E premte, 19.04.2024, 02:08 AM (GMT+1)

Përjetësi » Ismajli

Nuhi Ismajli: Dy histori për shqiptarët e Kosovës!

E enjte, 21.03.2013, 07:00 PM


Dy histori për shqiptarët e Kosovës!

Nga Nuhi Ismajli

Ngjarjet e kohëve të fundit, pa dyshim, krijojnë bindjen se shqiptarët e Kosovës do t’i kenë dy histori krejt antitetike për të kaluarën e tyre.

Njëra histori, do të jetë histori e shqiptarëve të tjetërsuar, një histori e atyre pa dinjitet njerëzor e kombëtar shqiptar, apo edhe historie e atyre që turqit i konsiderojnë “mbetje të turkut”, një histori kjo e false, ideologjike, e turpshme, e papranushme dhe tejet e dëmshme për identitetin shqiptar dhe orientimin e tyre evropian.

Historia tjetër, do të jetë historia e shqiptarëve, një histori e cila synim ka të vërtetën nga e cila mësohet, një histori e ndjeshmërisë njerëzore e kombëtare shqiptare, e cila dallon qartë të mirën nga e keqja, njerëzoren nga jonjerëzorja, histori e denjë nga e cila mund të nxiren mësime të çmuara edhe për ekzistencën e denjë e orientimin e mëtejmë njerëzor e kombëtar të shqiptarëve.

Historia e shqiptarëve të tjetërsuar ose sipas terminologjisë turke, historia e “mbetjeve turke”, ka filluar me krijimet folklorike, në të cilat, për shkak të animeve fetare, turqit nuk konsiderohen pushtues, po martirë për të mirën e shqiptarëve (Shih p.sh. këngën për Luftën e Kosovës, të vitit 1389). Në tekstet e shkruara, qe sa e sa vjet, turqit quhen shpëtimtarët e shqiptarëve dhe numërohen “të mirat” e pushtimit turk për shqiptarët, lavdërohen renegatët, kurse mohohen, poshtërohen e quhen tradhtarë heronjtë e çlirimit kombëtarë kundër pushtimit e robërisë turke.

Në kohën tonë, shkrimit të një historie të rrejshme, proturke dhe tepër poshtëruese e të dëmshme për shqiptarët, në ndihmë i erdhi edhe qeveria e tashme e Kosovës dhe qeveritarët më të lartë të saj.

Qeveritarët e Kosovës, nuk u ndien fare të fyer nga kërkesa turke për ndryshimin e historisë shqiptare, për kohën e pushtimit osman. Së pari, ata, si qeveritarë të një shteti të pavarur, nuk u ndien fare të fyer nga ndërhyrja, në mënyrë të paturpshme, e një shteti tjetër, në mënyrën e shkrimit të historisë së një populli të një shteti tjetër. Së dyti, qeveritarët e Kosovës, si qytetarë të Kosovës, nuk u fyen fare nga kërkesa turke që shqiptarët e Kosovës (për pjesëtarët e etnive të tjera kjo as që mund të imagjinohet!), të harrojnë të kaluarën kombëtare dhe ta shkruajnë historinë e tyre sipas kërkesës turke.

Qeveria e Kosovës, jo vetëm pranoi kërkesën e pamoralshme turke, po edhe i hyri me zell punës për ndryshimin e teksteve të ndryshme të arsimit shqip, të cilat kanë pasoja të mëdha për identitetin shqiptar.

Ajo formoi Komisionin famëkeq, i cili mori për detyrë që, sipas kërkesave turke, t’i “korrigjojë” tekstet më të rëndësishme për identitetin shqiptar,si teksteve të historisë e të lëndëve të tjera, ndër të cilat edhe tekstet e letërsisë e të gjuhës shqipe! Më pas, gjithashtu, pak a shumë, dihet edhe për udhëtimet “shkencore” të Komisionit deri në Ankara, “këshillat” me ekspertët turq të tij etj.

Qeveritarët e Kosovës paralajmëruan edhe debat lidhur me ndryshimin e teksteve të rëndësishme të arsimit shqip për identitetin shqiptar, sipas kërkesave turke. Debati, në këtë rast, qartazi shihet se nuk ka të bëjë me synimin për ndriçimin e së vërtetës historike, e cila njihet mjaft e mund të njihet edhe më, për të parë kërkesën tejet të pamoralshme turke dhe arsyen që shqiptarët të mos ndryshojnë historinë e tyre, po për të futur mentalitetin e robit në vështrimin e historisë shqiptare, vështrimin e të tjetërsuarëve, apo të “mbetjeve turke”, sipas termit turk, inkuadrimit në debat për historinë shqiptare të logjikës dhe të forcës së turmës, inkuadrimit në debat dhe imponimit të mentalitetit anadollak të turmës, të prirura për qëndrime proturke dhe antishqiptare.

Duhet thënë se, mediat, në krahasim me kërkesën tejet të pamoralshme turke, për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, dhe me vetë peshën kombëtare që ka kjo çështje për shqiptarët, nuk i kushtuan vëmendjen e nevojshme. Kështu, u shkrua pak për nevojën e ruajtjes së historisë kombëtare, kurse, në anën tjetër, pati edhe shkrime në favor të interesave turke.

II.

Këto ditë, ndër të tjera, patëm rast të dëgjojmë edhe debatet e para.

Për të parë kërkesën e pamoralshme turke, pasojat e ndryshimit të teksteve të arsimit shqip të Kosovës, në kundërshtim me të vërtetën historike dhe në dëm të identitetit shqiptar, keqpërdorimin e institucioneve të Kosovës për të ndryshuar identitetin e shqiptarëve të Kosovës, shëbimin tejet të ulët, prej shërbetori, të qeveritarëve të Kosovës dhe kontribuuesve të tjerë, në dobi të interesave neo-otomane, po ndalemi në atë që dëgjuam në debatin e organizuar nga RTV21, më 16 mars 2013.

Në debat mernin pjesë: zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, kryetari i Komisionit për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip, dr. Shkëlzen  Raça, autorët e teksteve të historisë: dr. Fehmi Rexhepi e dr. Frashër Demaj.

Gjatë tërë diskutimeve të tij, Nehat Mustafa, me zellin më të madh, përpiqej të arsyetonte kërkesën e pamoralshme turke, që shqiptarët t’i trajtonin me respekt, sikur të ishte fjala për një borxh të shqiptarëve ndaj turqve dhe jo për një borxh të turqve, të cilët i kanë robëruar shqiptarët dhe as e fshehin një lakmi të tillë as sot e as për të adhmen. Kërkesa turke, sipas N. Mustafës, është e drejtë, kurse mungesa e respektit për roberinë turke dhe apetitet turke, të tashme e të ardhme, për t’u dënuar.

Kryetari i Komisionit për ndryshimin e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, dr. Sh. Raça, pranoi se P. Osmane ka qenë pushtuese, por, sipas tij, pushtimi turk nuk nënkupton dhunën, vrasjet, barbaritë, të cilat dihen mirë sipas të dhënave historike.

Sipas tij, nuk duhet të thuhet se P. Osmane ka bërë dhunë, ka bërë vrasje, ka shkatërruar vlera materiale, shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, përkundër statistikave të shumta historike ekzistuese për gjenocidin e vërtetë osman mbi shqiptarët.

Sipas dr. Sh. Raçajt, P. Osmane nuk ka përndjekur, nuk ka keqtrajtuar as ka vrarë mësuesit shqiptarë! Sipas tij, fajtorë kryesorë për mungesën e shkollës shqipe, gjatë robërisë osmane, për pengimin e arsimit kombëtar shqip e dhunën ndaj tij, është kisha ortodokse greke!  D.m.th. sipas këtij “dijetari”, pushteti i kishës ortodokse mbi shqiptarët, paska qenë më i fuqishëm se vetë pushteti i P. Osmane, të cilit i shërbyen mjaft shqiptarë, duke qenë madje edhe në pozita mjaft të larta; se P. O. deri më 1887, kur u dha leja e parë për shkollën shqipe dhe, madje, edhe mbyllja e shkollës, qenkan diktuar nga kisha ortodokse greke!

(Në debat, fatkeqësisht, mungonte “dijetari” tjetër, anëtari tjetër i Komisionit për ndryshimin e teksteve shqipe të Kosovës, Hysen Matoshi, që të dëgjonim e shihnim edhe “urtitë” e “drejtësinë” e shpatës së tij në korrigjimin e teksteve te Letërsisë e të Gjuhës Shqipe!).

Koautori i teksteve, dr. Fehmi Rexhepi, dëshmoi tërë tmerrin që ndjen nga kërkesa turke dhe atë tmerr sugjeroi që ta ndjenin edhe të tjerët. Këshilla e tij ishte të punonin me kujdes të madh të gjithë e të dilnin nga ajo situatë, se Turqia, që ka bërë një kërkesë të tillë, do të vazhdojë me kërkesën e saj edhe në të ardhmen. (Nuk e kuptoj datën e tij nga Turqia). Sipas tij, u bë shumë zhurmë për asgjë, se as do të duhej të bëhej zhurmë aq e madhe për aq pak ndryshime të propozuara nga Komisioni, apo, siç tha ai, figurativisht, u hodhën dhjetë terplote për një kokër grurë. Pra, ndryshimet e propozuara nga Komisioni, ndonëse shihej se e kishin revoltuar, sipas tij, nuk çonin peshë.

Koautori, dr. Frashër Demaj, i dalluar dukshëm nga të tjerët, për dijen e qëndrimin e tij dinjitoz, ngulmoi për respektimin e së vërtetës historike, lirinë akademike, vlerën edukative të teksteve, por nuk i kurseu as lavdëratat për “aftësitë diplomatike të shkëlqyeshme” të N. Mustafës! Vetë Turqinë, ai e quajti “miken më të mirë që kanë shqiptarët sot”! Pra, Turqinë e nxori para Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës…! Ai shprehu një mendim të rëndësishëm kur pohoi se ndryshimet e teksteve të arsimit shqip të Kosovës, çfarë kërkohen tani, janë tejet të dëmshme, sepse rrezikojnë identitetin kombëtar të shqiptarëve. Dr. F. Demaj nxori përpara të pranishmëve edhe një libër të madh turk, për projektin neo-otoman, por kujt t’ia tregonte atë?!

III.

Në debat, askush nga të pranishmit, me përjashtim të udhëheqësit, përmes pyetjeve të tij, nuk kontestoi pohimet e paqëndrueshme, qëllimkëqija dhe antishqiptare të N. Mustafës. Kështu, askush nga të pranishmit nuk i tha N. Mustafës se tekstet e arsimit shqip të Kosovës, po bëhen nga kërkesa turke e dëshira e renegatëve të saj, nga synimi për asimilimin e shqiptarëve dhe integrimin e tyre në projektet neo-osmane, e jo për shkak të kërkesës së Këshillit të Evropës për zbutjen e gjuhës së urrejtjes ndaj popujve.

Këshilli i Evropës nuk kërkon të shkruhen histori false, politike, të rrejshme, histori ku nxënësit edukohen të mos e urrejnë pushtuesin dhe robërinë, sepse urrejtja e së keqes, siç janë edhe pushtuesi e robëria, është cilësi tejet njerëzore etj.

Nga të pranishmit askush nuk pyeti N. Mustafën se kur Turqia kërkoi nga Greqia e Serbia ndryshimin e teksteve, cila ishte përgjigja e tyre dhe çka bënë ato deri më tash lidhur me këtë çështje? (Dihet se Turqia në fjalorin e saj diplomatik po thekson raportet tejet të mira me Greqinë e Serbinë, madje Serbinë, para disa ditësh, e cilësoi si faktorin kryesor të stabilitetit në Ballkan).

Nga të pranishmit askush nuk pyeti N. Mustafën pse nxori përpara “shqetësimin” e nxënësve turq të Kosovës, lidhur me historinë shqiptare, kur ata askush nuk i nget për asgjë dhe kur të drejtat e tyre në Kosovë, nuk i gëzojnë shqiptarët në Turqi.

Nga të pranishmit askush nuk i bëri pyetje N. Mustafës pse është në anën e Turqisë e jo në anën e shqiptarëve, se si qeveritar e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin dhe identitetin e shtetasve të vet, të marrë anën e së mirës, së drejtës, njerëzores dhe jo anën e së keqes, anën e Turqisë, e cila shkëlqimin e vet do ta ndërtojë mbi poshtërimin dhe shkatërimin e popujve. Etj. , etj.

IV.

Në një situatë të tillë të shqiptarëve të Kosovës, të cilën e ka krijuar kërkesa antishqiptare turke dhe renegatët e saj; në një situatë të tillë kur kërkesën turke për tjetërsimin e shqiptarëve e turqizimin e tyre, me program, në mënyrë të planifikuar, institucionale, e imponojnë qeveria e Kosovës, qeveritarët e saj e pushteti i turmave të tjetërsuara anadollake,

shqiptarit të Kosovës nuk i mbetet tjetër alternativë, pos që, përgjithnjë, t’i refuzojë kategorikisht tekstet e imponuara antishqiptare, ato tekste djallëzore, që këkojnë zhbërjen e tij dhe t’i bëjë e shfrytëzojë përgjithnjë tekstet e veta, në të cilat gjërat do t’i quajë me emrin e tyre të vërtetë dhe në të cilat, me krenari, do t’i ngre lart e me lart vlerat më të çmuara njerëzore e kombëtare të tij, krahas popujve më fisnikë të botës. Kjo, që them unë, kam bindjen, nuk është vetëm ndjenjë dhe kërkesë imja. Kjo, besoj unë, është zëri i brendshëm, kuintesenca dhe intenca e jetës së shqiptarit!

P.s. Politika dhe diplomacia aktuale turke identifikon plotësisht Turqinë e sotme me P.Osmane.



(Vota: 57 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora