E premte, 19.04.2024, 05:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Ishte ajo ...

E merkure, 20.03.2013, 08:01 PM


Ishte ajo  ...

Tregim

Nga  Përparim Hysi

Sado që shtëpinë ku banoj  e kam tek rruga e Kavajës, mu pranë ish uzinës "Enver", zakonisht kafen e pi mundësisht sa më larg  shtëpisë. Them kështu se klubet i ke   si shtëpitë e   Beratit: një mbi një dritaret dhe këtu i ke pëllëmbë mbi pëllëmbë. Por unë e pi larg e larg, se një rrugë e dy punë: dhe takoj  ndonjë shok, por - dhe kjo është domosdoshmëri për moshën time- bëj si  me detyrim  ecjen në këmbë. Ecjen  në këmbë e kam të përditshme dhe, për mua, autobuzat as që më hyjnë në punë. E di që janë domosdoshmëri dhe autobuzat, por mua sa nuk më zë data, kur shoh  gjithë ata pasagjerë që ngjishen e stërgjishen me njëri-tjetrin se, siç duket, ose ata e kanë me ngut, ose autobuzët janë të rrallë. Pra, sikur kam alergji nga  autobuzët. Por tek shkruaj për ta, s'kam se si mos tregoj se dhe autobuzët sikur kanë alergji nga unë. Sikur jemi në të  njëjtën gjatësi vale. Kur shkruaj kështu, më vjen dhe pak për të qeshur: dy herë kam hipur brënda një viti  në këta autobuzë (një herë për Allias dhe tjetrën  për në spitalin "Nënë Tereza") dhe të dyja herët autobuzët, pasi kanë bërë rreth dy km. tak dhe janë prishur. Kam zbritur prej njërit dhe kam pritur për tjetrin. Merreni me mend seç hoqa. Dhe u "përcolla".   Dy herë sikur nuk janë pak për të formuar një opinion. Sidoqoftë, vetëm një e keqe e madhe dhe një ngut po kaq i domosdoshëm mund  të më detyrojnë që të hip në autobuz. Disa që janë modernë kur shkrujajnë nuk thonë të hipi në autobuz, por "mora autobuzin", "mora trenin", "mora avionin" e  ku të di unë. Po unë nuk u afrohem dot atyre, modernëve qoft dhe  kur shkruaj. Se ku unë dhe ku ata.

***

Koha qe  me  shi. Imeshoqe, sado që ma di huqin që unë nuk rri pa dalë nga shtëpia sikur të bëhet kiameti, më thotë:

-Ku do vesh? Nuk e sheh se ç'kohë bën?

-Më presin popujt,- i them duke qeshur.

Këtë "popujt" nuk e kam nga vetja. E kam të vjedhur nga miku im. doktor Vlashi Gjeçi. Kur dilte me mua (unë  i thërrisja që poshtë se qe në katin e katërt) , i thoshte të shoqes (edhe ajo mjeke pediatre) :- Ika unë, Vangjë! Më presin popujt!   Unë që isha "popujt" nuk e mbaja të qeshurit. E "vodha" si thënie dhe ja  kështu i thashë sime shoqeje. Sapo kisha  kaluar unazën që të çon në klinikën 9, mora djathtas se kafenë kam vendosur ta pi tek "Taivani". Nuk nxitoj se punën nuk e kam me ngut. Eci si një zotni që gjithë punët  i kam vënë në terezi. Kur befas më flet dikush. Them befas, se njerëzit nuk janë më si dikur. Këmbehesh me ta dhe as "ma ngrënçë dhe as ta ngrënça", mezalla se të thotë njeri mirëmëngjes. Ai që më foli e përsëriti: -Ore shok,-më tha,- mos di gjëkafshë se ku janë furgonat e  Vlorës.

-Po si nuk e di,- i them. Hajde me mua!

-Po jo pse do mundohesh.

-Jo,- i thashë,- nuk më ndjek njeri me  shkop.

-Të faleminderit se të shtira në mundim.

-As mos e zërë në gojë.

Bëra prapaktheu nga rruga, kalova  me gjithë të moshuarin në anën tjetër dhe drejt  e tek furgoni. Xhaxhai më falnderoi. Shoferi gjithashtu që,veç falnderimit tim, bërtiti:- Për Vlorë se dhe dy vënde kanë mbetur.

Përsëri bëra prapaktheu për të kaluar nga  ana tjetër e rrugës dhe, pa bërë as dy çapa, pashë që një zonjë po i afrohej furgonit. E vështrova tek afrohej pak si nxitimthi dhe kur qe mu përballë, e njoha: qe AJO !

Ou,- bëra dhe vetëtimthi më lindi ideja që të nisem pas saj nëse dhe  ajo do shkonte për Vlorë. E lashë sa më parakaloi dhe kur pyeti shoferin në ishte për  Vlorë, ky i hapi derën dhe bërtiti:- Edhe një vënd kemi.

-Po vij unë,- bërtita, pak më shumë se sa duhej, sikur të kisha frikë se mos ma zinin atë vënd.

Pra, kot nuk ka lindur shprehja: hane Sham dhe hane Bagdad. Duket  se kjo shprehje është si një kapele që më rri mirë pas kokës. U nisa për të prië kafe tek "Taivani" dhe, pa pritur, ia mbath për në  Vlorë. Por ç'qe vërtet ky kërcim Pindarik imi?!!!

***

Hyra në furgon dhe zura vend pas saj. Qe një dyvëndësh në fund të furgonit dhe aq më mirë për mua: kështu  m'i donte mushka drutë. Ajo që qe ulur në krahun tim, është mikesha ime e vjetër, Margarita.  Natyrisht, ajo nuk më njohu. E si do më njihte me të vërtetë, kur unë kam ndryshuar aq shumë, sa jo Margarita që ka që nga vitet '60-të pa  më parë me sy, por dhe të njohur të tjerë, shokë apo dhe shoqe me të cilat kam punar mbi 20 vjet, nuk më njohin më. Mërgimi i gjatë në Amerikë më futi si dokun në ujë dhe harro mushkë palarenë, se Ali  Pashanë e prenë,  kur u ktheva pas 12 vjetësh, pati shumë që nuk më njohën. Atje, në Amerikë, gjeta, si të thuash, shtëpinë e priftit. Erdha dhe "hodha trup" dhe, nga ndënj-ja rehat, zura të vë bark dhe u bëra si një lopë barsë. Kështu që kjo zonja që rri përbri meje as që e merr dot me mënd se me ç'djall është ulur. Zonja është me të vërtetë zonjë, sado që mosha ka bërë të sajën, por në veshje dhe në tualet (po unë shiikoj sikur dua ta vë në kandar,de!) tregon se nuk ka asnjë gjë të tepruar. Ndonjë rrudhë në faqe apo ndonjë qeskëz e vogël nën sy, flasin se gjurmët e moshës kanë bërë punën e  tyre. Unë kam vënë syze të zeza sterr (jap përshtypjen sikur jam miop!) dhe, përmjet tyre, zë e kundroj me nge aq sa mund të shoh nga  ajo. Qëllimi im është gjetkë. Dua ta risjellë dhe njëherë atë kohë aq të bukur që kisha kaluar me Margaritën. Jam tip i bezdisur, zakonisht, por këtë radhë jam si ata pushtetarët e keq : qëllimi justifikon mjetin. Kjo maksimë e  Makiavelit  më hyn në  punë dhe mua  sot. Dhe nuk njoh skrupuj në bezdinë time.

***

- Nga Vlora jini?

-Po.

-Më falni  në se nuk ju bezdis, por ç'punë kini bërë?

-Mësuese por kam kohë që kam dalë  në pension.

-Po ju?

-Unë kam qenë  igjinier,- gënjeva. Igjinier mekanik,-shtova.

-Po shkollën për mësuese, ku e kini bërë?

-Në Elbasan. Në ish normalen.

Elbaaasan,- e zgjata fjalën unë, si Arkimedi kur bërtit "Eureka".

U çuditët,- ndërhyri ajo apo çfarë.

-Jo. Përkundrazi. Po në Elbasan ka mbaruar dhe një shoku im i ngushtë.

-Kush qe?

Thashë emrin tim dhe, përmjet syzeve, vura re një tis nervor tek zonja.

Po si nuk e njoh. E kam patur në klasë dhe kam rreth 50-v jet që nuk e kam parë. Bilez, nuk e di a rron dhe se ku bëhet.

Kur më tha kështu, mendova që ta hiqja "diplomën made in Kristal" të igjinierit dhe  të vishja lëkurën që kam, por do të qe veç një shfaqje e shpifur dhe aq.  Mendova që ta vazhdoja "lojën" e nisur me të njëjtën taktikë. Ajo, pa menduar që ujku qe mu pranë dhe nuk kishte pse të kërkonte gjurmën, filloi të gërmonte në pyllin e kujtesës.

-E paske shok. Po hë ku bëhet si shkon.

Unë po nuk kam nevojë për  shtyrje, po për fre. Tani që frerin ma hoqi nga goja, zura të flisja për "mikun  tim".

Në vitin  2000 doli  në pension dhe  shtegëtoi në Amerikë..Atje është ( gënjeva sërishmi) se  ka djalin e vet në Florida. Kurse vajzën e ka mjeke në Shkodër.

-Më vjen mirë që është rregulluar.  Ka qenë nga fshati dhe në shkollë,- tha pa të keq fare,- ka qenë dreqi vet. Dy gurë bashkë nuk linte. Në çdo vit me nga një notë në sjellje dhe vetëm pse mësonte mirë, e mbaroi shkollën

Ndërsa  tregonte, mua më ravijëzohej ajo Margarita e dikurshme, me flokë të zesë,  me sy të zinj dhe me një fytyrë vezake, në ngjyrë kremi diçka si ato gocat aziatike. Më  dukej. asi kohe se nuk kishte  tjetër më të bukur mbi dhe. Aq keq më kish zënë qymyri pas saj, sa, ngaqë flokët i kisha  si gjemba iriqi, nuk lashë vazo me brilantinë pa blerë në një dyqan pranë shkollës. Nuk lija rast pa "pozuar" para saj, sidomos në orët e mbasditës, kur hynim në salllën e madhe të studimit. Kur ajo më kërkonte ndihmë në mësime, atëherë unë këtë "ndihmë" e konvertoja në një çek dashurie. Të vetmin kostum që im atë më porosiste ta vishja vetëm në rast festash ( për ta rujatur sado pak) , unë, pothuaj,se i nxora ujtë e zi,vetëm e vetëm që t'i merrja pëlqimin Margaritës. Kur mora pëlqimin e saj, qeshë bërë dragua dhe mënd përpija retë. Kjo ndodhi atëherë kur po vinte fundi i shkollës. Vërtet që ajo më dha  fjalën dhe seç bëmë dhe nja dy takime jo dhe aq të"nxehta", duke u nisur se e mira pret, nuk e kaluam Rubikonin.

Dhe, mandej, ndodhi  akoma më keq. Ne ishim matur me hijen e mëngjesit se, kur të sajët hapën kartërat e biografisë, ndërsa të miat qenë sterrë,ato të sajat qenë të bardha dëborë. Panxhat e biografisë qenë si putra ariu që shkërrmoqën çdo dëshirë tonën. Ajo nuk e pati forcën që të shkelte mbi"tabutë" e kohës dhe,pa u emëruar mirë, e martuan me një  kuadër të sërës së tyre. Që atëherë as e kishim parë më njëri-tjetirn dhe, pa pritur e kujtuar, ja tek e kam përbri si sot e 50-vjet më parë dhe, përsëri, as që i them  dot:- Përse? Jo vetëm kaq, por nuk i them  dot se  jam ai,që nuk lija dy gurë bashkë. Por në fund të fundit, ç'vlerë do kishin të gjitha? E shkuara as që kthehet më. Një e shkuar që, sidoqoftë, ndonjëherë edhe më nga ngacmon dhe më nis  në rrugë plot hamëndësira që nuk ua gjen dot  fundin. Çdo hamëndësi është e kotë siç qe dhe kjo udhë që e mora, po kot, veç nga një mike e vjetër që nuk më njohu. Mos qe më mirë që s'më njohu:...



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora