Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre-Pandeli Simsia: Nuse në derën e hasmit

| E merkure, 27.03.2013, 06:27 PM |


Nga Shtëpia Botuese TOENA, vjen libri më i ri i autorit

Pierre-Pandeli Simsia

“NUSE NË DERËN E HASMIT”.

Roman

Faqe: 298

Formati: 13x20 cm

ISBN: 978 - 99943 - 1 - 886- 5

Çmimi: 900 lekë

Tiranë, 2013

Botuese: Irena Toçi

Redaktor: Bardhyl Xhama

Korrektore letrare: Arlinda Rrushi

Përkujdesja grafike: Albana Kura

Kopertina: Lavdie Cenmurati

ISBN 978 - 99943 - 1 - 886- 5

© Autori

Asnjë pjesë e këtij libri nuk mund të botohet apo të riprodhohet

me forma të tjera, pa lejen me shkrim të mbajtësit të copyright-it.

BOTIMET TOENA

Rr. "M. Gjollesha", K. Postare 1420, Tiranë

Tel.: ++355 4 22 40 116; ++355 4 22 58 893

Fax: ++355 4 22 40 117

E-mail: redaksia@toena.com.al

botimet.toena@gmail.com

Http://www.toena.com.al/

Formati: 13 x 20 cm

Shtypur në Shtypshkronjën TOENA

Tel: ++355 4 22 40 116

Tiranë, 2013

Në këtë libër do të gjeni grimca të jetës suaj: realitet, dashuri, sakrificë, dhimbje, por mbi të gjitha shpresë dhe njerëz që dinë të falin. Ngjarjet janë të vendosura në dy realitete: Shqipëri dhe Amerikë, ku personazhet kryesore janë dy të rinj shqiptarë, që jetojnë në Amerikë dhe rastësisht takohen në vagonët e një treni dhe falë bisedave të tyre lind një shkëndijë dashurie.

Por romani nuk mbaron këtu. Personazhe dhe rrethana të tjera shtjellimi i fenomenit të gjakmarrjes i trajtuar me mjaft mjeshtëri nga autori do ta mbajë pezull vëmendjen e lexuesit.

Pjesë të shkëputura nga romani: "NUSE NË DERËN E HASMIT"

- Unë sot, pas kësaj që mësova nga ti, duhet të ndihem i lumtur. Më lejo ta përsëris edhe njëherë: unë sot duhet të ndihem djali më i lumtur, më fatlumi,

ashtu siç ndihet çdo mashkull për krijesën e tij të parë... U mendua një çast nëse ishte e përshtatshme dita e sotme për t’i treguar atë plagën e rëndë që e kishte ruajtur sekret prej saj. Vendosi t’i hapej, nuk mund të priste më.

- Mua më ka dënuar fati pa ardhur akoma në këtë jetë, e dashur Lea! Nuk dua që krijesa ime e parë, nëse është djalë, të dënohet nga fati, ashtu siç jam dënuar unë. Mbase të duken marrëzira të çuditshme këto që po t’i them tani. Ke dëgjuar ndonjë mashkull që fëmijën e parë nuk e do të jetë djalë?... Ja, unë jam një i tillë. Ndoshta nuk i kushtove shumë rëndësi bisedës sime në fillim. Të kërkova falje. Po, po, falje të kërkova....

- Lea! Lea e dashur! Qetësohu! Ndihesh mirë? - Zëri i doli i shurdhët. “O Zot! Të lutem më ndihmo!” - foli me vete ankueshëm dhe dhimbshëm.

- Lea... - bërtiti fort. I preku mjekrën duke i tundur lehtë kokën. I fërkoi supet dhe damarët e qafës.

Ajo po e vështronte përhumbshëm.

- Liridon, të lutem më ndihmo të ulem në stol... - mezi i foli. Zëri i doli i çjerrë dhe i përvajshëm.

Ai psherëtiu i lehtësuar; e kapi nga krahët dhe e tërhoqi lart. U ulën në stol. I hodhi dorën në qafë. I preku flokët, ia mikloi kokën dhe ia mbështeti në kraharorin e tij.

Midis dënesës dhe dhimbjes nga ajo e papritur, me zë pikëllues dhe të trishtuar, regëtiu vetëm fjalët: “Pse Liridon?”.

- E dashura ime! Këtë pyetje ia bëjmë edhe ne shpesh vetes. Pse ky fat për ne? Pse duhet të dënoheshim edhe ne, unë dhe motra ime, pa dalë akoma në këtë jetë?! - Zëri i tij dilte i dëshpëruar. Fytyra i rrezatonte dhimbje.

- Si ndihesh? ... Të përgjërohem, e dashur!... Të dua shumë, shumë!

- Ah, more Liridon! Po më rëndojnë si plumb në zemër fjalët që po dëgjoj. Nuk dua ta besoj. Më thuaj, të lutem, se nuk janë të vërteta të gjitha ato që më the. Më thuaj, i dashur, se e gjitha kjo është një shaka e hidhur, mizore... - Fytyra e saj kishte marrë ngjyrën e dheut.

- Besomë në çdo fjalë, e dashur!... Besomë! ... Kjo është e vërteta, një e vërtetë e hidhur, e kobshme.

Në kulmin e dëshpërimit, ajo foli me zë të ulët dhe vajtues, por ai e dëgjoi

...............................

Nuk ia falim as Liridonit, as juve që e keni ruajtur të fshehtën deri tani, kur djali juaj e la shtatzënë Lean! Ndoshta mendonit se kështu do të na futnit në çark!...Gaboheni!

Liridoni shtrëngoi fort dhëmbët. Në fytyrë iu dallua lëvizja e nofullave. I gëlltiti mundimshëm ato fjalë të Vjolës. Donte përsëri të fliste, por respektoi prapë të atin të vazhdonte bisedën.

- Vjola, je me shkollë të lartë, moj bijë, je intelektuale dhe mos fol me gjuhën e çarqeve. Nuk kemi ardhur sot këtu të nxjerrim viktimën nga çarku, sepse askush nuk është viktimë, as Lea. Ajo është nusja e djalit tonë.

- Nëse do bëhet nusja e djalit tuaj... Ata tani janë akoma të fejuar, - ndërhyri Vjola, përsëri e prerë në ato që mendonte.

- Lea është nusja e djalit tonë, - vazhdoi përsëri Fuati. - Unë jam akoma gjallë dhe këta të dy do të martohen dhe do të trashëgohen me jetë të gjatë e të lumtur. Fëmija që është ngjizur në barkun e Leas, do zhvillohet e do rritet i mbarë. Nuk jemi për abortim, siç mendoni ju.

- Abortimin as ne nuk e dëshirojmë, kurrsesi! Besojmë në Zot, por në rastin tuaj, të familjes suaj, pra, abortimi është i pranueshëm dhe… - Këtu Vjola e ndërpreu bisedën. Ajo donte të thoshte: “Fejesa duhet të prishet sa më parë”.

..................................................................................................................

- Vërtet do na vritet babi, Liridon?!... Oh, Zot i madh! Më beso vëlla, çdo ditë, kur kthehem në shtëpi, një mendim i dhimbshëm më ngacmon e s’'më lë të qetë, ma godet trurin si me çekiç, një pyetje dyshuese i bëj vetes: do ta gjej babin brenda vallë, apo... do të

ketë shkuar në Shqipëri... për të ikur nga kjo jetë? - Zëri i doli i dridhur, i dhimbshëm dhe fjalët të shkëputura. - Oh, unë e mjera, sa më dhimbset babai! Oh, sa shumë e dua, Liridon! Është babai më i mirë në botë...

Liridoni nuk po gjente dot fjalët e përshtatshme që t’i përgjigjej të motrës, pastaj me zë të dridhur tha: - Pse nuk po na lënka edhe neve fati i mbrapshtë ta gëzojmë jetën, moj motër! Të gjithë e duam babin tonë të mirë, të shtrenjtin tonë. Më duket sikur jam unë fajtor, Xhilda, sikur dhe Lea e djali im janë fajtor, që babi ka marrë atë vendim të dhimbshëm. Vdekja, për çdo njeri është e paparashikueshme dhe askush nuk e di se kur dhe nga i vjen. Por, të nisesh me dëshirë, ose më mirë të them, i detyruar me dëshirë në udhën e hidhur të vdekjes, t’i shkosh asaj vetë me këmbët e tua e t’i dorëzohesh, ky është, ndoshta, i vetmi rast që po ndodh me babanë tonë...

- Liridon, po më këputet shpirti. Më beso, vëlla! Edhe nga fjalët e tua që po dëgjoj tani, më vijnë të dridhura. Por Arbrin, ama, nuk duhet ta zësh asnjëherë me gojë. Ai është krijesa e re e Zotit. Ai është shpirti, jeta, gëzimi, lumturia i të gjithë familjes sonë. Ai është një engjëll. Një engjëll i pafajshëm, si mundet të jetë fajtor?!... Ç’po flet, vëlla i dashur?

- Sepse, pikërisht motër, duart vrastare duan të vrasin edhe engjëj të pafajshëm. Xhilda, ti këtë e di prej kohësh. A nuk isha edhe unë atëherë një engjëll i tillë që duhet të vritesha? Madje edhe sot kërkojnë të më vrasin!

- Liridon, të lutem, mjaft! Mjaft, vëlla! Por edhe për Lean më vjen shumë keq. Unë jam vetë vajzë dhe e kuptoj shumë mirë gjendjen e saj shpirtërore...

.................................................................................................

“Dora njerëzore, thua ti vëlla! Ashtu është, vërtet. Veç, ajo dorë njerëzore bën të mira e të liga. Shkon në kishë njeriu, zgjat dorën dhe me të merr dhe ndez qiriun. Me dorë, me gishtat e dorës njeriu bën kryqin, i falet Zotit për shëndetin e tij dhe të familjes, për faljet e mëkateve... Faljen! Faljen e mëkateve! Me dorë prek ikonat e shenjtorëve si për të marrë bekimin e tyre. Por, është po e njëjta dorë njerëzore që shkrep armën vrastare për të marrë jetë njerëzish të pafajshëm...” Ashtu po i ndodhte edhe në atë çast, ndërsa mbante

në dorë qirinjtë. Dora po i dridhej. Afroi qiriun e parë për ta ndezur te një tjetër. Nuk po e kuptonte se pse dylli i lëngësht që i derdhej poshtë iu duk si rrjedhë loti. Çuditërisht, ndoshta nga dridhja e dorës, ndoshta nga flladi i lehtë që po frynte në atë çast, qiriu i tij u fik sapo e vendosi në mbajtëse. I trokitën përsëri në vesh fjalët e Evelinës duke ia goditur ndërgjegjen. Tundi kokën trishtueshëm... Hapi pëllëmbën e dorës tjetër me gishta të bashkuar për të penguar erën dhe e ndezi përsëri. Më në fund ndezi edhe qirinjtë e tjerë dhe i vendosi me radhë në mbajtëse. Ndërkaq, e shoqja i kishte ndezur të sajat dhe po e priste pak hapa më tutje...