| E premte, 29.03.2013, 01:00 PM |
''Histori e rishikuar=turq të gëzuar''!
Nga Elvi Sidheri
Nuk e
nisa me këtë rimë për arsye tjetër, përveç dëshirës sido që të jetë, për të
thënë timen mbi këtë çështje e cila periodikisht na shfaqet në prioritetet
“osmaniste” të ditës, neve shqiptarëve!
Për të
thënë të drejtën, turqit dhe punët e tyre kam dashur t’i lë qëllimisht pak si
mënjanë ca kohë, për shkak se jam fortësisht i mendimit se si në shumë raste të
tjera, publicitet të tepërt atyre nuk u duhet bërë duke folur edhe me të drejtë
për ta dhe rreziqet që drejtpërdrejtë nga institucionet e Ankarasë, i kanosen
vendit tim Shqipërisë e “shqiptarizmës” në përgjithësi.
Por kur
Fat është,
që pas mbi një viti “luftë mediatike” kryesisht online ndaj ekspansionit të ri
neo-otoman apo thjesht “neo-turk”, pra si për koinçidencë historike që
rishfaqet sërish “jeune turc ose xhonturk”, tanimë po vihet re edhe një reagim
i madh i qarqeve të nderuara intelektuale shqiptare ndaj turkomanizmit
ala-Davotuglu.
Pra me
këtë tezë që konsiston në të shikuarit qartë të një linje shtetërore turke, e
cila synon rihyrjen nga dera kryesore në ato që ai shtet i quan ende ish-koloni
të vetat (ndër të tjera dhe trojet shqiptare, që rrinë për turp në të njëjtin
nivel me Lindjen e Mesme dhe vende prapanike të këtij modeli)...tashmë duken të
jenë bashkuar edhe shumë studiues, akademikë e njerëz të tjerë me mend në kokë.
Kjo sepse
rastësitë nuk numërohen dot më, derisa vetëm në pak ditë dëgjojmë për
ambasadorë turq që u kërkojnë llogari shqiptarëve lidhur me “ndryshime të
detyruara” në librat e historisë që flasin për turqit e po ashtu dikush tjetër
në të njëjtën kohë merr përsipër të dalë dhe të na “mësojë” sesi shqiptarët në
IRJ Maqedoni ose dhe më gjerë, na paskërkan shpëtuar pa u asimiluar për shkak
të ndonjë bindje fetare të afërt me turqit.
Këto janë
vetëm të fundmet nga një seri e pamatë “mufkash” (budallëqesh me bisht) të
cilat na serviren përditë nga qarqet dhe personazhet e tillë e që i dëgjojmë
pasi na kanë ardhur në vesh edhe “dëshmi” për vëllazëri me turqit, për
bashkëjetesë me ta, për shqiptarë që del të kenë “bërë pallë” nën hijen e errët
të perandorisë së turqve etj!
Sepse
turqit dhe pasuesit e tyre turkomanë, nuk dinë të ngopen, ja përse çdo ditë po
të ekzistojë për ta mundësia, ata do të duken me ndonjë sajesë të re në shërbim
të “betonizimit” të kësaj strategjie turkdashëse mes shqiptarësh!
Diçka që
pata vënë re jo pa interes gjatë këtij më shumë se një viti, qysh kur nisi me
vrull më të theksuar mësymja “neo-turke”, ishte se në njëfarë pike pati një
lloj frenimi apo tërheqje taktike nga avancimi i bërë, por kurrësesi nga
llogoret e tyre tashmë të mirëçimentuara, të manovruesve të këtij sulmi.
Pra u duk
të paktën në pamje të parë se kishte patur një tip stepje të gjithë
ingranazheve të këtij aparati të madhe turkoman Ankara-Shkup-Prishtinë-Tiranë!
Papritmas
ndalën publicitetet e çmendura megallomane të operatorit celular turk me emrin
e simbolit kombëtar shqiptar “Eagle”, për ca kohë kështu na ranë veshët e sytë
në qetësi nga blasfemi antishqiptare si ajo që na tregonte se shqiponja jonë e
Gjergj Kastrioti Skënderbeu qëndronin nën “suazën” e një palo firme telefonie
turke.
Jo për
gjë, por megjithë vendim të marrë padyshim për të favorizuar pikërisht këtë
operator celular turk (ndërrimi i operatorit pa ndryshuar numrin)...e jo për
shembull atë shqiptaro-shqiptar (Plus) me kapital nga të dyja anët e kufirit
mes të njëjtit komb...sërish kuota e klientëve që zgjodhën atë kompani për të
cilën ishte kaluar ajo normë “ad hoc”, pra me qëllim specifik për t’a
mbështetur atë njëanshmërisht, ishte më e vogël se shumë të tjerë që shkuan
bashkë me numrat e tyre të vjetër nëpër tre kompanitë e tjera ekzistente në
tregun shqiptar.
Rrodhën
si pa u ndjerë nja 6 muaj e ca dhe operatori turk celular u kthye me të njëjtat
“pordhë”...më falni për shprehjen, duke folur përherë nëpër spotet e tij, me aq
vlerësim për veten e aq përçmim për aftësitë intelektuale të klientëve potencialë
shqiptarë, sa duket qartë që pronarët e kësaj kompanie turke, vërtet mendojnë
se në Shqipëri kanë të bëjnë me ndonjë nënspecie njerëzore e jo humanoidë të
evoluuar normalisht nga trutë.
Nga ana
tjetër, po kështu pati në aparancë së paku, një si zbutje edhe të agresionit
turk të përbërë nga një shumicë serialesh bastarde, për të cilat kam folur herë
tjetër...e seriozisht përtoj të thellohem më tepër prapë me to.
Nga Ezeli
tek Gymyshi, tek Sulejmani të cilit turqit i thonë (me të drejtën e tyre se për
ta ashtu ka qenë vërtetë, por kurrësesi jo të tonën që e kemi pasur
pushtues)...i Madhërishëm e shumë të tjerë seriale të këtij lloji, janë bërë
pushtuesit e rinj të eterit shqiptar.
Kjo
megjithë të tëra prapësitë e mundshme që në kazanin e valuar të botëkuptimit
turk të jetës, ziejnë brenda serialeve të tyre, plot me gjëra, sjellje e
fenomene të ndyra që për fat edhe ndoshta ishin harruar në një shekull distancë
nga koha kur turqit osmanë e këputën qafën përfundimisht nga trojet tona.
Kush ka
dëshirë që të mësojë sesi vritet vetja pasi më parë heroi i filmit ka qenë
plasur pa të drejtë në burg, ka ndërruar turirin e tij kirurgjikisht, ka
rigjetur familjen ku e dinin të vdekur, miqtë tradhëtarë e të dashurën
kapriçoze...e më pas po ky njeri vendos që si “kurorëzim” të kësaj hakmarrje
t’a gjejë të udhës që të vetëhelmohet duke i lënë të ligështuar përjetë dy
prindërit e moshuar të cilëve më parë është kujdesur që t’u marri në qafë edhe
vëllanë e tij të vogël pafaj...e pra ore popull, këtë mundësi e patët dhe e
keni përherë në një serial të bukur dhe “edukativ” turk!
Por po
thoja që edhe në këtë këndvështrim, pati një lloj ngadalësimi të qarqeve
neo-turke të cilat bashkëveprojnë me median shqiptare, për ca kohë të paktën.
Shqiptarët,
po qe se i ka marrë shumë malli për të parë dhunë familjare, vrasje e thika
prapa shpine, dhunime fëmijësh e grash, martesa të detyruara, tradhëti brenda
llojit, krime të tmerrshme, tradita anadollake e të tilla gjëra, nuk kanë
normalisht përse të lodhen sa të shohin një serial turk, se këto janë buka e
përditshme e realitetit tonë fundja!
Por jo, edhe
kur s’i duam, na i servirin prapë me një “bujari” të ekzagjeruar e cila
sigurisht që bie shumë erë!
Tani do
nisin të shfaqen edhe filma të rinj aksioni turk si “Lugina e çakejve dhe
kërrmave” në të cilët popullit shqiptar gabimisht të drejtuar nga “djajtë
perëndimorë”...do t’i mësohet nga serialet e tilla plot vrasje, tortura e
aksion turk, sesi kriminelët, abuzuesit dhe për t’a thënë më thjesht...të
këqinjtë e vërtetë ndaj të cilëve “agjentët heroikë turq”, idhujt e rinj të
rinisë shqiptare në një të ardhme, luftojnë me armë në dorë e shpirtin nëpër
dhëmbë, ata janë pra imperialistët amerikanë e spiunët sionistë hebrenj
izraelitë!
Deri këtu
ka shkuar puna pra!
Gjithmonë
si edhe në një luftë të vërtetë, një tërheqje taktike, pasohet nga një
kundërsulm edhe më i fortë dhe i mirëpërgatitur e kjo gjë po ndodh edhe me
strategjinë televizive të pushtimit të ri që neo-turqizmi po ndërmerr në trojet
tona.
Ne jemi
dhe jo vetëm konsiderohemi vendi dhe populli më pro-amerikan dhe pro-perëndimor
në Europë e ndoshta edhe në botë.
E të jesh
njëkohësisht edhe pro-amerikan edhe pro-turk, NUK ËSHTË E MUNDUR!
Amerikanët
dhe turqit ndajnë një alenacë gjeo-strategjike, por jo kurrësesi ndonjë aleancë
të mirëfilltë vlerash demokratike apo civilizuese.
Turqia
është një vend i qëndrueshëm me një ushtri të fortë e kushtetutë laike (aq
laike sa 10 vjet Erdogani nuk po e çmonton dot)...e kjo është arsyeja që ky
vend u nevojitet amerikanëve.
Por amerikanët
janë shumë më të vlefshëm për turqit e rrethuar nga vende armike për ta, si
Siria të cilës i ngrefen si cuba prej 2 vjetësh dhe megjithë luftën e
përgjakshme civile e pozitat e dobësuara të Asadit aty, sërish nuk ua mban e
pasmja të futen dot direkt si palë ndërluftuese në konflikt.
Qënia
pjesë e NATO-s dhe mbrojtja amerikane pra ka një rëndësi imponente për Turqinë
dhe vendosja me vrap e raketave “Patriot” në kufirin turko-sirian, nga frika e
ndonjë sulmi të Asadit, e tregoi qartë këtë gjë.
Turqia që
sot kërkon hyrje në librat kosovarë-shqiptarë të historisë, në emër të
mosfyerjes së komunitetit fantomatik turk në Kosovë, ndërkohë nuk e ka lëvizur
gishtin në mbrojtje të miliona turqve të veriut të Irakut, të Sirisë apo të
Iranit, të cilët nga regjimet totalitare të atyre shteteve për dhjetëvjeçarë të
tërë janë shkelur me këmbë e janë asimiluar nga arabët e iranianët...pa bërë
dot asgjë në këtë drejtim shteti turk!
Turqia e
sotme, në të vërtetë është një vend dinamik, me një popullsi të madhe, një
pjesë e së cilës, ajo me origjinë europiane ballkanase (shqiptare po
ashtu)...është edhe për nga mentaliteti dhe mënyra e të jetuarit, vërtetë afër
kulturës perëndimore.
Ai shtet
ka një ekonomi të fuqishme që nuk ka njohur ulje apo rënie edhe gjatë këtyre
viteve krize të gjatë nëpër botë.
Disponon
po ashtu edhe një ushtri të respektueshme, e cila sidoqoftë kurrë gjatë jetës
së republikës moderne turke të pas Ataturkut, nuk e ka provuar ndonjëherë veten
në fushën e betejës, përveç ndonjë skërmitje me kurdët apo me greko-qipriotët e
vegjël e të parëndësishëm.
Nga ana
ushtarake, e thënë në gjuhë popullore, turqit “i japin vetes” shumë me fjalë, por
aspak nuk dihet forca e tyre reale me vepra.
Sa na
përket neve si shqiptarë, lidhja me ta nuk do të ishte fare problematike, sikur
të mbetej brenda kornizave të një historie që duam apo s’duam na ka parë për 5
shekuj nën sundimin e tyre.
Kemi
pasur marrëdhënie të shtuara me ta.
Dy prej
religjioneve tona të respektuara kombëtare kanë ardhur tek ne bashkë me turkun,
ashtu si edhe mënyra sesi ne njihemi e deri diku i perceptojmë dhe praktikojmë
këto fe me histori (myslimane e bektashie), lidhet po ashtu me turqit.
Unë nuk
kam sesi të kem asgjë kundër ushqimit të mrekullueshëm turk, i cili bashkë me
gjellët tona origjinale karakteristike shqiptare si dhe me kuzhinën tejet të
shijshme italiane, përbën treshen fantastike të gatimeve tona.
S’më ka
bërë asnjë të keqe as pilafi, as bakllavaja, as revania, as kadaifi, as
tasqebapi, as imam bajalldia, as shishqebapi, as qoftet e paçja, as turlia, as
pashaqofteja e as tavat e tepsitë e ndryshme turke!
Jam pro
tyre e i ha me po aq kënaqësi sa pizza-n e spaghetti-t italiane...si dhe tavën
e kosit apo tavën tonë të dheut tironse!
Kjo është
kulturë, qoftë edhe kulinare e cila askujt nuk i prish asnjë punë.
Sikur me
turqit, të verfikonim dhe të synonim pikërisht bashkëpunimin lidhur me ato
gjëra të mira të përbashkëta që mund të kemi, ky do të ishte një veprim më
shumë sesa i mirëpritur.
Kemi ende
shpesh në përdorim emra turq, mbiemra të po asaj tradite, të palidhura me një
kuptim strikt fetar, por nacional turk.
Kemi
gjurmë shumë të forta, si i gjithë rajoni ndër të tjera, të muzikës, veshjeve
popullore e valleve me origjinë të qartë turke po ashtu.
Kur nuk e
ekzagjerohen e nuk transformohen në bastardime tallavaje, as ato nuk më
shqetësojnë aspak!
Muzika e
mrekullueshme e Shqipërisë së Mesme, krijimet legjendare të Isuf Myzyrit, këngët
popullore të Parashqevi Simakut, Merita Hallilit e Xon Zyberit, janë versioni i
bukur shqiptar i një tradite të vlerësueshme muzikore turke, të cilat në
origjinalin e tyre, në vijën melodike së paku, pasi me kohën janë përshtatur e
stilizuar shqiptarisht, ato sërish turke mbeten.
Kemi
prezencë historike prej kaq kohësh të shumë fjalëve turke në gjuhën tonë e kjo
është diçka tepër normale e ndodhur gjatë një periudhe errësire zhvillimi
kombëtar e gjuhësor, siç ishte sundimi turk-osman mbi ne.
Por t’i
thuash dikujt “budall”, ”hajvan”, apo të jesh në “qejf”, të kesh shkelur
“pragun”, të mbështetesh në “parmakë” e të pish një kafe turke nga “xhezvja” të
hedhur në “filxhan”...është një gjë më vete, kurse të kërkohen edhe arkivat më
të largëta turkomane nga përkthyesit “e zellshëm” të dixhitaleve tona
televizive, me qëllim që të nxirren në përdorim sërish fjalë të papërdorura
prej dyqind vitesh që as vetë turqit s’i njohin më, kjo pastaj është një gjë
krejt tjetër e cila bëhet plotësisht me një qëllim të caktuar.
Shikoni
vetë po deshët përkthimin në dixhitalin tonë shqiptar dhe kontrolloni përkthimet
aty qoftë edhe njëherë për kuriozitet.
Fjala
partner apo bashkëpuntor ka vdekur për përkthyesit e dixhitalit tonë dhe ka
rilindur ajo turke që përdoret në 100% të rasteve, pra “ortak”!
Njerëzia
sipas këtij këndvështrimi nuk shkel më “përtokë”, por vetëm në “dysheme” e
dritaret janë padyshim turqisht “penxhere”.
“Problemet”
(apo për partizanët e puritanizmit gjasme shqiptar anti-latinisht, por të cilët
rregullisht harrojnë se vetë flasin gjysma turqisht e gjysma sllavisht)...pra
“shqetësimet” që bëhen vetëm “telashe” e “siklete apo sekëlldi”!
“Miqtë”
apo të “ftuarit” që na bëhen ekskluzivisht “mysafirë”.
Gjërat që
tashmë nuk “mbarojnë” siç do thuhej në shqip, por ato “sosin” në turqisht, ngjyra
që është “jeshile” kur ekzistojnë copë dy fjalët shqipe “gjelbër dhe
blertë”...apo “llogaritë” shqipe që tashmë na serviren vetëm si “hesape” turke!
“Rruga
ose udha” që s’ka sesi të jetë më tjetër gjë përveçse një “xhade”, banjot
termale i kemi si “llixha”, ”cepi ose këndi” që na e përkthejnë dixhitalasit
vetëm si “qoshe” apo “fytyra” e pse jo në zhargon popullor “turiri” që na jepët
tashmë si “surrat” gjithmonë në turqisht!
Të mos
harrojmë edhe “haberin” që do ishte “ideja” ose “e reja” në shqip!
Kam një
lloj ideje, se atyre të dixhitalit, u kanë vënë një si tip fjalori
shqip-turkoshqip, ku ata gjejnë me nënvizim të parapërgatitur që më parë nga
ndonjë emisar turk, fjalët shqipe që duhet “të zhdukin nga faqja e dheut” e ato
turke që duhet të rifusin me detyrim në përdorim.
E bukura
është që po këta turqizues të ethshëm të shqipes, që rrijnë duke na treguar
edhe me manuale nëpër internet, sesi qenka gabim kapital të thuash “konkluzion”
në vend të “përfundim” ose “hezitim” për “ngurim”, pra ca sinonime që kanë hyrë
duke filluar qysh para dymijë vitesh në gjuhën shqipe, po këta njerëz më pas
hanë “bukë e turqisht” në të folur dhe kjo gjë nuk ua vret fare veshin apo aq
më pak t’i shqetësojë dërrmimi i gjuhës tonë nëpërmjet kaq shumë turqizmave që
përdorin vend e pavend!
E janë të
njëjtët që para çdo fjale shqiptare (duke futur edhe këtu përkthyesit e
dixhitalit)...do përdornin me lumturi një fjalë sllave si për shembull
“vaditje-voditi” për “ujitje”, ”zbavitje-zabaviti” për “argëtim”, ”begati-bogatstvo”
për “pasuri”, ”zakon” për “traditë ose doke” e shumë sllavizma të tjera.
Të mos më
thotë kush që këtu nuk ka një strategji të strukturuar në shumë nivele, me
synimin e njëjtë përherë, atë të sulmit ndaj çdo arritje të këtyre 100 viteve
për t’u shkëputur nga trashëgimia turke, në kulturë, në tradita, në sjellje, në
këndëvshtrimin ndaj jetës e në gjuhën tonë post-turqizëm.
Këto
fenomene, bashkë me ndërhyrjet aktuale në historinë tonë dhe lajthitjet e
shpeshta të filo-turqve që e gjejnë jo vetëm arsyen e tyre të ekzistencës
personale, por edhe atë të popullit të cilit thonë se i përkasin, tek prezenca
e turkut në këto anë, të gjitha këto gjëra përbëjnë levat e shumta të këtij
agresioni neo-turk i cili nuk ka ndërmend të pushojë.
Turqisë
do të duhej (po të kishin ndonjë dinjitet shtetëror) që t’i vinte turp nga
vetja, prej shfrytëzimit që ajo po i bën njohjes nga ana e saj të pavarësisë së
Kosovës, me qëllim që të përcaktojë sipas oreksit të vet, atë çfarë në këtë
histori do të shkruhet e që do të mësojnë nxënësit shqiptarë aty.
Çdo vend
historinë e tij, e shkruan si ia ka ënda më mirë e kjo gjë hyn në të drejtat
sovrane të secilit shtet në botë!
Të tjerë
i kanë dhënë të gjitha shembujt e nevojshëm në këtë këndvështrim e s’ka nevojë
të përsëris unë gjë tani.
Por meqë
gjithnjë na paraqiten si shembull marrëdhëniet franko-gjermane që janë zemra
pulsuese e BE-së së sotme, mos kujtoni se francezët në librat e tyre të historisë, nuk tregojnë se çfarë
kanë bërë gjermanët që në kohën e Kaizer Bismarkut, gjatë pushtimit nazist të
Francës, Holokaustin etj!
Ajo që më
pas nxënësve në Francë...si dhe në Izrael u thuhet, është se gjermanët e ditëve
tona, nuk janë gjyshërit e tyre që poqën në furra të gjallë, miliona hebrenj, që
dogjën Europën e masakruan këdo që u ra në dorë.
Kjo gjë
ndodh kur dy shtete, të cilët mund të kenë pasur kontradikta të thella dikur, luftë
ose pushtime të ndërsjellta, bien dakort që të hapin një faqe të re marrëdhëniesh
dhe shohin përpara, por asnjëherë duke fshirë atë që ka ndodhur në të kaluarën
sidoqoftë!
Një
zgjidhje të tillë, unë i pari do t’a kisha pranuar si kompromis me turqit e
sotëm.
Pra siç
nuk kam gjë me pilafin apo bakllavanë e tyre, as me çiftelinë (çifte-tel, instrument
me dy fije pra) e as me kafen turke, ashtu s’do kisha asgjë kundër tyre edhe
tani, se për fat mes nesh dhe tyre janë në shtrirje territoriale edhe tre
shtete të tjera (Greqi, IRJ Maqedoni e Bullgari) dhe kufi ka dashur perëndia të
mos kemi direkt me ta, kjo gjë pra sikur turqit mos t’a sillnin kokën prapë nga
anët tona megjithë të tërë ngarkesën e anadollizmave të tyre, duke futur
revizionet e historisë sonë sipas dëshirave të tyre PËRÇMUESE ndaj nesh!
Po të na kishin lënë “rehat”...se edhe turqisht e thashë, neo-turqit dhe të mos merreshin me gjëra të kaluara, por të shihnin përpara me qëllimin për të forcuar marrëdhëniet tregtare a qoftë dhe kulturore mes nesh, kjo gjë nuk do të më jepte asnjë shqetësim.
Por
strategjia e neo-turqve është pikërisht kjo, që duke nisur nga lidhjet tregtare,
shkollat e tyre apo serialet televizive, ata në fund të dalin tek ajo që u
intereson, që nuk e arritën as përgjatë gati pesë shekujve sundim të ashpër, pra
të shkruajnë të kaluarën tonë...siç ua do zemra atyre vetë!
Epo...”deti
kos” nuk është bërë akoma këtej nga ne, që të nisen sërish turqit dhe të vijnë
me “lugë në brez” që të na e hanë shpirtin prapë!
Kurse sa
për “shkrimtarët” andej nga Shkupi, të cilët fiks në ditët e një triumfi të
madh historik për shqiptarët e atij shteti, pra ato të fitores së madhe në
Uskanën shqiptare ish-Kërçovë, e gjejnë të udhës që të lëshojnë bomba të
qelbura tymosëse me përmbajtje që na tregon sesi shqiptarët e atyshëm kanë
shpëtuar pa u asimiluar në sllavë prej fesë në dukje, por më tepër nga “vëllai
turk”...atyre s’kemi pse t’ua zgjasim shumë.
Vërtetë
në IRJ Maqedoni nuk ka shumë shqiptarë katolikë ose ortodoksë...janë asimiluar
ata të Rekës e pak kanë qenë përherë katolikët
e Shkupit, të cilët për çdo rast kur kanë lindur një figurë planetare si
Nënë Tereza, e kanë bërë aq mirë detyrën ndaj popullit të tyre sa duhet larë
goja me sapun sa herë ndokush guxon t’i përflasi ata pa taktin e duhur, por
ndërkaq sikur t’i hidhet një sy regjistrimeve të popullsisë në atë vend e të
shihen sikur vetëm rezultatet e këtyre zgjedhjeve të fundit lokale aty, ca të
dhëna interesante do të dalin sido që të jetë.
Nga
regjistrimet e popullsisë në IRJ Maqedoni, dimë se në atë vend ka nja 120 mijë
turq e maqedonas myslimanë, shumica absolute e të cilëve, dihet shumë mirë që
shqiptarë të asimiluar gjuhësisht në turq apo sllavë janë.
Zona e
Rekës, ku ka jetuar një popullsi e konsiderueshme shqiptare ortodokse, ndodhet
në Mavrovë-Rostushen e sotme, ku vërtet që shqiptarë të krishterë nuk ka më
zyrtarisht, por ku edhe në këto zgjedhje, të tre kandidatët e partive sllave të
VMRO-së, Partisë së Torbeshëve dhe LSDM-së kishin secili mbiemër shqiptar
mysliman akoma me zanore në fund dhe pa “ski-në” sllave si prapashtesë!
Pra këto
janë dokrra që nuk pijnë ujë përveçse tek prapanicë-lëpirësit e turkut apo
sllavëve dhe tek askush tjetër, sepse qëllimi i këtyre pohimeve ditëzeza, është
vetëm krijimi i përçarjes mes shqiptarëve, në ata që janë të asimilueshëm për
nga feja dhe të tjerët që religjioni apo afria me ndonjë pushtues, na i paska
bërë të mbesin shqiptarë.
Si turq i
kanë nisur si pako postale me rraqe në kurriz aty dhe si turq i njeh edhe
shteti i “dashur” dhe shumë i dhembshur turk po ashtu!
Boshnjakë
e njerëz pa identitet janë bërë edhe ish-shqiptarët e Sanxhakut, po njëlloj si
shumë të asimiluar të krishterë shqiptarë në Mal të Zi, IRJ Maqedoni apo Greqi.
Nuk ka
asnjë diferencë fetare në të qënit “të asimilueshëm” për shumë shqiptarë nga të
katër anët!
Janë
konditat, shtypja e rrethanat historike ato që kanë kushtëzuar asimilimin apo
jo të shumë shqiptarëve.
Të tjerë
kanë rezistuar, në Shqipëri, Kosovë, Itali e tjerëkund e prandaj sot e kësaj
dite kemi 4 fe nacionale, sepse ka shqiptarë të secilit denominacion fetar.
Përrallat
me mbret të këtij lloji pra, më mirë të mos na i shfaqin si të vërteta
historike ata që i thurin kaq dobët!