Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajdin Morina: Historia dhe stërnipat e Gjergj Kastriotit

| E enjte, 21.03.2013, 10:54 PM |


HAJDIN MORINA

 

RISHIKIMI I HISTORISË

NGA STËRNIPAT E GJERGJ KASTRIOTIT

 

Veprimet luftarake të Mbretëreshës Teutë

Janë kundër dispozitave të standardit

Të integruar për mbrojtje të ambientit

Gjithë ai gjak në Det gjithë ajo gjëmë

Adriatiku nuk zgjohej i kaltër në mëngjes

Pastaj mbinë lulet e gjakut në Iliri

Të panjohura më parë

Të pashpjegueshme as tash

Me ligjet e biodiversitetit

 

Të gjitha luftërat e Gjergj Kastriotit

Shpëtimi i Shqipes shpëtimi i Arbërisë

Janë kundër dispozitave të standardit integrues

Për botimin e teksteve të Historisë

Sepse nga fëmijët lexohen vështirë

Përjetohen shumë rëndë në shpirt

Egërsitë mizoritë e osmanlinjve të Azisë

Mbi gjuhën mbi emrat mbi trungun e Arbërisë

 

Por edhe shekuj më pas shqiptarët të njëjtin avaz

Lidhja e Prizrenit gjurmëve të Gjergjit

Abdyli Ymeri Naimi pastaj Mic Sokoli mbi top

Jeronim de Rada Zef Serembe të gjakut arbëresh

Si Gjergji në fushë të luftës ndër vargje zbrazën mllef

Zbrazën mllef që stërnipat e Gjergjit të lexonin

Të gjitha egërsitë të gjitha mizoritë e Perandorisë së Azisë

 

Ç’ na bëre Atdhe ç’ na bëre të keqen o

Si nuk dite të bësh plane projekte standarde për kohë të ardhme

 

Çdo shekull të goditi me qiell përmbi kokë

Ti nuk heq dorë nga ajo Shqiponjë

Në pikë dite ëndërron qiellin tokën t’ia bashkosh

 

Ç’ na bëre Atdhe ç’ na bëre të keqen o

Si nuk dite të bësh plane projekte standarde për kohë të ardhme

Ç’ na bëre Arbdhe ç’ na bëre neve o të keqen o

 

Ekspertët nuk e di ndryshe atë kohë si do ta pagëzojnë

Atë kohë pa pranverë atë natë të zezë sterrë

Pesëqind vjet pa diell