E shtune, 20.04.2024, 10:30 AM (GMT+1)

Mendime

Memli Krasniqi: Test i Sovranitetit të Kosovës

E merkure, 07.05.2008, 06:04 PM


Memli Krasniqi
Test i Sovranitetit të Kosovës

Nga Memli Krasniqi*

Serbia do të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe lokale më 11 Maj dhe paralajmërimi i institucioneve të Serbisë se do të organizojë këto zgjedhje edhe në Kosovë, është një shenjë e keqe dhe një provokim për të gjitha palët e involvuara në qeverisjen e Kosovës. Nëse ndodh, mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës do të shënojë një shkelje flagrante të pavarësisë dhe sovranitetit të deklaruar më 17 Shkurt. Kjo situatë kërkon që të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare të koordinojnë veprimet në mënyrë që të parandalohet mbajtja e këtyre zgjedhjeve ilegale dhe të mbrohet dinjiteti shtetëror i institucioneve dhe i qytetarëve. Mbi të gjitha, mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë paraqet një provokim të rëndë për sovranitetin e Kosovës dhe për këtë kërkohet që të ndërmerren të gjitha masat për të pamundësuar mbajtjen e tyre, edhe pse deri tani, shenjat për një angazhim të tillë nuk kanë qenë shumë shpresëdhënëse.

Megjithëse UNMIK-u, KFOR-i dhe organizatat e tjera ndërkombëtare e kanë kundërshtuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë, më shumë se në rastet e kaluara, në fund, si zakonisht, qëndrimi i tyre më së miri mund të shprehet me fjalinë: "As nuk i mbështesim e as nuk i pengojmë", që në fakt i bie se këto organizata do t'i mbyllin sytë, veshët dhe gojën, karshi organizimit ilegal të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Aq më keq, në deklaratat e shumta të këtyre organizatave, është vërejtur tendenca që të legalizohen zgjedhjet parlamentare, duke e quajtur haptazi të paligjshme vetëm mbajtjen e mundshme në Kosovë të zgjedhjeve lokale të Serbisë. Këto të fundit, padyshim, janë absolutisht të paligjshme dhe paraqesin një provokim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së Kosovës, por edhe të parat nuk mund të quhen të ligjshme, meqë përkundër legjitimitetit të dyshtetësisë për qytetarët e Kosovës, nuk ekziston një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Kosovës e Serbisë, për ta ndihmuar këtë të fundit në mbledhjen e votave të qytetarëve të saj, që jetojnë jashtë kufijve të këtij shteti. Për më shumë, ne e pranojmë dyshtetësinë e qytetarëve tanë, por jo edhe Serbia, e cila ende e trajton Kosovën si territor të vetin.

Në këtë mes të provokimeve dhe paqartësive, është pritur që Bashkimi Europian të luajë një rol më të fuqishëm në dhënien e një drejtim final kësaj çështjeje, meqë tashmë pritet që të marrë timonin udhëheqës të prezencës ndërkombëtare në Kosovë. Megjithatë, Bashkimi Europian ka udhëhequr një politikë jokoherente në lidhje me zgjedhjet në Serbi. Derisa në njërën anë, edhe pa përmbushjen e kushteve të vëna që herët, i ofroi qeverisë serbe mundësinë që të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, vetëm që të forcojë pozitën e bllokut "pro-perëndimor" të udhëhequr nga Boris Tadiq, në anën tjetër, nuk ka mbajtur një qëndrim strikt kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, edhe pse dihet që shumica dërmuese e serbëve të Kosovës, po t'u jepet mundësia, votojnë për radikalët dhe nacionalistët e Tomisllav Nikoliqit dhe Vojisllav Koshtunicës.

Nëse BE dëshiron që ta ndihmojë me çdo kusht kampin e Tadiqit, atëherë edhe për faktin e lartpërmendur është dashur që shumë më konkretisht, të kundërshtojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë; edhe pse një arsye e tillë do të duhej shikuar si dytësore karshi argumentit themelor: shkeljes së sovranitetit shtetëror të Kosovës. Pa i nënvlerësuar interesat strategjike të BE-së ndaj Serbisë, mbyllja e njërit sy para këtij dhunimi të mundshëm të sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë, i vë një hije paqartësie politikës së jashtme të BE-së ndaj Kosovës, ose së paku politikës së shteteve anëtare që tashmë e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Nëse historia mund të na mësojë ndonjë gjë, atëherë duhet ditur se ofrimi i lehtësimeve dhe favoreve Serbisë, kurrë nuk ka sjellë ndonjë ndryshim pozitiv në qëndrimin e saj ndaj Kosovës.

Deri tani, vetëm qeveria amerikane ka mbajtur një qëndrim të drejtë ndaj mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë dhe duket se do mbetet mbi të, që të ushtrojë një presion më të fuqishëm edhe në ditët në vijim. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, disa herë ka bërë të qartë se për SHBA-të, Kosova është shtet sovran dhe se asnjë shtet tjetër nuk mund të organizojë zgjedhje aty, pa dalluar a janë ato parlamentare apo lokale. Një qëndrim të tillë është dashur që të mbajnë së paku ato shtete që tashmë kanë njohur sovranitetin shtetëror të Kosovës, duke përfshirë këtu, në radhë të parë, nëntëmbëdhjetë shtetet e BE-së.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë mbi vete të gjitha përgjegjësitë që do t'i takojnë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe mundësitë e saj për të parandaluar organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë janë realisht të vogla, sidomos në pjesën veriore të vendit. Megjithatë, nuk duhet rezervuar vetëm në denoncime paraprake apo në dënime verbale post-festum, nëse këto zgjedhje ilegale ndodhin. Duhet ndërmarrë edhe hapa konkretë, për të parandaluar aq sa të jetë e mundur mbajtjen e zgjedhjeve, përkundër vështirësive apo ndonjë kundërshtimi eventual nga miqtë ndërkombëtarë. Një mundësi e realizueshme është që të bëhen përpjekje për ndalimin e personave dhe automjeteve që bartin material zgjedhor, si dhe konfiskimi i këtij materiali ilegal nga ana e doganierëve apo policëve të Kosovës. Askush nuk mund të kontestojë ligjshmërinë apo drejtësinë e veprime të tilla, që janë në funksion direkt të mbrojtjes reale të sovranitetit të vendit. Po ashtu, veprimet e tilla do t'u bënin me dije qytetarëve, se institucionet shtetërore po bëjnë aq sa munden për të parandaluar zgjedhjet ilegale dhe se nuk po mjaftohen vetëm me deklarime kundër tyre.

Mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, veçanërisht i të ashtuquajturave zgjedhje lokale, është testi i parë real i pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit tonë. Nëse ndodh, do të shënojë një përçmim të thellë për të gjitha palët e involvuara në shtetndërtimin e Kosovës. Një gjë e tillë do të ofendojë rëndë të gjitha organizatat ndërkombëtare që ende kanë kompetenca qeverisëse në Kosovë, të gjitha shtetet mike që tashmë kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, por edhe institucionet tona, që me gjithë mundësitë e limituara, mund dhe duhet t'i dalin më forcërisht përpara këtij rreziku real të shkeljes së sovranitetit të vendit tonë në ditët e para të ekzistencës së tij si shtet i pavarur.

*Autori është deputet në Kuvendin e Kosovës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora