E premte, 29.03.2024, 09:39 AM (GMT)

Mendime

Alfred Lela: Pushtimet nuk janë kafe turke

E premte, 29.03.2013, 03:04 PM


Rishkrimi i historisë; pushtimet nuk janë kafe turke me pak

Nga Alfred Lela

Një tulatje që vjen nuk dihet nga ku e nga se e përshkon një pjesë të miletit shqiptar kur bëhet falë për Turqinë; kjo huti vjen kryesisht prej bombardimit religjiozo-ekonomiko-arsimor. Është një lloj pakti pragmatist për të cilin shqiptarët shquhen. Më shumë se mënyrë të qeni, është mënyrë të kaluari: kompromis afatshkurtër ose afatmesëm, duke besuar se në afat të gjatë, të tjera rrethana do të kërkojnë të tjera pakte e aleanca. Po, e ka njëfarë ngashënjimi kur kombëtarja e Turqisë triumfon në ndeshjet ndërkombëtare të futbollit; flamuj shqiptar e turk valëviten mbi makina mbrëmjeve verore të Tiranës, boritë bien rreth xhamisë së Et’hem beut, a thua një aht prej shekullit 18 zbret në bulevardin me shije latine për të kërkuar hakmarrjen me bori, daulle e gjysmëhënë si në kohë të dovletit. Ngashënjimi bëhet pothuajse cerebral kur, si padashur, kujtohet ‘97-a dhe rreziku grek i copëtimit të Shqipërisë: memoria shërben një deklaratë të kryeministres turke Tansu Çiller se një përpjekje për të ndarë Shqipërinë do të thoshte luftë me ushtrinë turke. Aq e gjatë është jehona e saj, sa kohët e fundit, vend e pa kohë, dalzotje të ngjashme i atribuohen kryeministrit aktual turk, Erdogan.

Në Kosovë e Maqedoni ahti është edhe më i madh. Turqia, për të cituar shkrimtarin Kim Mehmeti, ose më saktë islamizmi i ardhur prej saj, e ka shpëtuar shqiptarinë. Deklarata e Mehmetit, rastësisht ndoshta, vjen pikërisht kur në Kosovë është në pik debati për rishikim të teksteve të historisë, sipas një kërkese të autoriteteve turke, të cilat ndjehen ‘të keqpërfaqësuara’ nga vështrimi historik i paraardhësve të tyre, osmanëve, në librat e shkollave shqipe. Gazetat kanë shpërndarë edhe një manual të fjalive e termave që duhen rishikuar, por edhe të zëvendësve të tyre. Për shembull, për fjalinë: Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka vrarë, ushtruar dhunë dhe ishte e ashpër, propozohet varianti Perandoria Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka sunduar, burgosur dhe ka ushtruar ndërhyrje ushtarake.

Një ushtri mesjetare që ndërhyn, por pa ushtruar dhunë!

Groteske nuk është vetëm gjetja e implanteve, por sidomos trashësia dhe intoleranca e kërkesës. Për t’i bërë një studim ADN-së së pranisë turke në viset shqiptare dhe asaj nëse ajo ka qenë e butë, e mesme, apo e fortë, si të ishte një kafe turke e jo pushtim, duhet interpretuar kërkesa aktuale e Ankarasë zyrtare. Ajo është të paktën intolerante. Nëse një shtet modern, që për vite me radhë i ka mbajtur sytë nga klubi europian dhe vlerat perëndimore, shfaq shenja të intolerancës, që rrjedhin me sa duket prej njëfarë supremacie ekonomike dhe dëshirës për t’u shtrirë me soft power, çfarë mund të thuhet për paraardhësin e tij? A është abuzim të konsiderohet si intolerant, i ashpër, pushtues, dhunues e të tjera? Edhe në mungofshin dokumentet që e dëshmojnë intolerancën, të cilat në fakt nuk mungojnë, lind e drejta e supozimit se një shtet nuk mund të ketë qenë më tolerant në shekujt 15, 16, sesa në shekullin 21.

Çka është edhe më keq për ta: nëse turqit kërkojnë t’ua imponojnë shqiptarëve, një kombi tjetër, shkrimin e historisë sipas midesë së tyre, mund të thuhet se këtë intolerancë e kanë projektuar edhe në shkrimin e historisë së shtetit të tyre. Që do të thotë, projektimi në histori i sjelljes së shumicës turke ndaj pakicave etnike. Kosova, të paktën, e di se ç’do të thotë të jesh pakicë e shtypur. Shqipëria po mban kafenë turke e rakinë, por këtë eksport nuk ua do.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora