E enjte, 25.04.2024, 11:47 AM (GMT+1)

Kulturë

4 letra tronditëse pas kryqëzimit të Jezusit

E premte, 29.03.2013, 07:58 PM


Letra e Pilatit drejtuar Herodit

Këto janë katër korrespondenca shumë interesante të Pilatit dhe Herodit me njëri tjetrin, ku tregohet haptas pendimi mbi aktin e kryqëzimit të një njeriu të pafajshëm, Jezu Krishtit. Interesant është fakti se edhe vetë perandori romak Tiberius i irrituar nga ky ekzekutim i pamëshirshëm që iu bë një njeriu pafaj, urdhëron ndëshkimin e rmë të rreptë ndaj shkaktarëve të këtij krimi makabër. Këto letra botohen për herë të parë për lexuesin shqiptar.

Kush ishte Herod Antipa...

Herod Antipa, lindur në vitin 20 para Krishtit dhe vdekur në vitin 40 mbas Krishtit, është biri i Herodit I, të Madhit dhe vëllai i Arkelaut, etnark i Judesë, i Samarisë dhe i Idumesë. Herodi vetë, tetrark i Galileas dhe i Pereas, qeverisi nga viti 4 para Krishtit deri në vitin 39 mbas Krishtit, duke e vendosur rezidencën e tij në Tiberiade, pranë liqenit Cezarea, qytet i themeluar nga ai për nder të perandorit Tiber. Marrëdhëniet e tij adultore me Herodiadën mbasi divorcoi të shoqen, bijë e mbretit arab Areta IV, shkaktuan skandal të madh mes hebrenjve, e u kritikua edhe nga Gjon Pagëzori, të cilit, simbas rrëfimit evangjelik ai i preu kokën. Herodi shkoi në Romë për të marrë titullin mbret, por iu hoq edhe e drejta e tetrarkisë e u internua në Galici. Vdiq në Lion në vitin 40.

Pilati guvernator i Jeruzalemit tetrarkut Herod, përshëndetje.

Nuk kam bërë asgjë të mirë duke ndjekur këshillën tënde, ditën kur Judejtë më kanë sjellë Jezuin, mbiquajtur Krisht:

Kur u kryqëzua, ditën e tretë është ringjallur së vdekuri, më kanë thënë disa njerëz, mes të cilëve edhe centurioni. Atëherë unë vetë vendosa të dërgoj njerëz në Galilea, ku e kanë parë, me trupin e tij dhe me pamjen e tij; e me të njëjtin zë e të njejtat mësime është shfaqur përpara mëse pesëqind besimtarëve, të cilët mandej kanë shkuar gjithandej duke dëshmuar për të, pa mëdyshje, duke përhapur ringjalljen e tij të jashtëzakonshme e duke lajmëruar mbretërinë e përjetshme, aq sa dukej sikur prej mësimeve të tij të shenjta galdonte qielli e toka.

E edhe Prokla, gruaja ime, duke u bindur dhe besuar tek ëndrra në të cilën ai i qe shfaqur kur unë, nxitur nga dashakeqja jote, isha duke e dënuar me kryqëzim, kërkoi të shkonte me dhjetë ushtarë e me Longinin, centurionin besnik, për të parë imazhin e tij, si të qe fjala për një shfaqje të madhe. Dhe e panë ulur mbi një arë të lëruar, rrethuar nga një turmë e madhe, tek predikonte mrekullitë e Atit, në një mënyrë të tillë sa të gjithë kishin mbetur të mahnitur e në ekstazë, dhe sesi ishte ringjallur nga të vdekurit mbasi ishte kryqëzuar.

Dhe teksa të gjithë e adhuronin të mrekulluar, ai i vështroi dhe iu drejtua atyre me këto fjalë: -Akoma nuk besoni tek unë, Prokla e Longin? A nuk je ti që ke bërë roje gjatë vuajtjeve të mia e mbi varrin tim? E ti, grua, a nuk ia ke përcjellë burrit tënd një lajm rreth meje? (Unë zbatoj) marrëveshjen e Zotit që Ati ka vendosur: e kësisoj të gjithë trupat që kanë vdekur, për shkak të vdekjes sime, të cilën ju e njihni mirë, do t?i risjell në jetë, sepse, mbas shumë vuajtjeve që kanë hequr, do të lartësohen. Dijeni pra, tashti, se të gjitha krijesat që kanë besim në Zotin Atë dhe në mua, nuk do të vdesin, sepse unë i kam shfuqizuar dhimbjet e vdekjes dhe e kam shpuar tejpërtej dragoin me shumë koka. Dhe me ardhjen time të dytë, secili, i ringjallur me të njejtin trup dhe me të njejtin shpirt që ka tashti, do të lavdërojë Atin tim: Ati i atij që është kryqëzuar në kohën e Ponc Pilatit.

Duke dëgjuar gjëra të tilla. Gruaja ime Prokla, centurioni Longin, ai që kishte qenë roje gjatë vuajtjeve të Jezuit, por dhe ushtarët që e kishin shoqëruar, nisën të qajnë e të japin shenja pikëllimi; mandej u kthyen e më treguan gjithçka. E unë, mbasi i dëgjova, ua tregova këtë histori edhe oficerëve të mi të lartë e shokëve të armëve, e edhe ata u pikëlluan dhe qanë për tërë ditën, duke pranuar të keqen që kishin bërë kundër tij. E edhe unë vetë, për dhimbjen e gruas sime, rri në agjërim dhe flë lakuriq përmbi tokë?

Por ja ku ka erdhur Jezui dhe ka na ngritur nga toka mua dhe gruan time; dhe teksa vështroja trupin e tij vura re i kishte ende shenjat e plagëve. Ai mi vuri duart mbi supe duke më thënë:

-Do të të quajnë të bekuar të gjithë brezat e të gjithë popujt, sepse në kohën tënde Biri i njeriut ka vdekur dhe është ringjallur e tashti ngjitet në qiej për të ndenjur tek ata më të lartët; e të gjithë popujt e tokës do ta mësojnë se unë jam ai që do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit në ditën e fundit.

Letra e Herodit drejtuar Pilatit

Herodi tetrark i Galilesë Ponc Pilatit guvernator i Judejve, përshëndetje.

Nuk është e paktë dhimbja me të cilën ti shkruaj këto gjëra, në përputhje me Shkrimet e Shenjta, aq sa edhe ti, duke i lexuar, do ndjehesh thellësisht i pikëlluar: vajza ime e adhuruar Herodiada, teksa ishte duke luajtur ra në ujë, që kishte teptisur përtej ledheve të lumit, e çilembyll sytë uji i ka shkuar deri në fyt. E ëma e ka kapur nga koka që të mos e merrte me vete rryma, por koka e fëmijës është këputur, kështuqë gruaja ime mbeti me kokën e saj në dorë ndërsa trupin e rrëmbeu uji. E gruaja ime qan duke mbajtur kokën në prehër,dhe gjithë shtëpia ime është në një zi që nuk ka fund.

Unë, nga ana ime, ndjehem i pikëlluar prej një numri të madh të këqijash, qëkurse kam dëgjuar se ke keqtrajtuar Jezuin, e dua të shkoj vetëm për ta parë e adhuruar, e për të dëgjuar ndonjë fjalë prej tij, meqë i kam bërë shumë të këqija atij e Gjon Pagëzorit, dhe ja, tashti po pësoj me drejtësi atë që meritoj: në të vërtetë babai im ka bërë një plojë të madhe përmbi tokë me gjak fëmijësh,për shkak të Jezuit, e unë nga ana ime, kam urdhëruar t?i pritet koka Gjon Pagëzorit, atij që e kishte pagëzuar.

Të drejta janë gjykimet e Zotit, sepse secili e merr shpërblimin simbas asaj që ka në zemrën e tij.

Meqë, pra, ti ke ende mundësinë ta shohësh njeriun Jezu, mbështete çështjen time dhe ndërhyj për mua me fjalën tënde; ju të Mirëve, në fakt, iu është lejuar mbretërimi në përputhje me fjalët e profetëve dhe të Krishtit.

Biri im Lezbonaku gjendet në grahmat e fundit të jetës, pllakosur prej shumë ditësh nga një sëmundje që po e gërryen, unë vetë ndjehem i ngrirë dhe i dobësuar nga vuajtjet e hidropisisë dhe më dalin krimba nga goja; ndërsa gruas sime, për shkak të zisë që ka rënë në familje, i është verbuar syri i majtë.

Të drejta janë gjykimet e Zotit, sepse ne nuk kemi treguar respekt ndaj syrit të një njeriu të drejtë. ?Nuk ka paqe për priftërinjtë?, thotë Zoti: dhe vdekja tashmë do t?i përlajë priftërinjtë dhe këshillin e pleqve të bijve të Izraelit, sepse kanë vënë dorë padrejtësisht mbi Jezuin e drejtë. Këto gjëra do të përmbushen në mbarim të kohërave, e sigurisht që trashëgimia e mbretërisë së Zotit do t?u kalojë të Mirëve, ndërsa bijtë e dritës do të dëbohen jashtë, sepse nuk kemi i zbatuar detyrimet tona ndaj Atit e as ndaj birit të tij.

Prandaj, ji i përgatitur, ki parasysh drejtësinë natë e ditë, në kujtim të Jezuit, bashkë me gruan tënde, dhe juaja ka për të qenë mbretëria, sepse ne e kemi trajtuar keq të Drejtin.

Por nëse mund të të bëj një lutje, o Pilat, meqë jemi bashkëmoshatarë, kujdesu ti për të varrosur familjen time: është e preferueshme, në fakt, që ne më mirë të varrosemi nga ti sesa nga priftërinjtë, mbi të cilët shumë shpejt, simbas shkrimeve të Jezuit, do të bjerë gjykimi. Rri me shëndet.

Po të dërgoj vëthët e gruas sime dhe unazën time. Nëse ndodh të kujtohesh, do të mi rikthesh në ditën time të fundit të jetës:tashmë krimbat po më ngjiten në gojë e kështu po pres ndëshkimin e kësaj bote; por i druhem shumë më tepër ndëshkimit të botës së përtejme, sepse ndëshkimi i vendosur nga Zoti i gjallë do zbatohet mbi mua dyfish. Vijmë në mënyrë kalimtarë në këtë jetë, duke mbetur këtu për pak vite: e nga kjo vjen gjykimi i përjetshëm dhe shpërblimi i veprimeve tona.

Kush ishte Tiberi ...

Perandori romak Tiberi qe lindur në Romë në vitin 42 para Krishtit dhe ka vdekur në vitin 37. Ai ishte biri i Tiber Klaud Neronit dhe i Livia Drusilës. Katër vjet mbas lindjes së tij, e ëma u divorcua nga i shoqi dhe u martua me Oktavianin (perandorin e ardhshëm) që asokohe ishte triumvir, i cili u kujdes për edukimin e tij. Në vitin 20 para Krishtit, Tiberi qe dërguar me mision në Armeni, ndërsa më vonë mori pjesë në disa fushata ushtarake të suksesshme në Recia e në Panoni. Në vitin 11 para Krishtit nën këshillën e perandorit Oktavian, u nda nga e shoqja Agripina dhe u martua me Xhulian, bijën e Augustit. Mbas vdekjes së nipërve të tij Kaio e Luçio, Oktaviani u detyrua ta emëronte trashëgimtar të fronit perandorak, duke e adoptuar kështu formalisht pak para se të vdiste, në vitin 14 para Krishtit.

Kush ishte Ponc Pilati...

Ponc Pilati qe emëruar prefekt i Judesë në vitin 26, duke zëvendësuar Valer Gratën (15-26). Nuk rezulton të ketë qenë person me ndonjëfarë rëndësie historike, sidomos po të përjashtojmë hipotezën e pjesëmarrjes së tij në kryqëzimin e Jezu Krishtit. Nga dëshmitë e Flaviusit, të ndërthurura edhe me zhvillimin e ngjarjeve, Pilati rezulton njeri jo largpamës dhe provokues së paku në tri raste të ndryshme. Karriera e tij do të përfundojë mbas një konflikti me Samaritanët në vitin 36, gjë që për të cilën u thirr nga perandori për të dhënë shpjegime. Por ndërkohë Tiberi vdiq, dhe Pilati doli nga historia në kuptimin më të ngushtë të fjalës. çuditërisht, deri në shek. III, ikonografia i paraqet Pilatin dhe gruan e tij Prokla, pothuajse si të parët njerëz që e njohën origjinën hyjnore të Jezuit.

__________

Letra e Ponc Pilatit drejtuar Tiberit

Ponc Pilati Tiberit Cezarit perandor, përshëndetje.

Jezu Krishti, për të cilin të kam folur gjerësisht në letrën time të fundme, më në fund, simbas vendimit të popullit, i është nënshtruar një mundimi të madh, edhe pse unë nuk desha e madje kisha edhe pak frikë. Një njeri kaq i përshpirtshëm e kaq i rreptë, për Herkulin nuk ka qenë e as nuk do të jetë në asnjë epokë. Por ka qenë një presion i pabesueshëm nga ana e vetë gjithë popullit, me miratimin e tërë skribëve, kryetarëve dhe pleqve, për të kryqëzuar këtë lajmëtar të së vërtetës, paçka se profetët e tyre, me mënyrën e sibilave tona, i lajmëruan të bënin të kundërtën. E në të vërtetë, ndërsa ai gjendej i kryqëzuar, u shfaqën shenja të mbinatyrshme që, simbas gjykimit të të urtëve, kërcënonin për fundin e tërë botës.

Dhe ekzistojnë ende dishepujt e tij, të cilët me veprën e tyre dhe pastërtinë e rrugës nuk e mohojnë Mjeshtrin e tyre, përkundrazi, në emër të tij bëjnë shumë të mira. Nëse nuk do të kisha pasur frikë se mund të shpërthente ndonjë kryengritje mes popullit, që ndërkohë ishte i trazuar, ndoshta ky njeri do të ishte ende i gjallë mes nesh. Gjithsesi, duke qenë më shumë i prirë nga besnikëria ndaj autoritetit tënd sesa nga vullneti im, unë nuk u kundërvura me të gjitha forcat që të tradhëtohej e të derdhej gjaku i një njeriu të drejtë e të zhveshur prej çdolloj faji, për shkak të padrejtësisë dhe keqdashjes së njerëzve, veprim i cili, siç e dëshmojnë dhe Shkrimet e tyre,do bjerë mbi kokat e tyre. Qofsh mirë. 28 mars.

Letra e Tiberit drejtuar Pilatit

Kjo është përgjigja e dërguar nga Cezar Augusti Ponc Pilatit, guvernator i provincës lindore, mbi të cilën është shkruar edhe dekreti i tij, që ai e dërgoi nëpërmjet korrierit Raab, duke i dhënë me vete edhe ushtarë, dymijë në numër:

Në çastin që, duke abuzuar me pushtetin tënd dhe duke vepruar në mënyrë të padrejtë, ke dënuar me vdekje Jezu Nazaretin, e përpara dënimit me vdekje ua ke dorëzuar Judejve të egjër dhe të xhindosur e nuk ke patur mëshirë për këtë njeri të drejtë, por duke ngjyer penën ke shkruar një vendim të padrejtë dhe e ke fshikulluar e ke ofruar për kryqëzim çka se ai ishte i pafajshëm, duke pranuar edhe dhurata për dënimin e tij, e, ndërsa me gojë tregoje simpati për të, brënda zemrës sate e tradhëtoje në favor të Judejve të pabesë, për të gjitha këto do të sillesh i prangosur përpara meje, që të justifikohesh e të japësh llogari për jetën e pafajshme që ke çuar drejt vdekjes.

 Por, çfarë pamëshirshmërie dhe vrazhdësie zemre kjo e jotja! Unë, qëkurse i kam dëgjuar këto gjëra me veshët e mi, vuaj në shpirt dhe ndjej të më përziehen rropullitë. Në fakt është paraqitur para meje një grua me emrin Maria Magdalena, e cila thotë se është një nxënëse e tij, e prej trupit të së cilës pohohet se ai ka dëbuar shtatë djaj: ajo dëshmon se ai ka kryer shërime të mrekullueshme, i ka bërë të verbërit të shohin, sakatët të ecin drejt, shurdhët të dëgjojnë, ka pastruar nga sëmundja lebrozët. E, për ta thënë hapur, -siç ajo më siguron-të gjitha këto shërime i kryente vetëm nëpërmjet fjalës.

Si ke lejuar të kryqëzohet pa kurrfarë faji? Sepse, edhe nëse nuk e ke pranuar si zot, do mund ta kishe vlerësuar si mjek. Por edhe duke u mbështetur tek raporti i dyshimtë që më ke dërguar, unë mund të vendos për dënimin tënd, meqë në të është shkruar që ai ishte sipëror edhe ndaj zotave që ne adhurojmë.

Si ke mundur ta dënosh me vdekje? Por, nëse ti e ke dënuar në mënyrë të padrejtë me vdekje, unë në fakt do të të dënoj me vdekje në mënyrë të drejtë; e jo vetëm ty, por edhe të gjithë këshilltarët dhe bashkëpunëtorëte tu, prej të cilëve ke marrë shpërblime për dënimin e tij.

Me tiu dorëzuar kjo letër lajmëtarëve, u qe dhënë atyre edhe urdhëri i nënshkruar nga vetë Augusti, për të shkuar në shpatë tërë popullsinë e Judejve e për të sjellë në Romë lidhur me pranga si fajtor Pilatin, e bashkë me të dhe krerët e Judejve që ishin asokohe guvernatorë krahinash: Arkelaun, birin e Herodit të urrejtshëm, bashkëfajtorin e tij Filipin, priftërinjtë e mëdhenj Kaiafa e vjehrrin e tij Anna, e të gjithë krerët Judej.

Për këtë arsye Rakaab shkoi me ushtarët dhe bëri ashtu siç ishte urdhëruar: shkoi në shpatë tërë popullsinë mashkullore të Judejve, ndërsa gratë e tyre të shthurura u përdhunuan nga paganët, duke bërë të lindej kështu një rracë e llahtarshme, meqenëse Satanai ishte babai i tyre. Mandej i dërguari arrestoi Pilatin, Arkelaun e Filipin, Anna-n e Kaiafën, dhe tërë krerët e Judejve, dhe i dërgoi në Romë të lidhur me vargonj.

Por ndodhi që, teksa kalonin pranë brigjeve të një ishulli të quajtur Kretë, Kaiafa humbi jetën papritmas, në mënyrë të tmerrshme e të mjerueshme. E morën për ta varrosur, por toka nuk pranonte ta mbante absolutisht dhe e hodhi sërish përjashta. Duke parë këtë, tërë të pranishmit morën në duar gurë dhe nisën t?i hedhin përmbi të, e kështu e varrosën. Të tjerët zbarkuan në Romë. Mes sundimtarëve të asokohshëm ishte zakon që, nëse një i dënuar me vdekje e vështronte në fytyrë mbretin, i falej jeta. Prandaj Cezari dha urdhër që të mos shihej nga Pilati, me qëllim që ai të mos mund ti shpëtonte vdekjes. Duke iu bindur këtij urdhëri, Pilatin e mbyllën në një kolibe dhe e lanë aty. Sa i përket Anna-s, e mbështollën me një lëkurë bualli dhe e lanë të thahet lëkurën nën diell; atij iu zu fryma brënda saj, ndërsa rropullitë i erdhën deri tek goja: kështu ai e humbi në mënyrë të përdhunshme jetën e tij të mjerueshme.

Të gjithë Judejtë e tjerë që ishin arrestuar, ai i dënoi me vdekje, dhe u shkuan në shpatë. Po për Arkelaun, birin e të urrejtshmit Herod dhe bashkëfajtorin e tij Filipin, urdhëroi të nguleshin në hu.

Një ditë, mbreti, duke pasë dalë për gjah, po ndiqte një gazelë, e kjo duke kaluar para kolibes, u ndal aty. Pilati, në mënyrë aksidentale u vra nga dora e Cesarit, e kështu u përmbush ajo që do të ndodhte: Pilati bëri përpara për të vështruar sovranin, ndërsa gazela ishte tamam përballë; Cezari lëshoi një shigjetë për të goditur gazelën, por shigjeta, duke kaluar nepërmjet një të çare vrau Pilatin.

Të gjithë ju që besoni në Krishtin, Zotin e vërtetë dhe Shpëtimtarin tonë, nderojeni dhe madhërojeni, sepse atij i takon lavdia e adhurimi, me Atin e tij, që nuk ka fillim, e me Shpirtin bashkënjësuar, sot e përgjithmonë, në shekuj të shekujve. Amen.

Letrat që kemi zgjedhur për botim në këtë numur janë shkëputur nga libri "Ungjijtë Apokrifë", botuar nga shtëpia botuese Einaudi në vitin 1997.

Përktheu: Shpëtim Kelmendi



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora