E enjte, 18.04.2024, 11:15 AM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Futbolli kosovar "troket" në derën e FIFA-s

E merkure, 07.05.2008, 08:08 PM


Fadil Vokrri
FFK aplikon për anëtarësim me të drejta të plota në "qeverinë" e futbollit botëror

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka aplikuar të martën për anëtarësimin me të drejta të plota në shtëpinë botërore të futbollit, FIFA. Kjo është konfirmuar nga faqja zyrtare e institucionit që drejton futbollin në shtetin më të ri evropian. Aty citohej: "Sot (dje) në selinë e FIFA-së në Zyrih (Zvicër), Federata e Futbollit e Kosovës bëri aplikimin zyrtar për pranim me të drejta të plota në FIFA. Dokumentacionin e plotë sipas kërkesave të parashikuara në rregulloren për procedurën e aplikimit në FIFA, me pesë kopje origjinale, e dorëzoi kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri. Dokumentacioni për aplikim përmban rreth 300 faqe material, ku janë të mbuluara të gjitha pikat dhe raportet e kërkuara me këtë dokument themelor të FIFA-s".

Lajmi për aplikimin zyrtar është konfirmuar edhe nga numri 1 i futbollit kosovar, Fadil Vokrri. Ai kishte udhëtuar personalisht drejt Zvicrës, ku ndodhen zyrat qendrore të "qeverisë" së futbollit botëror. "Sot (të martën) kam dorëzuar dokumentacionin për pranimin në FIFA. Sigurisht që këtë aplikim ne e kemi bërë për t‘u pranuar. Por, tashmë duhet pritur sa të përfundojë një procedurë, FIFA do t‘i dërgojë edhe UEFA-s një dosje", ishin fjalët e Vokrrit nga Zyrihu për të përditshmen kosovare "Express". Nga ana tjetër, sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, shpjegoi se kërkesën e tyre do ta shqyrtojë një Komision Ligjor pranë sekretariatit të FIFA-s, i cili do të vlerësojë nëse FFK i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Nëse ky komision vlerëson se futbolli kosovar i plotëson të gjitha kushtet e përcaktuara, atëherë kërkesa për anëtarësim do t‘i kalojë për shqyrtim Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Organi më i lartë vendimmarrës mendohet ta vendosë në rend të ditës kërkesën e FFK-së, në Kongresin e FIFA-s, që do të mbahet në fund të muajit maj në Sidnei të Australisë. Sipas Salihut, kjo është hera e parë që Kosova aplikon për anëtarësim në FIFA dhe tashmë janë hapur dyert për komunikim të drejtpërdrejtë me drejtuesit e saj. "Brenda disa ditëve presim një përgjigje nga FIFA, e cila do të na njoftojë edhe zyrtarisht se ka pranuar aplikimin tonë", tha Salihu. "Tashmë, takimet me drejtuesit e FIFA-s nuk do t‘i zhvillojmë fshehurazi, por të gjitha do të jenë zyrtare dhe të drejtpërdrejta", theksoi ai. Ndryshe nga statuti i UEFA-s, sipas të cilit një vend mund të bëhet anëtar i këtij institucioni vetëm nëse është një shtet i njohur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), statuti i FIFA-s nuk e përcakton në mënyrë eksplicite këtë kusht. "Një federatë e cila është përgjegjëse për organizimin dhe mbikëqyrjen e futbollit në vendin e saj mund të bëhet një anëtare e FIFA-s, citohet në nenin 10. Në këtë kontekst, shprehja ‘vend‘ do t‘i referohet një shteti të pavarur, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar". Shprehja "komunitet ndërkombëtar" lejon hapësirë të mjaftueshme ligjore që Kosova të fitojë të drejtën e anëtarësimit. Përpara aplikimit në FIFA, Fadil Vokrri ka pasur takime me kryetarët e federatave të rajonit, nga të cilët ka marrë mbështetje për aplikim në FIFA.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora