E enjte, 18.04.2024, 11:52 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Në nderim të breznive orëmira

E premte, 29.03.2013, 12:59 PM


DUKE NDERUAR SHKRIMTARIN RAMIZ KELMENDI

MINISTRI MEMLI KRASNIQI KA NDERUAR:

BREZNITË ORËMIRA

Nga Xhemail Peci

“Pena e atyre që do të dijnë ta përdorin si duhet, do t’i durojë gjithë shekujt” (Jeronim De Rada)

“Shkrimtari, thonë, krijon në gjallje të vet bazament e përmendore, ndërsa ardhmëria është ajo që ia vë ose jo bustin”

(Ramiz Kelmendi: “Kokrra Kripe”)

I kujt është ai zë, nga vinte ai mall, ato thirrje dhe ato klithma t’thellësive tëzemrës,

mbi Penën e Denjë, ka rënë Bekim i Bardhë e Shamive te Lokemadheve të Rugovës,

mbi Penën e Bardhë ka rënë: Zemërthirrja e Breznive Orëmira në magjinë e fjalëve,

ka rënë,  Bekimi Shenjtë i Lisit të Gjakut, ka rënë o Nënë mbi të:Heshtja e Armëve!

Ramiz, të ndjejë kaq thellë kur the se Atdheu më ka lënduar, dhe kur duke shkruar,

Dashurova Dashurinë! Kur e the, e kur u shfaq sa herë nëpër letrat shqipe gjakuar,

kur e tha Lasgushi përcëlluar: Jo nuk dashuroja unë, po dashuronte ajo: Dashuria,            Ramiz, Thellë Zemrës edhe Penës Sate, Më e Madhja Dashuri Jam Unë: Shqipëria!

Xh. Peci: Epistulë për Ramiz Kelmendin

NË NDERIM TË BREZNIVE ORËMIRA

Në pamundësi për ta ndjekur nga afër letërsinë dhe kulturën shqiptare, sihariqi për nderimin e denjë që iu bë shkrimtarit Ramiz Kelmendi, nuk do të më gëzonte dot sikur këtë të mos ma mundësonte një shënim i shkrurtër: Xha Ramiz Kelmendi, e ku afër këtij shënimi jepej njoftimi për shpërblimin.

E sa herë që nderohen figura të tilla, letërsia shqipe ka festë, dhe se në raste të tilla po të mos shprehnim nderimin tonë, nuk do ta meritonim as gëzimin tonë, apo ashtu siç është thënë me të drejtë për Volterin (të cilin shkrimtari Stefan Cvajg e ka quajtur “symprehtë e mendjendritur”): Nëse do të harronim t’i shprehnim nderimin Volterit, nuk do të ishim të denjë për liri.

Duke e nderuar me Çmimin Kombëtar Letrar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për vitin 2012, ikonën e gazetarisë kombëtare e doajenin e saj, figurën pikante e figurën markante të letrave shqipe, figurën sa emblematike po aq edhe poliedrike në kontributin e tij, është nderuar jo vetëm letërsia jonë, jo vetëm krijimtaria jonë mendore dhe shpirtërore, jo vetëm kultura jonë, por mbi çdo gjë janë nderuar: Breznitë Orëmira!

Nderimi që i është bërë shkrimtarit dhe intelektualit Ramiz Kelmendi, është Ditë e Shënuar për kulturën tonë kombëtare, dhe si e tillë, një ditë e tillë do të thotë gëzim e festë për letrat shqipe. E sa herë që gëzon Republika e letrave shqipe, në gëzimin e saj – sado të rrallë, marrin pjesë edhe De Rada, edhe Naimi, edhe Fishta, edhe Migjeni me të tjerët…

Duke nderuar shkrimtarin e dhuntive krijuese, publicistin e penës së hollë, novelistin e ligjërimit lirik e të prajshëm, tregimtarin e rrëfimeve në të cilat jo rastësisht bie aq shumë shi, romancierin e rryer, dramaturgun e sprovuar, kritikun e mendjes së mprehtë, skenaristin e pasionit të parreshtur, përkthyesin e përkushtuar të aq shumë veprave dhe kryeveprave, pedagogun e ligjërimeve artistike por edhe patriotike, veprimtarin në të cilin bashkëkohanikët gjenin prijatarin, dhe pajtimtarin tek i cili Breznitë Orëmira gjenin nismëtarin, është nderuar një figurë e shquar që shërben si shembull i frymëzimit dhe përkushtimit, jo vetëm në letërsinë por edhe në kulturën tonë.

Ramiz Kelmendi është njeriu dhe intelektuali, publicisti dhe shkrimtari, për të cilin janë shperhur me admirim, si lexuesit e tij të shumtë, po ashtu edhe bashkëkohësit e tij: “E Përshtypjen e ngjarjes ta len t’gdhendun në shpirt” (Ernest Koliqi); “Ramiz Kelmendi është gjithsesi, një fizionomi e veçantë letrare, një krijues i formuar dhe me prirje që gëzon një vend të veçantë dhe një emër nderi prej shkrimtari” (Hasan Mekuli); “Ky njeri e ka mendjen e kthjellët, e ka penën e artë dhe vulllnetin për të punuar. E njoh shumë moti, kam bashkëpunuar me të, sidomos në pajtimin e gjaqeve, edhe kam mësuar shumë prej këtij njeriu të madh e të mirë” (Dom Lush Gjergji në 80-të vjetorin e lindjes së Ramiz Kelmendit); “Pena e tij e Artë” (akademik Rexhep Qosja); “Ramiz Kelmendi është edhe mjeshtër, edhe artist, edhe poet, edhe psikolog. Është shkrimtari më i popullarizuar në letrat tona, më i lehtë e më i afrueshëm për të gjitha shtresat e lexuesve. Bir i Rugovës kreshnike, i lindur dhe i rritur në Pejën e Alpeve shqiptare” (Vehap Shita); “Takimi me këtë shkrimtar mund të thuhet se është një përjetim” (Dr. Agim Vinca); “Ramiz Kelmendi e deshti kombin shqiptar në rrjedhat e kohës moderne. Ai e do kombin shqiptar në rrjedhat e kohës” (Dr. Eqrem Zenelaj); “Ikona e gazetarisë kosovare, figurë pikante e letrave shqipe” (Flori Bruçi); “Unë nga Ramiz Kelmendi kam parë se sa e hirshme është gjuha shqipe. Sa e hyjnueshme. Nga Ai, nga Ti Ramiz Kelmendi mësova se fjala e lirë, e bukur dhe e guximshme rrëzon diktatura e then cenzura” (Salih Kabashi: Së paku një dekadë me të shtunat e Ramiz Kelmendit) “Ramizi ka Rrënjë të Lisit të Gjakut” (Dr. Zymer Neziri): “Kelmend nuk u dorëzove! (Aktori Çun Lajçi); “Ramiz Kelmendi është Sokol Halili i Letrave Shqipe” (Xh. Peci)…

DY DASHURITË E MËDHA TË RAMIZ KELMENDIT:

Dy janë shpërblimet më të dashura për Ramiz Kelmendin, Qytetar Nderi i Pejës, dhe Shpërblimi për Vepër Jetësore.

Dy janë Dashuritë e Mëdha të Ramiz Kelmendit: Shqipëria dhe Letërsia.

Dy janë Dashuritë e Mëdha të Ramiz Kelmendit: Lapsi dhe Letra.

Lapsi – sepse ai ka besuar dhe beson, sepse ai ka gjakuar dhe gjakon se çka s’e bën pushka e një luftëtari, e bën pena e një shkrimtari, sepse ai ka besuar dhe beson fort, se letra ka shumë më shumë fuqi se floriri, siç e ka thënë edhe Bajroni: rima ka fuqinë e një perandorie.

Dy janë Dashuritë e Mëdha të Ramiz Kelmendit: Ulqini dhe Gjakova.

E para ia ka mbjellur dashurinë për letërsinë, e dyta ia ka falur mundësinë për të pagëzuar e për të përjetësuar emrat që deri atëherë nuk ishin dëgjuar edhe aq shumë…

Dy janë Mbishkrimet që Ramiz Kelmendi i ka nxjerrur nga pluhuri i harresës e duke i nënvizuar thekshëm në publicistiken e tij antologjike: Mbishkrimin që e formojnë fjalët e qartësisë transparente dhe lapidare, me të cilat Elena Gjika i shkruante Jeronim De Radës: Të mos vdesim pa e parë të valojë i lrë Flamuri i Skëndërbeut mbi Kështjellën e Rozafatit; si dhe Emblema që Jeronim De Rada ia ka falur në mënyrën më të hijshme dhe më të madhërishme në gjithë letrat tona, Elena Gjikës: MIRËSIA JUAJ ENGJËLLORE! Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrë, Nderim më të madh dhe më të bukur për dike sesa ky: as në artin tonë, as në kulturën tonë, as në letërsinë tonë.

Dy janë Figurat Embelmatike të cilave u është Falur dhe u Falet edhe sot, e edhe mot, Ramiz Kelmendi: Babait të tij, Jakup Brahimit – të cilit na e ka pohuar vetë se i ka rënë e i bie në gjunj, në shenjë Nderimi dhe Mirënjiohje të Pakufi; dhe Babait të “Albanias” Faik Konicës – të cilit edhe në këtë moshë: I Ngritet në këmbë, në shenjë Nderimi dhe Mirënjohjeje të pakufi!

Dy janë kritikët e shquar dhe bashkëkohanikët e tij, nën thjerrzën e të cilëve nuk ka qenë aspak e lehtë të kalohet, pikërisht për shkak të kritereve të drejta estetike që kishin ata: Hasan Mekuli (DRITË I PASTË SHPIRTI) dhe akademiku Rexhep Qosja.

I pari ia ka dhënë Epitetin e Merituar për Talentin e Tij Epik.

I dyti, ia ka falur gjithashtu Epitetin e Merituar: Pena e Tij e Artë!

Dy janë Mësuesit Letrarë të Ramiz Kelmendit: Esad Mekuli dhe Ernest Koliqi. Për të parin është shprehur me pietet, me admirim, me aq respekt dhe me ndjenjën e thellë të mirënjohjes e të falenderimit, duke e quajtur Babain e të gjithë krijuesve në letërsinë shqipe të krijuar në Kosovë; dhe Ernest Koliqit, të cilit gjithashtu i ka dalë hakut:

FALË U QOFSHA TË GJITHË MËSUESVE TË ME ERNESTKOLIQIANË!

Dy janë femrat të cilat e kanë nxitur neurasteninë krijuese të Ramiz Kelmendit: Ajkuna e Desdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina – për emrat dhe për bukurinë e të cilave kishte dëgjuar (siç na e ka pohuar vetë në Ditarin e tij) nga daja i vet: Arif Zhuji.

Dy janë shkrimtarët, tek të cilët Ulqinakja ka ushtruar ndikim dhe ka ngjallur frymëzim të veçantë. Në letërsinë spanjolle – tek Miguel de Servantes Saavadera, dhe në letërsinë shqipe – tek Ramiz Kelmendi. “Një ulqinake sa e këndshme aq edhe e mençur”, siç do të shprehej shkrimtari, duke vazhduar: “Është shumë e vërtetë se dashuria, lindja dhe lidhja me letërsinë e ka zanafillën pikërisht siç thatë – jo në NDONJË gocë, po te – NJË GOCË. Madje edhe ajo – ulqinake. Ndaj edhe më i pari tregim në jetën time u frymëzua nga ajo dhe mban titullin “Barka e peshkatarit”. Isha student asokohe dhe një – djalë i dashuruar”.

Edhe Miguel Servantes de Saavadera, e edhe Ramiz Kelmendi kanë qenë njëlloj të bekuar, sepse dashuria ndaj ulqinakeve, e them me modesti, i ka bërë që të dy prozatorë të shquar, ndërsa Fjollësia e Fjalëve më të cilat ata kanë shpalosur edhe ndiesitë e tyre më të holla, gjithsesi na kujton edhe poetët më të talentuar.

Ulqinakja: E Lumja Ajo!...

Dy janë qytetet të cilat ngado shkon e ngado vete, ashtu si edhe Shqipërinë, Ramiz Kelmendi i merr me vete: Peja e fëmijërisë dhe e rinisë së tij, Peja me bukuritë e saj dhe me historitë e saj, si dhe Ulqini – Vnedlidnja e tij letrare. Me të drejtë është thënë se Kafka është Praga, dhe Praga është Kafka. E njëjtë gjë mund të thuhet edhe për Ramiz Kelmendin dhe për Pejën.

Dy janë qytetet e tjera, Shkodra (Zonja Shkodër virëgjëri, Lutju Zotit për Shqipëri!), dhe Tetova – qyeteti ku Mit’hat Frashëri parashihte se do të zgjidhet përfundimisht çështja shqiptare, pasi që ushtritë aleate do të vendosen në Prishtinë…

Për Ramiz Kelmendin “Luvri është parajsa” e artit, por ashtu siç thoshte Ernest Koliqi se: “Shqipëria është Nusja e Shpirtit tonë”, edhe për Ramiz Kelmendin, Shqipëria është Nusja e Shpirtit, por edhe parajsa e vargut, prandaj ai ka lëshuar Zemër-Klithjen e tij: Heshtja e Armëve. Pra, të heshtin armët, e të flasin librat, në mënyrë që ta shijojmë këtë Parajsë të Humbur!

Dy janë epietet më të bukura të cilat i shkojnë aq shumë jetës dhe veprës së Ramiz Kelmendit: Rugova – është Magje e Gjakut, dhe: Ramizi ka Rrënjë të Lisit të Gjakut. Shprehje këto kaq të bukura dhe po aq domëthënëse, të cilat i kam shënuar nga studiuesi i përkushtuar Dr. Zymer Neziri.

KALORËS I LETRAVE DHE I ARTEVE

Të parët e Ramiz Kelmendit kanë sjellur andej e këtej kufirit – arka me municion. Ramiz Kelmendi do të sillte ato që për pushtuesit shekullorë të tokave tona, u bënë arka me dinamit: “Unë i solla për herë të parë nga Shqipëria librat e shumta të të gjitha zhanreve”.

Ramiz Kelmendi është Kalorës i Letrave dhe i Arteve, por edhe Kalorës i Hijshëm i Dashurisë: Gazetaria dhe letërsia më hyn në gjak. Ai është Luftëtar i Dritës e Shijues Bukurie. Ai është, siç e ka thënë aq bukur dhe në mënyrë aq domethënëse: NJERI I LETRAVE PËRBALLË PËRBUZJEVE.

Ramiz Kelmendi është Mjeshtër i Gdhendjes së Fjalës Shqipe, me Durim Shenjtori e me Qëndismë Filigrani. Në Penën e Tij, ashtu si edhe në Ligjërimin e Tij, Gjuha Shqipe është Gjuha Zonjë. Ai është Njeriu të cilit e kanë nderuar kur ia kanë besuar për të pagëzuar brezat me emrat që u ka vënë. Ai është shkrimtari dhe intelektuali që ka bërë thirrje për një dashuri të barabartë dhe të sinqertë mes shqiptarëve: 100 për qind.  Ai, siç e ka thënë miku i tij, poeti Xhevahir Spahiu, ka mbjellur dashuri dhe ka korrur dashuri.

Ramiz Kelmendit Atdheu ia ka dhënë dorën e tij të djathtë për të shkruar për Faik Konicën. Dhe se duke e pagëzuar Fakultetin e Gazetarisë me emrin e Faik Konicës, Ramiz Kelmendi ka bërë Pagëzimin dhe Përjetësimin më të bukur dhe më domethënës në kulturën tonë kombëtare shqiptare.

Ramiz Kelmendi është Zemërbardhë prej Zemërbardhëve dhe Zemërbardhë prerj Zemërbardhëve, prandaj kurdo që Shqipëria do t’i ngrejë një Monument Elena Gjikës, do t’ia kërkojë edhe Dorën e Tij të Djathtë për ta shkruar Mbishkrimin të cilin ai e nxorri nga pluhuri i harresës: “MIRËSIA ENGJËLLORE E ZEMRËS SUAJ!”

Nuk do të jetë e largët Dita, Dita për të cilën Naim Frashëri sa bukur ka thënë, që e pastë bekimin aty ku ka rënë: LUM KUSH TË RRONJË, TË TA SHOHË ZONJË! Dhe kur Shqipëria do t’ia kërkojë të Dy Duart e Tij, për ta ngritur Obeliskun e të Gjithë Brezave dhe të Gjeneratave të Shqiptarëve Atdhetarë, Obeliskun e Breznive Orëmira: PËR NJË DASHURI MË TË BARABARTË TË SHQIPTARËVE, E PËR DASHURINË QË NËNKUPTON VËLLAZËRINË E GJAKUT, PO AQ SA EDHE SHIJEN E QUMËSHTIT TË AMËS SË PËRBASHKËT!

Nuk është Pagëzuar kot Pena e Ramiz Kelmendit si Pena e Tij e Artë. Me Penën e Tij, Ramiz Kelmendi ka Nderuar Pelerinatën e Gjakut, dhe se në Shiun e Shpirtit të Tij (çuditërisht bie aq shumë shi në prozën e Ismail Kadaresë e të Ramiz Kelmendit) ka diçka nga Bekimi i Madh i Zake Zhujit e Jakup Brahimit, ka diçka nga Rrënjët e Lisit të Gjakut, ka diçka nga Shamibardhat e Lokemadheve të Rugovës, të cilat mes zjarrit dhe flakëve, mes terrorit dhe tmerrit, mes plojës dhe gjakut, mes reprezaljeve dhe masakrave, shpalosën me gjithë fuqinë e shpirtave të tyre të bardhë – SHAMITË E BARDHA si Himne Shekujsh drejtuar në Lutjet kah Qielli, PA DYSHIM: MERMERI MË MONUMENTAL QË PERËNDIA UA KA FALUR NË BEKIMIN E VET, E ME TË CILAT ATO PËRKUNDËN DJEPAT E RRITËN BREZAT…

Ramiz Kelmendi e di se: “Gjuha prêt helmin, çan gurin, thyen shkëmbin. Më shumë vret fjala se thika. Fjala e rëndë jo rrallë, është më e forte se pushka”. Ai është Njeriu dhe Shkrimtari që e ka thënë hapur: “MENDOJ DHE SHKRUAJ SHQIP”, prandaj nga ky prizëm kaq i veçantë, na lë edhe një Porosi të Madhe: “Edhe sot, në këtë moshë të shtyrë që kam, nuk kam pushuar ta dua Atdheun, me gjithë fuqinë e zemrës e të shpirtit”.

Ministri I Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi duke Nderuar shkrimtarin Ramiz Kelmendi, ka Nderuar: BEZNITË ORËMIRA. Edhe vetë ministri Krasniqi, ka një traditë ku nuk ka munguar as historia, as letërsia dhe as muzika, por ku ka frymëzuar dhe udhëzuar drejt edhe: Njeriu i Letrave. Prandaj, le të shpresojmë se Nderimin për Breznitë Orëmira do ta çojmë deri në fund: Le të shpresojmë se kur të vijnë vizitorët e huaj në shtetin e ri të Kosovës, në qoftë se do të pyesin se a ka pasur Kosova poetë, në mos me nga një bust, të paktën me nga një pllakë përkujtimore, do të përjetësohet Kujtimi dhe Nderimi për Pjetër Bogdanin, Esad Mekulin, Ali Podrimjen; për Veprimtarin dhe Vizionarin Anton Çetta, por edhe për Profesorin Erudit Selman Rizën, për Aktoret Katarina Josipi a Melihate Ajeti… E sërish Zemër-Klithja e Ramiz Kelmendit:

A KA ZOT QË I HARRON KËTA?!

Stdiuesi i përkushtuar i etnofolklorit tonë Dr. Zymer Neziri, na ka shpalosur të vërtetën se lahutarët e Rugovës nuk e lëshonin lahutën nga dora për dekada të tëra. E mbanin dhe i binin aq thekshëm edhe përtej 30 vjetëve, tek gdhendnin në drurin e zgavruem të qershisë si në copa mermeri, historitë dhe trimëritë që na mbajtën gjallë si komb.

As Ramiz Kelmendi nuk e lëshon penën nga dora, për gati 60 vjet! 30 vjet bëri Fishta në Lahutë, e po aq Firdusi në Shahnamenë e tij. 60 – të qëndroi vetëm Gëte me Faustin e tij! Por e veçanta e një tradite bujare nuk i ka shpëtuar dot Darling Ismail Vlorës:

“Rasti e pruri t’i shtrëngoja dorën, ta dëgjoja teksa ligjëronte e të bisedoja pak çaste me të…Këto ditë, ndërsa lexoja mbi Panairin e 12-të të Librit në Prishtinë, do më tërhiqte vëmendjen, në mënyrë krejtësisht të veçantë, një shprehje e bukur e shkrimtarit tonë të madh, i cili, në shenjë respekti ndaj veprës së Gjergj Fishtës, Zekeria Rexhës, Anton Çettës e Nënë Terezës do të shprehej se po të ekzistonte mundësia do t’i kishte dhuruar të 80 vitet e tij, mjaft që këta kolosë të jetonin. Kush tjetër, veçse Ramiz Kelmendit, mund të bënte një urim të tillë?”

RUGOVA, POEMA PËR OFELINË DHE BIBLIOTEKA KOMBËTARE

Në romanin “Ahmet Koshutani”: (“Libri që dua më së shumti” - Ramiz Kelmendi), shkrimtari sikur e ka skicuar portretin e Tanushës: “Vajza kish një fustan të bukur me vija, flokët í kish lëshuar si rëndomë, ata flokë të saj të zez, por në majë të kokës kish vënë një fjongo të bardhë dhe dukej edhe më e re nga sa ish. Tani kisha marrë dorën e saj të vogël dhe e mbaja në timën, duke luajtur me gishtërinjtë e saj të hollë e të gjatë, me thonjtë që í mbante me kujdes”.

Kush më bukur se Ramiz Kelmendi ka ditur ta thurë Pafajësinë për Dashurinë: “Ajo kërkoi vetëm një akullore, e unë kisha qejf me ia dhanë krejt një ambëltore!” (Rrëfimi “Xhita në Qiell”). Ja që ka pasur të drejtë Gëte kur thoshte se: Një dashuri e pafajshme nuk e lëndon, por e gëzon Perëndinë!

E një ndër faqet më të bukura të shkruara, pa dyshim është ajo për Rugovën, të cilën e do aq shumë dhe të cilën e futi edhe në veprën e vet letrare:

“E gëzoi me lot Rugova sot dasmën e vet të madhe: nguljen solemne të shtyllës së parë, që do të sjellë dritë edhe në ato bjeshkë krenare.

Pashë koshutanasin në Haxhaj, edhe plakun e Drelajve, edhe shoqin e tij të Rekës s’Allagës, me të vetmet mburroja të kokës së tyre dinjitoze e të mustaqeve burrërore – shallat karakteristike – tek u shkonin lotët çurg n’ato ditë shiu e dasme mes pishash e rugovasish që preknin qiellin.

Derdhi lot gëzimi sot Rugova. Edhe qielli me të bashkë. Lot e gaz.  E puthje. E lojë Rugove. E këngë të reja për rrugën e re të dritës, prej rugovasih të rinj kënduar. E fytyra të rrudhura që gazmojnë. E shkollare Rugove që shpërthejnë, që çojnë përpara.

Dasmë të madhe ka sot Rugova – u çel rruga e dritës…”

Shkruajeni, u thoshte Bajroni ligjvënësve anglez të kohës së tij, drejtësinë e vendimeve tuaja me gjakun tuaj – si ligjvënësit e Athinës!

Shkruajeni të ardhmen e Teatrit Kombëtar me fjalët që nderojnë çdo aktor e çdo aktore, ate që pa hezitim mund ta quajmë Poema për Ofelinë:

“Ajo fali sonte rozmarina në skenë. Fali vjollca e krizantema. Borzilokë e manushaqe.

Ca nga këto í fali për kujtim.

Ca í fali për mejtim.

E unë po í fal, ja, një kurorë me dafina lavdie për Ofelinë.

Një kurorë me dafina për të parin hap të saj.

Një kurorë me dafina për natën e bukur që na fali.

Një kurorë me dafina për të nesërmën e saj.

Paç nder, prandaj, moj Ofeli, e mirë se na erdhe!

Edhe – mirë ardhësh!”

Shkruajeni qoftë edhe vetëm një herë, se po shfaqet pas aq kohe, të paktën monodrama Dantes nuk ka kush t’i shkruajë! (e cila po u kthye në një tekst poetik, pa dyshim se do të jetë për një kohë të gjatë në ballë të reportoarit të Teatrit Kombëtar).

Shkruajeni si pjesë të shfaqjeve të dramaturgjisë kombëtare, të cilën sa ishte Ramiz Kelmendi në krye të Teatrit, kishe se çka të shikoje….

Shkruajeni si Mbishkrim atë Monumentin e Papërsëritshëm, kur foli me 25 nëntorin e vitit 1982, si: “Datë mbi data në historikun tonë shpirtëror, “tempull mbi tempuj”, “vatër mbi vatra” është Biblioteka Popullore dhe Universitare e Kosovës”, të cilën me të drejtë e ka pagëzuar edhe vetë “si zëdhënës krenar í mija e mija të gëzuarve e të përgëzuarve si unë”. Ai pra me të drejtë e ka quajtur tempullin e dijes, “faltore shpirtërore”, e “tempull të rritës sonë”, “faltore e tempull dritëdhënës”, ku do të shërbente literatura e gjërë, e për të cilën ai ka cituar Franc Kafkën ta ketë quajtur literatureën “ditari í një populli”.

Shkruajeni, sepse: “Nuk ka kulturë pa  th e m e l í n  e saj: gjuhën amnore”, siç thekson Ramiz Kelmendi duke bërë thirrje që ta mësojmë njëlloj edhe gjuhën amtare, ashtu si edhe gjuhët e huaja, nga njohja e të cilave doemos “të rritet zemra, të kënaqet shpirti”, por duhet mësuar edhe gjuhën e nënës…

Gjuha në të cilën u frymëzua të shkruante, ndonëse shpesh edhe nuk lejua! “E mbi të gjitha këto, mu ashtu edhe siç duket në të vërtetë: të josh Rugova aty sipër, me tërë atë diç të mahnitshme dhe të madhërishme që ndryn në bjeshkët e veta të larta, me atë mitin dhe misterin e vet, me ato doke e zakone (jehonën e ndonjërës syresh e ndjen edhe në vetvete, përmes gjakut të babit tënd të Drelajve dhe të nënës sate të Haxhajve), me gjithë atë dukjen ataviste të vet, me shtatin bjeshkë dhe me paraqitjen burrërore, me atë natyrë të virgjër, që shëmbëllehet aq bukur në sytë e tyre, me ato këngët e lahutave, të cilave ua thoshte aq melankolisht dhe aq bukur, daja yt, Arif Zhuji, nga i cili të zuri veshi së pari Gjeto Basho Mujin e Halilin, Gjergj Elez Alinë e Zukë Bajraktarin, si dhe ato dy femra, më të parat femra që i regjistroi veshi yt nga kënga e dajës në lahutë – Ajkuna e Dezdar Osman Agës dhe Dylbere Gjelina” (Dashuria për Pejën)

FALË U QOFSHA GJITHË MËSUESVE ERNESTKOLIQIANË

Gjuha në të cilën u latua fjala e hollë e në të cilën folën: Rrënjët e Lisit të Gjakut: “Gjithë ç’doja në botë, doja Shqipërinë. Atdheun tim. Me të cilën më njohën mësuesit e Ernest Koliqit. Ata që ma mbollën në zemër, që më mësuan se unë nuk jam pa atdhe, se unë nuk jam ‘jetim’, se kam gjuhën time, kam shtetin tim, kam popullin tim, kam historinë time, kam gjeografinë time – Shqipërinë. Falë u qofsha gjithë mësuesve ernestkoliqanë’…Gjithmonë, sa isha I ri, edhe mendoja dhe thoja: po të mos e sheh Shqipërinë, do vdes syhapur…Sepse atdheu është nëna jonë, është mëmëdheu, e nëna, mëma, mund të jetë edhe e çalë, fjala vjen, e verbër, e shëmtuar, po mëma gjithmonë mbetet mëma” (KUR ISHA 18 VJEÇ).

Bleta shkon pas erës së luleve e shkrimtari shkon pas fjalëve, e fjala mba gëzimet dhe pikëllimet e jetës njerëzore.

Atëherë ia hodha edhe një pyetje:

-          Ti diçka shef kur í bjen zamares…

-          I kam sytë mbylllur zotëri, si mund të shoh me sytë mbyllur?

-          Diçka sheh me sytë e shpirtit…Çka sheh. Më thuaj.

-          Hijet që zbresin, zotëri. Asgjë tjetër veç se hijet që janë duke           më mbuluar mua dhe malet.

Kështu do të shkruante mjeshtri i prozës shqipe Ernest Koliqi, për muziktarin Gjo Mala, në një bashkëbisedim me të, í rrëmbyer nga tonet që depërtojnë shpirtin.

Edhe për shkrimtarin Ramiz Kelmendi kujtimet janë hijet që zbresin e që nëpërmjet fjalëve hidhen në letër “rrëmbyer nga tonet që depërtojnë shpirtin”.

Ramiz Kelmendi është shkrimtari që në letërsinë bashkëkohore shqipe, së bashku me Ismail Kadarenë dhe me Rexhep Qosjen, kanë pasur fatin të jetojnë më gjatë se ç’kanë jetuar të tjerët. Këta tre klasikë të gjallë e gjithsesi edhe rilindas të kombit të vet, na e kujtojnë në këtë pikë faktin se për fatin e mirë të letrave shqipe, Jeronim De Rada, Fan Stilian Noli dhe Lasgush Poradeci, kanë jetuar aq sa kanë patur mundësinë për të shkruar ato që i kanë kujtuar prej jetës së tyre. Dy të parët í kanë shkruar ato me të njëjtin titull “Autobiografi”, ndërsa Lasgushi - sikur Gëteja me Ekermanin, i ka thënë kujtimet e tij duke biseduar me Petraq Kolevicën.

Duke iu referuar shkrimit aq afirmativ të studiuesit Dr. Zymer Nezirit, Ramiz Kelmendi u kthehet rrënjëve të tij, më saktësisht u kthehet rrënjëve që nisin me vendin e quajtur: ‘Guri i Ndre Nikës…I moçëm rreth treqind vjet…Ndreu ishte shumë i madh, thonë. Kreshnik nuk ishte, e kreshnikëve u gjasonte…Qe treqind vjet nuk e lëkundi më askush. Aty prêt dhe e ruan emrin e Ndreut qe treiqnd vjet. E ruan edhe për ndonjë Ndre të ri, ndoshta, po edhe për Ramiz Kelmendin – shkrimtarin dhe stërnipin e Ndre Nikës”.

RRËNJËT E LISIT TË GJAKUT

Këto “Rrënjë të Lisit të Gjakut”, siç është shprehur me aq pietet studiuesi Dr. Zymer Neziri, kanë vazhduar pastaj “në luftën e madhe kundërosmane…Është ky brezi í Pjetër Bogdanit të shquar”, ku Nikëdedajt, Çelë Shabani, Sadri Bardhi, Sokol Çela, Hysen Alia, Nue Kurti, Jashar Hoxha, Ker Sadria, e sa e sa të tjerë, të përjetësuar nga “lahutarë të shquar të tipit homerik”, nuk kanë se si të mos na e kujtojnë dyvargëshin e epikës popullore: “Shqipëri e kuqe, Shqipëri e sertë,/Treqind kryengritje në katërqind vjet”.

Treshi ciklik (nëpërmjet të cilit Ramiz Kelmendi na e jep shkurt autpoprtretin e tij, pasionet dhe prirjet e tij), ashtu si edhe numri 7 (Shtatë Persona Ndjekin Autorin; “dhe 7 të burgosurit politikë të marsit 1946: Viktor Gashi, Skënder Rizaj, Engjëll Berisha, unë, Shefqet Kelmendi, Kamber Pajaziti dhe Osman Basha” – në “Album”), përsëritet në botën letrare të Ramiz Kelmendit. Duke e ndier zërin e brendshëm krijues, si dhe duke u kredhur në labirinthet e të menduarit, ai beson fuqishëm se: “është autori ai që shkruan, më njëfarë mënyre, biografinë e heroit të prozës së vet…vepra shpjegohet përmes heronjve të saj, e heronjtë e shpjegojnë autorin”.

Peja e fëmijërisë së tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në mendjen krijuese të Ramiz Kelmendit: “si shpjegohet kthimi kaq i vonë kah vendlindja, kah fëmijëria…Sa tregimi, sa romani, sa drama me një të vetmen temë: Peja. Më afër: pejani. (Po pejanja? Pse jo edhe pejanja? Kush druan të shkruan për pejanen?)”.

Fëmijëria e tregon njeriun ashtu siç e tregon mëngjesi ditën (Xhon Milton), fëmiu është babai í njeriut (Uilliam Uordsuorth), jeta jonë nuk është asgjë tjetër veç se fëmijëria e madhe dhe e gjatë (Benxhamin Franklini). Që të tri këto thënie dhe mendime të gdhendura aq bukur, e të cilat akademiku dhe shkrimtari Dr. Gëzim Alpion i ka nnvizuar në librin e tij “Nënë Tereza: Shenjtore apo Famëtore?”, vlejnë edhe për fëmijërinë e Ramiz Kelmendit.

Fëmijëria e tij ka qenë një fëmijëri e plagosur, ajo ishte një  fëmijëri e këputur në gjysmë: “Kur isha 18 vjeç nuk isha…18 vjeç…Isha shumë më í moshuar nga ç’jam sot, kur jam 80 vjeç…Këtë moshë, 18 – vjeçaren, unë edhe atëherë, edhe sot, edhe gjithmonë, e kam konsideruar si më të bukurën në tërë jetën e njeriut…Nuk dua, prandaj, ta kujtoj moshën kur isha …18 vjeç. E nuk dua ta kujtoj, sepse unë jo vetëm që u gëzova, por as nuk e jetova. Pata një fëmijëri të pafëmijëruar…Vetëm dy vjet përpara, pa mbushur ende moshën 16 vjeç, në vend që të më ndodhte “dashuria e parë”, ajo “që kurrë nuk harrohet”, mua më ndodhi – burgu…Ma helmuan jetën. Ma bën të padurueshme. Gjithmonë kisha një ‘hije’ pas; ajo është botë e një fëmiu të zgjuar e plot kurreshtje por që  fati tragjik i kombit të tij bëhet pjesë edhe e fëmijërisë së tij, siç ka kujtuar ditët e tregut në Pejë: “Në tregun e vogël, por edhe buzë “jazit”, si fëmijë isha përplot kërshëri për gjithçka e për çdo gjë që ndodhte dhe më tërhiqte vëmendjen”, por shpesh ëndrrat e fëmijërisë do t’ia prishnin kujtimet për të vrarët dhe të pushkatuarit në qytetin e tij të lindjes, por edhe ndalimi e mohimi i të drejtës më elementare: “Kur isha 18 vjeç, mbaja mbi shpinë “mëkatin më të madh asokohe. Isha me “njollë”. Më konsideronin “armik të popullit”. Ndaj edhe çdo gjë ishte e mbyllur për mua. Nuk Gëzoja as të drejtën më elementare qytetare: të ndiqja shkollën…Dhe, si i tillë, nuk mund të gëzoja privilegjin që të shkollohesha. Mund të bëja, eventualisht, punën e tim et: të punoja si ai – hamall…I survejuar dhe i përndjekur nga Normalja e Gjakovës…Në asnjërën nuk më parnuan…”

Një vend të veçantë në shkrimet, por edhe në kujtimet e tij, zë figura e babait, e që shpaloset duke e kujtuar vendin e krimeve dhe të torturave, e cila quhej “Shtëpia e Madhe”: “Futën në të edhe babain tim. Një rugovas të “zhdjergur” në “shehër”, që do të bëjë punën e hamallit pale sa e sa vjet, që do të ketë një të vetmen pasuri në atë fukarallëk të vetin: tetë fëmijë dhe që me kafshatën e vet të “lame me gjak”, do t’í shkollojë që të gjithë, edhe pse vetë lindi dhe vdiq – pa snjë ditë shkollë. Edhe ky ishte i rrezikshëm për “Shtëpinë e Madhe”. Ishte armik, sepse ishte shqiptar, sepse fliste shqip. Sepse mbante plisin e bardhë. Dhe sepse kish – jo një, si mbarë bota e “qytetëruar”, por – tetë fëmijë…Punoi e jetoi, më shumë punoi se jetoi…Me kohë, duke mos pushuar pothuajse kurrë, mori disa herë rrugën për në Shqipëri “për ta bërë pastaj pazarin më të madh ditëve të mërkura, kur Peja kishte t’ashtuquajturin “Pazar të Vogël”.

Figura e babait është figura e një njeriu epik, e një njeriu që i sfidon vështirësitë dhe dallgët e jetës, e që nuk jepet, punon çka të mundet por që s’e le pa e siguruar “bukën e lame me gjak”. Ai është si Anteu i mitologjisë antike, si Laokonti mes gjarpërinjve, por që merr forcë sa nga toka, po aq edhe nga shpresa se tetë fëmijët (“gjashtë djem e dy vajza”) një ditë do të çajnë përpara.

Ka shumë të ngjarë se personazhet e romanit “Heshtja e armëve”, Rekë Zhuji dhe Vakja, të jenë portretizuar me tiparet dhe me virtytet e prindërve të shkrimtarit. Vakja, “Zemërbardhë e Zemërdjegur”, pa pikë dyshimi, është njëra prej personazheve më zemërbardha, më fisnike dhe më bujare në gjithë letrat shqipe. Lutja e saj është simbol i paqes dhe i bekimit, është një ogur i bardhë i shpresës dhe i ngadhënjimit.

Është pikërisht një ogur i tillë, i cili shqetësimin se mos “pandehma demokleiane: kish shumë të ngjarë se do t’í ngjaja tim et, Jakup Rugovcit, të bëhesha edhe unë një – hamall” të mos bëhej realitet, edhe pse e vërteta është se: “Unë isha dhe mbeta tërë jetën, mbi 50 vjet, “ai í grupit të Marije Shllakut”. Lexo: armik í Jugosllavisë, armik í Titos, armik i “bashkim-vëllazërimit”. Njeri me biografi të keqe. Kurrë nuk ma harruan këtë. “Ata”.

Tek ka evokuar se kënaqësia e tij më e madhe ishte kur “mora vesh se atdheu im nuk ishte ai që na kishin mësuar gjatë shkollimit fillor, d.m.th. Jugosllavia, por Shqipëria”; tek ka evokuar “çlirimin” aq fatal dhe tragjik: “Edhe u gënjeva. Edhe u zhgënjeva. Edhe u mashtrova, edhe u dëshpërova”, ai evokon me dhimbje dhe me mallëngjim “ngjarjen më të llahtarshme dhe më lemeritëse në tërë jetën time…Ajo ditë, për të cilën e kam fjalën, ka mundësi të ketë qenë edhe e bukur, me diell. Po, ama sesi më është thadruar në kokë se ka qenë dita më e zezë e fëmijërisë sime, që nuk më është shlyer kurrë nga mendja”; Ramiz Kelmendi përmes gradacaioni të pikës që ka gjithmonë kuptim të veçantë në shkrimet e tij, e veçmas në prozën e tij, ka evokuar pushkatimin e Sali Ukellës, një levend malesh a një vigan lirie: “Para nesh: një njeri me duar të lidhura për një hu…Ne asokohe, as dinim dhe as kishim dëgjuar për teatrin antik…Dhe “regjisori”. Një officer me grada…”Armiku í popullit” dhe “Ballisti”…nuk pranoi t’ia lidhnin sytë me shami…”Shfaqja” më makabre e gjithë makrabiteteve…Na thanë: tash jeni të lirë…Ka qenë ky: Sali Ukella.”

Jo më pak makabre, kujton autori, ka qenë pushkatimi i heroinës intelektuale Marie Shllaku, një vajzë njëzet e tre vjeçare, “vajzë me 7 plagë në trup” e cila “u mor në pyetje nga oficerët e OZN-ës 7 herë”, Vajza Orleane – siç e ka quajtur aq bukur dhe aq mallëngjeyshëm Shevqet Kelmendi.

MALLI I KUJTIMEVE TË SË KALUARËS

E veçanta e kujtimeve të Ramiz Kelmendit është jo vetëm mallëngjimi por edhe respekti í thellë, dashuria dhe admirimi që ka për njerëzit e mirë, të cilët iu ndodhën pranë dhe e përkrahën në një kohë të vështirë: “Esad Mekuli, me namin që gëzonte si baba i letrave shqipe në Kosovë”; “më të shumtën e herës duke pirë kafe e duke u kënaqur me njeriun që ma zbukuronte ditën me humorin e tij të këndshëm, me kritikun tonë Hasan Mekulin”; “Haki Hoxhën, gazetarin më të parë këtu ndër ne, që e shihja si të shenjtë dhe e adhuroja sepse kishte studiuar në Itali, unë e pata mësues. Model që e lakmoja. Shkollë që do të më bënte gazetar”; “Kisha drejtor njeriun që e adhuroja dhe e kam pasur model, njeri të urtë e të dashur gjithë jetën: Beqir Kastratin”. “Edhe profesori im i shqipes Kolë Marubi”; “Edhe pesë shokët e mi të shkollës (Engjëll Berisha, piktori ynë i famshëm, Skënder Rizaj, doktori i historisë, Shevqet Kelmendi, shkrimtar, Kamber Pajaziti dhe Osman Basha)”; “më të “rryerin” dhe më “profesionalistin” – Masar Murtezain; “Përshëndes me ngrohtësi e mall, kam kënaqësi të posaçme ushqyer miradije, tek takohem ndonjëherë me mësuesit e mi të gazetarisë, tashmë të pensionuar: me Hakiun, me Mustafën (Shala), me Sedatin…”; “Baca Haki”; për atë përkujdesjen dhe dashurinë atërore që s’e kurseu, pa teprim ditë e natë”, mirënjohja dhe respekti për Vehap Shitën “mësues timin në gazetari” e “mikun e jetës e të punës”; “Vëllaçkon” (Ali Hadrin).

Një aspekt tjetër i cili shpaloset nëpërmes kujtimeve të Ramiz Kelmendit, është diferencimi, veçimi, heshtja dhe mënjanimi që í bëhet atij dhe Martin Camajt në Mbledhjen e Parë të Letrarëve të Kosovës, etiketimin që ia ka bërë “Duqi” – Dushan Mugosha, një palaço e një bixhozxhi, duke e quajtur “Shovinist”, ndërhyrjet miserbël të Gjoka Pajkoviqit për librin “Letrat nga Ulqini”, pastaj “Dushku” – Dushko Ristiqi dhe shpallja që ia bëri me sejmenët shqipfolës duke e quajtur dhe anatemuar si “Ballist” (“shokët tu, shokët më të ngushtë, kolegët e “Rilindjes”, kanë ardhur te unë dhe kanë protestuar: si guxoni t’ia jepni Çmimin e Nëntorit – si gazetari më i mirë – Ramiz Kelmendit, i cili në kohë lufte ka qenë – BALLIST?!”).

Ai në mënyrë të veçantë ka rrëfyer për periudhën kur hija e dyshimit shtrihej kudo për shkak të biografisë: “Isha í lodhur shpirtërisht, i dërrmuar, i sfilitur…Fillova të jetoj jashtë kohës, i mbyllur në vetvete, dyfish i mbyllur…Ç’përfytyrime të trishtuara!...Vëreja vetëm fytyra të vrenjtura, mbase edhe imja ishte e tillë, shikime të ndrojtura, biseda të thata, shkarazi, përshëndetje të përdhunshme dhe buzëqeshje të rreme…Luaja teatro me jetën, me kohën…Frymëzimet e mia për të shkruar vergje shteruan përdhunisht”.

Të hidhura janë gjithashtu kujtimet për varfërinë dhe për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve: “Banoja dhe ushqehesha në një familje kelmendase në fshatin e afërt Kosuriq. Më kujtohet që gjatë gjithë vitit shkollor kemi ngrënë një bukë të paimagjinueshme: shtresa e pare me miell, krejt tepsia me hithra, dhe maja prapë një shtresë e hollë me mielll. Shkurt: një lloj urie dhe trajtimi gati shtazarak…Filluan burgosjet, - rrahjet, masakrat më mizore me trupin në ujë deri në fyt, gjithëditën, varjet me këmbë përpjetë…serbët, madje edhe vetë udbashët, filluan t’u shesin – deri edhe me lira të kuqe, me shitje lope a pasurie – pushkët shqiptarëve. Flitej se një psuhkë a një revole është shitur me nga disa herë”.

NE E DUAM SHQIPËRINË

Në shfletim të kujtimeve për Shqipërinë, me titull ‘PËRSHTYPJE TË (PA) LAKMUARA NGA SHQIPëRIA’, vihet në dukje dashuria e zjarrtë dhe e sinqertë për atdheun, por edhe paradoksi tjetër se si të tjerët janë sjellur me atdheun. Duke pohuar se: “Ky është rasti i parë në karrierën time që po shpalos kujtimet e mia për vizitën time të parë në Shqipëri”, Ramiz Kelmendi e shpalos dëshirën e tij të madhe për ta parë Shqipërinë: “Kaluan vite dhe unë gjithmonë e mbajta të fshehur në zemër, në gjak, në shpirtin tim, ëndrrën e madhe që ta shihja atdheun tim”. Evokimi i kujtimeve nga Shqipëria është mbase kapitulli më i bukur dhe më domethënës i Ditarit, por vizita e parë atje ka pasur edhe paradokset e tjera, gjë që do ta shtynte ate të shpërthente ashtu siç di ai kur nuk e duron më padrejtësinë dhe kur mbushet kupa: “O burra të dheut, po ç’po na ndiqni e survejoni kaq shumë, si të ishim – “shkije”?! Po ne e duam Shqipërinë sa ju e ndoshta edhe më shumë se ju. Na lini të kënaqemi me Atdheun tonë…Pasi zbrazi tërë karikatorin deri në fyerje, sakaq më plasi ai delli rugovas dhe ia ktheva – “shqiptarçe” edhe unë. Nuk lashë gjë pa í thënë…Po ju, këtu, pa serb e Serbi, vetë zot shtëpie, a s’më thuani, sa libra nga Kosova botuat ju”?’. Por, duke theksuar rolin që ka kultura në shkëmbimet e ndërsjellta, Ramiz Kelmendi me po të njëjtin dell do të fliste edhe kur respekti dhe shkëmbimi kulturor nuk ishte aspak reciprok: ”Ministreshës në darkë, i thamë: se duam bashkëpunim; se ne kemi vënë tre autorë të Shqipërisë vetëm sivjet, e ju asnjë për – 34 vjet; se ne botojmë nga 30-40 vepra të autorëve të Shqipërisë brenda një viti, e ju për 34 vjet keni botuar jo më shumë se 20-30, madje më të shumtën, libra të dorës së dytë!...Na sollën listen e librave që kanë botuar (32 vepra për 34 vjet!).”

Nuk ka pra dyshim se Ramiz Kelmendi e urren hipokrizinë dhe hipoktitët. Ai është i prirur të flet hapur fare, drejpërdrejt dhe zëshëm, madje aq zëshëm sa të dëgjojnë të gjithë, të hapin veshët mirë e mos t’i hedhim hi syve njëri-tjetrit, port ta duam njëri-tjetrin njëqind përqind.

MISIONI FISNIK I FJALËS

Duke qenë krijues i cili í beson dhe i falet misionit aq fisnik të fjalës, Ramiz Kelmendi e ka thënë aq bukur se “më shumë vret fjala se thika”, duke përkujtuar: “Më vrau fjala e rëndë, këndoi një poet i talentuar dhe, pa vonuar bëri vetëvrasje. Fjala e rëndë, jo rrallë, është më e fortë se pushka”. Duke e komentuar dhe sfiduar një prej shkrimeve tendencioze kundër shqiptarëve, ai  ka shprehur njëkohësisht parimet e tij të njohura për letërsinë e mirëfilltë: “Edhe një “letërsi” si kjo më sipër, e fyrmëzuar nga iracionaliteti dhe e ushqyer me pasione dhe motive destruktive, s’është tjetër pos atentat kundër misionit të mirëfilltë që duhet të mbrujë çdo fjalë e më të bukurit art të fjalës…Ja, që fjala e shkruar, e në mënyrë të veçantë ajo e përdhosura dhe përdhosjeje, bukur shpesh e prore bëhet bumerang: më shumë se për të përdhosurin, flet për përdhosësin. Rëndom shkrimtarët e vegjël shkasin në të tilla “krijime letrare” që fusin shpifje, që fyejnë e përçmojnë, tek vihen në shërbim të propagandaës më çnjerëzore dhe përdorin – gjoja me pretekst letrar – fjalë që vrasin, fjalë që nxisin, fjalë që provokojnë”.

Ai që urren nuk di të qeshë, prandaj edhe shkrimtai që urren nuk krijon kurrë letërsi të mirë – nënvizon Ramiz Kelmendi, duke shtuar më tej se: “Fjala letrare mund të çmohet vetëm po të jetë e fisnikëruar me ndjenja dhe e privuar nga gënjeshtrat e servilizmi í politikës së ditës, të mos themi të çastit”.

Tek shkruan dhe tek komenton, ai siç e thotë vetë mëton të “kryej detyrën e një – kroniku. Të një regjistruesi të paanshëm”, duke qenë sa i sinqertë, po aq edhe parimor: “Me pasionin tim të sëmurë për lexim, në veçanti të periodikut, me atë deformitetin tim të theksuar professional prej një si të droguari “stampe”, siç do të thoshte E. Koliqi, për të qëmtuar, për të çapitur mes rreshtave, për anëshkrime, për shënime, për nënvizime, për margjina, asnjë mednim a thënie – nuk e vodha”.

Në mënyrë të përmbledhur, na e shpalos sërish misionin të cilin ia kishte caktuar vetes që kur e kishte rrokur penën në dorën e tij, këtu e gati 60 vjet më parë: “Gjithë ç’shkrova për mbi një gjysëm shekulli, në gazetari, në publicistikë e madje edhe në letërsi, pikërisht këtë synim pata: të njoh veten. Të njoh Shqiptarin. Të njoh popullin tim. Me gjithë të mirat (shumë më pak) dhe të gjithë të metat (shumë më tepër!) që ka. Nuk është e lehtë të flasësh për vete. S’ka gjë më të rëndë, madje, se të vësh në spikamë të pamirat, dobësit, të këqijat që í vë re në mjedisin tënd, në popullin tënd”.

E misioni í shkrimtait është ndeshur shpesh edhe me paradokset: “Dy romane shkrova: të parin – për më të madhen plagë të shqiptarëve edhe sot e kësaj dite, edhe pas aq të nevojshmit e aq të madhit Pajtim tonë të gjaqeve, hakmarrjen (“Heshtja e armëve”); të dytin – “Shtatë persona ndjekin autorin”, nga të cilët asnjëri nga këta “persona” nuk është serb. Të shtatët janë shqiptarë që ndjekin autorin – shqiptar!

INTERVISTAT E RAMIZ KELMENDIT: KRISTALE MENDIMESH

Intervista si mënyrë e të shprehurit dhe e dialogut të veçantë kur përcillet nga mjetet audiovizuele, është një tribunë tjetër ku shkrimtari dhe intelektuali shpreh idetë, mendimet, bindjet dhe opinionet e veta për librin, për artin, për të bukurën, të madhërishmen, për lirinë dhe vetëdijen për të, për raportet e letërsisë me aktualitetin, për teatrin dhe prijatarët e tij (që mjerisht harrohen shpesh dhe shpejt), për misionin e intelektualit, për patriotizmin dhe raportet ndërshqiptare, për raportet e letërsisë me sistemin totalitar, për pushkatimin dhe harrimin e intelektualëve shqiptarë, për gjakmarrjen dhe për inatet e pajustifikueshme, për dukuritë dhe fenomenet e ndryshme që e kanë kapluar Kosovën e pasluftës, si mohimi dhe nënçmimi i vlerave, blerja e dijes dhe varfëria: varfëria e skajshme dhe tragjike, shpesh edhe mendore, e edhe më tragjike se kjo: varfëria shpirtërore…

Edhe në intervistat e tij, ashtu si edhe në shkrimet e tij, ai flet hapur dhe me kompetencë të plotë, ai flet pa u hamendur dhe fjala e tij çon peshë e zgjon ndërgjegje. Prandaj, edhe në intervistat e tij, ashtu si edhe në shkrimet e tij, ai vë nga një pikë mbi shkronjën i, ai mbledhë kokrra kripe e shpalos kristale mendimesh, mendime këto të lidhura me përvojën jetësore, me leximin - si art i të lexuarit me laps në dorë, por edhe me letërsinë dhe me historinë.

Për njeriun që “í ngjan një libri të dyzuar mes letërsisë dhe histories” (siç ka vërejtur me vend Esmeralda Bardhyli në intervistën e saj), “patriotizmi nuk është ende një koncept i vjetër…Ai ka jetuar në kohën kur fjalët ishin të ngjashme me armët dhe duhet t’i përdorje për të mbrojtur Atdheun, atë që Kelmendi e deshi gjithnjë, atë që si të gjithë dashuritë na lëndon një ditë” (E. Bardhyli).

Për te, bota “e të rrëfyerit përmes shkronjave” është: “Edhe si shpërthim. Edhe si domosdoshmëri. Edhe si dyshim/mosbesim. Dhe si sprovë”. Ai është njeriu i cili e thotë hapur se letërsia jonë sot “nuk ka qenë kurrë më e varfër”, gjë që e shqetëson me vend, por që shërben edhe si thirrje për një prirje të re dhe për një letërsi të re. Ai është intelektuali i cili e ka sfiduar realitetin e kohës në emër të një realiteti të ri: “ngritja në qiell një tjetër Shqipëri – Shqipërinë siç e kisha ëndërruar dhe siç dëshiroja të ishte”, por ai është edhe pedagogu që duke udhëhequr Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”, ka pasur një mision sa të qartë, po aq edhe fisnik ndaj edhe ky tempull i dijes: “nxori një plejadë të tërë gazetarësh nga më të mirët, që mbajnë në kurriz pothuajse të gjitha mediat kosovare”.

Ramiz Kelmendi ka mbrojtur vlerat shekullore të kulturës sonë kombëtare, ka shprehur stoicizmin e tij – që I karakterizon edhe personazhet e veprave të tij, e pastaj ka folur: “Prandaj fola dhe qetësova, që të mos them shpëtova shpirtin tim”. Por ai është shprehur edhe kundër harresës: “A ka Zot që í harron tërë këta?”, është shprehur me vend kundër gjendjes të mjeruar në të cilën është katandisur teatri ynë: “Ja që brenda disa vjetësh pas lufte teatri ynë pothuajse vdiq”, por edhe: “Mediat dhe kultura e gjuhës? Tragjike! Katastrofike! E lemeritshme!”

Duke folur për rolin e intelektualit, ai me të drejtë ka pohuar se: “Nuk mund të jetë intelektual po të mos jetë kritik”, e librin – që e do aq shumë, e ka “pikën më neuralgjike timen gjatë gjithë jetës”. Ai gjithashtu ka tërhequr t’i ruhemi shkrimtarit që ka lexuar vetëm një librër, por edhe danajve kur na sjellin dhurata. Ai ka kritikuar me vend maninë e “promovimeve” që na bënë të dukemi si ‘një popull i promovimo-manive’, duke u shprehur qartë kundër nënçmimit (“Nuk di a ka tjetër popull që i nënçmon më shumë njerëzit e vet më të merituar”); kundër inateve intelektuale e mërive të çastit të cilat nuk i shërbejnë ndonjë qëllimi të madh pos egove personale, por edhe kundër papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit: “Populli është shumë, shumë i varfër, kurrë më i varfër…Bota e parasë, për qëllime të parasë, me paratë, për paratë e solli Kosovën ku është sot’. Një fjali e tillë, e përfshinë të gjithë historinë e pasluftës në Kosovë, me të gjitha zhvillimet e saj.

Duke e kujtuar të kaluarën e hidhur, ai ka të drejtën e krenarisë së ligjshme: “Përkundër ‘Shtatë personave’, që nuk pushuan kurrë të më ndjekin, ndonëse m’u “patriotizuan” sot që ç’ke me të!”, por ai edhe përkujton se ka pasur bindjen: “se të gjitha makabaritetet, mynxyrat dhe poshtërsitë e kësaj bote i kemi nga armiku ynë shekullor”, e edhe nga vetja jonë. Ai prandaj e ka thënë me vend se si: “Në ato vogëlima e cicërrima lirie të përdhunshme, unë edhe sot i habitem vetes se si ia dola edhe të abrakadabrohem, edhe të letraulqinizohem, edhe të ahmetkushtanizohem, edhe kur të kositelivadhisohem, edhe kur të kokrakripëzohem, edhe kur të shtatëpersonaziohem në ndjekje të autorit, etj”.

Është pohuar prandaj me të drejtë, kur i është thënë se: “Jetën tuaj e kanë krahasuar me jetën tonë, fatin e ferrin individual me fatin dhe ferrin kolektiv”, pra fati í shkrimtarit njëjtësohet me fatin e kombit, lidhur me të cilën, shkrimtari ka dhënë sqarimin më të bindshëm:

“Mbase mu këty, edhe pse, them jo vetëm këtu, unë qysh me gji të nënës rugovase dhe me të folmen rugovase të babait, të njeriut më të dashur e më të shtrenjtë në jetën time, u dashurova çmendurisht, rrënjësisht, shpirtërisht dhe moralisht, me gjuhën shqipe dhe s’e flaka kurrë, derisa të vdes…E Vinçenc Prenushi, vjershën e tij aq të bukur, “Am’ e bijë” e kam të vetmën që e di përmendësh sot e kësaj dite. E kështu me radhë…Pse, ç’shpjegim í veçantë u dashka për të dëshmuar dashurinë ndaj gjuhës amtare, ndaj gjuhës së nënës”.

Është pikërisht një dashuri e tillë e cila e ka shtyrë që: “Dhe unë, “për inat të hasmit”, ua përshkruaja Shqipërinë si vendin më të bukur në botë, i tëri i shtruar me lule e me trëndafila”.

Për Ramiz Kelmendin, i cili ka jetuar dhe krijuar në ate që e njohim si “sistemin e urryer dhe njeri-përdhosës komunist” e “në gjysëmshekullin gjenocidal dhe racist antishqiptar. Për të mos thënë: jonjerëzor, kafshëror, ndaj tërë kombit tim. Edhe letërsia ime, prandaj, pa përjashtuar edhe gazetarinë time, është pjella e padrejtësive dhe e pakënaqësive me atë sistem totalitar, kryekreje antishqiptar”.

Duke qenë “një njeri i letrave përballë përbuzjes”, Ramiz Kelmendi ka shtruar pyetjen: “E kush, pos tradhtarëve, mund të mos e dojë dhe të heqë dorë nga Atdheu?!”, por edhe ka gjakuar nga një dashuria e tillë, madje ka gjakuar edhe: “Nga dëshira të shkruaj sa më shqip dhe të jem sa më i lexuar”.

Në gjithë këtë trajektore krijimtarie për Ramiz Kelmendin, sot e mot, libri mbetet busull e jetës: “Ja që më të madhin NDIKIM unë e kam pasur tërë jetën – LEXIMIN. Shkurt: LIBRIN. Gjithçka që kam arritur në letra është, po, “ndeshja” ime me jetën dhe njerëzit. Ore edhe më shumë se kaq janë librat dhe leximi i tyre”.

DËSHIRAT E RAMIZ KELMENDIT

(PA ERNEST KOLIQIN NUK DO TË KISHIM KURRË UNIVERSITET TË PRISHTINËS, DHE SE PA JAKUP RUGOVËN NUK DO TA KISHIM KURRË FAKULTETIN E GAZETARISË “FAIK KONICA”)

Në historinë e letërsisë shqipe, ka më shumë tragjedi të përjetuara sesa trilogji të shkruara, ndaj prirem të them sa me kënaqësi po aq me modesti, se Ramiz Kelmendi është njëri prej krijuesve i cili ka pasur fatin që t’i plotësohen shumica e dëshirave të tij, për të mos thënë se e ka dashur fati që ato t’í plotësohen gati të gjitha.

Po ta shikosh në hollësi rrugën e tij krijuese, po ta lexosh me vëmendje veprën e tij letrare, po t’i lexosh memoaret nëpërmjet Ditarit të tij, po t’i lexosh kronikat e biografisë së tij familjare – në mënyrë të veçantë për pararendësit e tij, nuk ka asnjë dyshim, se dashuria dhe dëshira e tij më e madhe ka qenë dhe mbetet libri, dija, kultura, arsimi, por në radhë të parë libri dhe etja për dije, etja për t’u shkolluar.

Furtuna e fatit të pafat në njërën anë, dhe në anën tjetër pena e fatit të pafat, e cila shpesh nuk ka qenë në anën e poetëve, të shkrimtarëve dhe të krijuesve shqiptarë – për shkak të rrethanave të njohura historike, e ka imponuar shkollimin në gjuhë të huaj, madje shkollimin në gjuhën e atyre që duke na robëruar për aq shumë shekuj, kishin synuar që me çdo kusht në vetëdijen e të parëve tanë, por edhe në vetëdijen tonë, të ngulitej ideja se ata në të vërtetë: na kishin çliruar?!

Ramiz Kelmendi e ka dashur Gjakovën dhe fati nuk ia ka kthyer shpinën, prandaj edhe dashuria për Gjakovën iu ka përjetësuar: “Vendlindja ime, po, është Peja. Por, venddashja ime është Gjakova”.

Ramiz Kelmendi ka dashur që duke nderuar me respektin më të thellë, por edhe me kulturën e veçantë dhe me dhuntinë e rrallë, të përjetësonte visaret dhe thesaret mendore e shpirtërore të kombit tonë, madje në atë mënyrë sa edhe i ka pagëzuar fëmijët e tij; duke e përjetësuar kujtimin dhe nderimin e njërit prej poetëve më të mirë të letrave shqipe, por edhe duke e përjetësuar kujtimin dhe nderimin e njërit prej krijuesve më të shquar arbëreshë të kohës së tij – më konkretisht duke shprehur dashurinë e veçantë për njërën prej kryeveprave të Josip Relës, dhe njëkohësisht njërën prej kryeveprave të dramaturgjisë shqiptare.

Ramiz Kelmendi, ashtu si dhe Breznitë Orëmira, ka gjakuar dhe e ka pasur ëndërr, e ka pasur dashuri të veçantë, që ta shihte Shqipërinë, Shqipërinë e ëndërruar dhe të idealizuar – ashtu siç na kishin mësuar ideologët dhe poetët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe fati i ka pri dhe e ka parë madje disa herë, por e ka parë me sytë e zemrës, dhe tek e kanë pyetur se çfarë kishte parë e çfarë ishte ajo, ai me sytë e mendjes e ka sfiduar realitetin e asaj që ka parë – në emër të një realiteti të ri, që patjetër do të vinte, do të vinte se s’kishte se si të mos dilte profecia e Naim Frashërit: Lum kush të rronjë të ta shoh Zonjë!

Ai ka dashur që libri shqip të qarkullonte sa më shumë dhe pa gardh e pa ndonjë kufi të pakuptimtë artificial, që të qarkullonte e që akoma të qarkullojë – kudo ku ka shqiptarë dhe kudo ku ka Arbëreshë. Ka dashur që kultura shqiptare të fliste mes veti, të shkëmbehej andej e këtej kufirit. Ka dashur që shqiptarët ta duanë njëri-tjetrin njëqind për qind. Edhe këto dëshira kanë nisur të realizohen dhe do të realizohen.

Ramiz Kelmendin e ka ndjekur tërë jetën e tij pamja e pushkatimit makabër të Sali Ukellës, një levend malesh e një legjendë e qëndresës kundër dhunuesve të trojeve tona stërgjyshore. Sali Ukella, me pamjen sa prej kreshniku, po aq edhe prej martiri, kushtimisht sikur ka thirrur: Ramiz, mos më harro! Për aq vite sa ka qenë në krye të Teatrit të Kosovës, Ramiz Kelmendit i është plotësuar dëshira që Kosova të mos kishte më kurrë teatër ku do të luheshin lojat makabre të krimeve më të shëmtuara – me Sali Ukellën si viktimë, por të kishte një teatër përmes të cilit do të lartësohej e bukura dhe e madhërishmja, nëpërmjet të cilit do të fisnikërohej shpirti njerëzor, ndonëse historia na u përsërit prapë për të satën herë. Sidoqoftë, shkëlqimi i Teatrit të asaj kohe, në vete kishte: Shkëlqimin e Fytyrës prej Martiri të Sali Ukellës.

Duke qenë bashkëmendimtar dhe bashkudhëtar me Marie Shllakun, Ramiz Kelmendi e ka përkrahur, e ka nxitur dhe e ka inkurajuar përparimin e femrës shqiptare, në mënyrë të veçantë e ka afirmuar femrën shqiptare e cila ka shkruar dhe shkrimet e së cilave ai i ka botuar dhe ua ka mundësuar që të shohin dritën e botimit. Ai, si rrallëkush i është gëzuar përparimit të femrës shqiptare. Përkrahja e tij e pakursyer për femrën krijuese ka qenë në të vërtetë Një Mirënjohje sa Publike po aq edhe Fisnike, të cilën ai nuk e ka kursyer kurrë, dhe të cilën e ka thënë publikisht dhe bujarisht.

Ramiz Kelmendi ka dashur që Kosova të ketë sa më shumë Sokola dhe Zoja, të cilët mbi supet e tyre do të bartnin të ardhmen e tyre. Edhe kjo dëshirë i është plotësuar.

Ramiz Kelmendi ka bërë thirrje për Heshtjen e Armëve, dhe Kuvendi i Pajtimit të Gjaqeve tek Verrat e Llukës, ia ka plotësuar edhe këtë dëshirë, tek i ka parë të tubuar gjysëm milioni shqiptarë – si kurrë më parë.

Ramiz Kelmendi është shkrimtari dhe intelektuali i cili ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur që Armët të Heshtin, por edhe që Kosova – një nga vendet më të pasura në rajon, të mos ketë varfërinë absurde, varfërinë që grinë e që mjerisht shpesh, aq shpesh i tejkalon skicat e Migjenit. Edhe këto dy dëshira, herët a vonë, sot apo nesër, një ditë gjithsesi, Breznitë Orëmira do t’i çojnë në vend.

Ramiz Kelmendi ka dashur që ta përjetësonte dashurinë dhe mundin e babait të tij për shkollën dhe për dijen. Qëndresa epike e atij njeriu, ashtu siç përshkruhet në tregimet e para të Ramiz Kelmendit, dhe ashtu siç përshkruhet në Ditarin e tij, e njeriut që qëndron përballë vujatjeve dhe mundimeve sí një shkëmb graniti, nuk ka se si të mos ma kujtoj një personazh tjetër, krejtësisht të veçantë në letrat shqipe: Idriz Gurin tek “Kryengritja Shqiptare” e Mihal Gramenos. Idriz Guri i hiqte zorrët zvarrë e i linte ato rrugëve, por Idriz Guri nuk e linte dot pa e bërë Shqipërinë, me hir o me pahir. Dhe ashtu si Idriz Guri, edhe Nikolla Naço ecte me këpucë prej letre – pra ecte me këmbë të përgjakura se nuk kishte para të blente këpucë, paratë i jipte për ta bërë Shqipërinë: me hir o me pahir! Ndër shqiptarët e Amerikës flitej se Fan Noli e Sotir Peci e veshnin të dy një pallto, por e vërteta ishte se ata nuk kishin as palllto, ata – që dy e veshnin me radhë të njëjtin xhemper. Jakup Rugova nuk jepej dot pa e ndjekur deri në fund atë ogur të bardhë që si një dritë e shenjtë e si bekim i lashtë shpalosur në të bardhën e shamisë së Ajkunës, i shfaqej përmes një zëri të brendshëm: “Zhdirgju nga bjeshka e bjer poshtë”…”Ja ku po jua them, të nderuarit e mi. Ju e dini se unë me origjinë jam nga Rugova. Edhe babanë, edhe nënën i kam pasur nga Rugova. Pse po ju tregoj këtë? Sepse, po të mos kish zbritur babai im në Pejë, unë sot do të isha një bari, çoban, në ato bjeshkë duke ruajtur delet e lopët nëpër kodra e shpatije të Drelajve të Rugovës”. Pa Jakup Rugovën, Ramiz Kelmendi nuk do ta ngriste kurrë Fakultetin e Gazetarisë “Faik Konica”, prandaj le të jetë i përjetshëm kujtimi dhe nderimi për Breznitë Orëmira.

Ramiz Kelmendi ka dashur që të gjithë shqiptarët të shkruajnë me një gjuhë, të flasin me një gjuhë, prandaj edhe e ka përjetuar dëshirën e tij tek vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit (ndonëse nuk iu është lejuar pjesëmarrja në te), por edhe ka bërë thirrje të arsyeshme për një Kongres të Dytë të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Ai ka bërë thirrje për një ribashkim gjuhësor, sepse ai e di se gjuha është shpirti i një kombi, dhe se kombi nuk mund të bashkohet më mirë sesa përmes gjuhës. Urojmë, që edhe kjo dëshirë, por edhe nëse ka ndonjë tjetër: t’i plotësohen, ashtu siç i është plotësuar dëshira e kahmotshme për ta shkruar Ditarin (dëshirë e cila i ka ngjallur edhe dhimbje: “Sidoqoftë ka të ngjarë që do të vdes me një borxh e mall të madh: të mos e shkruaj Ditarin e jetës sime. Mjerisht!”…”Kam borxh të madh ndaj vetvetes pse do të vdes pa e botuar DITARIN e jetës dhe të bëmave të mia. Ouaa, sa shumë kam jetuar e përjetuar brenda këtyre 80 vjetëve të mia!”).

Në njërën prej intervistave të tij (Letërsia ime është pjellë e padrejtësive të sistemit totalitar), pyetjes: “Jeni pedagog me shumë vjet përvojë pune. Tash a ndjeni mall dhe dëshirë që të ligjëroni para studentëve?”, Ramiz Kelmendi i është përgjigjur se një gjë e tillë është një mall i përjetësisë, por të hysh në botën letrare dhe intelektuale të një kombi si një figurë emblematike, të jesh në botën mendore, kulturore dhe shpirtërore të një kombi – një klasik i gjallë, të rrezatosh dritë, dije, kulturë, paqe, vëllazëri dhe pajtim, të jesh rilindës i kombit të cilit ke krenarinë t’i takosh, të jesh Dekan i Përjetshëm í Fletorarizmës Shqiptare në Kosovë, të ligjërosh me pasion dhe me përkushtim lëndën kombëtare “Histori e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”, të jesh një nga hartuesit e Apelit të 215 intelektualëve, të jesh bashkorganizator i Kuvendit për Bashkimin e Pajtimit Kombëtar; të jesh me shkrimet dhe udhëpërshkrimet, me reportazhet dhe margjinat, me çapitjet dhe kristalet e mendimeve, i pranishëm për mëse 60 vjet rrjesht, nëpër libra, revista, gazeta, monografi, e krijimtari letrare të vazhdueshme, të mbledhësh kokrra kripe e rreze drite - të cilat lexuesi do t’i kërkojë me aq kurreshtje, t’ia bësh lexuesit faqet e gazetave dhe të revistave dritare prej kah e sheh jetën dhe prej ku e kupton botën më ndryshe, të ngritesh me aq dinjitet kundër plagëve të shumta e kundër sëmundjes së mendjemadhësisë, kundër kompleksit të kryelartësisë duke i bërë thirrje arsyes dhe modestisë; të bëhesh pjesë e mendimit të përditshëm dhe pjesë e pandarë e ndikimit të përditshëm në jetën dhe në kulturën e kombit të cilit i takon, dhe për të cilin gjakon në mënyrën më të përkryer, do të thotë të ligjërosh përjetësisht, do të thotë se edhe kjo dëshirë, siç do të thoshte Naim Frashëri për gjuhën shqipe, kaq e ëmbël dhe kaq e mirë, gjithsesi: është e plotësuar.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora