Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Elvi Sidheri: “Histori e rishikuar=turq të gëzuar”!

| E premte, 29.03.2013, 01:00 PM |


''Histori e rishikuar=turq të gëzuar''!

Nga Elvi Sidheri

Nuk e nisa me këtë rimë për arsye tjetër, përveç dëshirës sido që të jetë, për të thënë timen mbi këtë çështje e cila periodikisht na shfaqet në prioritetet “osmaniste” të ditës, neve shqiptarëve!

Për të thënë të drejtën, turqit dhe punët e tyre kam dashur t’i lë qëllimisht pak si mënjanë ca kohë, për shkak se jam fortësisht i mendimit se si në shumë raste të tjera, publicitet të tepërt atyre nuk u duhet bërë duke folur edhe me të drejtë për ta dhe rreziqet që drejtpërdrejtë nga institucionet e Ankarasë, i kanosen vendit tim Shqipërisë e “shqiptarizmës” në përgjithësi.

Por kur del nevoja, për ta do folur e folur, do “parandaluar” virusi turkoman, më përpara se të na lindë nevoja që këtë “sëmundje” t’a kurojmë kur qoftë larg të ketë infektuar edhe më tepër qelizat dhe kështu jo aq të shëndosha të qënies sonë shqiptare!

Fat është, që pas mbi një viti “luftë mediatike” kryesisht online ndaj ekspansionit të ri neo-otoman apo thjesht “neo-turk”, pra si për koinçidencë historike që rishfaqet sërish “jeune turc ose xhonturk”, tanimë po vihet re edhe një reagim i madh i qarqeve të nderuara intelektuale shqiptare ndaj turkomanizmit ala-Davotuglu.

Pra me këtë tezë që konsiston në të shikuarit qartë të një linje shtetërore turke, e cila synon rihyrjen nga dera kryesore në ato që ai shtet i quan ende ish-koloni të vetat (ndër të tjera dhe trojet shqiptare, që rrinë për turp në të njëjtin nivel me Lindjen e Mesme dhe vende prapanike të këtij modeli)...tashmë duken të jenë bashkuar edhe shumë studiues, akademikë e njerëz të tjerë me mend në kokë.

Kjo sepse rastësitë nuk numërohen dot më, derisa vetëm në pak ditë dëgjojmë për ambasadorë turq që u kërkojnë llogari shqiptarëve lidhur me “ndryshime të detyruara” në librat e historisë që flasin për turqit e po ashtu dikush tjetër në të njëjtën kohë merr përsipër të dalë dhe të na “mësojë” sesi shqiptarët në IRJ Maqedoni ose dhe më gjerë, na paskërkan shpëtuar pa u asimiluar për shkak të ndonjë bindje fetare të afërt me turqit.

Këto janë vetëm të fundmet nga një seri e pamatë “mufkash” (budallëqesh me bisht) të cilat na serviren përditë nga qarqet dhe personazhet e tillë e që i dëgjojmë pasi na kanë ardhur në vesh edhe “dëshmi” për vëllazëri me turqit, për bashkëjetesë me ta, për shqiptarë që del të kenë “bërë pallë” nën hijen e errët të perandorisë së turqve etj!

Sepse turqit dhe pasuesit e tyre turkomanë, nuk dinë të ngopen, ja përse çdo ditë po të ekzistojë për ta mundësia, ata do të duken me ndonjë sajesë të re në shërbim të “betonizimit” të kësaj strategjie turkdashëse mes shqiptarësh!

Diçka që pata vënë re jo pa interes gjatë këtij më shumë se një viti, qysh kur nisi me vrull më të theksuar mësymja “neo-turke”, ishte se në njëfarë pike pati një lloj frenimi apo tërheqje taktike nga avancimi i bërë, por kurrësesi nga llogoret e tyre tashmë të mirëçimentuara, të manovruesve të këtij sulmi.

Pra u duk të paktën në pamje të parë se kishte patur një tip stepje të gjithë ingranazheve të këtij aparati të madhe turkoman Ankara-Shkup-Prishtinë-Tiranë!

Papritmas ndalën publicitetet e çmendura megallomane të operatorit celular turk me emrin e simbolit kombëtar shqiptar “Eagle”, për ca kohë kështu na ranë veshët e sytë në qetësi nga blasfemi antishqiptare si ajo që na tregonte se shqiponja jonë e Gjergj Kastrioti Skënderbeu qëndronin nën “suazën” e një palo firme telefonie turke.

Jo për gjë, por megjithë vendim të marrë padyshim për të favorizuar pikërisht këtë operator celular turk (ndërrimi i operatorit pa ndryshuar numrin)...e jo për shembull atë shqiptaro-shqiptar (Plus) me kapital nga të dyja anët e kufirit mes të njëjtit komb...sërish kuota e klientëve që zgjodhën atë kompani për të cilën ishte kaluar ajo normë “ad hoc”, pra me qëllim specifik për t’a mbështetur atë njëanshmërisht, ishte më e vogël se shumë të tjerë që shkuan bashkë me numrat e tyre të vjetër nëpër tre kompanitë e tjera ekzistente në tregun shqiptar.

Rrodhën si pa u ndjerë nja 6 muaj e ca dhe operatori turk celular u kthye me të njëjtat “pordhë”...më falni për shprehjen, duke folur përherë nëpër spotet e tij, me aq vlerësim për veten e aq përçmim për aftësitë intelektuale të klientëve potencialë shqiptarë, sa duket qartë që pronarët e kësaj kompanie turke, vërtet mendojnë se në Shqipëri kanë të bëjnë me ndonjë nënspecie njerëzore e jo humanoidë të evoluuar normalisht nga trutë.

Nga ana tjetër, po kështu pati në aparancë së paku, një si zbutje edhe të agresionit turk të përbërë nga një shumicë serialesh bastarde, për të cilat kam folur herë tjetër...e seriozisht përtoj të thellohem më tepër prapë me to.

Nga Ezeli tek Gymyshi, tek Sulejmani të cilit turqit i thonë (me të drejtën e tyre se për ta ashtu ka qenë vërtetë, por kurrësesi jo të tonën që e kemi pasur pushtues)...i Madhërishëm e shumë të tjerë seriale të këtij lloji, janë bërë pushtuesit e rinj të eterit shqiptar.

Kush ka dëshirë t’i shohi, ka lirinë e tij ose saj për t’a bërë këtë gjë!

Kjo megjithë të tëra prapësitë e mundshme që në kazanin e valuar të botëkuptimit turk të jetës, ziejnë brenda serialeve të tyre, plot me gjëra, sjellje e fenomene të ndyra që për fat edhe ndoshta ishin harruar në një shekull distancë nga koha kur turqit osmanë e këputën qafën përfundimisht nga trojet tona.

Kush ka dëshirë që të mësojë sesi vritet vetja pasi më parë heroi i filmit ka qenë plasur pa të drejtë në burg, ka ndërruar turirin e tij kirurgjikisht, ka rigjetur familjen ku e dinin të vdekur, miqtë tradhëtarë e të dashurën kapriçoze...e më pas po ky njeri vendos që si “kurorëzim” të kësaj hakmarrje t’a gjejë të udhës që të vetëhelmohet duke i lënë të ligështuar përjetë dy prindërit e moshuar të cilëve më parë është kujdesur që t’u marri në qafë edhe vëllanë e tij të vogël pafaj...e pra ore popull, këtë mundësi e patët dhe e keni përherë në një serial të bukur dhe “edukativ” turk!

Por po thoja që edhe në këtë këndvështrim, pati një lloj ngadalësimi të qarqeve neo-turke të cilat bashkëveprojnë me median shqiptare, për ca kohë të paktën.

Po të shikoni sot ndërkohë, secili televizion shqiptar, me një përjashtim të vetëm, transmeton çdo ditë së paku një serial turk, ka që japin edhe dy të tillë e bashkë me ritransmetimet e tyre, bëhen mbi 4 orë në ditë turqisht në TV.

Shqiptarët, po qe se i ka marrë shumë malli për të parë dhunë familjare, vrasje e thika prapa shpine, dhunime fëmijësh e grash, martesa të detyruara, tradhëti brenda llojit, krime të tmerrshme, tradita anadollake e të tilla gjëra, nuk kanë normalisht përse të lodhen sa të shohin një serial turk, se këto janë buka e përditshme e realitetit tonë fundja!

Por jo, edhe kur s’i duam, na i servirin prapë me një “bujari” të ekzagjeruar e cila sigurisht që bie shumë erë!

Tani do nisin të shfaqen edhe filma të rinj aksioni turk si “Lugina e çakejve dhe kërrmave” në të cilët popullit shqiptar gabimisht të drejtuar nga “djajtë perëndimorë”...do t’i mësohet nga serialet e tilla plot vrasje, tortura e aksion turk, sesi kriminelët, abuzuesit dhe për t’a thënë më thjesht...të këqinjtë e vërtetë ndaj të cilëve “agjentët heroikë turq”, idhujt e rinj të rinisë shqiptare në një të ardhme, luftojnë me armë në dorë e shpirtin nëpër dhëmbë, ata janë pra imperialistët amerikanë e spiunët sionistë hebrenj izraelitë!

Deri këtu ka shkuar puna pra!

Gjithmonë si edhe në një luftë të vërtetë, një tërheqje taktike, pasohet nga një kundërsulm edhe më i fortë dhe i mirëpërgatitur e kjo gjë po ndodh edhe me strategjinë televizive të pushtimit të ri që neo-turqizmi po ndërmerr në trojet tona.

Ne jemi dhe jo vetëm konsiderohemi vendi dhe populli më pro-amerikan dhe pro-perëndimor në Europë e ndoshta edhe në botë.

E të jesh njëkohësisht edhe pro-amerikan edhe pro-turk, NUK ËSHTË E MUNDUR!

Amerikanët dhe turqit ndajnë një alenacë gjeo-strategjike, por jo kurrësesi ndonjë aleancë të mirëfilltë vlerash demokratike apo civilizuese.

Turqia është një vend i qëndrueshëm me një ushtri të fortë e kushtetutë laike (aq laike sa 10 vjet Erdogani nuk po e çmonton dot)...e kjo është arsyeja që ky vend u nevojitet amerikanëve.

Por amerikanët janë shumë më të vlefshëm për turqit e rrethuar nga vende armike për ta, si Siria të cilës i ngrefen si cuba prej 2 vjetësh dhe megjithë luftën e përgjakshme civile e pozitat e dobësuara të Asadit aty, sërish nuk ua mban e pasmja të futen dot direkt si palë ndërluftuese në konflikt.

Apo si Irani, si Kurdët gati të pavarur në Kurdistanin irakian, si Rusët e shumë të tjerë.

Qënia pjesë e NATO-s dhe mbrojtja amerikane pra ka një rëndësi imponente për Turqinë dhe vendosja me vrap e raketave “Patriot” në kufirin turko-sirian, nga frika e ndonjë sulmi të Asadit, e tregoi qartë këtë gjë.

Turqia që sot kërkon hyrje në librat kosovarë-shqiptarë të historisë, në emër të mosfyerjes së komunitetit fantomatik turk në Kosovë, ndërkohë nuk e ka lëvizur gishtin në mbrojtje të miliona turqve të veriut të Irakut, të Sirisë apo të Iranit, të cilët nga regjimet totalitare të atyre shteteve për dhjetëvjeçarë të tërë janë shkelur me këmbë e janë asimiluar nga arabët e iranianët...pa bërë dot asgjë në këtë drejtim shteti turk!

Turqia e sotme, në të vërtetë është një vend dinamik, me një popullsi të madhe, një pjesë e së cilës, ajo me origjinë europiane ballkanase (shqiptare po ashtu)...është edhe për nga mentaliteti dhe mënyra e të jetuarit, vërtetë afër kulturës perëndimore.

Ai shtet ka një ekonomi të fuqishme që nuk ka njohur ulje apo rënie edhe gjatë këtyre viteve krize të gjatë nëpër botë.

Disponon po ashtu edhe një ushtri të respektueshme, e cila sidoqoftë kurrë gjatë jetës së republikës moderne turke të pas Ataturkut, nuk e ka provuar ndonjëherë veten në fushën e betejës, përveç ndonjë skërmitje me kurdët apo me greko-qipriotët e vegjël e të parëndësishëm.

Nga ana ushtarake, e thënë në gjuhë popullore, turqit “i japin vetes” shumë me fjalë, por aspak nuk dihet forca e tyre reale me vepra.

Po aq ata janë edhe tejet trima nëpër filma, aty po që luftojnë në të njëjtën kohë dhe “e bëjnë çorap” sa CIA-n (po s’ishin aleatë strategjikë këta turqit me amerikanët?)...aq edhe Mosad-in!

Sa na përket neve si shqiptarë, lidhja me ta nuk do të ishte fare problematike, sikur të mbetej brenda kornizave të një historie që duam apo s’duam na ka parë për 5 shekuj nën sundimin e tyre.

Kemi pasur marrëdhënie të shtuara me ta.

Dy prej religjioneve tona të respektuara kombëtare kanë ardhur tek ne bashkë me turkun, ashtu si edhe mënyra sesi ne njihemi e deri diku i perceptojmë dhe praktikojmë këto fe me histori (myslimane e bektashie), lidhet po ashtu me turqit.

Unë nuk kam sesi të kem asgjë kundër ushqimit të mrekullueshëm turk, i cili bashkë me gjellët tona origjinale karakteristike shqiptare si dhe me kuzhinën tejet të shijshme italiane, përbën treshen fantastike të gatimeve tona.

S’më ka bërë asnjë të keqe as pilafi, as bakllavaja, as revania, as kadaifi, as tasqebapi, as imam bajalldia, as shishqebapi, as qoftet e paçja, as turlia, as pashaqofteja e as tavat e tepsitë e ndryshme turke!

Jam pro tyre e i ha me po aq kënaqësi sa pizza-n e spaghetti-t italiane...si dhe tavën e kosit apo tavën tonë të dheut tironse!

Kjo është kulturë, qoftë edhe kulinare e cila askujt nuk i prish asnjë punë.

Sikur me turqit, të verfikonim dhe të synonim pikërisht bashkëpunimin lidhur me ato gjëra të mira të përbashkëta që mund të kemi, ky do të ishte një veprim më shumë sesa i mirëpritur.

Kemi ende shpesh në përdorim emra turq, mbiemra të po asaj tradite, të palidhura me një kuptim strikt fetar, por nacional turk.

Kemi gjurmë shumë të forta, si i gjithë rajoni ndër të tjera, të muzikës, veshjeve popullore e valleve me origjinë të qartë turke po ashtu.

Kur nuk e ekzagjerohen e nuk transformohen në bastardime tallavaje, as ato nuk më shqetësojnë aspak!

Muzika e mrekullueshme e Shqipërisë së Mesme, krijimet legjendare të Isuf Myzyrit, këngët popullore të Parashqevi Simakut, Merita Hallilit e Xon Zyberit, janë versioni i bukur shqiptar i një tradite të vlerësueshme muzikore turke, të cilat në origjinalin e tyre, në vijën melodike së paku, pasi me kohën janë përshtatur e stilizuar shqiptarisht, ato sërish turke mbeten.

Kemi prezencë historike prej kaq kohësh të shumë fjalëve turke në gjuhën tonë e kjo është diçka tepër normale e ndodhur gjatë një periudhe errësire zhvillimi kombëtar e gjuhësor, siç ishte sundimi turk-osman mbi ne.

Por t’i thuash dikujt “budall”, ”hajvan”, apo të jesh në “qejf”, të kesh shkelur “pragun”, të mbështetesh në “parmakë” e të pish një kafe turke nga “xhezvja” të hedhur në “filxhan”...është një gjë më vete, kurse të kërkohen edhe arkivat më të largëta turkomane nga përkthyesit “e zellshëm” të dixhitaleve tona televizive, me qëllim që të nxirren në përdorim sërish fjalë të papërdorura prej dyqind vitesh që as vetë turqit s’i njohin më, kjo pastaj është një gjë krejt tjetër e cila bëhet plotësisht me një qëllim të caktuar.

Shikoni vetë po deshët përkthimin në dixhitalin tonë shqiptar dhe kontrolloni përkthimet aty qoftë edhe njëherë për kuriozitet.

Po ndodhi që sikur edhe në një rast të vëreni se përkthyesi përdor fjalën shqipe mëse normale “pjesë” e jo atë turke të harruar prej vitesh para se t’a çpluhurosnin e t’a rifusnin në punë, pra atë “hise”, atëherë unë nuk kam të drejtë!

Po të shikoni se “kureshtjes apo shqetësimit” i thonë kështu e jo turqisht “merak” apo “të lehtës” nuk i thonë “kollaj”, atëherë gabim e kam unë!

Po aq do shihni se njeriu nuk ha më “bukë”, por “simite, gjevrekë ose kifle”!

Fjala partner apo bashkëpuntor ka vdekur për përkthyesit e dixhitalit tonë dhe ka rilindur ajo turke që përdoret në 100% të rasteve, pra “ortak”!

Njerëzia sipas këtij këndvështrimi nuk shkel më “përtokë”, por vetëm në “dysheme” e dritaret janë padyshim turqisht “penxhere”.

“Problemet” (apo për partizanët e puritanizmit gjasme shqiptar anti-latinisht, por të cilët rregullisht harrojnë se vetë flasin gjysma turqisht e gjysma sllavisht)...pra “shqetësimet” që bëhen vetëm “telashe” e “siklete apo sekëlldi”!

“Miqtë” apo të “ftuarit” që na bëhen ekskluzivisht “mysafirë”.

Gjërat që tashmë nuk “mbarojnë” siç do thuhej në shqip, por ato “sosin” në turqisht, ngjyra që është “jeshile” kur ekzistojnë copë dy fjalët shqipe “gjelbër dhe blertë”...apo “llogaritë” shqipe që tashmë na serviren vetëm si “hesape” turke!

“Rruga ose udha” që s’ka sesi të jetë më tjetër gjë përveçse një “xhade”, banjot termale i kemi si “llixha”, ”cepi ose këndi” që na e përkthejnë dixhitalasit vetëm si “qoshe” apo “fytyra” e pse jo në zhargon popullor “turiri” që na jepët tashmë si “surrat” gjithmonë në turqisht!

Të mos harrojmë edhe “haberin” që do ishte “ideja” ose “e reja” në shqip!

Kam një lloj ideje, se atyre të dixhitalit, u kanë vënë një si tip fjalori shqip-turkoshqip, ku ata gjejnë me nënvizim të parapërgatitur që më parë nga ndonjë emisar turk, fjalët shqipe që duhet “të zhdukin nga faqja e dheut” e ato turke që duhet të rifusin me detyrim në përdorim.

E bukura është që po këta turqizues të ethshëm të shqipes, që rrijnë duke na treguar edhe me manuale nëpër internet, sesi qenka gabim kapital të thuash “konkluzion” në vend të “përfundim” ose “hezitim” për “ngurim”, pra ca sinonime që kanë hyrë duke filluar qysh para dymijë vitesh në gjuhën shqipe, po këta njerëz më pas hanë “bukë e turqisht” në të folur dhe kjo gjë nuk ua vret fare veshin apo aq më pak t’i shqetësojë dërrmimi i gjuhës tonë nëpërmjet kaq shumë turqizmave që përdorin vend e pavend!

E janë të njëjtët që para çdo fjale shqiptare (duke futur edhe këtu përkthyesit e dixhitalit)...do përdornin me lumturi një fjalë sllave si për shembull “vaditje-voditi” për “ujitje”, ”zbavitje-zabaviti” për “argëtim”, ”begati-bogatstvo” për “pasuri”, ”zakon” për “traditë ose doke” e shumë sllavizma të tjera.

Të mos më thotë kush që këtu nuk ka një strategji të strukturuar në shumë nivele, me synimin e njëjtë përherë, atë të sulmit ndaj çdo arritje të këtyre 100 viteve për t’u shkëputur nga trashëgimia turke, në kulturë, në tradita, në sjellje, në këndëvshtrimin ndaj jetës e në gjuhën tonë post-turqizëm.

Këto fenomene, bashkë me ndërhyrjet aktuale në historinë tonë dhe lajthitjet e shpeshta të filo-turqve që e gjejnë jo vetëm arsyen e tyre të ekzistencës personale, por edhe atë të popullit të cilit thonë se i përkasin, tek prezenca e turkut në këto anë, të gjitha këto gjëra përbëjnë levat e shumta të këtij agresioni neo-turk i cili nuk ka ndërmend të pushojë.

Turqisë do të duhej (po të kishin ndonjë dinjitet shtetëror) që t’i vinte turp nga vetja, prej shfrytëzimit që ajo po i bën njohjes nga ana e saj të pavarësisë së Kosovës, me qëllim që të përcaktojë sipas oreksit të vet, atë çfarë në këtë histori do të shkruhet e që do të mësojnë nxënësit shqiptarë aty.

Çdo vend historinë e tij, e shkruan si ia ka ënda më mirë e kjo gjë hyn në të drejtat sovrane të secilit shtet në botë!

Të tjerë i kanë dhënë të gjitha shembujt e nevojshëm në këtë këndvështrim e s’ka nevojë të përsëris unë gjë tani.

Por meqë gjithnjë na paraqiten si shembull marrëdhëniet franko-gjermane që janë zemra pulsuese e BE-së së sotme, mos kujtoni se francezët në librat  e tyre të historisë, nuk tregojnë se çfarë kanë bërë gjermanët që në kohën e Kaizer Bismarkut, gjatë pushtimit nazist të Francës, Holokaustin etj!

Ajo që më pas nxënësve në Francë...si dhe në Izrael u thuhet, është se gjermanët e ditëve tona, nuk janë gjyshërit e tyre që poqën në furra të gjallë, miliona hebrenj, që dogjën Europën e masakruan këdo që u ra në dorë.

Kjo gjë ndodh kur dy shtete, të cilët mund të kenë pasur kontradikta të thella dikur, luftë ose pushtime të ndërsjellta, bien dakort që të hapin një faqe të re marrëdhëniesh dhe shohin përpara, por asnjëherë duke fshirë atë që ka ndodhur në të kaluarën sidoqoftë!

Një zgjidhje të tillë, unë i pari do t’a kisha pranuar si kompromis me turqit e sotëm.

Pra siç nuk kam gjë me pilafin apo bakllavanë e tyre, as me çiftelinë (çifte-tel, instrument me dy fije pra) e as me kafen turke, ashtu s’do kisha asgjë kundër tyre edhe tani, se për fat mes nesh dhe tyre janë në shtrirje territoriale edhe tre shtete të tjera (Greqi, IRJ Maqedoni e Bullgari) dhe kufi ka dashur perëndia të mos kemi direkt me ta, kjo gjë pra sikur turqit mos t’a sillnin kokën prapë nga anët tona megjithë të tërë ngarkesën e anadollizmave të tyre, duke futur revizionet e historisë sonë sipas dëshirave të tyre PËRÇMUESE ndaj nesh!

Po të na kishin lënë “rehat”...se edhe turqisht e thashë, neo-turqit dhe të mos merreshin me gjëra të kaluara, por të shihnin përpara me qëllimin për të forcuar marrëdhëniet tregtare a qoftë dhe kulturore mes nesh, kjo gjë nuk do të më jepte asnjë shqetësim.

Por strategjia e neo-turqve është pikërisht kjo, që duke nisur nga lidhjet tregtare, shkollat e tyre apo serialet televizive, ata në fund të dalin tek ajo që u intereson, që nuk e arritën as përgjatë gati pesë shekujve sundim të ashpër, pra të shkruajnë të kaluarën tonë...siç ua do zemra atyre vetë!

Epo...”deti kos” nuk është bërë akoma këtej nga ne, që të nisen sërish turqit dhe të vijnë me “lugë në brez” që të na e hanë shpirtin prapë!

Kurse sa për “shkrimtarët” andej nga Shkupi, të cilët fiks në ditët e një triumfi të madh historik për shqiptarët e atij shteti, pra ato të fitores së madhe në Uskanën shqiptare ish-Kërçovë, e gjejnë të udhës që të lëshojnë bomba të qelbura tymosëse me përmbajtje që na tregon sesi shqiptarët e atyshëm kanë shpëtuar pa u asimiluar në sllavë prej fesë në dukje, por më tepër nga “vëllai turk”...atyre s’kemi pse t’ua zgjasim shumë.

Vërtetë në IRJ Maqedoni nuk ka shumë shqiptarë katolikë ose ortodoksë...janë asimiluar ata të Rekës e pak kanë qenë përherë katolikët  e Shkupit, të cilët për çdo rast kur kanë lindur një figurë planetare si Nënë Tereza, e kanë bërë aq mirë detyrën ndaj popullit të tyre sa duhet larë goja me sapun sa herë ndokush guxon t’i përflasi ata pa taktin e duhur, por ndërkaq sikur t’i hidhet një sy regjistrimeve të popullsisë në atë vend e të shihen sikur vetëm rezultatet e këtyre zgjedhjeve të fundit lokale aty, ca të dhëna interesante do të dalin sido që të jetë.

Nga regjistrimet e popullsisë në IRJ Maqedoni, dimë se në atë vend ka nja 120 mijë turq e maqedonas myslimanë, shumica absolute e të cilëve, dihet shumë mirë që shqiptarë të asimiluar gjuhësisht në turq apo sllavë janë.

Zona e Rekës, ku ka jetuar një popullsi e konsiderueshme shqiptare ortodokse, ndodhet në Mavrovë-Rostushen e sotme, ku vërtet që shqiptarë të krishterë nuk ka më zyrtarisht, por ku edhe në këto zgjedhje, të tre kandidatët e partive sllave të VMRO-së, Partisë së Torbeshëve dhe LSDM-së kishin secili mbiemër shqiptar mysliman akoma me zanore në fund dhe pa “ski-në” sllave si prapashtesë!

Po gjithë këta çfarë janë, mua si të asimiluar në turq apo sllavë më duken e shqiptarë nuk kanë sesi të jenë më, ndërsa për këtë gjë nuk i ka mbrojtur dot as feja e as afërsia me “vëllain turk”!

Pra këto janë dokrra që nuk pijnë ujë përveçse tek prapanicë-lëpirësit e turkut apo sllavëve dhe tek askush tjetër, sepse qëllimi i këtyre pohimeve ditëzeza, është vetëm krijimi i përçarjes mes shqiptarëve, në ata që janë të asimilueshëm për nga feja dhe të tjerët që religjioni apo afria me ndonjë pushtues, na i paska bërë të mbesin shqiptarë.

Po ata ca miliona ish-shqiptarë në Turqi çfarë të jenë vallë?

Si turq i kanë nisur si pako postale me rraqe në kurriz aty dhe si turq i njeh edhe shteti i “dashur” dhe shumë i dhembshur turk po ashtu!

Boshnjakë e njerëz pa identitet janë bërë edhe ish-shqiptarët e Sanxhakut, po njëlloj si shumë të asimiluar të krishterë shqiptarë në Mal të Zi, IRJ Maqedoni apo Greqi.

Nuk ka asnjë diferencë fetare në të qënit “të asimilueshëm” për shumë shqiptarë nga të katër anët!

Janë konditat, shtypja e rrethanat historike ato që kanë kushtëzuar asimilimin apo jo të shumë shqiptarëve.

Të tjerë kanë rezistuar, në Shqipëri, Kosovë, Itali e tjerëkund e prandaj sot e kësaj dite kemi 4 fe nacionale, sepse ka shqiptarë të secilit denominacion fetar.

Përrallat me mbret të këtij lloji pra, më mirë të mos na i shfaqin si të vërteta historike ata që i thurin kaq dobët!