E merkure, 24.04.2024, 05:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Xhemail Peci: Letër e hapur Diplomacisë Ndërkombëtare

E merkure, 20.03.2013, 07:40 PM


LETËR E HAPUR DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE

Nga Xhemail Peci

“Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë vriteni vetëm një herë” (Uinston Çurçilli)

“Politika nuk është më e lehtë se fizika!” (Albert Ajnshtajni)

“Ky organizëm – Organizata e Kombeve të Bashkuara, është krijuar për të parandaluar që të shkoni në skëterrë. Ai nuk është krijuar për t’ju dërguar në qiell” (Henri Kabot Lioxh – I Riu)

“Edhe sikur të na falni gjithë botën, ne kurrë nuk do t’i tradhtojmë idealet e kombit, bij të të cilit jemi!” (Jeronim De Rada, Poet Arbëresh)

Ballë për Ballë:

Koncerti i Krimit dhe Koncerti i Botës Liridashëse

Ngjarjet e fundit në Kosovën Lindore, ku u hoq aq padrejtësisht Lapidari i Dëshmorëve Shqiptarë, të cilit kishin rënë në luftë kundër makinerisë vrastare të Millosheviqit, si dhe incidentet e fundit në Maqedoni, ku me thika iu pre fytyra dhe iu shkaktuan plagë në pjesët e tjera të trupit një vajze të re shqiptare - mu në shkollë, ka shqetësuar me të drejtë shqiptarët, qarqet intelektuale, si dhe qarqet zyrtare shqiptare, brenda dhe jashtë territoreve shqiptare, por edhe qarqet përparimtare ndërkombëtare.

Shqetësimi më i madh është se eskalimit të dhunës në Ballkan i parapriu Koncerti i Krimit me titullin Marrshi mbi Dri, nën dirigjimin e Vuk Jeremiqit, i cili mjerisht ende e mbanë postin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara!

Pra, në praninë edhe të vetë Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zotit Ban Ki Mun, u ekzekutua Himni i Millosheviqit, nën të cilin në fund të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, u kryen krimet më makabre e u kryen masakrat më të llahtarshme ndaj popullsive të pafajshme në Bosnje, Kosovë e Kroaci.

Nën tingujt e këtij Himni Kobzi, në Srebrenicë vetëm për një ditë u ekzekutuuan 8,000 burra, gra, pleq e fëmijë, vetëm e vetëm pse nuk u konsideruan si europianë!

Duke ia dhënë Çmimin Nobel për Letërsi, shkrimtarit serb Ivo Andriq, Akademia Mbretërore e asaj kohe, theksonte se shpresonte që dhënia e këtij Çmimi do të kontribonte vënies së urave mes popujve të Jugosllavisë! As Ivo Abdriqi – i cili kishte hartuar dhe përpunuar planet shfarosëse kundër shqiptarëve, e duke u bazuar në Programatikën e Ilija Garashaninit e të politikave albanofobiste të Jovan Cvijiqit, as Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Serbisë, as Dobrica Qosiqi, as Kisha Ortodokse Serbe, e as Vuk Jeremiqi, nuk mësuan nga e kaluara dhe as që provuan të ndërtonin ura.

Prandaj, intonimi i Himnit të Krimit Marrshi mbi Dri, mu në Oranizatën e Kombeve të Bashkuara, është një akt i paprecedent në analet e diplomacisë ndërkombëtare, sepse të intonosh Himnin e Krimit kundër Njerëzimit, në Oragnizatën e Ideuar dhe të Projektuar nga Titajtë dhe Korifejtë e Koncertit të Botës Demokratike – F. D. Rusveltit dhe Uinston Çërçillit, është njësoj si të intonosh Himnin e Rajhut të Tretë të Adolf Hitlerit, është njësoj si të intonosh Himne për ata që në Histerinë e tyre rrënuan Kullat Binjake e vranë mijëra njerëz të pafajshëm vetëm e vetëm pse i takonin botës liridashëse e demokratike.

Nuk është e tepërt të thuhet se hapi i parë që do të duhej të bënte diplomacia ndërkombëtare, do të ishte shkarkimi i menjëhershëm i Jeremiqit, dhe se çdo vonesë e risjellë në kujtesë faktin se jo shumë larg në historinë e re, një pjesë e diplomacisë heshti kur Hitleri pushtoi Poloninë, apo edhe kur tanket ruse shtypën përgjakshëm ata që u ngritën për të këputur vargojtë e perandorisë komuniste…

Paradokset e Standardeve të Dyfishta

Hezitimi i pakuptueshëm, indiferenca, injorimi dhe anashkalimi i lëvizjeve të tilla, ka pasur dhe mund të ketë sërish pasoja tragjike, fatale për paqen dhe stabilitetin, madje jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Kjo ka bërë që kokat nacional-shoveniste në disa qarqe të Ballkanit të nxhehen sërish, gjë që po manifestohet mjaft qartë në Maqedoni, por edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ku shumëçka ngjanë me Luftën e Ftohtë, me një konflikt të ngrirë, edhe pse lufta thuhet se ka përfunduar me intervenimin e forcave ndërkombëtare!

Pradakoset, mjerisht janë bërë pjesë e politikës, e cila po shfaqet në përmasat më shqetësuese nëpërmjet standardeve të dyfishta: janë shpërngulur që nga viti 1999 e deri sot, më shumë se 14,000 shqiptarë nga trojet e tyre stërgjyshore në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës, janë duke u zbrazur në mënyrë të heshtur e përmes politikave diskrimunuese albanofobiste qytetet shqiptare në Kosovën Lindore (e administruar dhe e kontrolluar nga Serbia), është hequr Lapidari i Dëshmorëve Shqiptarë, po bëhet diskriminim racist ndaj shqiptarëve në Maqedoni, është djegur flamuri shqiptar e janë bërë e po bëhen thirrje të hapura kundër shqiptarëve, janë rrahur e po rrahen, janë përgjakur e po përgjaken të rinjtë shqiptarë vetëm e vetëm pse nuk janë maqedonas; janë hedhur e po hidhen granata e mjete eksplozive si dinamit e tritol në shtëpitë e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës – gjë që ka rezultuar edhe me viktima; nuk u lejohet edhe atyre pak shqiptarëve që i kanë rindërtuar shtëpitë e tyre afër lumit Ibër, të jetojnë të qetë në vatrat e veta; u janë bërë e po u bëhen lëshime territoriale Malit të Zi, Maqedonisë, e edhe Serbisë “për hir të paqes dhe të stabilitetit” në rajonin e trazuar nga luftërat e përgjakshme; po bëhet presion i vazhdueshëm ndaj lidershipit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, që pas “vendimeve të dhimbshme në Rambuje” të marrin “vendime të vështira” që do t’i kontribonin “normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”; u janë dhënë poste ministrore e madje asosh të zëvendësministrave – përfaqësuesve serbë, është bërë presion mbi Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por edhe mbi institucionet e tjera të Kosovës, që t’u falen toka shqiptare manastireve – të cilat historikisht u kanë takuar shqiptarëve (fjala vjen, po kërkohet me aq ngulm dhe me urgjencë që 23 hektarë të dhurohen vetëm për Manastirin e Deçanit), po u jepen kompetenca shtesë kishave e manastireve serbe, si në Hoçë e gjetiu…e megjithatë serbët nuk po kënaqen me Planin e Ahtisarit!

Diplomacia e Shastisur dhe Europa e Vjetër!

Duket se një Plan Ahtisari Plus po rri në prapaskenën e pasioneve të presioneve që po bëhen nga një pjesë e asaj që ish – amasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi e në Greqi (në vitin 1915), Xhorxh Fred Uilliams e pat quajtur “Diplomacia e Shastisur”, pjesë e asaj që ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld e ka quajtur “Europa e Vjetër”, kurse një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare u shfaq tepër e shqetësuar duke komentuar qëndrimin tepër parimor dhe mbrojtës të autoriteteve zyrtare shqiptare si “nacionalizëm” apo edhe si “retorikë nacionaliste”!

Në qoftë se fjala vjen, nacionalizmi amerikan i Etërve që e themeluan Amerikën, ka qenë fajtor pse amerikanët e kohës së korifejve të Fanarit të Lirisë kundër tiranisë obskurantiste, dashurinë e tyre për atdheun ua kundërvunë atyre që synonin t’i rrëgjonin tokat e tyre, atëhere le të jetë fajtor edhe nacionalizmi shqiptar, i cili përmes titajve të mendimit dhe të veprimit europian: Abdyl, Sami e Naim Frashëri, kanë shkrirë çdo gjë që Shqipëria dhe shqiptarët të bëhen pjesë e merituar e botës demokratike dhe e botës së qyetëruar.

Në qoftë se Mbretëresha Elizabeta - I ka qenë fajtore pse thoshte: “Po të hapet zemra ime, aty shkruan Kale” (Calais – pra një pjesë kufitare e Anglisë me Francën), atëherë le të jetë fajtor edhe nacionalizmi shqiptar.

Në qoftë se Vilhelm Teli ka qenë fajtor pse e ka mbrojtur Zvicrën kundër copëtimit: me çmimin e jetës së tij dhe të birit të tij, atëherë le të jetë fajtor edhe Adem Jashari (të cilit me të drejtë Gëzim Alpion ia ka dhënë epitetin “Vilhelm Teli i Shqiptarëve”) me Familjen e Tij, pse nxorri Armët e Gjergj Kastriot – Skëndërbeut nga Muzeu i Vjenës, dhe me to mbrojti jo vetëm lirinë dhe dinjitetin e një kombi të cilit kishte Nderin dhe Krenarinë e Ligjshme t’i takonte, por mbrojti idealin e lirisë e të qytetërimit.

Ifigjenia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë!

Në Gadishulin e Ballkanit, janë zhvilluar shumë tragjedi! Janë shkruar gjithashtu edhe shumë tragjedi. Eskili, një nga pararendësit e Uilliam Shekspirit, ka shkruar se kur fryenin erërat e luftës, e këshillonin Agamemnonin ta flijonte Ifigjeninë, në mënyrë që të korrte frytet e luftës, gjë që e bëri Eskilin të shkruante dy tragjeditë e tij: Ifigjenia në Aulidë dhe Ifigjenia në Tauridë. Ky tragjediograf i shquar grek shkroi libra të holla por me përmbajtje të mëdha, të cilat do të duhej të kuptoheshin drejt dhe qartë nëpër këta mijëvjeçarë, të paktën nga popujt e Ballkanit!

Eskili nuk shkroi libra voluminoze, sespe sikur e kishte parandier se e drejta nuk kërkon shumë faqe, prandaj nuk është rastësi pse Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka definuar aq qartë misionin e kombit liridashës, vetëm brenda pak faqeve.

Nuk është rastësi, pse njëri prej mendjeve më gjeniale të Europës, Fransua Mary Arue Volteri, e shkroi Preludin e Fanarit të Lirisë përtej Atlantikut, duke thënë se: “Tiranitë e mëdha rrëzohen me libra të holla”…

Mjerisht, Kosova pos që u dërgua në Aulidë e në Tauridë, u dërgua edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku Vuk Jeremiqi po provonte ta shkruante një tragjedi të re!

Buzëqeshja Enigmatike e Mona Lizës!

Aktualisht, Kosova po vihet sërish në Shtarin e Prokursit, e si në erërat e shoqëruara me sirenat e mitologjisë antike, herë mes Scillës e herë mes Haridbës, herë mes kudhrës dhe herë mes çekanit, ajo po testohet në kalvarin e përgjakshëm të historisë së saj, sa nga një pjesë e asaj që është qujatur “Diplomaci e Shastisur”, po aq edhe nga një pjesë e mendësisë së politikës të cilën mjerisht edhe sot e përfaqëson “Europa e Vjetër”!

Poeti i pushkatuar nga Diktatura Fashiste e Frankos, Federiko Garsia Lorka, me të drejtë ka thënë se: “Njëra prej të dy Spanjave të befason”! Befason pra, veçanërisht qëndrimi i Spanjës për të mos e njohur Shtetin e Kosovës. Spanja, të paktën për hir të atyre shqiptarëve që flijuan veten e tyre në shërbim të Republikës e kundër Diktaturës, do të duhej ta njihte Kosovën si shtet sovran dhe të barabartë në gjirin e kombeve demokratike. Le të shpresojmë se Spanja e Miguel de Servantes Saavderës, e Federiko Garsia Lorkës, e Antonio Maçdos dhe e Pablo Pikasos, do të dijë të ngritet në lartësitë e saj, dhe se ashtu siç ka ditur ta nderojë gjeninë krijuese të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadrenë me Çmimin prestigjioz Princi i Austias, do të dijë ta nderojë sërish kombin e Ismail Kadresë, duke ia njohur Kosovës të drejtën si shtet sovran e demokoratik.

Edhe Greqia e Homerit dhe e Eskilit, në themelet e së cilës qëndron gjithashtu sakrifica dhe flijimi i Arbërorëve që ndihmuan në Pavarësinë e saj, si Xhavella, Kundurioti, Marko Boçari, Bubulina Laskalina e sa e sa të tjerë, do t’i bënte një nderim të madh rajonit prej ku Europa njohu Shekullin e Artë të kulturës greke, sikur ta pranonte sa më parë pavarësinë e shtetit të Kosovës. Duke bërë kështu, Greqia do të ndihmonte dhe do të kontribonte të tejkalohet “Europa e Vjetër”. Greqisë i takon ta nderojë vetveten, në radhë të parë sepse Greqia e pushtuar e ka mundur pushtuesin e pagdhendur…

Le të shpresojmë, se shembullin e Spanjës dhe të Greqisë, do ta ndjekin edhe shtetet tjera që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Le të shpresojmë pra, se në vend se të shkruhet një libër, titullin e të cilit dikur e përcaktuan ngjarjet tragjike duke e shtyrë Zonjën Edith Durham që librin ta quante: “Njëzet vjet ngatërresa Ballkanike” – do të shkruhet një libër të ri, i cili për thelb do të ketë paqen pa ekuivoke, pra pa standarde të dyfishta.

Që të arrihet kjo, diplomacia ndërkombëtare e sidomos qarqe të caktuara europiane, duhet ta pranojnë se nuk mund të kërkohet vazhdimisht nga njëra palë që duke lëshuar pe të luajë rolin e Leonardo da Vinçit, që me penelatat e tij ta bëjë gjithmonë të qeshur Mona Lizën, kurse palës tjetër t’i mundësohet që ate ta rrëmbejë kur të dojë nga Muzeu i Luvrit.

Në qoftë se sinqerisht aspirohet një paqe serioze në hapësirat ballkanike, siç proklamon Baronesha Ashton, atëherë paqja nuk ka pse të ngjajë me huqet e Saksias së Rubensit, dhe se buzëqeshjes enigmatike të Mona Lizës, një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare, duhet t’i japë fund sa më parë.

Muri i Berlinit dhe Ura e Ibrit në Europën e Ndarë!

Pra, me një Urë të Ibrit të ndarë në dysh, për të cilën urragani i diplomacisë amerikane Riçard Hollbruk, thoshte me të drejtë se është pika më eksplozive në Europë, nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në Europën moderne e të bashkuar.

Të rrënosh Murin e Berlinit e ta tolerosh ate në Urën e Ibrit, do të thotë lajthitje e parimeve demokratike e liridashëse.

Aty ku rri këmbëkryq Mesjeta, aty ku ka tela me gjemba e ku hidhen granata dore me eksploziv, aty ku ikonat dhe mitet mesjetare e ndajnë dritën nga terrri, atu ku këputet një urë, nuk ka dhe nuk mund të ketë Europë të Bashkuar.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë Europë të Bashkuar, duke e privuar nga e drejta kombëtare, liridashëse, arsimore, kulturore e legjitime, njërin prej kombeve më të lashta të Gadishullit të Ballkanit.

Të mohohet e drejta demokratike dhe legjitime e një kombi të vogël në numër, por të madh në ndenjën e tij për lirinë dhe për paqen, don të thotë t’i japësh fund paqes, e cila nuk mund të ndërtohet kurrë në kurrizin e një kombi, e as në rrëgjimin e hapësirës ku ai ka jetuar e jeton me shekuj, e për të cilën gjatë gjithë historisë ka derdhur lumenj gjaku.

Kutia e Pandorës dhe Kutia e Ahtisarit

Është thënë me të drejtë se nga Rambujeja ka dalur një Paqe e Përgjakshme, prandaj në qoftë se “magjia e politikës europiane” – siç do të shprehej në kohën e tij Xhorxh Fred Uilliams, nuk e zgjidh drejt çështjen e shqiptarëve, rreziku i paraljmëruar për një Lindje të Afërt ka shumë mundësi që të jetë mëse evident, dhe se hapja eventuale e Kutisë së Pandorës nënkupton se nuk mund të ketë zgjidhje fatlume në kurriz të shqiptarëve.

Thënë shkurt, Hapja e Kutisë së Pandorës do të thotë Hapja e Kutisë së Ahtisarit për ta nxjerrë një Ahtisari Plus. Kjo do ta bënte Paqen e Përgjakshme një Paqe Tragjike.

Lordi Beaconsfield (Disraeli) mund të merrte në duart e tij më mirë se kushdo tjetër çështjen shqiptare në Berlin. Ai e ka vizituar këtë vend në kohën e rinisë së tij dhe bile ka shkruar edhe një biografi të Skëndërbeut. Por duket se një verbim hyjnor u ka errësuar sytë burrave të shtetit në atë kohë. Kështu ka shkruar Elena Gjika (Dora D’Istria) për çështjen shqiptare, me 25 nëntor 1879.

Le të priremi të shpresojmë se verbimi hyjnor nuk do të errësojë buzëqeshjen e Mona Lizës, ashtu siç do të prireshim të besojmë se kontributi aq i shquar i Derës Princërore të Gjikajve, do ta shtynte Rumaninë, që duke njohur Pavarësinë e Kosovës, të nderonte edhe pinjojt e një kombi që jo vetëm e nderuan, por edhe e ndihmuan dhe e forcuan shtetin rumun.

Dielli i Logjikës dhe Paqja e Përjetshme

Intelektualët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në veçanti duke miratuar alfabetin latin – në Manastir më 1908, por edhe duke përqafuar filozofinë politike të ideve liridashëse e demokratike perëndimore, pas pesëqind vjet robërie, e kthyen kombin shqiptar sërish me fytyrë kah Europa.

Është prandaj në nderin tonë dhe në krenarinë tonë të ligjshme, që si pasardhës të tyre, ta themi zëshëm se Europa është Nëna e Lirisë dhe e Arteve. Europa është kontinenti që njerëzimit i ka dhënë mendjet gjeniale si Eskilin, Danten e Shekspirin, “Diellin e logjikës” (siç do të shprehej poeti Dante Aligeri), por edhe të arsyes, të shfaqur në idetë e filozofëve të saj gjenialë: Volterit, Rusosit, Hegelit, Kantit, e sa e sa të tjerëve.

Europa ia ka falur njerëzimit Leonardo da Vinçin, dhe Leonardo da Vinçi ia ka falur ardhmërisë së njerëzimit: Mona Lizën.

Europa priret të shikohet si simbol i paqes dhe të ardhmes së përbashkët, sepse Europa është djepi ku ka lindur Ideja Monumentale e Paqes së Përjetshme, e projektuar fillimisht nga Abati De Sënt Pierre (në Traktatin: Një Projekt për Themelimin e një Paqeje të Përjetshme në Europë), e të cilën Emanuel Kanti e elaboroi si idenë më domethënëse që ka projektuar ndonjëherë mendja njerëzore: Paqe e Përjetshme.

Lajthitja nga idetë e mendjeve gjeniale si Kanti, Rusoi e Hegeli, pra lajthitja nga arsyeja shkaktoi që në truallin e Europës, brenda një harku kohor prej njëzet vitesh, të fillonin dy luftërat më të përgjakshme botërore, si dëshmia më e qartë se në kujtesën dhe në ndërgjejën e saj, Europa e kishte harruar Porosinë e Madhe të poetit të madh Xhon Milton, autorin e kryevepërs “Parajsa e Humbur”, i cili me të drejtë kishte paraljmëruar, se: “Krimi nuk fillon aty ku derdhet gjaku. Krimi fillon aty ku vritet arsyeja”.

E Drejta Njerëzore dhe E Drejta Hyjnore

Në Gadishullin e Ballkanit, mjerisht, edhe në historinë e re, janë bërë krimet më makabre, janë kryer masakra nga më të llahtarshmet, përballë të cilave edhe pena e Eskilit e edhe ajo e Ulliam Shekspirit, do të dridheshin si purteka.

Prandaj, le t’i jepet fund edhe njërës prej padrejtësive më të llahtarshme në historinë e njerëzimit:

LE T’U KTHEHEN KUFOMAT E TË ZHDUKURVE DHE TË PAGJETURVE, FAMILJARËVE TË TYRE.

KJO, JO VETËM SE ËSHTË NJË E DREJTË NJERËZORE, POR KJO ËSHTË EDHE NJË E DREJTË HYJNORE!...

Nuk është prandaj rastësi pse njëri prej titanëve të letërsisë botërore- Tolstoji, do ta titullonte një nga kryeveprat e letërsisë botërore, me titullin aq domethënës: Lufta dhe Paqja.

Le të priremi të besojmë se kombi që i ka dhënë botës shkrimtarët e tij gjenialë, si Tolstojin, Pushkinin, Dostojevskin, Çehovin e Pasternenkon, që i ka dhënë botës Lermontovin dhe Lomonsovin, do të dijë t’i japë paqes dimenzionin që e meriton, dhe se duke e pranuar se koha e nacional-romantizmit kur oficeri i ri Vronski e braktsite Ana Kareninën, për të shkuar në luftë në Serbi: ka kaluar.

Le të priremi të besojmë se edhe Kina, duke e pranuar pa hezituar dhe pa u vonuar, Kosovën si shtet të pavarur e sovran, jo vetëm se do ta kthejë borxhin që i ka popullit shqiptar për kontributin që i ka dhënë Shqipëria asaj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe do të jetë kontribuese serioze për paqen dhe demokracinë ndërkombëtare.

Presidenti amerikan Udrou Uilson, ka pasur arsye pse bustin e kryeministrit anglez Gladstone e mbante mbi tavolinën e punës, jo vetëm në nderim të Gladstones, por në radhë të parë në nderim të ideve liberale e demokratike.

Le të shpresojmë, se në vend të buzëqeshjes enigmatike të Mona Lizës, nga diplomacia ndërkombëtare do të parapëlqehen idetë liberale të mendjeve gjeniale europiane, mbi bazat e të cilave është ngritur edhe mendësia shtetërore amerikane.

Le të shpresojmë pra, se duke u frymëzuar nga këto ide, dhe duke u udhëhequr nga këto ide, diplomacia përparimtare ndërkombëtare do ta zgjidhë drejt, njëherë e përgjithmonë: Çështjen Shqiptare….



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora