E marte, 19.03.2024, 07:02 AM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Shpërthim i shpirtit krijues në Austri

E marte, 02.04.2013, 09:00 AM


Aktivitet kulturore të mërgimtarëve në Austri

Shpërthim i shpirtit krijues në Grac, Austri

“Tiparet e një populli shprehen me kulturën e  artin e tij, me shkrimet e tij. Sa herë që takohemi në tubimet letrare ne tregojmë lidhjen me atdheun, por njëkohësisht i ofrojmë vlerat tona popullit mik austriak.”...”Gjuha ruhet aty ku shkruhet”...

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Grac, 16 mars 2013. Shoqata Integruese  Humanitare e Kulturore “Stublla” nga Graci dhe Shoqata Kulturore  “Aleksandër Moisiu” me seli në Vjenë, organizuan një orë të këndshme letrare e cila do shënohet në kronologjinë e re  të aktiviteteve kulturore të mërgimtarëve krijues. Morën pjesë krijues nga Linci, Vjena, Graci, etj.

Në emër të ambasadorit të Kosovës, Dr.Sabri Kiqmari, përshëndeti këshilltari  i ambasadës z.Anton Marku. “Sot jemi në Grac, qytet ky i cili i dha shumë albanologjisë e kombit tonë, vend në të cilin studiuan veç të tjerëve, Lasgush Poradeci, Kristë Maloku,, artistja e madhe Maria Kraja e shumë të tjerë. Në vitet nëntëdhjeta, kur në Kosovë u mbyllën dyert e institucioneve të arsimit, Graci ishte njëri nga ato qytete i cili pranoi studentë të shumtë e që sot janë ministra dhe figura me rëndësi në politikë e shkencë në atdhe, duke  ndihmuar në rreshtimin demokratik  krahas vendeve tjera të botës. Ju qytetarët e Gracit  të jeni krenar, sepse për momentin është i vetmi qytet në Austri ku gjendet shtatorja e  Nënës së Botës, Nëna Terezë,  simbol i njerëzores e njerëzimit. Thuhet se:” Gjuha ruhet aty ku shkruhet” dhe  më vjen mirë që sot jemi bashkë shkrimtarë, poetë e veprimtarë nga shumë qytete të Austrisë. Është rast i rrallë që të kemi 20 tituj librash të shkruar në gjuhën tonë të bukur shqipe.” Z. Fitim Nuhiji, Sekretar i Dytë në Misionin Diplomatik të Maqedonisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë, i përshëndeti të pranishmit. “Gjendem për të parën herë në këtë qytet të bukur dhe i njohur për kontributin në gjuhën e kulturën  kombit tonë. I falënderoj nikoqirët për këtë organizim të mrekullueshëm dhe vërtetë kemi nevojë për këso manifestimesh në këtë kohë dinamike të jetës”.  Pjesëmarrësit i përshëndetën kryetari i shoqatës “Stublla”, z.Marjan Peraj. Ai mes tjerash tha: “Tiparet e një populli shprehen me kulturën e  artin e tij me shkrimet e tij. Sa herë që takohemi në tubimet letrare ne tregojmë lidhjen me atdheun, por njëkohësisht i ofrojmë vlerat tona popullit mik austriake. Shoqata e jonë krenohet me emrin e fshatit të vendlindjes sonë, Stublla, ku fjala dhe mësimi shqip daton me shekuj që nga viti 1584. Shkolla shqipe pranë kishës së fshatit është pjesë e historisë së ndritshme të arsimit e kulturës shqipe, ku u krijuan shumë poetë e letrarë që i kalojnë edhe kufijtë kombëtar”.  z.Besim Xhelili kryetar i shoqatës “Aleksandër Moisiu”  në emër të organizatori i përshëndeti të pranishmit. Prezantimin e programit me sukses e bënë Amanda Stefa dhe Edona Ramadani.

Z. Nikollë Ukaj, veprimtar i njohur dha një historik të shkurtër të përpjekjeve për organizimin  e aktiviteteve në Grac  për ndihmë atdheut që ishte i robëruar. “Jam njëri nga ata të përndjekurit në regjistrin për eliminim tim nga armiku, por ja që fati e deshi të jetoj akoma. Që në vjetët e nëntëdhjeta ne patëm formuar shoqatën po ashtu me emrin e Aleksandër Moisiut dhe kjo nuk ishte e lehtë. Ne vepruam në kohen e vjetëve të tre përqindëshit, vendlindja thërret, vjetëve të universitetit të Tetovës dhe aktivistët e shumtë. Disa nga ata janë sonte këtu, pastaj e  formuam shoqatën e re me emrin “Ora.” Qëllim e kishim mbledhjen e intelektualëve në Austri ku arrite të tuboni rreth 45 prej tyre. Gradualisht me bashkëfshatarët e  lokalitetit tim e vendosëm që shoqata “Ora” të kalon në “Stublla” . Tani kjo shoqatë i ka simotrat e saj në Gjermani, Zvicër dhe Itali, që kanë të njëjtin program dhe qëllim. Rreth historikut të shoqatës kulturore “Aleksandër Moisiu” foli znj.Edona Ramadani. “Edhe pse shoqata ka vetëm një vit jetë ia arriti të grumbullon në gjirin e saj 18 krijues nga disa qytete të Austrisë. Nxori përmbledhjen e krijuesve nga radhët e saj me emrin  “Iliricum” me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar. Redaktori z.Amir Jonuzaj bëri një punë të madhe për nxjerrën e saj në kohën e duhur. Disa nga krijuesit u bënë pjesë e revistës botërore për mërgimtarë “Pelegrin”. Marrëveshjet e bashkëpunimit tani kanë krijuar hapësirën e shumë shteteve”

Ora letrare

Një shije të veçantë  mbrëmjes i dha regjisori shkodran Gjon Stefa Missagli me fjalën e barsoletat e tij nga libri i tij “Oazi i artë i Gjuhadolit” me bazë nga  folklori i pasur shkodran.  Ishte prezent veprimtari i njohur z.Prekë Brahimi, i cili la gjurmë me veprimtarinë e tij si pjesë e  jetës së mërgimtarëve në Grac e më gjerë. Aktivisti e veprimtari z.Tahir Turkaj, kryetari i Shoqatës “17 Shkurti” nga Badeni, z.Bashkim Shala, kryetar i shoqatë “Atdheu” nga Grazi, po ashtu i dhanë vlera mbrëmjes artistike.

Ora letrare u përcoll me melodi në piano të luajtur me mjeshtri nga znj. L Amra Ford. Recitimet filluan me Arif Kryeziun i cili lexoi poezinë “Fara”. Mjaftë mbresëlënëse  ishin recitimet në të dy gjuhët i përcjellë me  piano nga austriaku, z. Kurt Kostentschnigg, mik i shqiptarëve. Nxënësja, Qëndresa Maloku, recitoj vjershën “Dëshmorët e rënë” duke sjell freskinë rinore në artin poetik  Riti Azemi dhe Hysni Elshani u paraqiten me recitime nga autor të ndryshëm.  Arti i njeriut tonë shpirtmadh e modest tregon vlerën e pa krahasueshme. Kështu ishte  me recitimin e autores së katër botimeve me poezi zonjës Zahide Maria-Ukaj. Ajo lexoj poezinë “Te mulliri” me plotë ngjyra arti e shprehje nga gurra popullore e pashtershme.  Teuta Kurhasku-Rexhepi, autore e përmbledhjes me poezi “Prush ndjenjash”  lexoi dy prej tyre.  Z. Ragip Dragusha, tani i njohur me paraqitjet e tij me shije artistike recitoj poezi nga krijimtaria me motive shkodrane. Vargu i poetëve ishte i gjatë dhe secili të përvetësonte me artin e tij. Kështu ishte edhe me poetët, Dan Kosumi, Anton Marku, Edona Ramadani, Haxhi Morina, Besim Xhelili, Zef Ndrecaj etj. Nuk mungonin as lotët, pjesë e përditshmërisë së mërgimtarit të përmallshëm. Me lexim analitik u paraqit publicisti nga Linci z.Ramiz Selimi, kurse Hazir Mehmeti dha një njoftim rreth revistës letrare “Pelegrin” me seli në Athinë e cila tubon krijuesit shqiptarë nga mërgata. Rasti i veçantë ishte kësaj radhe promovimi i 20 titujve nga autorët prezent. U promovua edhe libri “Skënderbeu, ideator i Bashkimit Evropian” i politologut para dokturaturës, Mag.Gjon Keka dhe ishte libri i tij i gjashtë i radhës. Nikoqirët  kishin përgatitur ushqime të shijshme nga kuzhina e jonë tradicionale.  Ishte kjo një mbrëmje letrare e pa harruar për publikun e shumtë që mbushnin sallën e bukur, dhe s’ka se si të jetë ndryshe në qytetin ku u shkollua poeti ynë i vlerësuar Lasgush Poradeci. Atij dhe atyre që studiuan në Grac iu përtëri kujtimi dhe porosia e kultivimit të artit me rrënjët  e lashta pellazg- ilire.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora