E merkure, 24.04.2024, 10:47 AM (GMT+1)

Kulturë

Fotaq Andrea: Mars ’97 - Vargje të lira

E enjte, 21.03.2013, 09:58 PM


Mars ’97 - Vargje të lira

 

Atë muaj të mbrapshtë kur u shkrehën armët 24 orë rresht

e u tremben edhe vetë engjëjt mbrojtës të vatanit.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Vrasje e dëlirësisë foshnjore atë ag mëngjesor...

 

Lehtë-lehtë foshnjën mori

Puhizë e dashurisë,

Engjëll i lumturisë,

Lehtë-lehtë me krahë e pështolli.

 

E zu ta përkundë,

Ta ninullojë,

Me një këngëz plot ëmbëlsi,

Tek varte në ajri

Nota cicërime,

Fëshfërime,

Gurgullime.

 

E mori.

Përpjetë e çoi,

Përtej perdeve të mëndafshta jashtë e nxori.

 

Përreth,

Gjithçka ish mëngjesore, agullore, e trëndafiltë,

Nën lodrën e rrezeve të para diellore.

 

Tek-tuk ndonjë fluturz,

Tek-tuk ndonjë zogth,

Gazmohej,

Harbohej.

 

Përmbi lëndinë të luleve,

Përmbi bar të vesuar,

 

Aty e shpuri puhizë e mirësisë,

Vetë engjëll i Perëndisë.

 

Njëmijë kundërmime, vezullime, tingëllime

Ajrin mbushën,

Fort trokitën në mbretëri të qetësisë.

 

E u drodh e frikur

Kjo nuse mjegullore e mëngjesit,

Mbi kokë, kurorë diellore praruar,

Në trup, fustan mjegullinë palë-palë,

Dhe rendi.

Rendi këmbëzbathur lëndinës së blertë,

Me gjurmë vesimi mbi petalet qumështore.

 

Kërcitën kërcejtë e brishtë,

Valëzoi bar i bleruar,

Flladi faqeve e puthi,

Përshëndetje i dha.

 

Doçkat e foshnjës lëvizje morën,

Këmbkat ajrin rrahën,

U çel botë e tërë,

Lulëzoi,

Gëzoi.

 

Foshnja po i buzëqeshte engjëllit,

Në parajsë të gjumit po kuvendonte me të.

 

Dhe befas

në qiell,

atë hop,

një breshëri kallashi ia dha,

gjithë hata:

K r r r a a, k r r r a a u u………………!!!!!!!

 

U

drodh

nëpër gjumë

foshnja.

 

Dhe

mua

m’u

drodhën

m

i

sh

t

ë.

 

Kallash, o tmerr i njerëzisë...................... !!!!!!!

 

 

Fotaq Andrea, gur i pikturuar, akrilik, 2001.

Adami thërret për qamet,

E qan, qan, Evë e shkretë.

 

 

Rekuiem për tërë ata që e gjetën nga s’e pandehën…

Pusetë e politikës shqiptare – Real-absurditet

 

Ai ra.

Po, po, ra,

Ecte dhe ra,

Ra dhe u vra,

U vra tek ra,

Klithi e qeshura ha, ha, ha!

Pshahu rënkimi ah,ah, ah!

U vra,

Shumë u vra,

Në pusetë tek ra,

Në pusetë tek mbetë,

Tek mbetë plak i shkretë,

Që ra u dërrmua,

E u sakatua.

 

Dhe djali qesh,

Qesh me ha, ha,

Qesh me hi, hi,

Dhe plaku qan,

Qan me oi,

Me oi, oi, oi.

I gjori njeri,

Si njeri dhe tjetri,

Si plaku dhe djali.

 

Dhe gojëshqyera pusetë

Aty rri,

Aty,

Mespërmes trotuarit.

 

Ajo ra,

Po, po, ra.

Ecte me biçikletë dhe ra,

Në mes të udhës u shemb, u vra.

Rënkoi vajza ah, ah, ah!

Qeshi djali ha, ha, ha!

Qeshi, thirri,

Duart trokiti.

 

Vajzë këmbëpërpjetë.

Djalë që duartroket,

Spektakël i vërtetë.

Kurse ajo, ish aty,

Gojëshqyera pusetë,

Aty, mespërmes udhës.

 

Ata ranë.

Po, po, ranë,

Ranë dhe u vranë,

U vranë shumë u vranë,

Tek ranë:

Një grua shtatzënë.

Një vajzë e lënë.

Një djalë i ri,

Gjithë mërzi.

Që endet qytetit,

Qytetit pa gojë,

Pa gojë, pa veshë,

Pa veshë, pa sy,

Pa sy, pa frymë,

Qytet i shkretë,

Që s’bën gjumë të qetë,

Vaj, vaj medet!

 

Ai endet,

Ajo endet,

Gjithkush endet,

Andej-këndej,

Këndej-andej,

Tutje, përtej.

Enden të hallakatë,

Njerëz të ngratë,

Ç’më gjet,

Ç’na gjetë,

Me shpresë,

Pa shpresë,

Pres që të rroj,

S’di ku të shkoj,

Pres që të vdes,

Dheu mos më tresë,

Qeni të më dhjesë!

 

Ai lëviz.

Lëviz, lëviz, lëviz,

Me vizë,

Pa vizë,

Mendja i lëviz !

 

Nxiton,

Vrapon,

Vrapon,

Pushon,

Në vend qëndron,

Me jetën lufton,

Vdekjen sfidon.

 

Lufton.

Sfidon.

Shan

E mallkon.

Gjëmon!

 

Ne ramë.

Po, po, ramë,

Ramë dhe u vramë,

Shumë e shumë u vramë,

Rrugës së gjatë,

Ditën pa dritë,

Natën plot natë,

Natën pus të zezë,

Në terr të vërtetë,

Rrugës gjithë pusetë,

Gojëshqyerat pusetë,

Që s’mbajnë… as jashtëqitjen e vet!

 

Ne ramë.

Ramë dhe u vramë,

Ku e bëmë, ramë,

Në vrimë të zezë,

Të zeztë, moj të zeztë!

Mars 1997.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora