër anëtarëve të bordit mbikqyrës të Komitetit Europian për Ethe Hemorragjike. Është cituar në publikime të ndryshme shkencore mbi 870 herë. Udhëheqi 24 doktorata.

Por, ASHAK e pranon për anëtar korrespondent Prof. dr. Arsim Morinën, me 2 (dy) punime autor i pare e 6 koautor te publikuara në PubMed, e që fare nuk citohen. Pa asnjë libër universitar e monografi dhe ka “Index H” 0 (zero). Pjesëmarrës në dhjetëra konferenca shkencore brenda e jashtë vendit. Ne faqe internet shihet i cituar për banalitete.

Po ashtu, te shkencat e natyrës nuk pranohet Prof. dr. Fetah Podvorica, që sipas ISI Web of knowledge, ka 21 punime shkencore nga lëmi i Kimisë, dhe për vlerën që kanë janë të cituara 1290 herë. Vlerësimin “Index H” e ka 13. Falë publikimeve të tij, Departamenti i Kimisë i FSHMN e rangohet në vendin e 18 (tetëmbëdhjetë), në rang botëror në mesin e gjithë universiteteve botërore nga fusha e studimeve të tij. Ka dy patente të pranuara, një në SHBA, e një në Europë. Nuk pranohet ky shkencëtar në ASHAK, por pranohet Prof. dr. Sali Gashi, që së bashku me akademik N. Daci, si kimist, nuk mund të arrijnë as një të dhjetën e citimeve dhe “Impact factor”. (akdemik Daci e ka “Index H” 2(dy) e Gashi 0 (zro). F. Podvorica, njëkohësisht udhëheqë edhe projekte shkencore.

Shih, mbetet jashtë Akademisë Prof. dr. Bajram Berisha, që ka punime origjinale dhe artikuj “review” (revista me “Impact factor”) gjithsej 65, punime origjinale shkencore në “Proceedings” ka 17; 142 pjesëmarrje në konferencat shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, dhe “Index H” e ka 25. (ky indeks d.m.th. se 25 punime te tij janë të cituara nga shkencëtarët e fushës më shpesh se 25 herë). Është autor e bashkautor i 40 sekuencave të reja të gjeneve të publikuara për herë te parë në bankën e gjeneve në NCBI. Po ashtu është profesor edhe ne dy universitet europiane dhe është në mesin e 30 shkencëtarëve më të cituar në regjionin gjermanishtfolës për lëmin e Reproduksionit dhe Bioteknologjisë. Punimet e tij janë të cituar mbi 1600 herë. Po ashtu është ideator dhe realizues i disa projekteve shkencore me karakter ndërkombëtar.

Po e rrëfej “një fshehësi publike”. Në komision për shkenca natyrore në ASHAK, F. Podvorica ka mbetë me zero votë, ndërkaq S. Gashi ka arritur maksimumin e votave, ndërsa Bajram Berisha kishte arritur të merrte dy vota. Mos flet kjo për një ekscentrizëm moral akademik? Mos flet kjo për “një dhunë” akademike apo paranojë nga vlerat reale akademike?!

Po ashtu, mbetet jashtë Akademisë historiani Prof. dr. Jahja Drançolli, me 77 publikime dhe dhjetëra konferenca shkencore, me 8 monografi, dhe me pjesëmarrje në hulumtime shkencore ndërkombëtare, në Zvicër, Kroaci, Itali, Turqi, Gjermani, Shqipëri. Publikimet janë për periudhën historike të Mesjetës, periudhë kjo deficitare e studimit. Më pastaj, është anëtar i Komitetit të projektit të UNESCO-s “Memorialet e Botës” (“Memory of the World”). Ndërkaq, pranohet kandidati tjetër, Dr. Jusuf Bajraktari, me një monografi të vetme, të vendlindjes së tij, dhe me publikime shkencore dhe pjesëmarrje në simpoziume jashtë vendit më numër tejet modest.

Ca akademikë u përkujdesën ta kenë në mesin e tyre edhe Oliver J. Schmitt-in në ASHAK, që u përfolë aq shumë, e që sipas ndonjë studiuesi si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, i solli dëme historiografisë shqiptare mbase më tepër se tërë historiografia serbe e pasluftës (1999), por nuk u kujdesën që ta kenë Dr. Adnan Kastratin, që ka 462 publikime, me 14529 citime e “Index H” 76, që e rangojnë në elitën më të lartë shkencore në Botë. Ndoshta e harruan, më qe quhet Adnan Kastrati e jo Schmitt (sëmundja e pa shëruar shqiptare - smira, e lufta brenda llojit)!

Në cilën do faqe elektronike, për shkencë, që krahason emrat e cituar të lënë jashtë akademisë, po edhe dhjetëra të tjerë do i gjeni qe nuk morën pjesë në garë, kanë të arrira më të larta ne shkencë se shumica e anëtareve të ASHAK-ut. Dhe kjo është brengosëse.

A mund ta kuptoj dikush cili ishte kriteri i pranimeve të anëtareve të rregullt dhe me korrespondencë në ASHAK? Një është e saktë: s’është ai ligjori. Te tjerat nuk do i paragjykoj.

Në këtë shkrim i zura ngojë vetëm ca raste të specifikuara me peshë padrejtësie, e krahasimi, mbi bazën e fakteve, pa dashur ta theksoj padrejtësinë e bërë ndaj ASHAK me anëtarë të tjerë që kanë hyrë brenda pa kriter.

Akademia nuk është e vlershme vetëm nga numri i anëtareve, por nga cilësia e akademizmit të anëtareve. Kërkesa (naive) për përfshirje të disciplinave të ndryshme shkencore, edhe pa vlerë akademike ne ASHAK është e papranueshme. Pastaj, në ASHAK, duhet të këtë vend edhe për mosha më të reja e jo te rezervohet vetëm për ata të deceniës së shtatë e tetë, madje edhe të nëntë, kur akademiket e vërtetë thonë: jemi lodhur do pushojmë (por, pagat e majme, 1000€!).

Megjithatë duhet theksuar se në Akademi kanë zënë vend individët që në të “veçantën” e tyre kanë libra të shkollave fillore, të mesme dhe publikimet e tyre nuk kalojnë “jehonën shkencore e artistike” më shumë se në një vijë rrethore gjeometrike me rreze 100km larg shtëpive të tyre. Madje, edhe në atë hapësirë nuk njihen në mënyrën e duhur. Po ashtu, duke i shikuar biografitë e disave që u pranuan për anëtar me korrespodencë, po edhe anëtarë të rregullt, do të shihni se janë të mbushur me aktivitete humanitare, komerciale e funksione politike, që i lë anash çdo kriter akademik. Disa nga të përzgjedhurit, për të plotësuar biografitë me më shumë faqe, (disa fare nuk kanë të publikuara) kishin varguar vizitat zyrtare në botën perëndimore, që ishin kryer nga funksionet e pozitës shoqërore. Aq më keq, të njëjtat gjëra, me përmbajtje të njëjtë i kishin trajtuar dy e më shumë herë, dhe të përbashkëtat i kishin shndërruar në personale. Virtyti akademik nuk e lejon këtë assesi.

Vlerësimi i punës akademike nuk kap vetëm vëllimin e saj, por mbi të gjitha cilësinë

Vlerësimi i punës akademike nuk kap vetëm vëllimin e saj, por mbi të gjitha cilësinë e punës akademike. Prandaj, cilësia shkencore e artistike vlerëson portën e Akademisë, Universitetit edhe instituteve shkencore. Kjo cilësi akademike është lehtë e kategorizueshme. Rangimi vjen sipas numrit të punimeve të publikuara, rangimit të revistave sipas indekseve shkencore. Mbi të gjitha, vlerësimi më meritor shkencor gjendet nga numri i citimeve të punimeve shkencore të publikuara, po ashtu edhe për monografi shkencore, libra të publikuar, si dhe vlerësimi artistik i fjalës së shkruar, po edhe peshës artistike të brushës; ngjyrës së tonit të komponuar, që lënë gjurmë në kohën që jetohet. Kjo është ajo e “veçanta”, dhe mund ta shfletosh, sot, për të parë punën akademike të çdokujt e kudo qoftë. Kjo e gjitha vlen për një normalitet shoqëror, por ne po jetojmë në tkurrjen e këtij normaliteti, megjithatë vlerësimi akademik nuk bënë të shmang nga e vërteta. Por kjo shmangje e vlerësimit real te pranimi i anëtarëve të rregullt dhe me korrespondencë në Akademi ndodhi. Kjo uli vlerësimin në vertikalen akademike, se u shkel norma e vlerësimit.

Politizimi i Akademisë dhe deficiti i proceseve shkencore

Një duhet ta kemi te qartë, se, ajo që është kulmore te një shtet apo komb, e që përmbajtjes së saj i referohen të gjithë si pika më referente, për vlerë morali, dije e shkencë, art, kulturë e urtësi, është Akademia e Shkencave dhe e Arteve. Nga shkalla e cilësisë së saj, një popull reflekton para të tjerëve, në rrafshet e cekura, dhe pa të, një komb nuk duket i kompletuar. Prandaj, edhe akademiket duhet te janë brenda këtij përkufizimi. Por për ne ASHAK, kishte dhe ka një përfaqësim edhe politik, se me të, disi, u kompletuam me të gjitha për të marrë në duar fatin e një shteti që po lindte. Për këtë jemi disi edhe emocional për ASHAK-un, dhe u jemi mirënjohës forcave intelektuale e politike të kohës kur u formua ky institucion (1975). Megjithate, formimi i saj nuk ishte pa probleme, aq më parë kur proceset ishin të ngutshme, pa rrjedhje të natyrshme, gjithsesi do të rridhëte ndonjë mangësi. Mangësitë për kohën ishin brenda arsyes. Por, sot, në një ambient me shtet sovran, mangësitë nuk janë të lejueshme për asgjë, e në mënyrë të veçantë në nivele akademike.

Prandaj, vlerësimet për procese shkencore, historike e sociale, të Akademisë së Shkencës dhe Arteve të një kombi janë të paluajtshme. Sygjerimet e tyre janë më meritoret mbi politikat e shtetit, edhe pse nuk janë bartëse politike të shtetit. Së paku, të gjitha akademitë e shteteve në rajon, një pjesë të punës së tyre akademike e bëjnë në funksion të “mirëmbajtjes” së politikave të shtetit-kombit. Por, te shqiptarët kjo disi është duke munguar?! Pse? Sa duket mungojnë mendime reale akademike, përveç individëve të caktuar, mungon masa kritike e “trurit” akademik, për të vlerësuar në nivel akademik të duhur. Dhe, kjo që po ndodh sot te ne, lidhur për këtë emër, është brengosëse dhe i fakton mendimet e cituara nga shumë intelektualë e akademikë, se masovizimi dhe politizimi i saj tani më nuk është fshehtësi. Do thotë dikush, nuk ka të keqe nëse akademikët merren me politikë, ose shtohet numri me disa profesione (!?). Megjithatë, M. Veberi (Max Weber) thoshte: “Personalitet në fushë shkencore ka vetëm ai që i shërben pastërtisht shkencës. Por jo vetëm në fushën shkencore por edhe te arti”. Së këndejmi, as Getës, siç thoshte Veberi, nuk i lejohej që të jetë jashtë këtij binari, edhe pse një “personalitet i tillë lind një herë në njëmijë vjet”. Mjerisht, mungesën e vlerësimit të këtillë akademik (Veberian), ASHAK e ka në deficit në punën e saj.

Prandaj, saktë mund të vlerësohet se: morali, puna shkencore, në arte e kulturë, të krijuesve jashtë akademisë, tani janë më të larta se të atyre brenda akademisë. Ky është një shqetësim i arsyeshëm, i përgjithshëm dhe kërkon zgjidhje.

Ka periudha kohe kur duhet pritur vetëshkatërrimin e mediokritetit akademik

Personalisht, në kërkesë të gjetjes së këtyre vlerësimeve akademike, krejt rastësisht, e pash se si një akademik i Shqipërisë, në një shitore në SHBA, me bashkëshorten e tij kishte hajnuar mall në vlerë rreth 400 dollarë. Policia amerikane e vërteton saktësinë e lajmit dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë ia ngrin, akademizmin e tij, partia ku ishte e largon nga mesi i vet, fakulteti ia merr funksionin e dekanit. Në anën tjetër, m’u kujtua një vendim gjyqësor, kur një akademik kosovar dënohet, në formën e prerë, se ka hajnuar në arkën e shtetit në vlerë mbi 1200€, por atij nuk ia ngrinë akademizmin në ASHAK, e as partia e tij nuk ia mori kryetarllëkun. Bile të gjithë heshtin para këtij amoraliteti. Sociologët do të marrin këto dy raste si dy morale shoqërore, ndërsa psikologët do të thoshin se të hajnuarit është karakter individi dhe nuk varet nga akademizmi dhe as nga ajo se sa është individi i pasur apo i varfër. Megjithatë, mesi akademik i vërtetë i aborton këto karaktere që kundërmojnë pakëndshëm, se nuk bashkëjetohet me to?! Te ASHAK kjo nuk ndodhi, përkundër asaj se aty ka ca akademikë me shumë vlerë.

Prandaj, kur mbretëron heshtje intelektuale, e jetohet pranë krimit, (krim është edhe kur i mohohet e drejta e patjetersueshme individit, duke shkel mbi faktet) duhet të kuptojmë se është periudhë kohe kur duhet pritur më gjatë në vetëshkatërrimin e mediokritetit, se intelektualet më nuk kanë forcë transformimi mbi institucione, se shteti i brisht nuk po vepron.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora