E shtune, 20.04.2024, 03:08 AM (GMT+1)

Editorial

Lek Pervizi: Guljelm Deda, intelektual i shquem shkodrane

E enjte, 08.05.2008, 08:25 PM


Lek Pervizi
Guljelm Deda
intelektual i shquem shkodrane

Nga Lek Pervizi
      
Kush e kishte mendue se do te vinte dita qe une te shkrueja per Lemin, ndersa kishte njerez te tjere te atij niveli, bashkevuejtes e kolege, qe mund te paraqitnin figuren e tij, si njeri, si intelektual, si shkrimtar, si perkthyes, si profesor e si i burgosun dhe i internuem me denim te perjetshem ? Une qe mund te quhesha nje nxanes i tij, m’u dha rasti ta njoh e te bashkejetoj me te nder kampe te ndryshme, ne nje moshe fare te re, ku diktatura na kishte pllakose, pa shprese shpetimi !
             Ne fakt isha i parapergatitun per ta njohun, sepse me kishte fole vllai im Valentin, qe kishte kalue bashke me te dy vjet ne burgun e Shkodres. Lemi me shoke ishte denue ne nje seance gjyqsore, ku kishte spikate egersia shtazarake e prokurorit famekeq Aranit Çela. Pretenca u kishte kalle tmerrin, sa qe prisnin nje vendim per pushkatim, gjashte veta si zakonish, nder ta Guljelm Deda, mesuesi kosovar Zef Agimi, Mark Temali, Nush Doda dhe dy te tjere. Per çudi te te gjitheve shpetuen me denime te lehta ne dukje, por qe zgjaten pastaj nje jete te tane. Ishte e vetmja seance qe nuk pati denime me vdekje, te atyne seancave qe kishin çue ne pushkatim me qinda intelektuale e patriote shkodrane. Aranit Çela, xhelat i vertete, merrte  pjese personalisht e me doren e vet ne ekzekutimet !
          Koha kalonte, Lemi i bani pese vjet burg e kampe pune, prej ku doli gjalle kot, pune fati ! Kur ja , « dora e partise » e kapi prape  me kthetrat e saj dhe e degdisi ne kampin e Shtyllasit, bashke me shume shkodrane dhe te tjere bashkatdhetare, te fajshem se leshonin hije mbi dhe ! Pjesa ma e madhe intelektuale te larte, ish ministra, drejtora, oficera madhore, personalitete, profesor, filosofe, klerike te shquem, shkrimtare, piktore, muzikante,  inxheniera, juriste, agronome, studente, etjere, me disa doktorata e me disa gjuhe te hueja ne zotnim. Mes tyne dhe bijt e te arratisunve te randesishem. Une e Valentini u perfshime ne kete vale, dhe perfunduem po atje bashke me bij te tjere baballaresh. Keshtu une e njoha Lemin dhe menjehere u miqesuem, pavaresisht nga diferenca e moshes. Na afroi drita e jetedhese  e pishtarit te zjarrte te Prometeut, heroj i pavdekshem i gjithe atyne qe vuejne te mberthyem ne prangat e tiranise njerezore, qe misherimin ma te kobshem e kishte ne diktaturen komuniste, qe po bante kerdine mbi  popullin shqiptar. Qe po çfaroste shtresen me te ngritun intelektuale dhe patriote te atdheut e Kombit ! Nje perfaqesues i denje i kesaj shtrese elite, ishte patjeter dhe Guljelm Deda.
         Kater vjet i kaluem ne kampin e Kuçit, hiç si sasi numerore, por qe nuk kalonin kurr. Atje, ne te njejten dhome, te mberthyem nande veta.  Lemi ne qoshen lindoren, e me radhe, Valentini, Fatbardh Kupi, une bri deres. Perballe nesh, nga qoshja perendimore, Nikoll Paluca, Pjeter Bardheci, Zef Shiroka, Tomorr Dine, Ibrahim Sokoli e Thabit Rusi. Dhoma jone u ba qendra e gjithe kampit, dhe mbushej gjate dites deri ne mbramje plot e perplot me njerez, me tym duhani, me llafe e fjalime, me diseratcione e referate, me lexime e recitime, me kange e tinguj muzikore, me britma e vikama. Komanda na kishte lane te lire te bridhnim neper dhomat, por per çudi te gjithe grumbulloheshin vetem ne dhomen tone, qe mori namin e nje auditori akademik. Kur fillonin debatet, ato zhvilloheshin me za te nalte e me pasion te zjarrte, me na e pase zili oratoret e medhej, Demostenet e Ciceronet e lashtesise.  Ali Erebara na lexonte çdo nate nje liber me histori mbretnish, qe kishte perkthye nga Kroatishtja, (zoteronte 12 gjuhe ! ).  Lemi e ngriti çeshtjen ne nivel Akademie, me 50 e sa intelektuale qe ishin mbledhun aty me kokrra. Familjet qe vinin ne takim kishin sjelle libra te zgjedhun. E gjithe letersia frenge e angleze u shfletue ma se njehere, me kontorno nga kultura italiane e gjermane. Te rijte mesonin sa u dilnin trute : frengjishten, anglishten, gjermanishten, italishten, e doli Myqerem Bej Janina per mesimin e turqishtes. Ishin te tjere qe zotnonin gjuhet evropiane, si gjermanishten, anglishten, frengjishten, italishten, gjuhet sllave, romanishten, greqishten, etj. etj. Emnat e tyne e tregojne: Mikel Koliqi, Ali Ererbara, Mitat Araniti, Lazer Radi, Ali Cungu,  Sander Saraçi, Zef Shiroka, Ibrahim Sokoli, Mark Temali, Baldasar e Zef Benusi, Nedim Kokona etj. etj. Ec e thuej pastaj se Kuçi nuk u shendrrue nga burg ne universitet apo Akademi. Ç’ te qeshuna ! Dikush propozoi te beheshin dhe dipllomat. Fajin e pata une qe s ‘i vuna randesi dhe nuk i vizatova. Do kishte qene nje pune e pashoqe ! Dhe ja, i erdhi Lemit nje liber. Ia solli vellai Pashko. Ishte  poemi epik « Orlando Furioso » i Ludovik Ariostos, 40 mije vargje ne dymije oktava me rime, nje kryeveper e letersise italiane dhe botnore. Duhej perkthye, sepse askush nuk e kishte marre persiper ate barre te rande. Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj e Mark Dema, ia kishin rekomandue Lemit. Aty, ne ate qoshe gjysme te errte, mbi nje fletore kalamajsh, filluen te radhiten shqip vargjet e poezise klasike te Ariostos, oktavat e te cilit ishin percaktue « te arta », per bukurine e persosmenine e tyne. Lemi yne po i radhiste po aq bukur dhe po aq persosmenisht ne gjuhen e Gjergj Fishtes. Qe ne fillim u pa se vepra qe ai kishte nise, pa asnje perspektive fitimi, ishte vetem si nje perkushtim dhe nje mundesi te venies ne levizje te trunit dhe te aftesive qe diktatura donte te shuente. Sa te luente domino, apo spathi e deri « bridge », shah, cicmic etjera, ma mire me lexue apo radhite njato vargje njembedhjeterrokshe me rime.          
            Krijimtaria e Lemit, sikur e shume te tjereve, ishte bllokue qe ne nentor 1944.
            Nje poem historike « Vegim » qe ai kishte nise ne burgun e Shkodres, nen vrullin e nje frymezimi te papermbajtun, mbeti i gjymtuem vetem ne pese tingellime, gjithsejt 60 vargje njembedhjete rrokshe. Biles tre vargjet e fundit, priten me durim te stermadh, plot 46 vjet qe te radhiteshin perfundimisht, prej nje dore qe tashma dridhej. Torturat e mundimet e kishin sfilitun ate trup te gjalle e te lidhun ! Diktatura kenaqej, kur merrte vesht te tilla gjana. Por te rikthehemi atje maje Kuçit, ku ndizej flaka e dijes. Ishim ne vendin e shqopes. Vendosa te gedhend nje çibuk,  Prometeun e lidhun, ate hero qe na frymezonte e ne te cilin e ndienim veten te misheruem. Kisha pase sajue nje thike me nje cope helmete gjermane, qysh ne kampin e Tepelenes. Çelik i persosun ! Me ate iu vuna punes. Ne fakt kisha gdhende per qejf te duhanxhive miq,  çibuke me koka luajsh, pleqsh, satirash, delfinash etjera. Keshtu arrita te gdhend Prometen e lidhun me zinxhire pas shkambit, prej ku dilte tymi i duhanit si prej nje vullkani. Ndersa shqipja ia kishte ngule kthetrat e ia sqeptonte melçine. Ia dhurova Lemit. Gdhenda dhe te tjere per shoke te ngushte te vuejtjeve. Lemi u frymezue dhe i thuri nje poezi çibukut – Promete. Por nuk mbeti me kaq. Nderkohe kisha gdhende nje skulpture te vogel, po ne dru shqope,  nje luftim trup me trup i nje « dragoni ose kreshniku » me nje perbindsh « kulçeder », qe lidhej me legjendat popullore dhe njekohesisht me gjendjen tone, me qendrese te papermbajtun kunder diktarures perbindeshe te komunizmit, qe misherohej ne kulçedren gllaberuese. Edhe kesaj « vepre arti », Lemi nuk ndejti pa i thure disa vargje, qe per fat kane shpetue ne kujtesen time. Kjo poezi u shkrue ne kampin e Gradishtes, 1958 – 1959. 

Guljelm Deda
Italishten une e zotnoja mire, sepse  e kisha levrue ne nivele letrare dhe per shqipen isha i prirun me i kapercye rregullat e ngurta te thekseve, qe i queja te kota, sepse e detyronin lexuesin te nxirrte tinguj te rande hundor e fytor. Veçanerisht per gegnishten letrare. Per keto probleme gjuhesore ishin krijue debate, dhe une kisha mbrojte tezen time, qe Lemi ma kishte perkrahun. Kjo ide nuk me kishte ardhe kot. Kisha pase rastin te ndigjoja mendimet e disa profesoreve te letersise e gjuhes shqipe, si Pashko Gjeçi, Henrik Lacaj, Mark Dema, Viktor Volaj. Qeshe i pari ai kujt Lemi i besoj leximin e perkthimit, dhe vrejtjet e mija i pelqyen. Perkthimi i dy kangeve te para ishte i nivelit te nalte letrar. Por atje maje Kuçit, Lemi e pezulloi punen perkohesisht, sepse u pa se do te na hiqnin prej andej per ne fermen e Lushnjes, ku ishte krijue nje sektor i ri, kampi i internimit  te Gradishtes, mes kenetes, ku kishin çue familjet tona.
         Ky pershkrim mund te quhet i panevojshem per nje parathahnje, ndersa mue me duket i domosdoshem, per te hy ne mbrendine e asaj miqesie qe lindi dhe u forcue ne kondita te veshtira denimi, por nga ana tjeter dhe nga nje perputhje mendore e shpirtnore persa i perket kultures, artit dhe letersise. Vllai im Valentin, 10 vjet para meje e pothuej moshatar me Lemin, kishte nje miqesi te ngushte me te, por per çeshtjet letrare e artistike une isha ma i afruem dhe ma ne mirekuptim. Prandaj, pas kaq vjetesh, kur Lemi doli ne Itali, veprat e tija mi besoi te gjitha e prandaj une vendosa qe ta paraqes para lexuesve shqiptare, ndonse kaq thjeshte, por me nje mbrendi shume te thelle. Kjo mbrendi pra del pikerisht nga ato letra, nga ato rreshta te radhitun me nje dore qe dridhej e nuk i bindej, sa qe detyrohej te ia diktonte grues se tij besnike e te vendosun, Marie Muzhani, e bija e profesorit te mirenjohun shkodran, Luigj Muzhani.
       Keto letra te pakta, jane testamenti i fundit shkrimor i Guljelm Dedes, dhe njekohesisht nje pasqyre e mendimit dhe e shpirtit te tij te trazuem, nga pamundesia per te shpreh dellin e vet krijues ne vepra te denja letrare, me nivel te lart artistik. Prandaj, ndermjet letrave kam radhite disa nga krijimet e tija poetike se dhe komentin e bukur kushtue xhevahirit te poezise epike popullore, kanges kreshnike te « Gjergj Elez Alise », e ne mbyllje, parathanjen per studimin mbi gjuhen e Bogdanit ne vepren « Cuneus Prophetarum » - Çeta e Profeteve, te perkthyeme prej meje shqip, nga teksti italisht qe Lemi kishte hartue per te mbrojte lauren per letersi – filosofi.
       Per te plotesue dhe ma mire kete permbledhje te krijimtarise dhe te perkthimeve, do te paraqes edhe disa perkthime qe ai mjeshtrisht kreu nga gjuha shqipe ne ate italiane, si dhe disa pjese nga perkthimet ne gjuhen shqipe. E pashe te aresyeshme, sepse nepermjet tyne, del ne pah figura e ngritur e tij si njeri i kultures, si shkrimtar, si poet i mirefillte e si gjuhetar.
       Shkodra ka me ke mburret. Ajo ka nxierre vazhdimisht e ne te gjitha kohnat bij te denje per ta perfaqesue e naltesue, qofte heroj e burra shteti po ashtu njerez te dijes e te kultures, njerez te vendosun e te mbrujtun me shqiptarizem te kulluet. Qyshe nga Buzuku, Budi, Bogdani, Barleti e deri te Fishta, Mjeda, Gurakuqi, Koliqi, Camaj, Migjeni, etjere, te afirmuem historikisht, dhe te ata qe mbeten akoma heroj e dijetar te heshtun, sepse u pllakosun ne varrin e perbindshem qe diktatura e eger e barbare komuniste e kishte gerrye me tytat e armeve vrasese, e cila zbatoi politiken e huej e anmike te sllavizmit, per te zhduke shqiptarizmin, qe e merrte frymezimin dhe forcen pikerisht nga shtresat intelektuale patriotike. E ne Shkoder, u ba kerdia ! Zalli i kobshem i Kirit u mbush me gjak e me varre. Me gropa te perbashketa qe edhe sot e kesaj dite nuk u po gjenden eshtnat e viktimave. Shkodra vete u mbush me burgje. Gjyqet speciale, nen drejtimin e Josif Pashkove, Aranit Çelave, e me urdhen te « Partise », i çuen bijt ma te zgjedhun te Shkodres para skuadrave te pushkatimit e ne burgje e kampe çfarosje e internimi, per gjate nje gjysme shekulli ! Ashtu mbaruen talente e burra qe posa kishin fillue te afirmohen, si Ndre Zadeja, Vinçenc Prenushi,  Gjon Shllaku, te cilet u eliminuen ma lehtesisht se sa me keput nje fije bari. Fatin e tyne ndoshta mund ta pesonte edhe Guljelm Deda me shoke, por nuk ishte shkrue ashtu. Ata i priste nje rruge e gjate mundimesh, nje Kalvar i pa pershkrueshem vuejtjesh, per tu asgjesue shpirtnisht, moralisht dhe mendorisht. Por ja qe mbijetuen dhe munden me lane gjurmen e tyne te pashlyeshme, ne historine e kultures shqiptare. Sepse jane po ata bij te Shkodres qe i dolen zot lartesimit te kultures shqiptare, tue e pasunue me perkthimet e kryeveprave te letersise botnore. E kjo ishte nje merite, por nje merite qe kerkonte talent letrar e kompetence gjuhesore. Emnat e Pashko Gjeçit, Henrik Lacajt, Gjon Shllakut, Guljelm Dedes, Mark Demes, Injaz Zamputit,  etj., jane te shkruem me germa te arta ne librin e nderit te qytetit te Shkodres. Emnat e tyne lidhen me emnat e koloseve te kultures botnore, si Homeri, Virgjili, Lukreci, Horaci, Ovidi, Dante, Ariosto, Tasso, etj., qe ata i perkthyen e ia dhane lexuesve shqiptare.
           Ne sektorin Plug te Lushnjes, filloi puna e vertete e perkthimit, ku erdhi me u takue me Lemin edhe Mark Dema, i cili i solli nje botim te mire te «  Orlando Furioso » me mendime, udhezime e kurajo. Mark Dema e vleresonte Lemin se tepermi, dhe e inkurajonte te vazhdonte me ngulm ate perkthim qe u duk qe ne fillim i nivelit te larte letrar.
       Lemi punonte ne nje brigate ndertimi, me te internuem. Shoket e punes e lehtesonin Lemin, duke mos e lejue ne pune te randa. Ne kete menyre ai kishte kohe e force per te luejt lapsin mbi rimat e vargjeve te Ariostos. Ne 1962 u martue me Marie Muxhanin, e bija a Prof. Luigj Muzhani. Me kete rast dega e brendeshme e transferoi ne Saver, ku i caktuen nje dhome, ne barakat e te internuemve. Familja e Maries i dolen zot dhe Lemi iu vu perkthimit ma me ngulm. Ne kete kohe u ba nje lirim, me 1964, dhe Lemi perfitoi. Çeshtja e perkthimit kishte arrite deri ne sferat e larta shtetnore, kryesisht te Ministrise se Brendeshme. Kishte dale nje udhezim per perkthimin e te gjitha kryeveprave te letersise botnore, qe pat nismen me perkthimn e « Komedise Hyjnore » te Dantes nga Pashko Gjeçi.  Por politika e diktatures po merrte nje kthese ma te zeze e te kobshme per vendin. Lidhja me Kinen, solli nje katastrofe tjeter ne Shqipni, qe me te famekeqin « revolucion kulturor », iu nenshtrue nje radhe masash represive dhe ashpersimi te « luftes se klasave » qe perfshiu dhe kulturen. Veprat e kultures Europiane u ndaluen, si borgjeze, fetare, imperialiste etjera mbiemra denigrues. « Orlandi i çmendun » tashma i perkthyem krejtesisht, mbeti ne sirtaret e shtepise se Muzhaneve, ku Lemi banonte. Por syni vigjilent i « nanes parti » e zbuloi perseri Lemin dhe e mori per ta syrgjynosun ne nje kooperative te humbun te Myzeqese, ne fshatin Ndernenas, ku qendroi 24 vjet, tue shkrue vargje ne parcelat e misrit e te pambukut, me kazme, lopate e duer ! Keshtu i vleresonte regjimi njerezit e dijes e te kultures !  Edhe kesaj mynxyre Lemi arriti t’i mbijetoje. Por kur e takova pas 20 vjeteve ne Tirane ne veren 1989, dallova pasojat e randa te nje jete te tane vuejtjesh e torturash te çdo lloji, qe ia kishin damtue shendetin, sa qe i dridheshin ato duer, te krijueme me shkrue poezi e vepra te tjera shkrimore, kurse tani ai nuk mund t’i zoteronte ma, qe t’i bindeshin fillit te mendimit e te frymezimit qe kurr s’i kishin mungue as i mungonin. Por i mungonte fuqia trupore ! Ky kishte qene dhe qellimi djallezor i regjimit totalitar te diktatures komuniste. Asgjesimi i vlerave dhe njerezve qe perfaqesonin kulturen e vertete kombetare ! Jo rasteshist, eshtnat e Gjergj Fishtes, te Ndre Zadejes, te Gjon Shllakut etj., u hoqen nga varret dhe u hodhen ne lume apo liqe.  Veprat e tyne u ndaluen rreptesisht. Por diku atje nder bjeshket e nalta, ushtonin e jehonin kanget homerike te « Lahutes se Malesise », qe populli i kishte skalite ne mendjen e ne kujtesen e tij, per te mos u harrue kurre. Kurse Lemi me shoke, ishin te destinuem te shkriheshn e te sfiliteshin deri ne qelizen e fundit te perberjes trupore e mendore, per te mos i lejue qe te krijopnin vepra te tilla te pavdekshme !
           Fatet e popujve te robnuem nen komunizem, befasisht ndryshuen. Muri i turpit dhe i ndarjes se botes ne dy kampe te kunderta u shemb, e me te u shemben diktaturat bolshevike staliniane te Europes Lindore. Edhe ne Shqipni po ndodhte ajo shembje, ndonse me permasa te dyshimta. Lemi gjeti rastin dhe mundi me kalue ate det Adriatik qe e ndau nga Evropa per nje gjysme shekulli, per te kerkue shpetim e sherim ne boten e qytenimit perendimor, pikerisht ne ate Itali, ku ai kishte mbarue studimet e ku kultura kishte qene gjithmone ne plan te pare. Pritja ne Itali, qe tronditese deri dhe mohuese ! Askush nuk e çante koken per vuejtjet e ketyne herojve dhe martireve te shekullit XX, qe i kishin qendrue te pamposhtun tiranise gjakatare gjysme shekullore.  Mezi i dhane statusin e refugjatit e lejen e qendrimit, pa asnje ndihme tjeter. Fale disa qendrave fetare, murgesha e priftna, qe Lemi dhe Maria munden me gjete ndihme e strehim te perkoheshem ne Trieste, e pastaj te perhershme ne Perugia. Ne letrat e tija spikat ky qendrim apatik e mosperfilles, ndaj nje njeriu, qe nese vuejti, vuejti per parimet ma te larta te shoqerise njerezore, per idealet e medha te lirise e demokracise. Lemi me shoke pesoj mohimin e shkeljen e te gjitha te drejtave, qofte ma elementare, te njeriut, ne emen te shprehjes abstrakte « Njeriu kapitali me i çmuar… » qe Lenini e Stalini paten krijue ne leter dhe qe e zbatuen ata vete  dhe pasuesit e tyne ne praktike, tue e kthye kete njeri ne nje vegel pune, qe si e tille mund te bante pjese ne kapitalin e « çmuar » !
         Edhe Lemi yne, ishte pjese e ketij kapitali te « çmuar ». Per diktaturen i « çmuar » si skllav. Per shoqerine i « çmuar » si intelektual. Per boten perendimore i « çmuar » si refugjat, kallep. Per kulturen i « çmuar » si talent. Per Kombin i « çmuar » si  hero e martir i gjalle. Per historine i « çmuar”  si viktime, nder mija viktima. Por Lemi nuk ishte nje viktime dosido, dhe prandaj ne i japin vendin qe meriton, ate ne radhe te elites se kultures njerezore e kulturore te kombit shqiptar.
          Njeriu dhe intelektuali tek Guljelm Deda, jane nje perberje  e dyfishte qe nuk mund te ndahen, ndonse me pika dalluese te kunderta. Ata qe kane njohun Lemin, si para burgjeve, gjate tyne dhe pas daljes ne liri, arrijne kete perfundim. Nje Lem energjik e plot jete, trup forte dhe fjale paket. Kur shoqeria e kerkonte, shfaqej nje Lem i papermbajtun, i qeshun e plot humor, edhe ne konditat ma te veshtira. Gazi i tij homerik, ngjallte entuziazem dhe perfshinte te gjithe ata qe i rrinin per rreth. Por kur e kerkonte puna, ai dinte me fjale te zgjedhuna e te rafinueme, me qendise fjalime e referate si ma i miri orator i auditoreve akademike.  Jepte me kompetence gjykime mbi problemet letrare – artistike, gjuhesore e filosofike etj. Nuk ishte fare praktik per punet e krahut, ku nuk ia thoshte fare ! por per punet mendore nuk i ishte fale kujt !
           Gjithe sa radhita une deri tani, dalin vetvetiu nga leximi i kujdeseshem te ketyne pak letrave e pak shkrimeve qe ai na ka lane. Tue mos harrue se keto te pakta shkrime, jane te karakterit krejtesisht personal, si letra miqve e shokeve apo familjareve ose  ndonje personalitetit te kultures. Letra qe permbajne shume te dhana te shprehuna ne pak rreshta por me kuptime te thella. Por te mos harrojme, siç e kemi thane, se Guljelm Deda na ka lane nje veper madhore, perkthimin e persosun te kryevepres se letersise italiane dhe botnore, « Orlando i Çmendun » te Ludovik Ariostos. Perkthim i shkalles me ta larte nga ana letrare, gjuhesore dhe poetike, me ia pase zili vete autori famemadh. As  gjermanet nuk kane arrite ta perkthejne, lene popujt e tjere, si rus, polake, rumune, etj. Vende te tjera e kane perkthye ne proze. Perkthimi i ketij poemi kerkon te jeshe vete poet e zotnues i gjuhes ame dhe i gjuhes se autorit. Keto veti e cilesi Lemi i kishte te gjitha, shtoi deshiren per te shkrue e krijue qe ai nuk mund te realizonte, se ia shkurtonin duert e koken. Prandaj, perkthimi i tij, duhet konsiderue dhe si nje veper, mbi te cilen ai punoi sikur t’ishte vete shkrimtari krijues, kaq hapesine shprehje i kishte dhane diktatura, qe ia kishte mbyllun e ndalue çdo shprehje tjeter te pavarun.  Ne kete kontekst, puna e tij duhet konsiderue ne kend veshtrimin letrar e gjuhesor e sa i sherbejne ato letersise dhe gjuhesise shqiptare. Asht fare e kuptueshme se vepra e tij do te ushtroje ndikim, veçanerisht ne trajtimin e gegnishtes letrare, ku asht mjeshter dhe kompetent. Mjeshter persa i perket anes artistike te trajtimit te tekstit poetik italian te dhanun shqip, nepermjet shprehjeve, lokucioneve, krahasimeve, aforizmave, etj. Ne gjetjen e rimes, qe e ban Arioston nje nga poetet ma te zorshem per t’u perkthye, sepse oktava e tij perbahet nga gjashte vargje me rime te alternuar dhe dy vargjet e fundit me rime te puthitun, sipas skemes, AB,AB,AB,CC. Te mos harrojme se vargu njembedhjet rroksh, varg klasik, asht varg nga ma te veshtiret per t’u trajtue. Te Guljelm Deda, keto veshtiresi nuk kane ndikue fare, sepse ai ishte i pasun ne fjalor dhe sterhollime gjuhesore shqipe, si dhe mjeshter ne perdorimin e trajtimin e metrikes, sepse vete poet i mirefillte. Puna lavdiplote e Lemit, si dhe e kolegeve te tij perkthyes qe kemi permendun, e ngrejne gjuhen shqipe ne nivelet e gjuheve ma te afta dhe ma te pasuna persa i perket perkthimit dhe interpretimit te gjuheve te tjera Europiane apo te viseve te tjera, si rrjedhim si nje gjuhe e plote dhe e perpunueme. Para kesaj çfaqje te permasave letrare te larta, ku gjuha shqipe ka tregue te tilla cilesi dhe aftesi adaptimi deri ne tejkalim te mundesive te kufizueme prej botekuptimeve negative qe bota ka pasun e ka ushqye ndaj kultures shqiptare, kjo kulture ngrihet si monument i ndritshem e madheshtor, jo pse i dhame botes kryeveprat tona te mbetuna te pa perkthyeme ne gjuhe te hueja, por pse dijtem e qeme te zotet te pervetesojme kryveprat botnore ne gjuhen tone shqipe, si nje proçes natural i kesaj gjuhe, qe kryveprat i perkthen si kryevepra, dhe jo si trajtime formale e artificiale, pa shpirt e ndjenja artistike e pa frymezim, sa per dijeni te lexuesit, siç ka ndodhu ne disa raste.
      Ne mbyllje te kesaj parathanje, mjaft te gjate, mund te themi, se Guljelm Deda, mbetet, si me ato pak vjersha qe ka lane, ashtu edhe me disa shkrime studimore, por sidomos me perkthimin e tij madhor « Orlandi i çmendun », nje njeri  me veti te ralla, qe ndonse dhuna, terrori dhe denimet deshten ta shkaterrojne e ta asgjesojne, pati ate kurajo dhe ate fuqi shpirtnore e mendore, ne shembull te Prometeut, te mbijetoje tue e perballue stuhine e diktatures pa iu tremb syni. Ruejti dhe mbajti te ndezun ate flake te Prometeut, per ta ndriçue rrugen e vet dhe rrugen e kultures shqiptare denjesisht e me krenari.  Para te tilla figurave qe misherojne njekohesisht kulturen dhe heroizmin e popullit dhe kombit shqiptar, duhet te perulemi me respket e nderim, sepse ata mbartin gjithe ate bote shpirtnore e mendore shqiptare, qe i qendroi e paperkulun shekujve dhe dijti t’i qendroje dhe viteve te trishta e te kobshme te diktatures ma te eger qe ka njohun historia.
           Lemi asht nje nga ata perfaqesues heroike te kultures shqiptare, nje shkodran, qe lindi u rrit aty ku qendroi i ndezun gjitmone zjarri i lirise dhe i kultures  nder shekuj, e do te qendroje akome nder shekujt e ardhshem. Nje bir krenar i ketyne trojeve,  i denje per te qendrue mbi piedistalin e nderit perkrah shume figurave te tjera te ndrituna te kultures kombetare shqiptare :  Nder i Shkodres e nder i Shqipnise !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora