E enjte, 28.03.2024, 12:42 PM (GMT)

Mendime

Skënder Buçpapaj: Të nesërmen e 22 marsit

E marte, 02.04.2013, 03:42 PM


TË NESËRMEN E NJËZET E DY MARSIT TË NJËZET E DYTË

NGA SKËNDER BUÇPAPAJ

Ai i djeshmi, nga mesnata e së enjtes deri tek mesnata e së premtes, ishte 22 marsi 2013. Duke përfshirë 22 marsin e parë, atë të vitit 1992, ai ishte njëzet e dy marsi i njëzet e dytë. Sot është thjesht e nesërmja.

Dita e djeshme u shënua nga Sali Berisha dhe nga administrata e tij, të mbledhur në Sheshin "Nënë Tereza" të kryeqytetit të Shqipërisë. Me të njëjtën përbërje, në të njëjtin vend, në të njëjtën mënyrë mund të ishte shënuar kjo ditë edhe të shtunën e 9 marsit. Sepse 22 marsi 1992 iu dorëzua pikërisht një 9 marsi, atij të vitit 1997.

Protagonistët e 22 marsit të parë ishin studentët e Lëvizjes së Dhjetorit të bekuar, me ëndrrën për përmbysjen e çrrënjosjen e komunizmit dhe për Shqipërinë në Evropë, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, me ëndrrën për lirinë dhe demokracinë perëndimore, ish pronarët, të gjithë të pakënaqurit e periudhës gjysmëshekullore të diktaturës së Enver Hoxhës, me ëndrrën për shtetin e së drejtës, për shoqërinë e shanseve të barabarta.

Në cilësinë e përveçme të një prej këtyre protagonistëve, unë i hedh këto radhë për lexuesit e mi.

Shqipëria e atij 22 marsi të parë trashëgonte hendekë të mëdhenj të së kaluarës. Mjerisht këta hendekë në këto vite vetëm sa janë thelluar. Dhe janë krijuar hendekë të tjerë, përvjet e përditë vetëm duke u thelluar.

Ishin hendekë midis të privilegjuarve dhe të paprivilegjuarve të diktaturës, përkatësisht midis të kënaqurve dhe të pakënaqurve të diktaturës. Sot të privilegjuarit e atëhershëm, përkatësisht të kënaqurit e atëhershëm shtiren sikur kanë qenë ata më të diskriminuarit, më të shtypurit, më të paprivilegjuarit, më të pakënaqurit.

22 marsit 1992, prej së nesërmes, e hënë, 23 mars 1992, i rrinte prapa derës ditë e natë 9 marsi 1997. Natyrisht, nëse viheshin në jetë idealet e atyre që e sollën 22 marsin 1992, nëse viheshin në jetë energjitë pozitive të protagonistëve të tij, 9 marsit 1997 do t'i ishin mbyllur përjetë të gjitha dyert. Ato ideale kurrë nuk u vunë në jetë, ato energji kurrë nuk u vunë në jetë. Në vend të tyre, u vunë në jetë idealet e kundërta, u vunë në jetë energjitë më negative të grumbulluara gjatë diktaturës.

Prandaj flamujt blu në duart e administratës së Sali Berishës rrezatonin më shumë se kurrë kuqëlim enverist. Prandaj emblema e bardhë PD, në mesin e flamujve, rrezatonte më shumë se kurrë drapëreçekanin e artë punist.

Me votën e protagonistëve të 22 marsit të parë, PD do të vinte në pushtet, kjo votë nuk do t'i mungonte as përgjatë terrorit të vitit 1997 dhe gjatë tetë viteve që pasuan. Kjo votë, për absurd tashmë, nuk i mungon deri sot PD-së.

Pas votës së 3 korrikut të vitit 2005, shqiptarët shikojnë me habitje se në pushtet janë restauruar pikërisht protagonistët e 9 marsit 1997. Ata që e larguan Partinë Demokratike nga dhjetoristët, nga antikomunistët, ata që u bashkuan me lobet më antishqiptare në botë për të mbytur në zjarr dhe në hekur Shqipërinë më 1997, ata që fabrikonin netëve slloganet me të cilët turmat tregishtërore do të sulmonin shtetin e Shqipërisë, ata që do të hypnin mbi tanke me grada helene, ata që do të shkonin në Beograd tek Sllobodan Millosheviçi, ata që hymnizonin skemat piramidale, pikërisht eksponentët e klanit më të paudhë të PPSH, të priviliegjuarit më të mëdhenj e të kënaqurit më të teptisur, janë sot këmbëkryq në kreun e administratës së Shqipërisë.

Të privilegjuarit më të mëdhenj e të kënaqurit më të teptisur të diktaturës janë sot më të pasurit e vendit. Janë bërë të pasur pa i shtuar pasuri të reja Shqipërisë. Edhe njëzet e sa vjet pas hapjes ndaj botës, buxhetet e Shqipërisë bëhen duke shitur hidrocentralet dhe pasuritë e tjera të krijuara gjatë diktaturës së Enver Hoxhës.

22 marsi 1992 ishte një ditë ankthi si për ata që do të votonin për Shqipërinë e re, si për ata që do të votonin për Shqipërinë e vjetër. Ishte një ankth në heshtje. Heshtja e të parëve ishte heshtje e kthjellët. Heshtja e të dytëve nxinte. Ai 22 mars mund të ishte një ditë që ndante dy epoka. Mjerisht, jo.

Shqipëria e së nesërmes së 22 marsit 1992, Shqipëria e atij 23 marsi, ishte një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri që rrezatonte shpresë. Një shpresë që do të mbetej në embrion.

Prandaj më këtë 23 mars, të nesërmen e njëzet e dy marsit të njëzet e dytë, 22 marsi 1992 nuk mund të shkruhet ende me gërma të mëdha.

22 marsi do të mund të ishte festë e gjithnjë e më shumë shqiptarëve. Mjerisht, siç e pamë dje, është festë e gjithnjë e më pak shqiptarëve.

Pa u parë mirë dhe thellë në pasqyrën e 9 marsit 1997, 22 marsi 1992 nuk do t'iu rikthehet më shqiptarëve.



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora