E marte, 23.04.2024, 01:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Nëpërkëmbja e një mirëbesimi

E premte, 29.03.2013, 01:13 PM


Nëpërkëmbja e një mirëbesimi

Tregim nga Përparim Hysi

Major  Tahir Bejo që  shef shtabi i grupit të Artilerisë Bregdetare të Shëngjinit.  Qe rritur dhe pjekur  si ushtarak. Skënderbegas, shkollën e bashkuar dhe, mandej, për specilaizim si artilier në  Bashkimin  Sovjetik.  Bashkë me diplomën, kur  u kthye nga Rusia, ndryshe nga disa bashkëshokë të tij, kish krijuar familje me një ruse atje dhe, veç saj, së bashku solllën dhe një vajzë: Svjetllanën. Fillimisht u emërua në Sazan dhe, pas disa vjet shërbimi atje, e transferuan në Shëngjin. Atje e gjeta unë kur shkova ushtar në vitin 1964.  Qe tip sportiv dhe, pasi linte  shërbimin, nuk e kishte fare të vështirë që të vinte e të lozte me ne ushtarët. Sa i rreptë dhe serioz qe në detyrë, aq i thjeshtë dhe tepër njerëzor kur lozte. Dhe nuk qe një lojtar si do kushdo, por një futbollist i mirë që kish  dhënë prova: lojtar titullar tek “Luftëtari” (skuadër ushtarake si apendiks i të famshmes “Partizani”), por Tahir   Bejo ka qenë lojtar dhe me “Partizanin” para se të shkonte në Bashkimin Sovjetik. Kur u kthye që andej, për vet ngjarjet e kohës që folën në dëm të mikut tim, ai katandisi në Shëngjin, ku siç vërejta gjatë tri vjetëve, dërgoheshin ata oficerë që kishin ndonjë “hije”. Hije jo se kishin marrë plevitë, por diçka, gjatë kohës, kishin “përtypur” dhe nuk shkonte mirë në midenë e partisë-shtet.

Kështu siç dhe i kishin emëruar, en grup, kështu i  kishin strehuar me  gjithë familje: brënda garnizonit  ushtarak. Në disa ndërtesa të vjetra, bërë në kohën e mbretërisë dhe qoft nga jashtë dhe, ca më shumë në mjediset e brëndshme, të linin një përshtypje më tepër të ndonjë hangari, se sa një ndërtese ku  jetonin këta ushtarakë  me familjet e tyre.

E vetmja ndërtesë që ia vlente të jetohej, qe vetëm ajo ku ishin  zyrat e shtabit tonë ku gati për tri vjet unë qeshë punonjës i zyrës sekrete të repartit. Me organikë duhet të kisha dhe një shef për këtë zyrë, po sa qeshë unë, nuk pati një të tillë dhe unë, si të thuash, qeshë vet Ali dhe vet kadi. Aq rehat qeshë në këtë punë, sa shefi im direkt në këtë kohë (major Tahir Bejo) , më thoshte: je një oficer që nuk merr rrogë. Dhe vërtet qeshë i tillë. Në se këtë tregim ia kushtoi ish-eprorit tim të  dikurshëm, këtë e bëj jo se më lakonte si të tillë, por për arsye më madhore: Tahir Bejo qe një oficer jo vetëm i përgatitur  si ushtarak, por, mbi të gjitha, ish një njeri me karakter të fortë. Koha e solli që, sado qe rritur jetim (e kish rritur partia dhe pushteti popullor) dhe, sado qe komunist, qe aq burrëror që t’i bëj ballë trysnisë së kohës.  Nuk iu nënështrua presioneve dhe nuk e la të shoqen (ruse: më sakt nga një republikë Balltike ), edhe kur e ulën në detyrë; edhe kur e përjashtuan nga partia dhe, edhe (kjo ia zbukuron edhe më shumë ballin e bukur ) kur e çuan punëtor në stacinonin  e trenit në Laç.

*      *     *

Natyrisht, për major  Tahirin (gjatë kohës ne u bëmë shumë miq ) mund të shkruaj faqe të tëra. Objekt i këtij tregimi nuk është i tillë që të flasë për të. Me ca penlata të “trasha”, unë dua t’ju tregoj   juve se cili qe, me të vërtetë,ai. Mbas shumë kërkesash të njëpasnjëshme, më së fundi,  një ditë vere (sa kish dalë qershori) sikur u ça “kloni” i jetës familjare në garnizon. Pushteti lokal i qytezës i miratoi një hyrje dy plus një në një pallat të qytetit. Qe gëzim i madh dhe më mori me vete për të kthyer  nga një godë tek klubi i qytetit. E urova dhe, tek do ndaheshim, më tha: –  Nga fundi i javës, do mbartem me plaçkat. Por kot nuk thonë: – Mos u gëzo para kohe!

Erdhi e shtuna mbasdite ( ato kohë të shtunat qenë ditëpune) dhe i them:

-Major Tahiri t’i thërres shokët për të ndihmuar për plaçkat?

-Jo, Hys,- më tha. Erdhi  major B… dhe m’u lut që  të vendoset tek hyrja nja dy javë për plazh dhe,mandej, do mbartem.

-Mos,- bërtita unë duke bërë rolin e një Kasandre. Si i beson atij? Do t’i pëlqejë hyrja dhe nuk ka për të dalë më.

-Ore,Hys, po a i  njeh ligjet ti? Kam një vendim të pushtetit  unë. Mandej ku  asht burrnia?

-Shef Tahiri, mos ngatërro një krahinë me karakterin e njërit apo tjetrit. Këtij që po e mirëbeson ( sado që qenë me të njëjtën gradë, ky, tjetri, qe eprori i drejtpërdrejtë i mikut tim,se qe shef shtabi i brigadës dhe nuk qe pak për kohën ), unë nuk i besoj. E kam parë që bëhet kurban para gruas dhe gjithë ato ç’heq nga  gruaja, vjen dhe i zbraz mbi ne, ushtarët, por dhe ju mvartësve, kam parë se si u trajton. Për të mbështetur edhe më hamëndjen time dhe për t’i hedhur edhe më “piper” këtij mirëbesimi ( unë zakonisht i shoqëroj ato që them apo hamendësoj dhe me shëmbuj konkret), i them:

- Dëgjo, major Tahiri, por qofsha unë i gabuar, por kam frikë se do të gjejë si një Bardho andej nga anët tona ( majori e dinte se me origjinë isha nga Skrapari ) që u ngrit nga Skrapari dhe shkoi në një fshat të Korçës, në Mazrrekë. Mazrreka, të paktën në kohë të  Bardhos kish shumë mjaltë, dhe, Bardhoja nga që i pëlqeu mjalti, harroi të kthehej në shtëpi. Dhe lindi e thëna: -Si Bardho  Vlusha që vajti në Mazrrekë dhe i pëlqeu mjalti. Shefi qeshi me rrëfenjën time, por, kur u kthiell, më tha:- Mirë burrnia, po nderi i ushtarakut.

-Dëgjo, shef (tani Kasandra kish  vërshuar lemerishëm tek unë), mos  shpreso për  burrëri tek ai. Është një ka që  vret lopa. Kaun që e vret lopa, në  fshat e therin.

Shefi, sado u bë tym, nga ç’volla unë, përsëri tha:- Nuk mund të vëj vaki një gjë e tillë. Kam vendim pushteti unë. Mirë, major Tahiri, ti e di që unë jam me ty.

*     *     *

Eprori u shullë mirë e mirë tek hyrja e mikut tim dhe, kur afati i burrnisë sosi, miku im po bënte gati plaçkat. Priste që të paktën mbas dy- tri ditësh, t’i sillte çelësat. Por nëse atij  Bardhos që tregoja unë i pëlqeu mjalti, kësaj “zonjëzës Lulushe” jo vetëm i pëlqeu plazhi, por dhe  hyrja. Tentativës gojore për të liruar hyrjen, iu përgjigj: –  Nuk i heq më plaçkat !!!

Shefi im u paraqit ballë për ballë me  eprorin. Përgjigja:- RRi aty ku je dhe mos u ndje. Plaçkat e mia nuk kanë për të lëvizur. Miku im, bërë helm e pikë, më thotë:

- Hys, shko dhe i thuaj, në emër tim, që pres të më liroj hyrjen qysh sot.

U nisa. Ngjita shkallë e pallatit dhe në katin e dytë, trokita. Për fat, derën e hapi “Bardhoja”, por jo ai i mjaltit, por ky,eprori i shefit tim.

-Ç’do?- m’u drejtua me atë kapdaillëkun prej ushtaraku.

-Më ka dërguar major Tahiri që t’i lironi hyrjen.

-Shko i thuaj që nuk lëviz  që këtu.

Dhe unë ika dhe e dhashë kumtin  e zi. Shefi nga pak ezmer siç qe, tani zeher erdhe dhe u nxi si ato retë e murrme që paralajmërojonë shi.

- Hys,- vendosi ai,aty për aty,- ik thirr shokët dhe hajde se do të ngarkojmë plaçkat.

U bëra zë shokëve dhe me kamionin e repartit drejt e tek pallati. I zbritëm plaçkat nga kamioni tek hyrja poshtë dhe shefi më tha:

-Hys, ngjitu lart dhe thuaj atij “kaut që vret lopa” (tani qe futur në lëkurën time) se kam sjellë plaçkat.

-Po shef, – kundërshtova pak me politesë,- unë qeshë njëherë, sikur nuk shkon.

-Po ngjitu  Hys se ti mund ta bësh këtë punë.

Trokita për së dyti dhe kur “Bardhoja” më pa prapë, ulëriu:

-Prapë ti ?! Vëri majat nga ke  thëmbrat dhe marsh!- urdhëroi.

Zbrita  shkallët i mbushur me  urrjetje me këtë ” burrec” dhe me keqardhje për mikun tim. Plaçkat qenë aty si dëshmi e një padrejtësie të madhe. I them shefit:

-Shko merr kryetarin e pushtetit se plaçkat i ruajmë ne.

Kështu bëri. Erdhi kryetari me vendimin e firmosur, po nuk tundej “Bardhoja”. Të dy qenë të aramtosur: si eprori, por dhe shefi im. Orvajtjet me “paqë” nuk pinë ujë. Miku im po e humbte pusullën. Kishte nevojë më shumë se kurrë dhe, pikërisht, atëherë i them:

-E bëra teksitn e telegramit për  gjeneral Perllakun (atëherë qe i madhi i frocave detare nga vareshim ne), i them. Hajde ta  dërgojmë.  E bëmë ekpsres dhe si sot më kujtohet ai telegram lakonik që hartova unë. Besoj se nuk i mërzit lexuesit po ta sjellë sikur po e bëj sot.

“Komandanti epror më ka  uzurpuar hyrjen që më ka dhënë pushteti. Jam me plaçkat jashtë!”. Major Tahir Bejo, Shëngjin.

*     *    *

Ndërsa e kthyem nga një dopio me shefin, prisnim me plaçkat jashtë aty buzëmbrëmjeje. Befas, na zënë sytë që vijnë urgjent nga Lezha komnadanti, komissari dhe shefi i sgurimit të brigadës. Në dorë mbajnë një urdhër (kish mbrritur me linjën ushtarake) : -Komandanti  epror urgjent të liroj hyrjen. Nënëshkruar nga Gjeneral Perllaku.

Me atë në dorë, “shpura” ngjiti shkallët. “Bardhos” i ranë pëndët. Nuk ish vëndi më për shaka. I bërë hundë e buzë, zbriti si kufomë tek shkallët dhe urdhëroi:

-Ngjituni lart dhe zbrazni hyrjen !

Tri shokët e mi u ngjitën lart, kurse unë as që luajta nga vëndi. Të kisha mundësi doja ta mbështyja mu në surrat, jo vetëm pse  m’i vuri thëmbrat nga majat, por për  paburrërinë  e tij.

I paturpshëm siç qe, më tha:

-Shok ushtar, e dëgjove  urdhërin?

-E dëgjova,- i thashë,- pa ma bërë syri tërr. Po unë kam vënë “thëmbrat nga majat” dhe për ty, jam i vdekur. Vdes me këtë anën matan.

-Do më shohësh,- ulëriti

Nuk kam ndjerë kënaqësi më të madhe se sa ky”Bardho trimi” iku si lapurak nga pallati që  uzurpoi. Ne, sakaq, i futëm plaçkat e mikut tim.

- Eh, Hys,- më tha shefi. Ta pësosh veç nga mirëbesimi.

*     *    *

Bardhoja u hakmorr me mua, por prapë më “shpëtoi” gjeneral Perrlaku. Po kjo është histori tjetër. Por duke iu përmbajtur për atë që kam shkruar, është vëndi të theksoi,se po ky”Bardhoja” i ngjiti shkallët si alpinist dhe  mbrriti deri komandant korpusi. Ironia qëndron se kur doli në lirim u bë një  nga më të “devotshmit” e demokracisë. Dinte mirë si ta  kapte demin prej brirësh. Ndërsa miku im, pas kësaj odiseje me punën e shtëpisë, bëri poshtë e më poshtë, i denigruar dhe i njoruar, njëherësh. Kur erdh demokracia, iku familjarisht në Rusi dhe, mjerisht, vdiq para kohe. Sidoqoftë, e kish lënë me gojë që të varroesj në Shijak ku dhe i kish rënë koka. Ky tregim imi si shënjë mirënjohjeje për një njeri me karakter dhe tepër atdhetar.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora