E shtune, 20.04.2024, 01:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Vdekje heroike për së gjalli

E marte, 02.04.2013, 05:52 PM


VDEKJE HEROIKE PËR SË GJALLI

NGA KALOSH ÇELIKU

Dhe, Djemnusha më shkruan e zemruar tymeflakë në një mesazh para Vitit të Ri 2013:

Ujk, deri në ora 18.00 jam në këtë Qytet, rrëzë Sharrit Plak… Eja para Vitit të Ri!... Babadimrit, me sajë e një thes dhurata… Përderisa, nuk ka ardhë i pari me një pizi patriotike Këlyshi me zgjebe i DoktorZiut.

Unë e vras mendjen çka t’i them, shkruaj Xhadisë? Nata më duhet mua të arratisurit në Baba Tomor! Nata. I përgjigjem aty për aty me një mesazh:

Heu, edhe njëherë, gëzuar Viti i Ri! Saja më është thyer në rrugë. Bythekrye kam përfunduar në një përrua, Qafë Thanë. Nuk deshi Zoti, që sot të vij në Tyrben e Babashehut. Varrin e tij me libra. Dhe, t’i rrokullisim së bashku deri në agim disa shtamba me verë para këmbëve të Babadimrit… Vitit të Ri...

Megjithatë, Viti Ri i ka 365 ditë…

Në ndërkohë, me telefon më paraqitet gazetari i rubrikës së kulturës, emisionit javor në Radio Shkupi.

- Alo, jam udhëheqësi i emisionit Mozaiku Kulturor. A kishe pranuar nesër në ora 09.00 përmes telefonit të jesh mysafir i këtij emisioni debativ kulturor në prag të Vitit Ri? Tema është: kultura shqiptare gjatë këtij fundviti.

- Me gjithë qejf, po viti që iku, më tepër ka qenë si vit i përvjetoreve historike, përurimeve të librave me thasë të partizanëve të partive politike me vlerë e pa vlerë artistike. Ekspozitave figurative personale e partiake, takimesh familjare e reklamimesh politike të shërbetorëve të Oborrit me shalla kuqezi përqefe para kamerave televizive. Lëvdatash në baza partiake, e shumë pak organizimeve të aktiviteteve  kulturore artistike, me përjashtim të “zhurmës kulturore” të përditshme. Vit historik si Ditët e Plakave në fund të marsit me shi, stuhi e borë të madhe nga qielli: Prill bre vëlla/ m’i jep tri ditë hua/ ta shuej plakën me gjithë çka ka!...

- Nuk prish punë në ditën e sotshme. Me rëndësi është, nesër të jesh mysafiri ynë drejtpërdrejtë nëpërmes valëve të Radio Shkupit.

Dhe, u pajtova si artist i arratisur mes dy shtambave me verë. Shkaku se, ky ishte i vetmi emision kulturor në gjuhën shqipe, që i përcillte dikur me rregull aktivitetet dhe ngjarjet tona kulturore. Njëherit, edhe i vetmi emision kulturor në IRJ të Maqedonisë që nuk ishte ende i politizuar gjer në palcë nga partitë tona politike “demokratike”.

Të nesërmen, herët gjatë emisionit: Mozaiku  Kulturor, cingërroi telefoni:

- Mirëmëngjesi, u paraqitë një zë i bukur radiofonik femre! Mirëmëngjesi, iu përgjigja. Moment, qëndroni në lidhje! Muzikë matanë gardhit: një këngë popullore kërçovare: “Në bahçe na ka ra bryma” e këngëtarit legjendar, Rexhep Zajazi. Në fund të këngës u paraqitë gazetari i emisionit kulturor: Mozaiku Kulturor, jeni në valët e drejtëpërdrejta të Radio Shkupit. Aktivitetet kulturore gjatë këtij fundviti?

- Tungjatjeta! Pikësëpari i  përshëndes dëgjuesit e Radio Shkupit! Njëkohësisht, edhe realizatorët e këtij programi! Viti plak që iku matanë malit, qe vit historik i veshur kuqezi me plot “zhurmë kulturore”. Po, jo edhe për Kalosh Çelikun si shkrimtar, që mezi ia vodha natën një roman për fëmijë: Qengji më tha: ha bar, Cuca Boheme u jep gji poezive të mia (përzgjedhje në gjuhën gjermane) dhe Plaga e dhjetë e Babait (roman). Njëherit, edhe një shtegtim poetik (pesëmbëdhjetë ditë ) nëpër Evropë.

Në IRJ të Maqedonisë çdo gjë është e politizuar deri në palcë. Edhe arsimi edhe kultura... Edhe buka… Edhe uji… Edhe ajëri… Shtet, ku partitë politike shqiptare më shumë merren me “zhurmë kulturore” përpara zgjedhjeve parlamentare, se sa me politikë.  Vështirë e kemi ne si institucione kulturore dhe artistë të marrim lirisht frymë. Partizanët e tyre me yll të kuq në ballë, na kanë ngulfatur, rrokë me të dyja duart për fyti...

- Në fund, çka prisni nga Viti Ri 2013?

- Dhashtë Zoti, vitin që vjen, arsimi dhe kultura shqiptare zhvishet nga politika ditore partiake dhe vishet me vlera të arrira artistike kulturore e arsimore!... Njëherit, juve si redaksi dhe dëgjuesve të rregulltë të Radio Shkupit ua uroj Vitin e Ri!...

Dhe, mirë u dëgjofshim e u pafshim në vitin 2013, që e kemi në prag me një thesë dhurata politike në shpinë!... Gojëkëqinjtë, e di do të thonë: dajak për shqiptarët. Epo, këtë e kemi merituar me punë “patriotike”, pasi gjithë vitin këndojmë lakuriq këngë “tallava” me çifteli e heqim valle me lodra. Hë për hë, jemi populli më i lumtur në botë. Nuk më besoni?! Atëherë, hapni kanalet televizive shqiptare! Edhe, do ta shihni në sy realitetin shqiptar fundekrye “kuqezi”. Më kot do të kërkoni ndonjë emision arsimor, kulturor të arrirë, shkencor, ose film artistik shqiptar.

Ditën e nesërme, Ebu Fakirin e takova në rrugë. E ndali makinën e tij shkatrraçe që mezi i përdridhte bythët me pak shpirt rrugës për të arritur në Bit - Pazar. Unë i thelluar në mendime, kthehesha nga zyrat e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptar. Me siguri kishte menduar se shtihem, gjoja nuk e shoh dhe nuk dua t’i flas me gojë “patriotit kuqezi”. Po, nuk ishte kjo e gjithë historia. Unë ecja rrugës më këmbë, ngase xhipin e kisha shitur për të mbajtur gjallë Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, rrëzë Kalasë Dardane, në Shkup.

- Mirëdita! Unë nuk jam nga ato personazhet e tu nëpër libra.

- Jo, po nuk të pash. E gënjeva. Njeriu sheh me tru dhe jo me sy. Njëkohësisht, thashë me vete: si më kishte shpëtuar Ebu Fakiri pa e futur mes faqeve, në libra!...

- E di. Po, mu duk se nuk do të përshëndetesh me mua si patriot kuqezi. Ti e di se, unë nuk jam nga ato personazhet e tu nëpër libra.

- Dhe, u ndamë ftohtë me Ebu Fakirin. Personazhin, që ende nuk kishte hyrë si burrat e mejdanit me pashterka të kuqe në libra.

Rrugës mu kujtua edhe libri im me satira: Trumbetat e Tellallit, që e pa dritën në vitin 1992, në prag të ndryshimeve demokratike në Jugosllavi dhe çoi mjaftë pluhur në koluaret e atëhershme intelektuale, politike e policore. Kopeja me zgjebe e Nënës Parti me një torbë taxhi për qafe, që të nesërmen iu turr me të katra me shkrime të porositura teknefese nga redaktorët rrufjan në gazetën e atëhershme partiake “Flaka e vëllazërimit”. Sharje e shpifje nga ato më të çuditshmet e të pabesuarat historike: librin sipas tyre e kishte finasuar policia?! Autori kishte pasur disa takime të fshehta në Bullgari dhe i kishte dërguar me dhjetra mijëra marka Partisë Socialiste në Shqipëri. Libri, që më dërgoi edhe në një bisedë informative në polici. Aktakuzë nën të cilën figuronin njëzetë nënshkrime (“patriotë të sotshëm kuqezi”, që e mbajnë ende veten gjallë nëpër parti politike) se, isha i dërguar nga Kosova dhe çështjen e shqiptarëve doja ta zgjidhë me luftë?! Linçeve intelektuale e fizike. Zjarreve në banesë. Helmimeve në Bit – Pazar. Poashtu, edhe shkrimi i mikut tim poet rebel Fadil Bekteshi, që e përshëndeti daljen e këtij libri në dritë me një reçension pozitiv në revistën e tij të parë të pavarur letrare të asaj kohe, “Doruntina”. Libri Trumbetat e Tellallit me një tirazh prej 2.000 kopjeve, falë reklamës së tyre pa pare propaganduese “artistike”, u gëlltitë nga lexuesit brenda pak ditëve nga raftet e librarive të qyetit.

Ebu Fakiri, atë ditë ma kujtoi edhe shitësin e gazetave Musën, që e shiste këtë libër edhe nëpër Çarshi, në Bit - Pazar. Ebu Fakiri se si, e kishte ndalur në rrugë, i kishte thënë: e di se kush e ka finansuar këtë libër? Jo ë, o trap?!... Policia...

Musa, gazetëshitësi vetë ma rrëfeu edhe këtë “vepër patriotike” të Ebu Fakirit. E kuptova se ishte këlysh me zgjebe, nëntoka e Mafisë policore letrare në Maqedoni.

Vitet kalonin, e Ebu Fakiri kurrësesi të dalë nga biruca e nëntokës antishqiptare, japë ndonjë shenjë gjallërie, punonte nateditë në “ ilegalitet “. Një ditë, vetë do ta heq maskën e patriotit kuqezi. Pavetëdije do të dalë bythekrye në sipërfaqe, lakuriq e pis ashtu siç e kishte pjellë Xhadia pas porte.

Ne shqiptarët, që Ebu Fakirit njëzet vjet nuk ia kishim dëgjuar zërin, tashti në gazetë papritmas e nxorri bythën si palare në diell për mejdani. Edhe atë, kur iu rrezikua taxhia… Njëzet vjet Ebu Fakiri na ishte shtirë me fytyrë Engjëlli, na kishte marrë në qafë, e në të vërtetë ai kishte qenë, vetë Dexhalli me brekët mbi pantollona… Në një gazetë të përditshme në të cilën punonte si gazetar, që dilte vetëm para fushatave zgjedhore, do të botohet edhe një shkrim i tij teknefes patologjik arnë përmbi arnë.

Viçat e palëpi, përpiqen ende me çdo kusht t’i dalin zot dhe shpëtojnë DoktorZiun nga Përmbytja e madhe atmosferike natyrore. Nuk u mjaftoi ajo përpjekja partizane guerile, që zëvendës kryeministri i MO, momentalisht ua shpëtoi nga Komisioni Lustrues që të mos i dalë emri në gazetë si rrufjan shqiptar.

Jo. Jo, o viç i palëpi! Vdiq koha, kur ti me duar, këmbë e bythë, rrotulloheshe nëpër redaksi me kokën në grazhd e bythën në Partinë Komuniste. Parullat e juaja demagogjike edhe sot e kësaj dite gjatë fushatave zgjedhore, se: “do ta sillni Lirinë për shqiptarët e Maqedonisë”. “Pranverën arabe” duke e thirrë nateditë nga Londra përmes Facebook -ut, e këndej nuk keni guxim të vini të jetoni së paku një ditë në Shkup. Hëngër fiq dhe vdiq ajo kohë qorre. Vështirë e keni sot t’i mashtroni shqiptarët vetëm me një krimb në grep. Ju, viçat e palëpi, (pa asnjëfarë bagazhi letrar e politik), që mezi u njeh sot nëna e juaj, e ku më katundi… Edhe, i dalldisët dhe m’i ndërsyet pas shpine: Këlyshin me zgjebe të strukur në një strofullë neokomunsite, që e vajton edhe sot e kësaj dite postin e redaktorit të kulturës në “Flakën e mjerimit”. Hoxhën e Allahut me këmbët dhe trutë në legen. Hojdodolen e Katundit. Patriotin e vonuar të shëtitur nëpër institucione shtetërore me poste politike, që ende nuk mori guxim të dalë në fushën e mejdanit si burrat, aty: “ku përzihen kësulat” për Ditën e Nesërme Shqiptare. Lapsin ta nxjerrë nga brezi në fushën e mejdanit. Mjaftë më e “flijoi veten si viktimë letrare” para kamerave televizive të Mëmëdheut në këtë copë Shqipëri,  luftoi gjithë jetën “flakë më flakë me vëllezërit“ për liri në brekët e arnuara komuniste të DoktorZiut.

Viça të palëpi, ju që u përpoqët me të gjitha metodat policore t’i shuani Manifestimet Kulturore Tradiconale Ndërkombatare Shqiptare, në Tetovë, Kumanovë e Shkup. E keni sakatuar vite me radhë Letërsinë Shqiptare nëpër komisione instuticionale me kokën te “vëllezërit“ e bythën nëpër parti politike shqiptare.

Edhe sot, vajtoni nateditë në mjetet e informacionit anë e mbanë Atdheut. E derdhni rrëke lotë krokodili. E kërkoni të djeshmen e lavdishme mes varreve të cilën moti e ka mbuluar bari: Xhadinë, që në kontejnerë të bërllokut nëpër Bit – Pazar jep shpirt. Cofë me të katra këmbët përpjetë në hava. Dhe, ma kujtoni poezinë e Çajupit: Vaje. Vargjet, ku Çajupi e vajton Evgjeninë. E ju, viçat e palëpi e vajtoni Xhadinë:

 

Gjith’ humbasin Xhadinë, postin dhe sahanë

Po, ata që mbetën, si ju nuk qanë.

Të Vdekurën lotët s’e bien në jetë,

Po, lutuni dhe faluni t’i rrisni bythët vetë.

Doje dritë, oj Xhadi, moj pjellën trime,

Dhe, na e mbushe jetën plot me hidhërime!...

Tani rrojmë pa shpresë, s’duam të rrojmë

Se dhe Xhadinë tani s’e besojmë!...

 

Rrugës nëpër Çarshi e takova Tatën e Madhe me një shkop në dorë. E kishin bërë të flas vetmevete: Dudumë, janë fund e krye. Rrufjanë. Nuk i shohin shenjat, zërat që na i dërgojnë të vdekurit nga mesi i varreve. Pulën me zogjë. Arushën e Madhe, Yllin e mëngjesit… Shkopin e dushkut plot nyje, që unë e kam ngritur në dorë rrugës për në Baba Tomor dhe dua t’i zgjojë nga gjumi shekullor. Mendja ma thotë mes këtyre sokaqeve me gurë, rrëzë Kalasë Dardane se: janë të vdekur përgjithmonë, nuk ringjallen si Krishti… Ose, të fluturojnë si Azreti Isai nga minarja e xhemisë në Qiell…

Përfundimisht, kanë vdekur për së gjalli…

Tata e Madhe, posa më pa mua në rrugë e ngriti shkopin:

- Heu, Kalosh Çeliku! Cila është Gruaja jote besnike?!

- Hi-hii-hiii: Xhadia! Që, deri më sot nuk e gjeti një burrë me tirqi e xhamadan me sumbulla. Kësulën e bardhë në kokë. “Nagantin” në brez.

Dhe, sahatin me qystek për qafe…



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora