Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Takim shkrimtarin Kristaq Turtulli

| E merkure, 20.03.2013, 08:47 PM |


TAKIM ME SHKRIMTARIN SHQIPTARO-KANADEZ KRISTAQ TURTULLI

Të shtunën më 23 mars 2013, një grup artdashësish në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, organizon një takim tematiko-letrar me shkrimtarin shqiptaro-kanadez Kristaq Turtulli.

Z. Turtulli është një nga krijuesit më prodhimtarë që jetojnë në Kanada, i cili në vitin e kaluar botoi librin me titull Tulipani i Koresë. Ky është vëllimi i dytë i trilogjisë Hidhësia e puthjes, i cili ndjek vëllimin e parë të suksesshëm me titull Syri i Ritës.

Ngjarjet zhvillohen midis Shqipërisë dhe Koresë, dy vende me shumë ngjashmëri e karaktere të përbashkëta: sistemi politiko-shoqëror, varfëria ekonomike, mungesa e drejtësisë dhe lirisë së fjalës dhe shtypit, dashuria e ndrydhur e të rinjve, tarafllëku dhe korrupsioni etj.

Takimi do të zhvillohet në auditoriumin e bibliotekës publike e moderne Barbara Frum, duke filluar nga ora 11 AM. Adresa e sakte është 20 Covington Road, Toronto, ON M6A 3C1 (kryqëzimi Bathurst and Lawrence Ave. West, menjëherë mbas Lawrence Plaza ku do te gjeni parkim te bollshëm e pa pagesë. Ju mirëpresim.

 

__________

KRISTAQ TURTULLI

fragment nga romani" TULIPANI I KORESE."

Urrejtja pushon nga dashuria, ky është ligj i përjetshëm... (Buda)

Kërciti kanati i derës, ai u kthye, u shtang, nuk u besonte syve! Përpara tij qëndronte e mrekullueshmja May Lee! Vajza përkuli kokën me ceremoni dhe buzëqeshi lehtë. Vironi shpejtoi hapin, sa nuk fluturoi.

-May Lee!- gati sa nuk klithi.

-Sh,sh, shëët! Eja brenda.

U mbyll dera me nxitim dhe të dy mbajtën frymën një copë herë, vështronin njëri tjetrin dhe nuk flisnin.

-Më falni, kush ishte ajo fëmijë?- theu heshtjen Vironi.

-Motra ime,- u përgjigj ajo me buzëqeshje të lehtë.

-Ah!- ia bëri Vironi dhe luajti kryet ngadalë.

Zotëroi përsëri një heshtje e nderë.

 

Të dy qëndronin të hutuar përballë njeri tjetrit. Nuk u besohej. Vajza ndjehej krejtësisht e shpërqendruar, veshur me rrobën e gjatë të kaltër, ngjante si një copë qiell kaltërosh i zbritur rastësisht në këtë kthinë të vogël. Vironi mezi mbushej me frymë dhe e vështronte pjerrët, i dëshpëruar.

-Mos më vështro në atë mënyrë,- i foli me zë ulët vajza dhe i ktheu kryet mënjanë.

Vironi  u kapërdi me vështirësi dhe mërmëriti:

-May Lee, të lutem, më vështro në sy.

Vajza lëvizi lehtë supet e hijshme, qafa e derdhur iu ndeh, u kthye përballë dhe ngriti sytë ngadalë drejt tij.

-Të lutem më trego, përse vepron kështu?- Foli me rënkim  Vironi.

-Përse sillem kështu?- ia bëri ajo gati me lëndim.

-Atë mëngjes ne u puthëm me ndjenjë në klasë...

Vajza nuk tha gjë vetëm sa kapsalliti qerpikët.

-Ne ishim miq të mirë,-vazhdoi të fliste Vironi si në jerm. -Ne ishim të gëzuar. Ne u puthëm fort me afsh, me ndjenjë, e mbani mend?

May Lee sigurisht e mbante mend, çdo detaj, e vështronte e rrëmbushur nga lotët, bashkoi pëllëmbët në gjoks dhe shtrëngoi gishtërinjtë derisa i dhembën. E ndjente gojën e thatë dhe gjuha i përpëlitej në zgavër. Ajo donte ti thoshte mjaft por nuk mundej.

-Ne u puthëm përsëri May Lee,-vazhdoi të fliste ai me zë të ngjirur, -por nuk ishte thjesht puthje, ne mbajtëm buzët të puthitura dhe zemrat tona të shtrënguar a për një kohë të gjatë...

-Pusho,- i foli ajo mes lotëve.

-Përse,- i foli ai ashpër, -përse u bëtë tjetër njeri?

Vajza ngriti kokën me vrull e ja pat zë lodhur:

-Sepse jam e trembur, kam frikë,-vajza ishte e përmbytur nga lotët. Ngriti krahun e bardhë dhe fshiu lotët që po i rrokulliseshin nëpër faqe. Befas krahu ju var, lotët binin me nxitim nëpër faqet e lëmuara, mori frymë me shpejtësi si të thithte një herë e mirë të gjithë ajrin e dhomës së vogël, pastaj vazhdoi: -I miri im,vallë a e di se është tmerr, kosore, ferr i vërtetë?

-May Lee,- mërmëriti i pasigurt ai: -Për një dashuri!

Vajza e ngriti përsëri krahun e djathtë, jo për të fshirë lotët, por për ta vendosur mbi shpatullën e djalit, dora e saj iu mbështoll rreth qafës, Vironi mbylli sytë dhe mbështeti kokën lehtë në gjoksin e rrumbullakët, të vogël dhe të ngjeshur të saj. Trupat e tyre u bashkuan, u lakuan, gati si të ndehur në erë. Ajo kërkonte të qëndronte kështu e ngjitur përgjithmonë.

Ai përkuli kokën dhe e puthi fort, me afsh në buzë, vajza shtrëngoi sytë, ngriu, buzët e saj u vaditën prej lëngut të freskët dhe gjuha iu drodh në qiellzë. Vironi e largoi pak nga vetja, vështroi me vëmendje dhe mall fytyrën e freskët të vajzës, dridhjen e qerpikëve dhe buzët gjysmë të hapura, në pritje. E puthi përsëri me zjarr dhe pasion si të mos e kishte puthur kurrë. Puthjet e tij ishin të buta gati si lutje.

May Lee donte të fliste, të tregonte për mundimin dhe pasigurinë e së nesërmes, por fjalët i kishin mbetur të varura në çengelin e pasionit dhe dashurisë. Ajo ndjente marramendje prej çdo prekje e buzëve të djalit dhe çdo puthje të ngjeshur. Befas Vironi lëvizi buzët vertikal, në gjithë sipërfaqen e buzëve të saj, ndjeu frymën e tij të nxehtë. Buzët e saj u hapën si fletët e tulipanit dhe ai futi gjuhën brenda. Vajza u hutua një çast, u ngreh, u drithërua, gjuha e tij lëvizte ngadalë në brendësi të gojës, gjoksi i saj ngrihej dhe ulej me shpejtësi, ndjente një marramendje të lehtë.

Të dy nisën të merrnin frymë me vështirësi, vajza kishte ndenjur net të tëra zgjuar, pa gjumë e kishte sjellë dhe risjellë  shpesh herë nëpër mend gjetjen e mënyrës  për ardhjen e tij, larg syve të keq të Çao Dao Bu-së. Prandaj donte ta bënte akoma më intime, të ndjente për herë të parë në brendësi gjithçka të tij. Të jetonte momentin, gjithnjë e nesërmja nuk dihet. Nuk ishte aspak e shkrehur, ishte njeri, femër që donte të provonte me gjithë shpirt atë që donte.

Zemra e vajzës rrihte me forcë, puthjet e tyre ishin të shpeshta, të shkurtra si shkreptima, ai mbante me kujdes kokën e saj në pëllëmbët e tij si një diamant të rrallë, pa ndërprerë të puthurat. Ajo e vështroi ngultas në thellësi të syve të djalit, kthjelltësia e drithëroi, fytyra e tij ishte e përskuqur, mezi mbushej me frymë, i përvëluar, paduruar prej dëshirës. Vironi përkuli kokën, buzët e tij lëvizën drejt gjirit të bardhë e të vogël, buzët prekën  lehtë thithkën e kuqe e të plotë si manaferrë e tërhoqi butë duke e rrotulluar në gojë. Vajza symbyllur u rrëqeth, rënkoi, pastaj psherëtiu dhe mërmëriti:

-Të lutem butë.

Vironi e përkëdhelte lehtë me delikatesë, si të prekte një petale dhe të mos shkundte pjalmin, gjithsesi ajo i ndjente së thelli prekjet e tij. Mezi mbushej me frymë, si të kishte vrapuar gjatë nëpër një të përpjetë të lodhshme. E donte atë djalë marrëzisht, nuk e merrte vesh ngase i ngrihej dallgëzimi i pashuar i ndjenjës. Gjuha i ishte tharë prej dëshirës, pa menduar gjatë lëvizi me shpejtësi, zbërtheu kopsat e para të këmishës, të tjerat kopsa prej nxitimit u këputën vetë dhe ranë përdhe me zhurmë të butë. Flaku me moskokëçarje këmishën përdhe, gjithashtu dhe sytjenat.

-Shtrëngomë fort.

Për herë të parë në jetën e vet May Lee gjendej krejt lakuriq përpara një mashkulli, i cili e vështronte syzgurdulluar, gojëhapur; bardhësinë e shndritshme, bukurinë e mahnitshme të trupit të saj. I ngjau si një nimfë e ardhur befasisht përpara tij. Iu mbajt fryma, u kapërdi me vështirësi, të ishte kjo vajzë e tij, e cila po i jepej tërësisht!

-Oh May Lee, jeni një mrekulli! - mërmëriti ai gjuhë tharë dhe shtriu duar përpara me ndrojtje pa guxuar ta prekte. Donte ti thoshte se i dukej e pabesueshme që kurora e bukurisë aziatike të behej e tij. Heshti. Ajo i dukej si një statujë klasike, si një magji!

-Shtrëngomë fort, fort!-mërmëriste symbyllur May Lee.

Vajza një moment u përskuq dhe u hutua për guximin e çmendur, nga mendimi i përshpejtuar për të treguar sa më shpejt lakuriqësinë e saj. Uli kryet dhe provoi një dridhje të brendshme. Alarmi i ngrehur i shungulloi në mendje, u nguros me vështrim të mbërthyer drejt derës, megjithëse i kishte marë masat qysh më parë. Largoi shikimin prej aty dhe përshkundi kryet e nervozuar. Nuk kishte kohë të mendonte dy herë.

Përnjëherësh May Lee e ndjeu veten të lehtë, pa rëndesën e teshave të panevojshme, nuk i vendosi duart në gjoks për të mbuluar apo fshehur diçka, i dukej krejt e tepërt lëvizja në ato momente të papërsëritshme intime, ndjehej e përfshirë prej afshit që po ja përvëlonte trupin. Vironi zgjati gishtërinjtë dhe preku gjoksin e saj me kujdes, ndërsa dora tjetër shkau në bark e përkëdheli lehtë, pastaj rendi poshtë mes shalëve të drejta, drejt kaçubës së vogël me kaçurrel të dendur, të butë si mëndafsh.

-I premtova vetes të dhuroj gjithë dashurinë, ta jap tek ti dhe dua që ta mbani në zemër. Do të dua ty gjithnjë, pak rëndësi ka se çfarë do të sjellë jeta. Jeni shpirti im dhe do të dua gjatë gjithë jetës deri në vdekje. Shtrëngomë fort, fort, fort!- foli ajo me afsh dhe me shpirt.

-Unë do jem gjithmonë pranë teje, sa herë të keni nevojë për mua,- pëshpëriti Vironi.

May Lee qëndronte e tendosur e donte atë ta kishte brenda vetes, ta ndjente së thelli, gjithçka e tij ti përkiste dhe asaj, ishte e përfshirë prej zjarrit përvëlues. Vironi u shtri mbi të dhe e puthi në buzë, duke e lënë trupin ti shkrihej prej ekstazës, e vështronte ngulët, u tërhoq pak dhe u ngjesh mbas saj me të gjithë forcën. Ata u bënë njësh, ajo klithi, i dhembi shumë, trupi iu harkua dhe një lot i madh u rrotullua në faqen e praruar, u rrokullis ngadalë pastaj ra përdhe. Vajza ndjente frymëmarrjen e tij të shpeshtë dhe lëngun e nxehtë që derdhej në brendësi të trupit të saj. Ajo u shkri prej kënaqësisë, nisi ta puthte si e marrë në buzë, në qafë, fytyrë. Ajo nuk ishte skllave e mjerë të dergjej në pështirosje, qe njeri, vajzë e re me ndjenja dhe vrulle. Jeta i jepej njëherë, rinia po ashtu dhe ajo nuk mund të pështynte ndjenjat, ti flakte përdhe si lëvere, ti shkelte me këmbë. Ndjehej si një mbretëreshë, dha dashuri dhe mori afsh dhe ngrohtësi...

May Lee ngriti kokën me vrull, afshi dhe zjarri përvëlues në çast u fashit, përkuli qafën e mpirë, si të dëgjonte më mirë, tendosi trupin, shkau anash, u largua me pendesë prej trupit të lagësht të djalit. Zemra i rrihte me vrull dhe gjaku në damarë i ziente si uji i nxehtë në kazan.

-Ç'është?- pëshpëriti Vironi, lëvizi dhe u kthye në krah.

Vajza nuk i ktheu përgjigje, zgjati krahun, tërhoqi prej stolit fustanin e gjatë me lule, u ngrit dhe u vesh me të shpejtë. Ajo ishte e sigurt që dëgjoi diçka si zhurmë a zë matanë në korridor ose diku më larg. Ndoshta në dhomën e vogël me orendi të thjeshta ku rinte zakonisht gjyshja pothuajse e verbër Lee Su Yuong.

-Ç'është?- ia bëri përsëri Vironi dhe u ngrit ndenjur, sytë e vajzës tregonin alarm.

Vajza ktheu kokën pjerrët nga djali dhe i foli me zë të ulët duke treguar me kokë teshat e tij të flakura në dysheme:

-Vishu shpejt, të lutem,- u kapërdi me vështirësi dhe pyeti:-Dëgjove diçka si thirrje apo zhurmë?

Vironi pa ditur çfarë të thoshte ngriti supet, futi këmbët në pantallona, shtrëngoi rripin fort me nervozizëm.

Vajza qëndroi në këmbë si shtatore, veshëngrehur, shtroi me duar fustanin dhe kollanin e madh e kaloi në mes dhe e lidhi fjongo. Ngriti dorën që i dridhej dhe u mundua të shtronte flokët e shpupuritura, i shtroi duke kaluar nëpër to gishtërinjtë e hollë delikatë, me shikim të përqendruar. Sa të hijshme ishin veprimet e vajzës, por djali nuk pati kohë ti sodiste dhe ti shijonte. Është vërtet moment i këndshëm për mashkullin kur admiron femrën teksa vishet dhe kujdeset për veten e vet, fill mbas marrëdhënies seksuale. Vajza i kreu veprimet shumë shpejt dhe atij i ngeli në buzë shija e ankthit.

Zhurma u përsërit nga dera që lidhej me korridorin, veçse nuk qe plotësisht zhurmë, por ishte më shumë trokitje e ngutur, përzierë me gërvishtje nervoze thonjsh. May Lee, hapi gojën të mbushej me frymë, lëvizi kryet me vrull dhe fytyra iu zbardh. I bëri shenjë djalit të fshihej ku të mundte, të qëndronte ndenjur, ose  mbas raftit që ishte i mbështetur mbas murit. Ajo morri frymë thellë dhe me zemër të dredhur u çapit ngadalë drejt derës.

Qëndroi një hop dhe hodhi një hap prapa. U mbush me frymë përsëri, dhe vendosi pëllëmbën e djathtë  në mur. Ajo llogariti me mend që në momentin e hapjes së derës të linte një hapësirë të vogël, kënd të ngushtë, për të parë brenda në dhomë, duke e bllokuar me trup rrezen e shikimit. Si u bind se mund ta kontrollonte gjithçka tërhoqi derën mbas vetes.

Ishte gjyshja e verbër e kërrusur si kosore e ndryshkur Lee Su Yuong, mbështetur mbi një shkop të shtrembër dhe mbajtur për dore mbas mbesës, motrës së vogël Kim Lee Hun.

-Hë gjyshe Lee,- i foli May Lee me zë të dridhur dhe brodhi shikimin në korridor, mbi kokat e tyre. Koka e plakës dridhej, ndërsa sytë e motrës së vogël Kim ishin të trembur, të lagësht. Ato qëndronin si dy shtatore të çuditshme, një kukull e vogël ngujuar pranë një kërcuri të shtrembër, të vjetër, të dalë prej mjegullës dhe nuk flisnin. Plaka ngriti kokën pjerrtas dhe bërbëliti, duke hedhur cërka pështyme.

May Lee doli në korridor dhe tërhoqi derën pas. Plaka Lee Yuong Su ngriti kryet me vështirësi dhe foli me zë të shuar:

-Motra jote Kim Lee dëgjoi në rrugë zërin e lartë të Çao Dao Bu-së.

May Lee u drodh dhe vështroi ngulazi motrën e vogël, që tundi kryet në shenjë pohimi.

-Kim, ja hape derën? - gërhiti May Lee.