E merkure, 24.04.2024, 05:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Energjia krijuese e shpirtit

E diele, 24.03.2013, 10:05 PM


ENERGJIA KRIJUESE E SHPIRTIT SHQIPTAR

(Dedë Preqi, Lotë atdheu, Meditime mërgimtare, Kushtrime nga mërgimi,

Amanda Edit, Bukuresht, 2013)

Nga Baki Ymeri

Intelektuali i vërtetë jeton në dy botë, atë të ideve dhe atë të realitetit konkret. Misioni i shkrimtarit është rimarrja e flamujve të humbur nga njerëzit e politikës, si dhe përfitimi i betejave të humbura nga të tjerët. Ky është misioni i tij i shenjtë, një detyrim që e obligon dhe nderon në trojet e bekuara të historisë. Jeta është e mbushur me befasi, por ne duhet të jemi të pregaditur që asnjë e papritur mos të na befasojë. Fillimi i mençurisë është frika ndaj Zotit dhe frika ndaj fjalës. Kështu thekson Bibla, ndërsa familja, atdheu dhe kombi qëndrojnë mbi të gjitha, së bashku me nderin dhe dinjitetin. Fjalët e poetit janë diamante shkëlqimtare që mund të ndriçojnë shpirtërat dhe jetën e njerëzve me mendime të kristalta. Para nesh kemi njërin nga mërgimtarët tanë që digjet për atdheun dhe fatin e tij. Ky është fati i atyre që e braktisin vendlindjen. Kur u reken shtigjeve të mërgimit, ata marrin me vete edhe atë ishull magjik që quhet Kosovë apo Shqipëri. Autori vjen para nesh me tri antologji publicistike që s’kanë të bëjë me poezinë, por me një turmë subjektesh morale, meditative, fetare, historike dhe politike. Politika është arti kompromisit, ndërsa Dedë Preqi e përshkruan politikën shqiptare nga këndvështrime të ndryshme, duke i hymnizuar vlerat e demokracisë parlamentare europiane mënjanë, dhe duke i fshikulluar ata që e frenojnë historinë dhe demokracinë tonë, në anën tjetër.

Dedë Preqi është një zë i veçantë në poezinë e sotme të diasporës shqiptare. Krijimtaria e tij letrare dhe publicistike, poezitë, analizat, komentet, opinionet, esetë dhe reportazahet, janë një dëshmi e gjallë e punës së tij, thekson Ramiz Dërmaku në kuadrin e një komenti. Optimizmi dhe dashuria ndaj njeriut janë parimet elementare të këtij krijuesi të palodhur. Mënjanë kemi grandomaninë e atyre që nuk i besojnë Zotit, ndërsa në anën tjetër vlerat morale dhe krijuesit e projekteve magjike që dinë të mbëltojnë energji pozitive në shpirtin tonë: “Me filozofinë e saj të bamirësisë, Nënë Tereza dha një shembull të lartë të humanizmit, duke fituar një respekt të plotë ndaj secilit, me një shembull të përsosur të harmonisë mes indianëve, myslimanëve dhe të krishterëve. Ilaçin më shërues dhe më të përshtatshëm, Nënë Tereza e kishte dashurinë, ngrohtësinë dhe shpresën. Ajo gjithnjë i lutej Zotit, për këta njerëz të lënë pas dore.” Apo bombardimet e NATO-s (1999), kur “Ishte dita më e shenjtë, kur shkëlqeu qielli dhe nëpër atë shkëlqim u duk liria e Kosovës.“ Zemra troket derisa shuhet, sepse ajo është si kandili, dhe nëse ti i beson Zotit, ai ta ndez kandilin përsëri në Qiell.

Sipas Biblës së Shenjtë, frika ndaj Zotit është një koncept pozitiv, një ndjenjë e thellë konsiderate ndaj krijuesit të botës. Bota pa libra është si një shtëpi pa nuse, apo si livadhi pa lule. Ja, pra, edhe një spektër të ri vlerash interesante, që vjen në bibliotekat e sentimenteve tona nga gjiri i diasporës shqiptare. Deda është jo vetëm një poet i mirë, por edhe një publicist artikujsh të panumërt me subjekte esenciale. Nëna Tereze, 100 vjetori i Pavarësisë, Kosova, Ukshin Hoti, Ibrahim Rugova, respekti ndaj Amerikës dhe Bill Clintonit (Engjëlli shpëtimtar i Kosovës), bombardimet e NATO-s kundër kuçedrës militariste serbe, Pavarësia e Kosovës, korupcioni, fanatizmi fetar, roli destruktiv i kishës ortodokse serbe, diaspora dhe bashkimi kombëtar, Gjergj Kastrioti dhe nëntorët e lavdisë sonë, liberalizimi i vizave, integrimet europiane, meditime mbi jetën, janë disa nga subjektet preliminare që defilojnë në faqet e këtyre tre librave. Veprat respektive kanë karakter publistik. Subjektet janë të rradhitura në bazë të parimit kronologjik e me kritere dhe interpretime e sqarime të përshtatshme që reflektohen në kuadrin e titujve dhe përmbajtjes.

Nga veprat e Dedë Preqit kemi shansin të mësojmë se ç’është patriotizmi. Subjektet janë të rëndomta, disa të njohura nga lexuesit tanë, por duke i shfletuar ato me kujdes, konstatojmë se patriot është ai që e do atdheun, që përkujdeset për të, që din të respektojë rendin publik, që nuk i hedh mbeturinat në rrugë, që din të ndihmojë të varfërit, që din të respektojë ligjet dhe gjuhën amtare, që din ta mbrojë atdheun, familjen dhe kombin. Për fat të keq, ideja e patriotizmit është konfiskuar ekskluzivisht nga diskursi i liderëve të demagogjisë sonë politike, apo nga disa butakë të gazetarisë që s’i njohin normat elementare të shqipes letrare. Jo për të gjithë e kemi fjalën, por vetëm për ata që shkelin interesat nacionale për interesa personale, familiare, nepotiste dhe karieriste. Shqiptarët kanë nevojë për vepra konkrete e jo për maskaradë politike sa për të përfituar votat e elektoratit. Atdhetarizmi nuk ndërlidhet me gazetari neurotike e patologjike, me vetëlavdërime apo me beneficione e majmëri personale, por me shembujt e rilindësve tanë, me sakrificën e martirëve të kombit, me ndjenja qytetare, dinjitet, integritet dhe moralitet.

Autori shkruan me durim e koshiencë, dhe nuk e hedh fjalën pa e matur mirë. Gjatë analizës së artikujve, konstatojmë se ai nxjerr në pah ide fisnike dhe origjinale, duke i kundruar dukuritë, fenomenet, evenimentet, me syrin kritik, duke thyer kornizat e përshkrimit të rëndomtë. Autori i këtyre veprave shquhet për një gamë subjektesh historike dhe aktuale që i trajton duke i dhënë prioritet ndërgjegjes kombëtare, Kosovës shqiptare dhe tendencave të huaja për shkombëtarizimin e kombit tonë, dhe jo vetëm kaq. “Ka kaluar koha e luftave, Kosova ka nevojë të bashkohet në paqë”, thekson autori duke na vënë në kontakt me trashëgiminë tonë historike, kulturore dhe konfesionale. Librat e Dedë Preqit paraqesin një impuls të ri për freskimin e memorjes sonë, për përhapjen e diturisë dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.

BOX

Dedë Preqi u lind më 1955, në fshatin Doblibare (BallëDrini) komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Klinë. Mbaroi studimet në SHLP, Gjuhë dhe Letërsi shqipe, në Gjakovë. Vjershat e para i botoi në revistën "Shëndeti", në vitin 1975, dhe pastaj në "Zëri i Rinisë", „Pionieri", „Rilindja për fëmijë", „Gazeta e Pionierëve", „Drita“ (Shkup), "Republika" (me pseudonim), si dhe në gazetën "Bota sot". Prej vitit 1981 jeton dhe krijon në Zvicër. Shkruan prozë dhe poezi. Në ndërkohë, në letërsinë shqipe, në krijimtarinë letrare dhe në kujtesën e lexuesit ka hyrë duke prurë dymbëdhjetë libra me krijimtari për fëmijë e për të rritur, përkushtime për Nënë Terezën, krijime për vendlindjen e tij dhe për çdo pëllëmbë të Kosovës sonë. Bibliografi letrare: “Jeta frymon përsëri” (botim i autorit, Gjakovë 2004), “Kur zgjohet dielli” (poezi për të vegjël, Gjakovë 2004), “Jam unë” (poezi, Gjakovë 2007), “Jeta është agimi” (poezi, Gjakovë 2007), “Ti ishe një porosi, poezi” (përkushtim për Nënën Tereze, Botoi Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, 2008), “Fshatit tim Ballëdrin” (Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2011), „Gjyshi dhe Adinisi“ (poezi për fëmijë, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi", Gjakovë, 2011), „Etje e ngjyrave“ (poezi, Klubi letrar „Gjon Nikollë Kazazi", Gjakovë, 2011), „Binecuvantarea lacrimilor/Bekimi i lotëve” (Amanda Edit, Bukuresht, 2012). “Lot Atdheu”, “Meditime mërgimtare” dhe “Kushtrime nga mërgimi” janë tre antologji vlerash publicistike që e panë  dritën e botimit në Bukureshtin e rilindësve tanë (2013).





(Vota: 49 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora