Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Cikël fabulash nga Ejup Ceraja

| E diele, 24.03.2013, 07:37 PM |


Ejup CERAJA:

 

Cikël fabulash...

 

DHELPRA TE DENTISTI

(Fabul)

 

Dhelprës dinake në pyll

t'i dhemb dhëmbi ia nisi,

vendosi ta marrë rrugën

për në qytet te dentis(t)i.

 

- Ulu në karrige mirë

e shko pakëz këndej

se sa çel e mbyll sytë

unë dhëmbin ta kërrej.

 

- Hape - i tha gojën

e shiko pak përpjetë,

mos u frikëso hiq

e kam dorën e le(h)të.

 

Ia vuri dorën në gojë

së bashku me darë,

fët e fët asaj shpejt

ia hoqi një dhëmballë.

 

- Kam ardhur për dhëmbë

te ti ore lum kumbara,

se ai mua po më dhemb

e s'po më dhemb dhëmballa!

 

- Më falë! – i tha dentisti

po më vjen mjaft keq,

tash shpejt e shpejt unë ty

edhe dhëmbin ta heq.

 

Dhe ashtu përsëriste,

duke i thënë: "Më falë!"

derisa ia nxori tërësisht

dhembë e dhëmballë.

 

- Më nuk të dhembin

mund të jesh e qetë,

po edhe ne flemë rehat

se pulat më nuk i nget.

 

(1986)

 

DHELPRA DHE BILBILI

(Fabul)

 

Bilbilit në degë të mollës

Ëmbël i qeshte purpuri

I këndonte këngë sqephollës

Që shkëlqente si biluri.

 

Dhelpra iu afrua me dinakëri

Sapo në degë bilbilin e hetoi

E përshëndeti me dashamirësi

Dhe nga zemra atë e përgëzoi:

 

- E ke gojën mu si shega

Në kokën tënde ka tru, me okë.

Zbrit të lutem, i tha, nga dega

E këndoje këngën në tokë!

 

- Mirë bilbil, i tha nga përposh,

Duke u stisur e duke u shtrydhur.

- A di këngën ti ta këndosh

Këtu në tokë e me sy mbyllur?

 

- Po si këngën unë s'e di -

I tha asaj krenar bilbili.

Pa e zgjatë pa një, pa dy

Fët e fët ai sytë i mbylli.

 

Pa ia filluar fare të këndojë

Dhelpra pozitën mirë e zuri

E rrëmbeu keqas me tho’jë

Për një minutë në gojë e vuri.

 

- I tha dhelprës duke u tkurrë,

Si ta kishte goditur rryma:

- Hape pak gojën, jam i sëmurë

Zagushi e po më zihet fryma!

 

Dhelpra u mashtrua kryekreje

E hapi gojën për pa u tremb

Bilbili me shpejtësi rrufeje

Fluturoi lart mbi një rremb.

 

- Më mashtroj, tha më vete mua,

Ky farë kopuku më vuri në lojë

Diku dinakëria më mori në thua

E luti prapë që t’i shkojë në gojë.

 

- Kot e ke, i tha, skile tinëzeshës

Që po më lavdëron e po më mburrë

Se as për dashurinë e bilbileshës

Me sy mbyllur s'do të këndoj më kurrë!

 

(Gusht, 2005)

 

DHELPRA DHE KORBI

(Fabul)

 

Korbi me një copë mishi në gojë

mendonte në degë vetë më veti,

iu afrua dhelpra sikurse zo’jë

me dashamirësi e përshëndeti:

 

- Tungjatjeta korb i nderuar!

këngëtar si ti kurrkund nuk ka

i ndërpreva punët pa i mbaruar,

erdha që ta dëgjoj të bukurin za.

 

- Zëri yt sikurse zë bilbili -

kudo shpesët i ka habitur,

goja jote si prej trëndafili

këndshëm ne na ka mahnitur.

 

Lajka tinëzare atë e motivoi

ndjenjat thellë ia shprishi,1)

e hapi  gojën që të këndojë,

po nga sqepi i ra në tokë mishi.

 

Sapo mishin dhelpra e bëri pre,2)

iu drejtua korbit me naze, i tha:

- E kam ditur mirë që zë nuk ke

po s'e kam ditur që je kaq budalla!

 

"Mirë e gjata - tha korbi këtë herë

se lajka kurrë s'duhet të pranosh,

kush i pranon ato kështu pa kriter

do të mbetet si unë sqep bosh".

__________

1) ia shprishi - këtu me kuptim ia shkrifi...

2) e bëri pre - këtu me kuptim e gëlltiti.

 

(2001)

 

DHELPRA DHE UJKU

(Fabul)

 

Dhelpra dhe ujku

e trashën miqësinë,

në vathë të dhenve

hynë nëpër vrimë.

 

Po dhelpra dinake

e tumiri urtësinë,

e mendonte daljen

prapë nëpër vrimë.

 

- Mos ha shumë kumbarë,

po vetëm sa e ka hakun.

- Se po ngrëne tepër

mund ta frysh stomakun.

 

- Unë ha gjithnjë

për tri a katër ditë. -

i tha budallai asaj

fare pa u mërzitë.

 

Kur arriti koha e ikjes

dhelpra doli lehtë e para,

po nga barku i fryrë

s'mund të dilte kumbara.

 

- Aman dhelpra ndrikull

ma bëjë disi një hall.

- Hape si të mundesh vrimën

që nga këndej të dalë!…

 

- Kur të hysh ndokund

është urtësi e parë,

ta mendosh mënyrën

se si duhet dalë…

 

- Fajin krejt për këtë

kumbarë e ke vet':

- Unë ika nga këtu

ti mbetesh me shëndet!

 

Ashtu ai në pritje

që t’i shfryhej stomaku,

e la peng lëkurën

të varur pranë oxhaku...

 

Gusht, 2005

 

ANKIMI I HARABELAVE

(Fabul)

 

Harabelat u ankuan  njëherë

nga shpesët të tjera të parat:

- Si po ndodh që shpeshherë,

gati djerrinë po mbeten arat.

 

- Për ne të gjitha, o të uruar

nuk ka më asnjë derë çel,

kudo jemi duke kërkuar

që të gjejmë një kokërr mel.

 

- E keni bërë tokën e larme

me objekte si dorë për dore,

pa u merakosur për të ardhme

po i zini tokat më pjellore.

 

- Nëse ju mendoni pa u mërzitë

se buka juaj duhet të bëhet ngjeti*)

do të vijë, ndoshta, shpejt ajo ditë:

"- Stop, do t'ju thonë, e kemi për veti!"

 

- Bëni përpjekje vjet për vjet

përpara se buka që t’u shteret,

ta prodhoni bereqetin vetë

e mos e prisni nga të tjerët!

 

- Në një bisedë i kemi dëgjuar

duke i thënë miku - mikut:

"- Buka e skamja, o i uruar

mund të çojnë në derë të armikut!"

 

- Mendja njerëzit astronautë

edhe në hënë i ka shpurë,**)

por askund gjer në këtë minutë

s'ka fabrikë që prodhon grurë!

 

- Gruri vetëm nga toka prodhohet

që është kulmi i të gjithë mallit,

andaj toka pjellore mirë të mbrohet

si i mbrojnë qerpikët sytë e ballit.

____________

*) ngjeti – këtu me kuptim tjetërkund...

**) shpurë – këtu me kuptim i ka çuar, i ka dërguar...

 

1 gusht 2004