E enjte, 28.03.2024, 10:18 AM (GMT)

Mendime

Berat Buzhala: Lider i dashur Kim

E merkure, 27.03.2013, 05:50 PM


Lider i dashur Kim

Nga Berat Buzhala

Për çështje të religjionit dhe ndikimit të tij në kombin shqiptar herën e fundit kam shkruar një kolumne që e pata shkruar nga pozita e Kryeredaktorit të Expressit rreth një prononcimi që e kishte bërë në një kishë të Kosovës Don Shan Zefi. Tash, në një tekst të botuar në portalin Express, e pashë veten aleat me Don Shanin. Hajr Ishalla… E kam një përshtypje se niveli më banal i cinizmit është kur ai sillet rreth keqshqiptimit të qëllimshëm të emrave dhe mbiemrave. Vazhdimisht qesh me këtë formë të cinizmit, por jo për arsyet që mendon ai që i dallashit emrat apo mbiemrat. Qesha dje edhe me Kim Mehmetin, i cili në një prononcim për portalin Telegraf, ku kishte deklaruar se nuk dëshiron të merret me “buzhalla e budalla”. Si pikë e parë, mbiemri im, i dashur Kim dhe ju të tjerët, nuk është Buzhalla, por Buzhala. Përndryshe në Shqipëri edhe më tutje ekziston fshati Buzhalë, prej nga paraardhësit e mi ishin zhvendosur për në Kosovë këtu e 125 vjet. Kurse Buzhalë, thuhet se rrjedh nga lumi Shalë, që rrjedh afër fshatit. Pra fshati gjendet Buzë Shalës. Dhe rëndom, siç ndodh me shumë emërtime që ndryshojnë trajtë nëpër shekuj, kështu ka ndodhur edhe me Buzë Shalën dhe sot njihet si Buzhalë. E logjikshme apo jo, Kim. Besoj shumë se ka më shumë logjikë, sidomos kur bëhet fjalë për fjalorin e gjuhës shqipe, se sa mbiemri yt? Apo jo? Edhe pse unë nuk tallem me mbiemrin tënd. Nëse dëshiron flasim dhe tallemi edhe për emrat që i mbajmë ne të dy? Po të ishte për ta zhvilluar cinizmin rreth emrit tënd, atëherë këtu ekziston një terren i gjerë për ta bërë këtë. Pikë. Tash rreth temës. I dashur Kim, e urrej të flas publikisht për Zotin dhe për Religjionin. E ti me gjasë, e paske për dëshirë të merresh me tema të tilla. Hera e fundit kur kam shkruar për këtë gjë, ka qenë një prononcim i bërë në një kishë të Kosovës, prej Kancelarit të Kishës Katolike, Don Shan Zefi, i cili kishte thënë diçka si “po të mos kishin qenë katolikët e Kosovës, nuk do të kishte pavarësi të Kosovës”. Atëkohë kam qenë Kryeredaktor i Gazetës Express dhe ia pata kushtuar, siç thoshim ne “një dysh” Don Shanit. Kjo “një dysh” kishte mbetur prej faqes dy të gazetës, ku i botonim komentet. Nëse je kurioz për përmbajtjen e komentit mund ta gjesh në faqen e Gazetës Express. Nëse dështon ta gjej të njëjtin, por prapë nëse je kurioz, atëherë më shkruaj në berat.buzhala@ gmail.com. E, tash disa fjalë rreth teje Lider i Dashur Kim, e që tash pa dëshirën time – por kjo gjë nuk më pengon aspak – duke e pasur si aleat pikërisht Don Shanin: Të pashë përmes mediave, duke e promovuar librin, i shoqëruar edhe nga Sovjeti i Lëvizjes Vetëvendosje. Diçka tregonit se si shqiptarinë në atë pjesë e ka ruajtur islamizimi i shqiptarëve. Nuk është që nuk të kam konsideruar kohë pas kohe si analist serioz – nuk e di a të bën kjo të ndihesh më mirë – por të them të drejtën vetë ideja e nxjerrjes së një libri të tillë – pra nga një analist serioz! – më bën të t’i heq ca prej gradave që t’i pata vënë, në nxitim e sipër. M’u rrëqeth trupi vetëm kur më shkoi mendja te familja e Nënë Terezës. Shqiptarët dhe bota do të kishin ngelur pa një Nobeliste sikur kombi shqiptar të ishte ‘forcuar’ edhe cazë, me konvertimin e familjes Bojaxhiu në fenë islame. M’u kujtua edhe Kongresi i Manastirit dhe lufta e civilizimeve që kishte ndodhur brenda atij kongresi. Një pyetje Lider i Dashur Kim: A do të ishte forcuar kombi shqiptar edhe më shumë sikur në atë Kongres të kishte fituar ideja që alfabeti aktual të kishte qenë arab, siç ka ekzistuar ideja? Jam i bindur, sipas standardeve tua, që po. Do të ishim të vetmit në këtë pjesë të rajonit që do ta përdornim atë alfabet. Madje, pak me vonë do të na fusnin një thikë pas shpine, duke e përvetësuar alfabetin latin. Kurse, ne, definitivisht do të dalloheshim prej të gjithë fqinjëve. Pra, Lider i Dashur Kim, unë nuk po them se ti parcialisht edhe mund të kesh ndonjë të drejtë. Ndoshta ndonjë familje ka shpëtuar pa u sllavizuar duke u konvertuar ne islamizëm. Mirëpo, fotografia që ke zgjedhur ta prezantosh në studimin tënd është shumë e ngushtë dhe tepër selektive sa për të arritur në këso përfundimesh provokative dhe përçarëse. Sipas kësaj logjike – përjashtuese për religjionet e tjera – atëherë një studiues tjetër do të dalë e të thotë se sikur të mos kishte qenë kleri katolik në Kongresin e Manastirit, sot e kësaj dite ne do të ishim duke shkruar prej anës së djathtë drejt të majtës. Sipas kësaj logjike, Lider i Dashur Kim, atëherë kleri katolik do të duhej të mos pushonte së thururi lavde Ipeshkvit Pjetër Bogdani, Ate Shtjefen Gjeqovit, Atë Pjetër Budit dhe një armate të tërë etërish që me shekuj kishin luftuar për ta mbajtur të ndezur flaken e shqiptarisë, në një kohë kur Perandoria Otomane e kishte eklipsuar secilën qelizë Perëndimore në këto troje? Lider i dashur Kim, po vëllezërit ortodoksë shqiptarë çka do të duhej të thoshin? Të thotë gjë emri Naum Panajot Veqilharxhi? Babai i Rilindjes Kombëtare? Njeriu që e shkroi Abetaren e parë në gjuhen shqipe, Kim? Problemi yt Kim është se e ke logjiken e mbrapshtë. Ti flet për ruajtjen e disa qindra mijëra shqiptarëve nga feja Islame, e nuk na flet se sa mijëra të tjerë u asimiluan pikërisht nga ky religjion. U asimiluan edhe shumë të tjerë nga grekët, e pas nja 500 vjetësh jetë në një shtet të huaj po asimilohen edhe shumë të tjerë në Itali. Pra, nuk është punë religjioni, o Kim, është punë historie… Kurse, krejt në fund, unë asnjë problem nuk e kam me ty, i dashur Kim. Sepse ti tek e fundja je një individ krejtësisht periferik – mund të jesh diku edhe i paguar, që është e drejtë e jotja. Problemin e kam me përfaqësuesit e popullit që të qëndronin për karshi. Ata, me gjasë, duke filluar nga Shoku Glauk, dhe Lideri tjetër i Dashur Albin – që po të qëndronte në krahun tënd të djathtë – e kanë vendosur të fusin dorën në kashtë. Do të provojnë, ndoshta, ta nxjerrin vetëm një, por do të dalin pesë a gjashtë. Nuk ka qenë në traditën tonë politike kosovare – përjashto disa parti margjinale – që religjionin dhe efektet e tij t’i fusin në diskursin politik. Prej kësaj teme vetëm të mira nuk do të shohim. Kurse ti Kim – tash po e përdori logjiken tënde – je vetëm një qime në këtë problem. Kurse ti Kim – nëse ky është emri yt i vërtetë – je vetëm një karrem që po përdoret.



(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora