Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Babamusta: Fisnik Muji ''Regjizori më i Mirë'' në Toronto

| E premte, 22.03.2013, 07:21 PM |


Fisnik Muji fitoi çmimin ''Regjizori më  i Mirë'' në Toronto

Nga Ermira Babamusta

Fisnik Muji është student në Fakultetin e Artit Dramatik, Regji Filmi, në Universitetin e Prishtinës. Projekti i tij, “Bora”, e cila ishte detyrë semestrale për klasën e profesor Jeton Ahmetaj në UP, u zgjodh në festivalin për filma të shkurtër “The Living Skies Student Film Festival” në Toronto të Kanadasë. Filmi “Bora” u vlerësua si filmi i shkurtër me regjinë më të mirë. Në këtë festival kishte përzgjedhje nga universitete dhe regjizorë të rinj nga e gjithë bota dhe Kosova zuri vendin fitues. Fisnik Muji u nderua me çmimin “Regjizori më  i Mirë”/ Best Director (http://lsfilmfest.com/?p=666).

Xhirimet e filmit filluan në dhjetor 2012 në Prishtinë. Bashkëpunëtorët në këtë projekt filmik janë: skenaristë Abetare Shabiu dhe Fisnik Muji, kameraman dhe montazher Agon Kryeziu, organizator Arben Muji, skenografia realizuar nga Valon Rukovci. Aktorë janë: Selman Lokaj, Kaona Sylejmani, Liridona Shehu, Refik Kryeziu dhe Fillesa Gashi. Ndërsa revidimi i audios dhe muzikës janë bërë nga Hekuran Krasniqi dhe Agron Peni (kitarë).

“Jam i gëzuar për vlerësimin e filmit “Bora”. Në veçanti falenderoj familjen time që më ka përkrahur shumë nga të gjitha aspektet për realizimin e projekteve të mia filmike. Ju jam shumë mirënjohës për këtë.  Tani jam duke punuar në një film të ri me titull “Rrota”, dhe shpresoj që do të ketë sukses gjithashtu,” tha regjizori Fisnik Muji.

Filmi me metrazh të shkurtër “Bora” është një rrëfim për pastërtinë dhe këmbënguljen e një fëmije. Bora është një vajzë që dëshiron të blej një dhuratë për motrën e saj, e cila është kujdesur për të që kur iu kishte vdekur e ëma. Në këtë mënyrë, ajo dëshiron ta falenderojë dhe t’i shprehë mirnjohje. Pasi kërkon me orë të tëra që ta blejë dhuratën e duhur për të, ajo më në fund e gjen, ku edhe fillojnë gjithë vështirësitë e saj.

“Ky është një rrëfim se ku mund të na çojë imagjinata e një fëmije. Një rrëfim që na tregon se të jesh fëmijë dhe të mos kesh asgjë por me pafajësinë dhe mendjemprehtësinë mund ta zotrojë botën! Të pakten, një argjendar!” shtoi Fisnik Muji.