E merkure, 17.07.2019, 07:48 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Çfarë të bëjmë me pedofilët?

E premte, 22.03.2013, 08:32 PM


Çfarë të bëjmë me pedofilët?

Nga Elvi Sidheri

Kam parë këto ditë pas daljes në sipërfaqe të ngjarjes së tmerrshme të ndodhur me mostrën fëmijë-vrasës e abuzues, kam qenë dëshmitar pra i shumë reagimeve ndaj këtij njeriu!

Të gjithë kanë të drejtë të indinjohen, të tërë bëjnë më shumë se mirë që e ngrenë zërin sa mundin kundër kësaj bishe të pashpirt e asaj çfarë ai ka guxuar të bëjë!

Të mos kishte pasur edhe kësaj rradhe reagime, pas kësaj mënxyre të padëgjuar (se të “pandodhur” nuk them dot me bindje se të tilla gjëra siç po del, me siguri kanë ndodhur por nuk janë denoncuar apo më keq evidentuar nga njerëzit e organet përkatëse)...të mos ishte indinjuar, irrituar apo acaruar njeri edhe në këtë rast, atëherë seriozisht do të isha bindur që ndërgjegjia jonë qytetare si shqiptarë, këto ditë do të kishte vdekur përfundimisht.

Në Shqipëri lejojmë që shumë gjëra të ndodhin...e askush të mos e çajë qoftë edhe lehtësisht kokën për to.

Priten kokat, dhunohen njerëzit, shkelen të drejtat më thelbësore, preket prona, jeta e fëmijëria e bijëve tanë, por askush nuk e vë ujin sërish në zjarr!

Çudia më e madhe që sipas traditës duan të thonë se tre ditë zgjat, ajo tek ne nuk shkon as tre orë të paktën!

Për habi kjo gjë ndërkohë, sepse si traditë makutëria morboze shqiptare për të ditur gjithçka për gjithëkënd, për të futur hundët pa asnjë lloj të drejte në punët e të tjerëve...ky tipar i qënies tonë kureshtare në ekstrem pra, në të tilla raste bëhet i padukshëm e kështu ngjarje të skajshme në tragjiken e tyre, bien menjëherë në një harresë të turpshme e cila rregullisht në kohë rekord mbulon çdo krim makabër që ndodh në vendin dhe brenda shoqërisë sonë.

Pra dua të them që në sytë e publikut shpesh nuk është entiteti dhe rëndesa e krimit ajo që më tepër paraqet e përbën gjënë më me peshë, por në të kundërt ajo që cyt kureshtjen e sëmurë të shoqërisë është sekreti që mund të fshihet pas krimit të rradhës.

Kjo gruaja të cilës i ngulën thikën në në fyt...kishte të dashur apo jo?

Ky burri që hodhi gruan nga kati i pestë, ishte cazë xheloz apo jo?

Kjo vajza e cila ishte dhunuar për vite të tëra, edhe duke qenë minorene në moshë ndërkohë, ajo a kishte ndonjë mik intim apo jo?

Dy kushurinj që e zëmë se janë vrarë për kanalin ujitës mes tokave të tyre bujqësore...a votonin këtë apo atë parti para se të thereshin mes tyre e të linin gra e një tufë me fëmijë pa bukë pas?

Kështu pra këto detaje të parëndësishme anësore, janë ato që vërtet tërheqin vëmendjen e publikut të gjerë shumë më tepër se vrasja, përdhunimi, therja apo dhuna e çfarëdollojtë që godet familjen, gruan apo tashmë edhe të miturit shqiptarë!

E kjo është vërtet diçka e pangjarë askund tjetër veç shoqërisë dhe vendit tonë!

Në vend që të analizohen e të vihet në shqyrtim ndërgjegjia jonë kombëtare (në e paçim si popull një të tillë?!), që të kërkohen shkaqet e këtyre krimeve, e këtyre fenomeneve që po trondisin në themel shoqërinë tonë...në vend të gjithë këtyre veprimeve që kudo tjetër përveçse tek ne do të ndodhnin natyralisht pas të tilla rasteve, ajo që ndërkohë ndodh është që këto ngjarje vetëm lihen nën hijen e errët të harresës kolektive.

Kjo është më pas normalisht arsyeja përse këto gjëra ripërsëriten në pafundësi me makabritete gjithmonë e më të rënda e shpesh të paimagjinueshme po ashtu!

Ne jemi një shoqëri që harron shpejt.

Shoqëri që preferon gjithmonë shpjegime të cekëta në vend që çështjeve të tilla kriminale e sociale po ashtu, t’u gjejë shkaqet e vërteta psikologjike, zhvillimore e morale po të jetë nevoja!

Jemi një shoqëri që akoma lëpin plagët 500 vjeçare të anadollakëve, prapambetje mongolo-orientale ku hyjnë jo vetëm defiçitet në mendësinë tonë popullore, në botëkuptimin tonë për demokracinë, lirinë e të drejta të tjera themelore...diferencat ekonomike, sociale, kulturore etj që kemi me Perëndimin e jo rrallë edhe fqinjët tanë të afërt...por ajo që në këtë rast ka rëndësi është që jo pak prej këtyre gjëmave të përditshme lidhen po aq me atë gjysëm-mijëvjeçari të kaluar përdhunshëm nën sundimin osman.

Haremet turke me po aq burra sa edhe gra të ndarë në dhoma të ndryshme, poshtërsitë e shumëllojshme, thikat pas shpine, vrasjet në gjumë, spiunimet e shitjet mes familjarësh, miqsh e bashkëshortësh, duke arritur deri tek fenomenet si ky aktuali për të cilin po shkruaj, janë një trashëgimi e “kulluar” turkomane që mesa duket do e “mbajmë me shëndet” për kushedi sa kohë akoma!

Kujtoj që përdorja kriminale antinjerzore e minorenëve për martesa për shembull, në Europë nuk ndodh sepse ndalohet me ligj dhe shtetet e civilizuara atë që guxon t’a shkeli këtë rregull...e plasin në qeli pa ia zgjatur fare!

Nga anët tona kjo praktikë hasej në mos ndodh ende, deri vonë sidoqoftë e veç nesh vetëm tek romët e Rumanisë mund të ketë ndodhur në tërë kontinentin tonë plak.

E kur dikush minorenët i mendon si të “martueshëm”...atëherë vija e hollë që këtë gjë e ndan nga i kobshmi “shfrytëzim seksual pedofil”, ajo është gati e padukshme!

Më tej pafytyrësia turkomane, mostregimi e mosthënia e të vërtetave (edhe atyre që lidhen me të tilla abuzime) brenda e jashtë familjes dhe në shoqëri, janë elementet që më shumë e plotësojnë katrahurën në fjalë.

Turqit mund të theren e shqyhen në dhomën e bukës, por kjo nuk i pengon që në dhomën ngjitur...atë të miqve pra, aty më pas po të njëjtët njerëz që më parë i kanë ngulur thikat njëri-tjetrit, ata kafen për “sy e faqe” do t’a pijnë domosdoshmërisht së bashku, se ashtu e do tradita!

Kështu edhe tek ne ish të pushtuarit e tyre shumëshekullorë, krime e dhunime të çfarëdolloji ndodhin jo rrallë edhe brenda të njëjtave mure shtëpiake e për to askush nuk flet pasi gjithçka duhet të mbesë pas kuintave (si në teatër ku ajo ç’bëjnë aktorët spektatorit i intereson vetëm kur ngrihet sipari)...e etiketa për “sy e faqe” do mbajtur gjithmonë e paprekur.

Në këtë mënyrë mund të ketë dhunime të tilla, pedofili, vrasje, keqtrajtime femrash, grash, të rinjsh e largqoftë siç po duket edhe fëmijësh, por për to askush nuk flet e derisa këto gjëra bëhen kaq alarmante sa në këtë rast specifik, ato kalojnë të pavëna re!

Kjo sepse shoqëria jonë indiferente sa edhe post-turkomane, nuk e ka problem faktin që këto gjëma ndodhin, sepse mjafton që ato të mos bëhen publike ndërkohë...e fundja është sikur mos të kenë ndodhur fare!

Kështu edhe jetojmë të lumtur, kafen e pijmë të qetë (turke dhe atë)...e po ashtu bëjmë rregullisht sikur asgjë nuk ka ndodhur, sipas traditës “më të mirë” shqiptaro-turko-kriminale që na mëson me përpikmëri të sillemi në këtë mënyrë vetëshkatërruese sa edhe të papërgjegjshme për veten e shoqërinë tonë.

Prandaj krime të tilla edhe kur ato prekin gjënë më të shenjtë...pra fëmijët, shpesh kalojnë si pa u dukur, siç me shumicë kanë kaluar edhe fenomenet e pafundme të keqtrajtimeve ndaj grave apo motrave e nënave tona, sepse shoqërisë sonë i bie më lehtë të bëjë sikur nuk ka parë apo dëgjuar gjë!

E nuk po them se pedofili apo dhunë të ngjashme nuk ka edhe në Europë apo zona të tjera të civilizuara të planetit tonë.

Ka që ç’ke me të!

Por kur gjëra të ngjashme kanë ndodhur në Belgjikë para ca vitesh për shembull, me pedofilin Marc Dutroux, i akuzuar për rrëmbimin, torturimin e abuzimin e të paktën 6 të miturave prej të cilave 4 i ka vrarë më pas, ato kanë shkaktuar cuname të vërteta shoqërore e pse jo edhe politike.

Ky belgu për të cilin po flas për shembull, njeri që veç këtyre horroreve me të miturat që përmenda, po ashtu u akuzua edhe për përdhunime apo tentativa rrëmbimi të disa femrave me origjinë lindore, ai pra ia kishte dalë që të dilte palagur nga disa proçese e gjyqësore e hetime të drejtësisë së ngadaltë belge.

Ai ishte arrestuar disa herë për krime të ndryshme e gjithmonë kishte qenë liruar për ndonjë arsye.

Paaftësia dhe cektësia e policisë belge pati arritur deri në atë pikë sa pasi ishte kontrolluar shtëpia e tij, oficerët nuk kishin vënë re se në bodrumin e pedofilit vrasës ndodheshin ende gjallë dy vajza të rrëmbyera të cilat për më tepër edhe patën bërtitur për ndihmë por nuk ishin dëgjuar pasi policët në fjalë patën menduar se britmat vinin  nga fëmijët e fqinjëve.

Ngadalësia dhe paaftësia e autoriteteve për të zbuluar dhe ndaluar këtë njeri, bënë që belgët (që prandaj s’janë shqiptarë!) të dilnin në protesta masive, në njërën prej të cilave në tetor të viti 1996-ë në Bruksel që u quajt “Marshimi i Bardhë”, morën pjesë mbi 300 mijë persona.

Më pas në vitin 2000 për shkak të evenimenteve të lidhura me të njëjtin njeri dhe çështje, jo pak por Ministri i Drejtësisë, Ministri i Brendshëm dhe Shefi i Policisë belge dhanë të gjithë bashkë dorëheqjen!

Edhe në këtë rast të ngjashëm në Belgjikë, në hetimin e ngjarjes dhe përgjegjësit, pati vonesa, pakujdesi të pafalshme nga ana e hetuesve e policisë, por në fund u arrit tek e vërteta, u dënua fajtori dhe populli u ngrit në këmbë kundër sistemit të kalbur të drejtësisë i cili i mundësoi atij vrasësi pedofil që për vite të tëra t’i shmangej ligjit.

Keni parë gjë tek ne ndonjë protestë lidhur me këtë ngjarje këto ditë????????

Kafsha që fëmijët i çonte në dukje për të blerë cigare e më pas i rrëmbente, lidhte, abuzonte e vriste për t’i hedhur më vonë në fushën e plehërave në periferi të Tiranës, ai pra për fat, falë edhe punës së lavdërueshme të policisë...u kap!

Kjo ka rëndësi për momentin.

Të paktën ky njeri-monstër nuk është më i lirë!

Por ndërkohë tashmë për kaq pak ditë pas zbulimit të krimeve të tij të fundit, dimë se ai shenjat e devijimit të tij kriminal i ka shfaqur prej kohësh në qytetin e tij të lindjes ku është akuzuar disa herë për ngacmime apo abuzime me të miturit.

Më pas ai edhe është dënuar për të tilla krime në Greqi!

E si për habi, kur për të njëjtat gjëra këtë qelbësirë humane e kanë akuzuar në Shqipëri, askujt s’i ka rënë mendja t’u hedhi një sy preçedentëve të tij penalë lidhur me pedofilinë apo abuzimet e tij të faktuara apo dyshuara.

Kjo mefshtësi e pabesueshme e lejoi këtë qënie të padenjë për t’u quajtur njerëzore, që ai të rrëmbejë sërish një të mitur, t’a abuzojë e t’a vrasi e më pas të njëjtën gjë të përpiqej t’a bënte prapë derisa më në fund policia e ndali njëherë e përgjithmonë!

Tani po dëgjoj shpesh të dilet tek i njëjti përfundim...pra DËNIM ME VDEKJE!

U tha kjo dhe u zgjidh puna!

Dënim me vdekje nuk ka dhe këtë gjë pikësëpari ata që më shumë e thonë, e dinë mirë!

Jemi vend në prag BE-je e në Europë ky dënim nuk aplikohet më prej kohësh.

Vlerat e civilizimit europian janë të atilla që këtë praktikë nuk e pranojnë më prandaj.

Po qe se neve dëshirojmë vërtetë që europianë të bëhemi edhe me vepra e mendësi, përveçse për nga origjina dhe gjeografia siç jemi tani për tani, atëherë duam-s’duam nevojitet të pranojmë edhe diktate të tilla nga Europa.

Kush kërkon për këtë kriminel të tmerrshëm dënimin me vdekje...ka shumë të drejtë sepse ky kafshë e pashpirt atë dhe djegien e përjetshmë në zjarrin e ferrit meriton e ndoshta edhe aq e ka pak!

Unë vetë do propozoja Gijotinën franceze për të, pse jo!?

Të njëjtin dënim meritojnë edhe ata që vrasin me gjak të ftohtë bijtë e tyre, nuset, gratë apo ata që lëshojnë plumbin pa ju dridhur syri kundër kasiereve apo shitëseve të pafajshme nëpër banka e dyqane të ndryshme.

Por shanset që ky dënim i merituar të vihet në jetë janë aktualisht baraz me “0”!

Pra “Zero %” mundësi ka që dënimi kapital të kthehet në kushte demokracie në fuqi në vendin tonë.

Nuk është kjo zgjidhja e këtyre fenomeneve kriminale që kanë gllabëruar shoqërinë tonë.

Të vësh si të vetmen zgjidhje dënimin me vdekje për këdo që kryen të tilla krime, është një e drejtë, por kjo gjë askund nuk na shpie.

Do doja të mendoja që sa herë ka të tilla gjëra, vrasje komisarësh policie, krime makabre brenda familjes apo tashmë edhe pedofili të tillë, kur pra menjëherë pa u thelluar tek ngjarja, shkaqet e “pse-të” e saj...direkt kërkohet me pathos dënimi kapital, të mos bëhet kjo gjë pra...me qëllim të shmangies së të kërkuarit të llogarisë e të përgjegjësive të vërteta!

Është e thjeshtë të thuhet që ka pedofilë, ka vrasës serialë, ka maniakë të tillë, ka kriminelë, ka të tilla ngjarje sepse nuk ka dënim me vdekje!

Po të mbështetet një tezë e tillë, atëherë po fshihemi si shoqëri me kokën në rërë siç bën struci!

Sepse siç e dimë...e vërteta nuk mbulohet me gisht!

Dhe e vërteta është që nuk e ka fajin mungesa e dënimit kapital, se nuk është mospasja në kodin penal e këtij dënimi shkaku përse ndodhin këto krime apo përse ekzistojnë shpesh të lirë e të padënuar të tilla monstra kriminale.

Problemi është tjetërkund e faji nuk është edhe në të tilla raste...aspak jetim.

Puna është se dënimet për të tilla gjëra janë vetë të ulta, por edhe si të tilla ato nuk zbatohen mirëfilli!

Puna është po ashtu se normalisht, sidomos në këtë rast për të cilin po flas, ky njeri DUHET TË KISHTE QENË I SKEDUAR SI PEDOFIL!

E njëjta gjë duhet të ndodhë me të gjithë ata të rracës së tij, në mënyrë që policia e shoqëria të kenë një njohuri për persona me rrezikshmëri të tillë.

Kurse më pas ligjet që lidhen me armëmbajtjen pa leje, me vrasjet në familje, me goditjen ndaj oficerëve të rendit, me dhunën ndaj femrës e për më tepër  “të urryerat” abuzime ndaj të miturëve, ato pra duhet të jenë tepër drastike, me dënime maksimale shumëvjeçare të cilët nevojitet të zbatohen rreptësisht me rigorozitet e që duhet të jenë të pa-apelueshëm si dhe po ashtu pa të drejtë reduktimi të kohëzgjatjes së dënimit.

Shoqëria jonë nga ana e saj, do bënte mirë që “sytë e faqet” t’i linte për të tjera raste e në të tilla situata të vërtetën t’a shihte siç është, pa e fshehur e pa e kaluar si të paqenë e të pandodhur!

Për më tepër që po qe se ka arsye ndonjëherë që kjo shoqëri të bashkohet e t’a ngrejë zërin në kupë të qiellit, ky moment është tani!

Të ngrihet zëri ndaj këtij njeriu-monstër, ndaj shoqërisë që atë dhe ata si ai i ka lënë të livadhisin të qetë ndërsa abuzonin fëmijët tanë e po aq të kërkohet që ky djall-njeri të dënohet maksimalisht.

Të kërkohet zbatimi, përmirësimi, ndryshimi e ashpërsimi i ligjeve që lidhen me rendin në përgjithësi e këto krime të ulta antinjerëzore në veçanti.

Të kërkohet që drejtësia të ekzaminojë ndërgjegjen dhe gabimet e saj, po të ketë patur të tilla lidhur me këtë rast po ashtu.

Të kërkohet e të bëhet drejtësi mbi të gjitha.

Jo të kërkohet dënimi me vdekje kur kjo gjë dihet që është e pamundur dhe s’të çon në asnjë drejtim.

Fëmijëve tanë t’u mësohet që nuk duhet të flasin me të huajt, që duhet të dyshojnë tek kushdo i rritur që u vardiset dyshueshëm.

Po ashtu kushdo në lagjet tonë të ketë në vëmendje që dikush që çon një fëmijë t’i blejë cigaret e më pas e fut të miturin në shtëpinë e tij, ai person pra është potencialisht një monstër pedofile që duhet ndalur.

Për shkak të trashëgimisë turkomane, por edhe asaj Enveristo-sigurimse, do pranuar që jo rrallë jemi një popull që spiunimin e ka të lehtë, qoftë edhe kur s’është nevoja...atëherë këtë vigjilencë “hundëfutëse” në punët e fqinjëve, miqve apo të afërmve tanë, pse të mos t’a përdorim për të mbrojtur fëmijët tanë nga monstra të tilla?

Çdokush që sheh të tilla raste, ato t’i ndalojë vetë po mundi, por mbi të gjitha t’i raportojë tek organet përgjegjëse së paku.

Është shumë më e pranueshme të bëhesh spiun ndaj një dhunuesi të gruas apo një keqtrajtuesi të dikujt e aq më tepër ndaj një pedofili...sesa të bësh spiunimet ala-shqiptare të punëve të fqinjit, të çfarë flet a çfarë vesh e ha tjetri e kështu me rradhë!

Nevojitet pra një impenjim i përgjithshëm i shtetit, i organeve të hetimit e të drejtësisë dhe mbi të gjitha i shoqërisë sonë e cila duhet të ngrihet mbi dobësitë e saj, mbi indiferentizmin e moskokëçarjen tradicionale pra, një sforco e gjithanshme e të gjithë përbërësve të ngrehinës sonë shqiptare...në mënyrë që kjo sfidë ndaj fenomeneve të tilla kriminale në fund të fitohet.



(Vota: 25 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT