E hene, 09.12.2019, 05:45 PM (GMT)

Editorial » Çeliku

Kalosh Çeliku: Fushatë e dalldisur teknefese

E enjte, 21.03.2013, 08:59 PM


FUSHATË E DALLDISUR TEKNEFESE

NGA KALOSH ÇELIKU

Histori më vete, sa herë që sharronte në bërllok, i rrëshqiste këmba nga guri në ujë ndonjë gruaje ose burri, Nëna ime thoshte: Është bërë për ta vajtuar me gra Zajazi. E vrisja mendjen nateditë, nga vinte deri te ky përfundim. Më në fund e gjeta shtegun malor, matanë Përronit të Thanës: Nëna ime i kishte dajtë e nënës në Zajaz. Edhe, siç duket kishte marrë pjesë në shumë dasma e varrime të asaj ane. Një gjë të tillë e dija edhe unë si fëmijë, duke shaluar një “kalë” shelgu përmes livadhit në Katund, rrëzë Çukës. Gratë e Zajazit ishin vajtojcat më të mira në rrethin e Kërçovës. Pse të mos e them haptas: Edhe në rrethin e Gostivarit, Tetovës, Strugës e Dibrës. E vajtonin kufomën aq bukur, sa të shkonte mendja se, a janë duke vajtuar, apo janë duke i kënduar mbi kokë. Ndonjëri, edhe thoshte në krye të oxhakut, në odat e burrave: Vajtojcat e kësaj ane mortin e shndërrojnë në gëzim. Varrimet në dasma shqiptare.

Kulminacioni. E di se, një kope me zgjebe politike e shqiptarëve janë bërë për t’i vajtuar me gra Zajazi. Edhe atë: Ditë – natë, jo me dajre, po me tepsi e legenë të arnuar të Destan Xhypit. E them këtë se, dita – ditës po na vdesin patritotët e vonuar nëpër tubime parazgjedhore me “manifestimet e tyre kulturore patritoike” e nuk ka hoxhë me çallmë turku në kokë, e as njeri t’i shti në varr xhenazet partiake. Për marre të Zotit na mbetën mbi tokë. Hoxhallarët për shpërblimin e tyre të varrimit kërkojnë lekë, varrtarët poashtu pagën e tyre të përditshme. Edhe, më kujtohet një rast që ka ndodhur gjatë një varrimi, në Katund: Hoxhallarët kur janë zënë në mes veti se cili do t’ia këndojë mbi kokë të vdekurit “tallkinin”. Cili më i pari t’i rrëmbejë familjes paratë e ceromonisë së varrimit. Në mes të varreve janë zënë edhe me grushta shërbetorët e Allahut. Mezi i ka ndarë xhemati. Përpak ta lënë kufomën mbi dhe, pa e futur në varr.

Xhenazet e partriotëve të vonuar po na mbesin mbi varre. Edhe atë, në këtë kohë fund Dimri të Madh, përpara këmbëve të Urës Gurit, brigjeve të Vardarit. Në këtë acar të madh, kur çatitë e shtëpive na kanë ngrirë mbi kokë. Nën këmbët e kuajve me shalë të Goce Dellçevit dhe Nikolla Karevit. Kryqave të misionarëve fetar grek dhe Metropolitit të Beogradit. Luanëve roje mbi urë, rrëzë Kalasë me kokën në Qeveri e bishtin në Bit – Pazar. Edhe, kanë filluar të krimben, qelben “patriotët” e partive politike. Era u vjen nëntë sahat larg. Përmëkeq, edhe kalben mbi dhe, pas vdekjes. Nuk i shihni: Politikë teknefese, skandali në arsim me tekstet shkollore që vite me radhë jeton nëpër shkollat tona, merr lirisht frymë mbi banka përpara nxënësve. Edhe atë: Me ministra e zv. ministra shqiptar të arsimit, universitete shtetëror e privat, akademikë, profesorë universitar, “ekspertë të arsimit”, që partitë politike shqiptare i kanë strehuar në Ministrinë e Arsimit e Shkencës (MASH), Byroja për Zhvillim e Arsimit (BZHA), me dy Lidhje të arsimtarëve shqiptar, me dy-tre Union-forume të “intelektualëve” shqiptar, shoqata “joqeveritare” të grave e burrave... Shtatë vjet pas me vonesë t’i shohin tekstet shkollore plot mangësi profesionale. Vallë, athua gjatë këtyre viteve nuk i kanë pasur nëpër duar, apo nuk kanë punuar me to fare me nxënësit nëpër shkolla.

Heshtja e partive politike shqiptare me ministra, zv. Minsitra shqiptar, drejtorë, zv. drejtorë në Byroja për Zhvillim e Arsim e këshilltarë në Ministrinë e Arsimit e Shkencës, është për t’u vajtuar me gra Zajazi. Shkaku, se: Shqiptarëve nëpër këto tekste shkollore u shtrembërohet dhe falsifikohet historia, paraqiten si cuba dhe ardhacakë me prejardhje të përzier sllave, çerkeze, turke, a rome. “Shoqëria” për klasat e pesta: me portretizimin e profetit Muhamed në mes të Shkupit “mysliman” me më shumë xhami se shkolla, me llogaritjen e Kosovës si “krahinë autonome e Serbisë”.

Përçudi, përmbajtja skandaloze e librave politizohet me shtatë vjet vonesë pa vetëkritikë të “profesionistëve” shqiptarë. Gjeografia e R. Së Maqedonisë për vitin e dytë gjimnaz është i botuar që herët, edhe atë në vitin 2003, nga shtëpia botuese “Prosvetno Dello” - Shkup, grupë autorësh të gjithë maqedonas. E kanë përkthyer shqiptarët, e kanë lektoruar “profesionistët” me diploma universitare e tituj shkencor. Dhe, e kanë miratuar komisione të arsimit shqiptar. Vite me radhë ky libër vazhdon të ribotohet dhe servohet për mësim jo vetëm në paralelet maqedonase, por edhe në ato shqiptare.

Skandali i teksteve shkollore në arsim, përveç defekteve të rëndomta në sistemin arsimor, po nxjerrin në sipërfaqe edhe neglizhencën e mësimdhënësve, nxënësve, prindërve dhe sidomos studiusve të fushave përkatëse në arsim. Dhe, është pasqyra më e mirë për ta parë veten në pasqyrë partitë politike shqiptare në këto zgjedhje lokale duke punësuar me pakicë e shumicë partizanë të tyre gjysmanalfabetë nëpër këto institucione me diploma e tituj universitar. Tjetër punë është ajo se, nga dy të këqijat që shiten në pazar, duhet ta zgjedhin atë më të mirën “mollën e kuqe”. Ndoshta, edhe e shohin si të arsyeshme, nuk kanë kohë të merren me këto theshetheme të “vëllezërve”, kur kanë punë edhe më të mëdha patriotike, turren pas diplomave universitare dhe titujve shkencor. Vendeve të punës me të cilat i shpërblen Nëna Parti si partizanë të “demokracisë”. E pyes veten: Për çka na duhen gjithë këta universitete të politizuar deri në palcë edhe nëpër katunde, kur ne nuk kemi shkolla fillore.  Planprograme shkollore në gjuhën shqipe. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Aty për aty edhe i përgjigjem vetes: Për të prodhuar me pakicë e shumicë diploma universiteti me vula partiake. Trusakatë. Tituj politiko-shkencor, për t’i mbushur këto fabrika neokomuniste me kunguj Stambolli. Dhe, për t’u gjetur vende pune partizanëve të partive politike.

Habia e shekullit: Heshtja e mësimdhënësve shqiptar të gjeografisë, të cilët kanë punuar, apo nuk kanë punuar gjithë këtë kohë me këto libra!? Ose, u del gjumi arushës pas shtatë vjetëve vonesë pa vetëkritikë. Kohë kjo, me këshilltarë të ministrave të arsimit. Përmëkeq, teksti shkollor ribotohet disa herë, edhe kur ministri i arsimit dhe shkencës ishte shqiptar, alamet patrioti me bagazh partiak.

Vazhdimi: Fajet i ka kryetari i BDI – së, Ali Ahmeti. Menduh Thaçi, i PDSH –së. Imer Selmani i DR -së, i cili gjatë muajit të Ramazanit merret me aktivitete fetare të hoxhallarëve. E shtron iftarin nën qiell të hapur. I gjithë faji, përpiqet të hudhet tek një person, parti politike në pushtet. Po, të tjerët shqiptarë “patriotë kuqezi”?! Kryesitë e partive politike, ministrat, zv. Ministrat, deputetët, këshilltarët në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës... Populli e ka thënë moti: Trimi i mirë me shumë shokë. E, a kanë shokë trimat tanë të sotshëm të partive politike shqiptare?! Jo. Fatkeqësisht, vite me radhë janë të rrethuar me trusakatë, gjysëmanalfabetë dhe hajdutë qeveritar duke shëtitur parti më parti, si kurva burrë më burrë në Shtëpinë publike.

Qëllimi ynë historik, nuk arrihet me këtë bërllok shqiptar, që na e ka zënë me vite frymën të dalim në Pranverë. E kanë ngushtuar rrethin e tyre partiak me familjarë, miq interesi të biznesit e këlyshë me zgjebe, që moti e kanë shitur veten një torbë taxhi, ose një asht. Përditë i sheh se si “vuajnë” për popullin dhe Atdheun me makina luksoze, libreza kursimi nëpër banka jashtë vendit e shtëpi moderne në disa kate. Populli i shkretë, përsëri pas katër vjetëve duhet t”ua jep votën haramëve, që janë duke e shti për së gjalli me gjithë lecka në varr. Qytet më qytet e katunde, nëpër tubime parazgjedhore flasin jerm: Njëri (Menduh Thaçi) përpara partizanëve të tij në një tubim parazgjedhor në një katund: Ne duhet të votojmë kundër Ali Ahmetit dhe Gruevskit. Gruevski dhe Ahmeti i kanë prish punët me gjithë botën. Ose, me ne është edhe Amerika edhe Bahkimi Evropian. Koha është politikës së Gruevskit dhe Ali Ahmetit t’ju japim goditjen e fundit vdekjeprurëse politike. Deklaratë të cilën e kundërshtuan ambasadat e tyre në Shkup. Tjetri: Rufi Osmani: Është koha e fundit që të mos u besoni më përrallave të BDI dhe gënjeshtrave të PDSH –së, është koha që të mos rrinë në disa karrike. Ftoj Ali Ahmetin, që bashkë me të gjithë deputetët dhe me ministrant e tij të vjen në ballafaqim, ku të dojë dhe kur të dojë. Ali Ahmeti: Kemi luftuar për liri, jo për një Shqipëri të vogël në Maqedoni. Teuta Arifi: Studentë të dashur, bota është e juaja dhe ju e keni jetën para vetes. Publikisht u thotë studentëve në vend të premtimit të vendeve të punës, të arratisen nëpër botë: Maqedonia dhe postet politike me nga dy-tre vende pune nëpër universitete janë të politikanëve. Pavetëdije, janë dhe punojnë në shërbim të partive politike në pushtet VMRO-DPMNE dhe BDI. Gojën plot demokraci janë për ndryshime politike me kokën e bythën me dy-tri rroga mujore e honorare të majme nëpër komisione “profesioniste” e parti politike, universitete shtetëror e privat, në Qeverinë e Gruevskit.

Fajtori kryesor: Përsëri kryetari i BDI -së (komandanti, Ali Ahmeti) që zbriti nga mali me deklaratën e tij parazgjedhore politike: koburen sot e kam hequr nga brezi dhe e kam varë në Muzeun e Lirisë, në Shkup. Tashti, do të merrem me politikë. Edhe, është koha që të merret me politikë. Partia politike demokratike në pushtet, partizanët e partive tjera politike, nuk janë fajtorë. Shkaku se, ato: çdo katër vjet e rrëmbejnë ajkën me bekimin e kryetarit dhe partisë argate në Qeveri. Punemadhe, që janë të paaftë    ulen ballë për ballë me palën tjetër në një tavolinë. Kryesorja, dinë të notojnë nëpër dallgët politike. Edhe, t’ua vënë gjoksin para “problemeve historike” shqiptare, kur janë në pyetje postet në Qeveri, emërimet nëpër institucione të Shtetit. Zjarr e flakë vjellin nëpër tubime partiake, Akademi përkujtimore, shënimin e përvjetorëve të personaliteteve shqiptare, zbulimin e përmendoreve të dëshmorëve të luftës para kamerave televizive.

Edhe unë, çka shkruaj tashti si shkrimtar?! I bie samarit, t’i teket gomarit. Punë që nuk është e imja, po e Ali Ahmetit me shokë. Menduh Thaçit e Rufi Osmanit, që nuk ka burrë nëne që i bënë bashkë së paku edhe në këto zgjedhje lokale historike. E, të mos flasim për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që i kemi në prag, pas dere. Vite e vite pas lufte (2001) janë bërë si Dy dhitë kryeneqe në urë, mbi lumë te Abetarja. Populli thotë: I di Meta, punët e veta. Po, ec e heshtë në këtë fund Dimëri të madh te këmbët e Urës së Gurit në Shkup, përpara heronjëve bullgarë e Metropolitit të Beogradit. Shqiptarët, kur janë bërë si dhentë e nënkryeme dhe turren me të katra pas kripës te Përroni i Gruevskit dhe Cërvenkovskit. Ose, si pula kur i vjen veja te bytha, turret të gjej furrikun në kotec, dhe e lëshon në mes lëmës. Gjithë kohën janë në gjumë dhe bëjnë sefa nëpër institucionet e Shtetit bashkë me “analistitët kryengritës” partiak të Baba Dovletit. E, kur u lindin problemet: Enciklopedia maqedonase, tekstet shkollore... Një dele kërcen në hurdhë, dhe gjithë kopeja pas saj njëra pas tjetrës bythekrye në lumë. Në skenë dalin alamet akademikësh, profesorë universitar, analistë politik, gazetarë të “pavarur”, shkrimtarë oborri e kritikë latrar të DoktorZiut. Gurë e dru hudhin mbi palën tjetër maqedonase, ato ua kanë fajin. Shoqatat “joqeveritare” edhe ato me kumtesa kolektive pas gjumit të arushës ngrejnë krye me debate politike në mjetet e informacionit, fotografohen para kamerave televizive. Mjeranët shohin ëndrra në mes të Ditës Madhe. E gjithë natën, vite me radhë kanë gërhat në gjumë si arusha polare.

Përinatë, edhe këto ditë të fund Dimrit Madh në Shkup nuk bie shi, dezinfektojë xhenazet e tyre mbi varre, laj nga faqja e Dheut. Mot i keq që e kaploi Shqipërinë: veriun me përmbytje atmosferike e jugun me borë. Në fund, përsëri të dalë një Diell i nxehtë, djeg me gjithë eshtra. Nuk i duhet Natyrës, njerëzimit një pisllëk i këtillë, të cilit i vjen era nëntë sahat larg matanë maleve. Qelbet me vite.

Edhe shqiptarëve nuk u duhen këto qelbësira politike, që nuk gjendet njeri i gjallë t’i fus në varre, hudhë një kaci dhe në gropë. Unë sa për vete, do t’ju hidhja një çerre gjiriz. E kanë merituar këtë nderim varrimi “patriotët kuqezi”. Gjumin do t’ua kisha zgjatur edhe në atë jetë të amshueshme matanë Ferrit (Xhehnemit). Pse jo, edhe t’i mbuloja me ndonjë flamur partiak. Referate patetike të poetëve dhe analistëve politik të Oborrit mbi kokë. Edhe atë, me shumë kujdes që të mos i përlyej duart me këto coftina, që gjithë jetën na janë ngatërruar nëpër këmbë. E, shi sot pas vdekjes: edhe me xhenaze mes varreve.

Amani, o burra: së paku xhenazet e tyre i futni në varr, nën tokë! Edhe, i mbuloni mirë e mirë me dhe se, ndodhë të na ngriten pasmesnate lugetër nëpër Shtëpi. Rezen e derës të na e luajnë në hale. Kusia e teneqe të na rrokullisin nëpër dhomë. Natën të na i trembin fëmijët në gjumë.

Dhe, në fund: Xhenazet e këtyre politikanëve, “ekspertëve” të arsimit e kulturës me libreza partiake, me diploma universiteti e tituj shkencor të blerë në Bullgari e Qafë Thanë, nuk ka hoxhë me çallmë turku e as njeri të gjallë t’i shti në varre, janë bërë për t’i vajtuar mbi tokë mes sorrave të zeza me gra Zajazi...



(Vota: 65 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT