Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Pëllumb Gorica: Shpirti i flakëruar për Atdhenë!

| E premte, 22.03.2013, 09:31 PM |


SHPIRT I FLAKËRUAR PËR ATDHENË!

Mendime pas leximit të vëllimit poetik “Pikojnë heshtjet” të Nexhat Rexhës

NGA PËLLUMB GORICA

Heshtja të vret! Të përvëlon shpirtin! Ajo flet me shumë se çdo gjë e nganjëherë të mbyt në ndjesi, që shpërthejnë në formë të germëzuar. Heshja, që pikon dhimbje dhe kujtesë, ravijëzohet në gërma të arta poetike, përmes shpirtit shpërthyes të poetit Nexhat Rexha në vëllimin poetik “Pikojnë heshtjet”. Tematika mbizotëruese në këtë vëllim poetik është ajo e atdhedashurisë, historisë shekullore të Kosovës. Tituj figurativë të zgjedhur me finesë nga autori të poezive,të tërheqin të futesh në labirintet e vargjeve, në të thënat drejtpërdrejt të mendimeve apo dhe në të nënkuptuarat.

Në çdo faqe të këtij vëllimi ecim përmes rrugës së gjatë e të mundimshme plot shpresë e ëndrra të pashuara të popullit vital, idealet më të larta kombëtare të të cilit frymojnë në gjenezën e tij. Ajo shprehet me një forcë të madhe dhimbjeje, për këtë kohë të shkuar të zhgënjimit, që kërkojnë ta fshehin me "gomën e harresës". Koha vërtet s’ka kthim pas,por nuk harron, veç ajo rregullon në mënyrë perfekte që cdo gjë të kthehet në normalitet në të tashmen. Trojet Arbërore s’u venitën kohërave, s’u zhdukën rrugëve gjarpëruese, kur historia fliste me gjuhën e padrejtësisë, që, siç thotë autori:“ Ti i mendoje rrugët drejt/po vijat gjarpëronin/gabimisht hartën e vdekjes/Konferencave Evropiane”.

E para syve të tu shpaloset jeta e një populli, gjaku shqiptar i të cilit lëvrin ndër deje breza me radhë, i papërzier, edhe pse, sikundër thotë poeti:“…në damarët e nëntokës/dikush futi duart tinëzisht”.

Arti poetik i Nexhat Rexhës flet me zërin e një shpirti patriotik, me krenarinë për virtytet më të larta të shqiptarëve, ndër të cilat triumfon besa e dhënë për të mos e lëshuar këtë truall në duar të armiqve, por për të qenë zotër të saj:“E gjallë, e lodhur shtegtoi besa deri në këtë shekull”.

Lëndoi okupimi serb. Kjo dhimbje edhe pse e shkuar, pruri lirinë e fituar me gjak, liri, që të ngre lart, sa me lart në një fluturim, ku spikat shpresa për një jetë të re. Ndaj shpirti i poetit nuk hesht, ai është i mbushur me etje e zjarr në kalvarin e vuajtjeve të pashoqe të tokës mëmë:“i strukur pranë plasave të gurëve në pritje të një shpirti pranveror”. Poeti, e ka parë, e ka përjetuar kalvarin e gjatë të vuajtjeve të popullit të tij, e ka ndjerë deri në palcë atë dhe është ndier krenar, kur më në fund, më 17 Shkurt 2008 u arrit Shpallja e Pavarësisë, ditë, së cilës autori i thur vargje himn:Populli im hoqi pamjen e mrrolur,

bashkë me zymtësinë/shndërroi urrejtjen në dashuri.../Në muzeun e kujtesës ruajtën/Vargjet e Shandor Petëfi/“Në qiell me gjakun tuaj do shënojmë/Se botën mbretërit dot më s’e mashtrojnë’”.

Larmishmëria e figuracionit poetik zotëron terrenin e pothuaj çdo poezie të poetit Nexhat Rexha, duke u dhënë jetë vargjeve. Simbolika e tyre ka gjuhën e fjalëve më të dashura, kur është fjala për shpresë, jetë. Përmes simbolikës së tij ai sjell shiun, fijet e barit, simbolikë e begatisë, ripërtëritjes, pas pritjeve të gjata zhuritëse:“Në skaj të turmës mashtruese /Pres shiun/Që do ta sjellë koha ime”…/“Një shi pranvere pres/Për këto fije bari”…/“Në pranverë shiun kërkojmë” apo “Të dashuruerit e stinëve me lule/bëjnë luftën për shiun”.

Autori sjellë edhe përmes pemës së ullirit për të simbolizuar paqen, fjalën më hyjnore të vëllazërimit midis njerëzve . "Nga degët e ullirit pikojnë heshtjet” e diellin si simbolikë të lirisë e fitores ”Dhe ne kërkonim diellin

të kalojë nëpër faqet tona”.

Metafora, kryefjala e poezive të Nexhatit! E kudogjendur! Nuk mund të lexosh një poezi në këtë vëllim poetik pa shijuar ëmbëlsinë e metaforave, finesën e tyre. Metafora jo vetëm foljore, por edhe emërore, jo vetëm në trup të poezive, por edhe në titujt e tyre. Sikur për një moment të ndalesh diku në një poezi, do të shijosh magjinë e metaforave të Nexhatit: “ëndrrat trazojnë kujtesën; sirtarët e kujtesës...; kur flet vetmia; lufta e hartave më kafshoi; krijon damkë vrullshëm në shfrytëzim; engjëlli pikturonte këmishën e shkyer; erërave të tymosura ia ndalëm hovin...”.

Poezia e Nexhat Rexhës është e veçantë edhe përsa i përket metrikës. Aty, në atë varg, ku mungon rima, e kompeson ritmi, aty ku fillon pak të errësohet mendimi, shpejt e zbardh lirizmi i ngrohtë që rrëshqet si fllad mali:“Ti vetë më ke thënë/Se ëndrrën do ta sjell/Për ty në çdo agim/

Nëse ke durim o shpirt në trazim/Zjarrin në oxhak e ndezim bashkë.”

Prej penës së Nexhatit vijnë të latuara bukur edhe epitetet, pothuajse i ndesh në çdo varg, duke i dhënë forcë vargut dhe jetë mendimit të tij. “Hartë memece”, “dinastitë e harbuara”, “rrugëve mashtruese”, “buzëqeshje kafshuese”, “dashuri ziliqare”, “nisje kobzezë”, “gropë memece”, “gënjeshtër e ngrënë, “kafshimi i verbër”, “ujëvarë e ngrirë”, “liri e lakuar”, “magji ngatërrestare”, etj.

Lakonizmi, kadenca, harmonia midis mendimit dhe strukturës se vargjeve, të ben të shprehesh se me vëllimin poetik “Pikojnë heshtjet”, shpirti i ndezur në emër të kombit, stili i veçantë i të shkruarit, janë gur të vlefshëm e të qëndrushem të themeleve krijuese të Nexhat Rexhës.