E enjte, 25.04.2024, 04:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Ky def prej hëne (1)

E marte, 19.03.2013, 08:44 PM


ADEM ZAPLLUZHA

KY DEF PREJ  HËNE

Poezi

Shoqata e Shkrimtarëve”Fahri Fazliu”-

Kastriot-2012

Redaktor:

Baki Ymeri

Recensent:

Mazllum Baraliu

Lektor:

Veli Veliu

Lirika kosmogonike e një shqiptari etshëm për dituri

(Adem Zaplluzha, Ky def prej hëne, Shoqata e Shkrimtarëve-Kastriot, 2012)

Zërin e patëm shkreptimë vetëtime, thekson autori në njërin nga titujt e poezive të tij, dhe po qe se deshifrojmë peshën stilistike të titujve tjerë, konstatojmë se “hëna rri ulur në fronin e saj”, se “ballëhapur qëndron tundimi”, kur një buf i zi nate, tenton të ngulfatet “në qerpikët e ndezura të atdheut”, duke parashtruar pyetjen “e kujt është kjo kërrabë”, apo: “kush i la të hapura erërat”, kur “vraponim mbrëmjeve të vona”.

Nga Baki Ymeri

Titulli i librit ndërlidhet me një subjekt inspirimesh magjike të botës kozmike. Kosova përfaqëson një univers të veçantë ku poeti bëhet mbret, dhe mbreti poet, edhe pse kjo zonë e prekur nga dallgët e përgjakura të invazionit osman dhe terrorizmit serb, ende nuk e ka një mbret që mund ta bëjë Kosovën Shqipëri dhe Shqipërinë Zvicër ballkanike ku shqiptari nuk e vret vetveten si pasojë e varfërisë. Koha në lirikën e Adem Zaplluzhës i përngjan mjegullave që bredhin mbi shtegtimet e gjumit ku “peshqit vdesin për një gllënjkë të buzëqeshjes”. Autori shkruan për kukullat e drunjta që i afrohen bregut me dehje tingujsh, atje ku bie shi mbi “gjethet e manit të bardhë”, ku qan një nënë me një fëmijë “në gjumin tim”, ku një def i hënës ta përkujton hartën e vjetër kur pas rrëmujës së madhe “mbeti heshtja”.

Sa shumë krakëllima paska kjo natë, mahnitet poeti që pret orën për adaptim në këto lëndina ku “çuditërisht guri e ndryshoi formën e ngurtë”, ku gurët pluskojnë lot të kristaltë, ku “do bëhemi erë prej pluhuri”. Gjendja shpirtërore e tij fluturon në botën stelare (të yjeve), ku “mbrëmë ujqërit e shqyen hënën”, derisa “të reshurat i ndezin qirinjtë e kujtimeve”, kur “nga brendia e qiellit” kënga e koha dhe qengji im “nuk po mejnë”. Adem Zaplluzha inkorporohet në spektrin e poetëve të rrallë të letrave tona që krijon një lirikë motivesh kosmogonike, e denjë për lexim dhe rilexim. Ai krijon vlera të veçanta lirike mbi kohën me një maturi dhe thjeshtësi të veçantë, mbi gjëra të dukshme e të padukshme, ku “trenat kalojnë këndej pari”, e “hëna rri ulur në fronin e saj”.

Zërin e patëm shkreptimë vetëtime, thekson autori në njërin nga titujt e poezive të tij, dhe po qe se deshifrojmë peshën stilistike të titujve tjerë, konstatojmë se “hëna rri ulur në fronin e saj”, se “ballëhapur qëndron tundimi”, kur një buf i zi nate, tenton të ngulfatet “në qerpikët e ndezura të atdheut”, duke parashtruar pyetjen “e kujt është kjo kërrabë”, apo: “kush i la të hapura erërat”, kur “vraponim mbrëmjeve të vona”.  Adem Zaplluzha është një nga krijuesit tanë më të zellshëm, pa marrë parasysh moshën e tij të tretë që ndërlidhet me një pleqëri të bardhë e të mbarë, Vëllimi i tij më i ri (Ky def prej hëne), strukturohet në tre cikle vlerash lirike të një ekuilibri të veçantë, ku fërshëllen era dardane mbi “dheun tim të bardhë”, ku “mund të më gjesh në ndonjë baladë”, ku “në maja të luleve përtëritet mëngjesi”, ku “një prush i verdhë i ndezi malet”, dhe “vetëm lehja e qiellit mbeti pezull”. Kemi para nesh një botë paralele, një hapësirë të njohur, ku “hukama dëgjohej përtej shtatë bjeshkëve”, ku i dëgjojmë thirrjet e erës, dhe të gjitha daljet nga balada.

Adem Zaplluzha shkruan poezi të mirëfilltë, nuk e hedh fjalën si do kushdo siç veprojnë disa skribomanë, por na jep një tablo me një botë interesante ku shpërthejnë idetë, mendimet, ndjenjat, imagjinata, pa përsëritje vargjesh nga 77 vëllimet e tij, pa sintagma banale dhe periferike. Vlera semantike e vargut të tij, meriton të respektohet, përfundimisht duke i dëshiruar një pleqëri të bardhë e të mbarë.

 

Kur koha e përngjan mjegullave

Cikli i parë

 

NËPËR UDHËTIMET E MIA

 

Binte një shi stërkalash

Nga sytë nxora

yndyrën e trishtimit

Asnjë shteg për të dal nga ky pikëllim

 

Kujt i bëra një të lig

Që më mallkuan këto mjegulla

Prej fjalëve

Nëpër udhëtimet e mia

Herë eca vertikalisht

E herë i përngjaja zvarranikëve

 

Shih pranë burimit fishket guri

Ku t’i kërkoj duart e erës

Nëpër të cilat balada

Më mbetën kujtimet e kornizave

Sa të largëta qenkan mendimet

Kur largohen zogjtë e atdheut

 

Më pritë edhe pak

Kjo kohë e brishtë

I ka ngulur thonjtë në trurin e ditës

Dhe po e gjurmon vatrën e dhembjeve

Nëpër fijet e barit të tharë

 

KUKULLAT E DRUNJTA

 

Mbrëmë filloi me ra po ai shi i zi

Mbi krakëllimat e mjegullave

Lehte edhe qiellin

S’pushuan as mjaullimat e yjeve

 

Tej shevarëve

I dëgjuam hungërimat e pa artikuluar

Një boshllëk i paparë

Zvarritej fushave

 

Vetëm urat e thyera i pamë

Që notonin ujërave

Në ajrin e tymosur të qytetit

Dëgjoheshin fluturimet e korbave

 

një pamje e trishtuar

Kaloj andej trotuarit

Në mushkrit e shqyera të qytetit

Kukullat e drunjtë s’marrin më frymë

 

PËR NJË KRODHE TË MYKUR

 

Qanin retë qante edhe shiu

Lisat s’pushuan disa qindra vjet

Një lot trishtimi

Derdhej prej shtambave qiellore

 

Kjo mjaullimë mjegullash

Gati njëqind vjet s’pushoi

Nëpër çatitë e memories

Rrodhën pikat e fundit të balsamit

 

I dëgjuam edhe gjëmat e nënave

Grithje fytyrash u panë gjithandej

Ndonëse ecëm vertikalisht

Shpirti i jonë zvarritje sukave

 

Hymë në lojë me djallin

Për një krodhe të mykur e vramë ndërgjegjen

U bëmë hyzmeqar në këto anë

Shitëm vëlla gjuhë e vatan

 

KUR  IU AFRUA BREGUT

 

Shih se si po kalben gjethet

Trishtueshëm zbehen ëndrrat

Kur njeriu i përngjan heshtjes

Ose frikës së rrënjëve

 

Kjo lojë

Që s’përfundon asnjëherë

I ka var duart në degët e lisave

Dhe i përcjellë mjegullat tej lumenjve

 

Vetëm një krakëllimë korbi

Fluturon mbi krahët e errësirës

Në syprinën e detit vdesin peshqit

Në mol vajton një peshkatar i moshuar

 

Përkunden e përkunden

Sandalet e një nuseje

E cila njëqind vjet eci zbathur

Nëpër këtë tokë të zjarrtë prej plumbave

 

Kur iu afrua bregut

Dëgjohej një oshtimë myshqesh

Qante edhe sterra e qiellit

Sikurse njëqind vjet më parë

 

MALLI

 

Ky mall i im i zi

Mbuluar me trishtim

Qanë si një qilimi

Nuk pushoi asnjëherë

As kur isha i ri

E as në pleqëri

 

E KUR TË MBËRRINI

 

Po që se shkoj pas erës

Ju lutem

Mos m’i mbyllni portat

Fisi im

Kurrë nuk i ka mbyllur fjalët

 

E di nëse i përkitni fisit tim

Do ecni më shumë se çdo kush

Vraponi si asnjëherë më parë

Deri te portat e yjeve

Ju presin ato të panjohura

 

Ecni edhe pak

E kur të mbërrini

Mbajeni për dore fatin e shirave

Vallëzoni deri në mëngjes

Një valle shpatash

E cila kurrë nuk përfundon

 

NGA KËTO DEHJE TINGUJSH

 

Këtu fle një lloj myku i harruar

Si trishtimi i rapsodisë së fshehur

Lindin kujtimet

E kur vdesin hijet e maleve

Si zogjtë e zi fluturojnë korbat

Nëpër dhembjet tona

 

Mejhanexhiu na përkujton se si u harruan

Këngët e moçme të eposit

Deri sa nata

Nuk e ndal ison e një trishtimi

Nën këto tinguj lahutash

Paraqiten nëpër lugjet e fjalëve

Zanat e mira

 

Kur eposi i shfleton plagët

E mallit

Malet këndojnë si kurrë më parë

Lisat lozin një valle arkaike

Nëpër të çarat e rrapeve

Fshihen gjëmat e tokës

 

Nga këto dehje tingujsh

I çelë sytë një ylli të vetmuar

Pastaj si nga shtambat

Burojnë kristale lotësh

Në ëndrrën e Jonit

Qielli shndërrohet në një det me shi

 

NE DO TË ULEMI

 

Deri sa nga ndërgjegjja e kësaj nate

Këputen meteorët me bisht

Ne do të ulemi

Me kujtesën tonë të brishtë

Dhe secili prej nesh

Le të zhdehet

Nga kjo vetmi e paparë

 

ATHUA QANTE NJË NËNË ME NJË FËMIJË

 

Nuk më kujtohet

Se si humbi stacioni i trenit

Vetëm valixhet na mbetën nëpër xhepa

Dhe i kontrollojnë

Fluturimet e zogjve shtegtarë

 

Mes gishtërinjve të fërshëllimës

Frynte një erë e fortë

Saqë i shkulte akaciet

Mbase nuk kishte diçka tjetër për shkulje

 

Ora e vjetër e murit

Ka kohë që është ndalur

Askush nuk i kontrollonte itineraret

E erërave

Në këtë shtrojerë mendimesh

Vdesin ndjenjat

 

Mes binarëve rritet një lloj bari

Që askush s’e di

Se si e ka pasur emrin dikur

Dhe si quhet sot

 

Frynë një erë mali

Disi e papërshtatshme për korrozionin

E binarëve të vjetër

Buzë rruge nuk di

Athua qante një nënë me një fëmijë

Mbase që të dy qanin në duet

Fatin e thyer të skamjes

 

KUR BINTE SHI NË GJUMIN TIM

 

Më kujtohet

Kur binte shi në gjumin tim

Ti vrapoja rrugëve me sandalet e tua

Të kuqe

Që aq shumë i doje

 

Pastaj pa nguruar fare

Hyre edhe në ëndrrat e mia

Vetëm ti di

Se çfarë kërkoje nga poçari i verbër

 

Ikën ato kohëra

As zarfe të kaltra nuk shiten më

Këto letra elektronike

Janë aq pa shije

Sa që s’mund të lexoj asnjë fjalë

Mes këtyre hieroglifëve

 

Vetëm me një prekje të gishtit tregues

I zhduki të gjitha germat

Që fshihen diku në kujtesë

Si gjethet e vjeshtës

 

Këto letra elektronike

Nuk kanë as shpirt e as zemër

Andaj po i hedhim në shportën e harresës

Si fjalët e erës

 

KOHA IME

 

Koha ime

Nuk është ajo e profetëve

Në fund të filxhanit

Mund ta lexojmë epilogun e një ngjarjeje

Për fatin e xhuxhëve

Dhe profecitë e erërave

 

Koha ime

E ngarkuar me djajtë elektronik

Nëpër çdo shtëpi

Hingëllon si kali i drunjtë e historisë

Dhe i mbath retë

Me shkreptimat e vetëtimave

 

Koha ime

I ka humbur të gjitha rrugët

Në bredhjet e saja të panumërta

Dhe askund nuk takohet

Me botën nëntokësore

 

Koha ime

Profeti im i vdekur

Sa herë që i çelë sytë

Një meteor këputet pa dashje

Mbase në ditarët e jashtëtokësorëve

Nuk ka vend për të reshurat

 

PESHQIT VDESIN PËR NJË GLLËNJKË PREJ QESHJES

 

Herë më gjethon syri i majtë

E herë i djathti

Ti askund nuk je në gjeografin e dhembjes

Nuk di

Nëpër të cilët rrugë çapitesh

 

Ku je

Të kërkoj nëpër ëndrrat e zogjve

Tej yjeve shikoj hapësirën

Kudo zbrazëtirë në mjegullnajë

Kudo zbrazëtirë  mes shirave

 

Në asnjë pikë loti

S’takohem me vetveten time

Ti akoma në ikje i merr shirat pas vetes

Kudo zbrazëtirë mes dallgëve

Kur peshqit vdesin

Për një gllënjkë prej qeshjes

Prishtinë, 22 gusht 2012

 

DO BISEDOSH ME KREHRIN

 

Domosdo një ditë

Do vij çasti

Kur takohemi me vdekjen

Arkivoli i murrmë zgërdhihet

Deri në mospërfillje

 

Ti do të ecësh drejt një jete tjetër

Te ne thonë jetë varri

Më së lehti aty  i ke

T’i varësh duart në erë

Dhe të mos thahen asnjëherë

 

Kur takohesh me vetveten

Kujtoje gjelbërimin e syve të mëngjesit

Ke për të kuptua se vetëm atë ditë

Ti ishe në gjendje të ngurtë

Dhe pate qeshur deri në mëngjes

 

Duke i krehur flokët e ngjyrosura të kujtesës

Do bisedosh me krehrin

Do të të kujtohet kashaia e drunjtë

Dhe era e brymtë

Kur bisedonit me krifat e hirta të hënës

 

KOHA DUHET T’I PËRNGJAJ MJEGULLAVE

 

Kur bashkohemi me vdekjen

Duart tona më nuk janë të ngurta

Ajo gjendje e lëngtë

Duhet t’i përngjaj balsamit shërues

 

Pastaj ulemi në kanape

Dhe bisedojmë për problemet tona

Edhe ajo botë e paramenduar

Ka disa telashe të pazgjidhura

 

Do kujdesemi

Që atë ditë të mos bie shi

Nëse ngjan e kundërta

E mbulojmë erën me lëkurën e një daulleje

 

Bisedat tona

Nuk duhet të zgjasin me shekuj

Po që se bie shiu i zi

Do të jetë një ogur i keq për të mbjellat

 

Koha duhet të përngjaj mjegullave

Të jenë të mbufatura

Por të mos kenë pikë loti

Mbi qerpikët e shkulura të hënës

 

NËPËR GJETHET E MANIT TË BARDHË

 

Mbushe gjymin miku im

Mbushe

Vetëm përbrenda kësaj zbrazëtire

Mund ta shohim lumturinë tonë

 

Kjo mejhane e vjetër

Për çdo ditë po i rinovon kujtimet

Dëgjo se si gjëmojnë brenda qepenave

Gjëmat e daulltarëve

 

Njëmijë vjet më duket se kaluan

Si vrapi i dehur i milingonës

Po aq kohë edhe korbat fluturuan

Mbi qiellin e kafshuar të mendjes sime

 

Dëgjo miku im

Përgjoje ecjen e krimbit të mëndafshit

Nëpër gjethet manit të bardhë

Përgjoje në heshtje

Shushurimën e erës brenda këtij gjymi

 

KY DEF PREJ  HËNE

 

Ky def prej hëne ende s’pushon

Bini daulleve miqtë e mi

Bini mbi lëkurën hënës

Sonte po e festojmë frymëmarrjen e lirisë

 

Bini e mos pushoni

Ju o daulltarë të vyer

Le të pëlcasin daullet

Do i veshim kasnakët me lëkurën e  mëngjesit

 

Bini edhe mbi lëkurën time

Ajo i përngjan hartës së atdheut

Bini sa të doni nuk shqyhet dot

Me rrezet e diellit e kemi regjur ditën

 

Bini daulltarë e mos pushoni

Dasmat zgjasin me vjet në atdheun tim

Bini daulltarë bini

Është mësuar kjo lëkurë me të rrahurat e erës

 

HARTA E VJETËR

 

Unë do të ju flas shqip

Mbase gjuhë të tjera s’di

Por vetëm mos harroni

Se kjo hartë e vjetër quhet histori

 

E grisur dhe e shpërfillur

Deri në asgjësim

Thua se vetëm nën lëvoret e lisave

Gjeti strehim

 

Në ashtin tim një i huaj

Hasi diçka të shenjtë si prore

Dhe me mjeshtri të përsosur

Ngriti në shpirtrat e  mjegullave

Prej eshtrave një përmendore

 

PAS RRËMUJËS  SË MADHE MBETI HESHTJA

 

Po që se hyni në baladë

Mos harroni

Kthim mbrapa më nuk ka

Kur thyhen hijet e eshtrave

Degët lëshohen në gjysmë shtiza

 

Kjo erë e fortë që frynë

Nëpër lëkurën e regjur të tokës

Nuk ndalet në asnjë lima

Kur vijnë shirat këndej pari

I njomin të gjitha frytet e stinës

 

Kjo lëkurë e tokës është zhveshur

Para qindra vjetëve

Asnjë milingonë sivjet nuk doli për gjah

Druaj që dimri do të jetë i gjatë

Fije kashte nuk ka mbetur nëpër fusha

 

Më në fund

Ashtu siç erdhën ikën të huajt

Pas rrëmujës së madhe mbeti heshtja

Asnjë buf nuk rrinte nëpër tela

Dëbora siç duket

Do të shkrihet më herët sivjet

 

MË THUAJ SA ORA ADAPTOHEM

 

Të dua ashtu siç je

Origjinale

Me hidhërimin e zhgënjimin tënd

Dhe thyerjen e pjatave

Mbi kokën time

 

Të dua kur i lanë enët

Dhe kur unë pi ujë nga gota

Me njëqind njolla

Dhe fare s’merakosesh

Për helmimin e mizave

 

Ti e di se të dua

Ashtu origjinal në mënyrën time

Të pëlqen kafshimi i hamshorit

Dhe ulërima e qenve

Kur e ndjen aromën e djersës

 

Kjo është mënyra ime e vetme

Kështu u mësova prej gjyshërve

Të jem tejet origjinal

Nuk di ndryshe të dashuroj

 

Të dua edhe më shumë

Mu atëherë kur fle me hidhërimin tënd

Dhe kur zgjohesh me këngë

Në buzët e yjeve

 

Nëse ka mënyra të tjera

Të lutem më trego

Njerëzit i përngjajnë kameleonëve

Më thuaj sa ora adaptohen

Kushteve atmosferike të dashurisë

 

ÇUDITËRISHT GURI NDRYSHOI FORMËN E NGURTË

 

Me vjet të tëra

E shtymë gurin përpjetë shpatit

Disi lisat iknin

Dielli largohej në pafundësi

 

Kurse guri për çdo mëngjes

Me një gjakftohtësi të paparë

Qëndronte në heshtje

Afër pragjeve të dyerve tona

 

Kur provuam të kundërtën

T’i largojmë pragjet nga guri

U pamë me pamundësinë

E shtyrjes së gjërave ekzistuese

 

Kur deshën njerëzit ta ndryshojnë kohën

Defi e ngriti zërin

Çuditërisht guri ndryshoi formën e ngurtë

Dhe u bë pjesë e lëngshme e jetës

 

SA SHUMË KRAKËLLIMA PASKA KJO NATË

 

Nëse i dëgjon krakëllimat

Mos mendo se janë zëra zogjsh

Një heshtje tejet e trishtë

Buron nga brendia e stinës

Që po kallet në vetvete

 

Do vrapoj sonte nëpër këtë natë

T’i arrij fluturat e vetmuara

Ti  mos hezito

Merre përparësen e agimit

Dhe mbledh këto copëza gjëmash prej yjeve

 

Mbledh ato pak fjalë

Që kanë mbetur peng dikur moti

Ndoshta të nevojiten nesër

Për t’i ushqyer shpendët endacak

Nëpër foletë e qyqeve

 

Mua më kanë lodhur pritjet

Të gjitha stacionet e botës

Hynë dhe dalin nga shpirti im

Si  zogjtë e egër që fluturojnë

Tejpërtejmes së hapësirës

 

Me të thënë pritmë

Nuk di a kanë rëndësi fjalët e mia

Era sonte bisedon me mjegullat

Sa shumë krakëllima paska kjo natë

Në këto pak fjalë

 

KËTO GURORE PREJ LOTËVE

 

Ik nga kjo dhomë e shpirtit

Aty më askush nuk banon

Vetëm acaret lozin

Një valle të çmendur evgjitësh

 

Të lutem mos mi prek sytë

Lëri le të pikojnë bebëzat

Nëpër këto gurore prej lotëve

Një mal me dhembje fle në qenien time

 

Nuk dua që t’i dhimbsem askujt

Sytë e mi të lëbyrë

Ka kohë që kanë humbur

Freskinë e pamjes

 

Rrjedhin e rrjedhin

Këto lot prej gurëve

Athua akoma kanë shpresë

Zogjtë e mi të mendjes

Prishtinë, 23 gusht 2012

 

TË KUJT JANË KËTO SY PREJ RËRE

 

Më zgjoni

Nëse më takoni me heshtjen time

Nuk dua të fle më

Nën kthetrat e trishtimit

 

Kjo valle e lashtë

Si një hije e zezë po vallëzon mbi mua

Ku ikën zogjtë e plagosur

Në këtë kohë të sëmurë

 

Jam lodh

Nuk më mbajnë këmbët as mendja

Ku t’i kërkoj flatrat e erës

Në cilën baladë ikën zogjtë

 

Sa pak paska njerëz në qytetin e gurëve

Të kujt janë këto sy prej rëre

Të kujt janë këto duar prej mjegulle

Që më përqafojnë

E nuk e ndjej aromën e luleve

 

KËTO GURË QË PLUSKOJNË LOT TË KRISTALTË

 

Po që se shndërrohem në zbrazëtirë

Nuk di

A do të kenë kohë fluturat

Të fluturojnë

Nëpër lulet e sëmura

 

Këto çaste trishtimi

S’mund t’i durojnë as gurtë

Kush është duke hyrë dhe duke dalë

Nga gjumi im

Kur më ngufatin makthet

 

Mjaft më

Këto gurë që pluskojnë lot të kristaltë

Janë të njerëzve të vegjël

Që vetëm njëherë dashurojnë

Shijen e flokëve të erës së zhdërvjelltë

 

S’durohet kjo torturë e përditshme

Më merrni o djaj të urryer

Më merrni

Më qoni ku të doni

S’paska mbetur mish njeriu

Në eshtrat e mia të karbonizuar



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora