Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: ''E Premtja e Madhe'' dhe shqiptarët...

| E enjte, 28.03.2013, 09:11 PM |


“E  PREMTJA  E  MADHE”  DHE  SHQIPTARËT…

Nga Fritz RADOVANI

Në pragun e Festës së Madhe të Pashkëve, besoj se ka vend per një kujtesë historike!

Ajo Derë që dhuronte Dashuni, per të cilen kam shkrue pak ditë perpara, ndoshta, nder të paktat ditë që “mbyllej” per 24 orë, ishte Dita e të Premtes së Madhe... Mund të gjindej në atë kulm vetem ndonjë frat i Asizit, që ishte i pamujtun me u nisë nder Malet e Shqipnisë, mbasi i duhej me rrah kambët edhe nder rruga ku nuk mujte me ecë as kali... Ata që i kanë shetitë ato krahina tue fillue nga Kelmendi, Hoti, Gruda, Dukagjini, Puka, Zadrima e Mirdita, mund të kenë rasen me pa në Fototeken Marubi, thesarin e paçmueshem të fotografit shkodranë Shan Pici, që i ka fiksue ato krahina në “xhamat” e vegjel të Tij, tue na lanë Historinë e lavdishme dhe ate të trishtueshme të Atyne Maleve aq sa Heroike, aq edhe “plangprishëse” të Tyne. Kjo figurë kaq e madhe asht edhe e një Shqiptari po aq të thjeshtë dhe të paster sa vetë dashunia e ndryeme në krahnorin e Tij, që ngopej me ajrin e Atyne Bjeshkëve të Nêmuna... E kur e pata pyet se, “si ke arrijtë, tue kenë në moshë të re, i pashem dhe qytetar i vertetë i Shkodres, me hy pa frikë nder ata fshatra aq të mbrapambetuna e të varfëra dhe me fotografue të gjitha zakonet e tyne, me burra e gra të reja e të vjetra, nuse e stajanica, apo edhe nuse mbas lindjes...etj”, më pat tregue se: “Nder Ata Malësi, atëherë, kur unë kam shkue me fotografue zakonet e Tyne, vetem dy Burra mund të më garantonin mue me e krye detyren që i kishe vue vetes, Frati i krahinës dhe Mësuesi i fshatit, Dy Burra, që viheshin në krye të vendit tek oxhaku dhe në krye të sofres së Atyne Maleve...”

Atëditë të së “Premtes së Madhe”, Françeskanët ishin të shperndamë nder të gjitha  krahinat malore të Veriut, ku nuk i pengonte as shiu, as bora e ngrime, as mungesat e rrugëve dhe as nuk ndihej lodhja nga detyra që Ata i kishin vue vetes: “Me falë gjaksorët”, e me pajtue Ata familje “plangprishëse” të vullnetit Zotit, të thyemjes së Dashunisë Hyjnore e Njerzore!

Vraponin të zbathun, të etun per ujë dhe të pangopun me bukë, me ditë të tana e rrugë pa rrugë, me shkue nder skutat ku as ujqit nuk rrinin të vetmuem nga frika e “pushkës”... Atje i ke gjetë të zbathunit e Asizit, tue fjetë në kashtë e koken mbështetë mbi gur, e tek koka ishte vetem ndonjë kafshë që e ngrohte me avullin e vet nder ata kësolla varfënije e frike... Zgjoheshin heret e merrnin rrugat e thella të shoqnuem nga vendasit, që nuk pritonin me ndihmue Fratin bamirës.

Dikund atje afer, si thonë vendasit, “mbas dy oresh” jemi aty pranë asaj kullë që shihni!

Aty e kemi cakun e parë! E kur afroheshin, u printe Frati me Kryq në dorë e me Ungjillë, per me kerkue: “Per hater të Krishtit, që sot, të Premten e Madhe asht gozhdue në Kryq, dhe pa dhanë Shpirtin e vet per me Shpetue Njerzimin, I asht lutë Zotit, Krijuesit të Vet, bash per ata që e mberthyen dhe e gozhduen per Kryq: Fali o Zot, se nuk dijnë çka bajnë!...”

Shtroheshin nder biseda të gjata, e Frati me një durim të pashoq, sa gjaku fillonte me u vlue edhe pleqëve...Hapej Ungjilli...Krishti ka thanë!.. E biseda fashitej...

E plakut i mejte fjala në fyt... I kishin vra loçken e zemres...tha konakun...lanë nusen tu shtëpija me fëmijë prej gjiut...dy jetima tjerë i kishte rritë miqësia me mujtë me shpetue prej një tjeter tragjedije...e pak ma andej vatres një plakë thante lotët, kur zehej në gojë pse u vranë... “A e besoni Burra, se Pasha Atë Krisht, që Ju ka pri me ardhë në kësollen tonë, gurin e cakut vijës së ujit, e kanë luejtë vetë ata që kerkuen me na shue votren e fisin...” E Frati, vertetonte çka dinte!

E me dashtë me u njoh me historitë e pafund të Atyne Viseve do të duhej me ringjallë edhe njëherë At Shtjefen Gjeçovin, e me iu tregue sa gjakun e kanë derdhë Shqiptarët tanë...

Atëherë, e besa, ma shumë sot! Vrasje e të ngujuem per çdo skutë n’ atë vend...

E pse?! – Një pjesë as vetë ata nuk e dijnë! U ka mbetë “zakon” me shkrepë pushken...

Asht një “zakon” që mirë ka dijtë me e perdorë i huej, po shumë ma keq nga të tanët që tue dashtë me u ngopë prap me gjak Shqiptari, i shtyjnë me u vra me zgjatë robninë e tyne...

E Frati, vazhdon detyren e vet: “Krishti ka thanë...bash si sot... e gati 2000 vjet perpara!”

Nuk çohej Frati e as nuk lonte nga oxhaku as Plaku i Fisit...

Ndrroheshin cigaret...i shtohej edhe një trung zjarrit...e per pak kohë, binte heshtja...

Ma të rijtë pritshin fjalen e Plakut...Ishin bash ata “të dënuem me vdekje e të ngujuem ” nga një trashigimi e vrame e shpesh edhe e pafajshme...Duhet të zbatohej “Kanuni”...

Këtu, Frati fillonte edhe njëherë me shpjegue se sa asht “shtremnue” ligji i Maleve...

Vrasje të mnershme, shfarosëse dhe pa asnjë bazë as mbi ligjët e Maleve, madje edhe të paligjëshme, kunder Kanunit e çdo Drejtësie, perveç padrejtësisë që sundon tash 70 vjet tek ne.

Cili ligj i Maleve tona apo Kanuni, lejon vetgjyqësinë “si e drejtë e një njeriu me vra”?

Frati me durimin e Tij shpjegonte Ungjillin...e Plaku, i paster në ndergjegje të vet, duhej të zbutej, të kthehej në Grixhen e të Parëve të Fisit vet dhe të pyeste: “Burra të Fisit tim, a Ua marrë Fëtyren e a Ju la marre mbrapa që per Hater të Krishtit, në këte të Premte të Madhe edhe unë si Ai i Lumnueshmi, me i falë gjaksit tonë?...” Heshtje... Pritje me kokë ulun e ankth...

– Jo Tatë, pergjegjet i madhi nder djelmë! Frati nuk ka ardhë me na marrë Fëtyren!

***

– Kjoftë ba si thotë Frati... then heshtjen Plaku... Nuse, sillni kafe e raki per miqë!...

Asht e Premtja e Madhe... “Bukë, krypë e zemer!”...E vetem sytë u qeshen Atyne... Po po, “Atyne”... që persa vjet të ngujuem e me lot perfaqe, shtynin kafshaten e thatë të bukës.

“Kjoftë levdue Krishti !”... e Frati, çohet në kambë, tokë koken me Plakun... e të gjithë sa janë aty fillojnë uraten... E fjala merr dheun...

“Dy Fise nuk do të shuhen kurrëma!..”

Mos harroni, e Frati, vazhdon me thanë...

Vazhdojnë prap si motit nga At Gjeçovi, At Fishta, At Prennushi, At Harapi, At Paliq, At Pal Dodaj, At Gjolaj, At Dioniz Maka...e rreshti i Tyne i pafund nder Trojet tona edhe sot pyet:

“E sa Fise o Shqiptarë, duhen shpetue nga “shuemja” në pragun e Këtyne Pashkëve ?”

Melbourne, 27 Mars 2013.