E marte, 19.03.2024, 05:25 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Ahmet Shqarri: Jetimët dhe Kombëtarja

E premte, 29.03.2013, 03:09 PM


Jetimët e derbit të Yrshekut dhe Kombëtarja

Nga Ahmet Shqarri

Ajo çfarë mund të arrijë ekipi ynë përfaqësues nëpër takime ndërkombëtare, humbje, barazim apo edhe fi tore, përveçse mund të shtojë ose të zbehë iluzionet për ndonjë mrekulli të pamundur, gati si një ëndërr, gjithsesi, këtij futbolli që luhet në vend dhe që e prekim për çdo ditë nuk mund t’ia heq aspak atë zgjyrë të pështirë me të cilën ai është llangosur deri në grykë. Nëse me humbjet, të bëra binjake me Kombëtaren, jemi ambientuar duke mos na bërë përshtypje, barazimet ose fitoret e saj, të rralla si për t’i vendosur në një muze antikuarësh, vlejnë si një lloj makijazhi artificial për të ndrequr portretin e deformuar dhe u shërbejnë më tepër drejtuesve të federatës në fjalë, të cilët me këto rezultate mbajnë shpirtin gjallë, apo ndonjë tjetri që mezi pret rastin t’i përdorë ato për fushata elektorale dhe konjuktura nga më të ndryshme partiake, siç po ngjet edhe tani me çfarëdo ngjarje që del përpara. Por, ndryshe nga se ç’farë mendojnë bosët në vartësi të interesave të tyre dhe se sa mund të rritet entuziazmi i disave prej ndonjë rezultati të rremë, ndeshja e kësaj të premteje në Oslo ndaj Norvegjisë, si dhe i të tjerave që do vijnë më pas, nuk do të mundin kurrë të rikthejnë normalitetin e këtij futbolli që luhet këtu dhe që siç po shihet nuk po mundet të çohet dot në këmbë prej asaj lëngate të rëndë që e ka zënë prej kohësh. Optimizmi që na mbështjell nganjëherë edhe prej “futbollit-patriotik”, si në rastin kur luan Kombëtarja, nuk ka se si të na mbajë shumë në delir, sepse mrekullitë në këtë tokë nuk shihen shpesh dhe jeta, përkundrazi, të përplas për çdo ditë me një realitet krejt ndryshe, siç janë këto ndeshjet e përditshme që luhen këtu para syve tanë, ashtu të dobëta e pa nivel dhe të braktisura e të harruara me kohë prej spektatorëve që nuk marrin prej tyre asnjë kënaqësi. A e shihni se ku janë katandisur e degdisur dy prej ekipeve më të shquar të këtij vendi, Partizani e Dinamo? A po e shihni se në ç’farë gjendje është katranosur e bërë pis edhe ekipi më me traditë dhe me më shumë tituj në Shqipëri, FK Tirana? Për të mos vazhduar me gjynahe të tjera që e kanë pushtuar futbollin e këtij vendi, ku kthimi pa asnjë fushë normale për të luajtur ndeshje, e ka bërë Tiranën të vetmin kryeqytet në botë që të mbajë aktualisht këtë privilegj poshtërues!!! Dhe, mjerimi i këtij futbolli, që kërkon të na mashtrojë herë pas here me Kombëtaren- lopën që e mjelin për t’u majmur edhe më shumë bosët përkatës, arrijnë kulmin kur ndeshje të tilla derbi, si Partizani-Dinamo, dikur të përmasave të mëdha e të papërsëritshme për nga interesimi i jashtëzakonshëm që ngjallnin mes tifozëve në të katër anët e Shqipërisë, tashmë janë kthyer në ca si lojëra të rëndomta lagjesh e që zhvillohen larg syrit të njerëzve, diku në një periferi me emrin Yrshek!?...

Ndeshjet e Kombëtares, sido që të jenë rezultatet e tyre, u ngjajnë meteorëve , që sa shfaqen po aq shpejt edhe zhduken, gjithsesi, pa ndonjë forcë të tillë që mund të ndikojnë në të ardhmen e futbollit tonë. Këtë e kemi parë e provuar me kohë, sidomos në këtë dekadë të parë të këtij shekulli dhe në vitet që po e ndjekin atë, kur edhe pse prej Kombëtares është arritur ndonjë rezultat “meteorik”, megjithatë gjendja e futbollit real që luhet në këtë vend nëpër fushat e baltosura dhe jashtë përdorimit është për të vënë duart në kokë për nga shkatërrimi e përkeqësimi i përditshëm që po i bëhet atij. E di fort mirë se “patriotizmi” tek ne, qoftë edhe ky që vjen prej Kombëtares, nganjëherë e mbështjell si heretik “kundërvënësin” ndaj tij, por, më thoni nëse pas ndeshjeve të përfaqësueses sonë,(të dobëta, apo edhe të mira qofshin ato), a keni vënë re ndonjë ndryshim pozitiv që mund të ketë ndodhur në këtë futbollin tonë të përditshëm? Përkundrazi, vazhdon po ajo zbaticë e tmerrshme që gjithnjë e më tepër nxjerr në breg plehërishte të llojeve nga më të ndryshmet dhe që e ndotin pa fund këtë mjedisin tonë varfanjak. Atëherë, për çfarë shërbejnë këta drejtuesit e sotëm? Apo vetëm për të kryer atë ritin e zakonshëm të shoqërimit të Kombëtares dhe duke harruar e përbuzur nga ana tjetër bazamentin e këtij futbolli, atë realin që luhet në këtë vend dhe që në fakt duhet të shërbejë si fidanishte e skuadrave tona përfaqësuese?! Të mbetur si jetimë, të shpërfillur në krejt traditën e lavdishme që kanë pasur, ekipe si Partizani e Dinamo që tani strehë të tyre kanë Yrshekun(!), por edhe të tjerët po kaq historikë në vite, e ndjejnë për çdo ditë e më tepër mungesën e kujdesit dhe të kushteve, jo më për një lulëzim të mëtejshëm të tyre, por për mbijetesën, që po u bëhet gjithnjë dhe më e vështirë, larg atij imazhi të gënjeshtërt që mund të ngjallë ndonjëherë për futbollin tonë, Kombëtarja...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora