| E marte, 19.03.2013, 11:00 PM |
Kah është e ardhmja e shqiptarëve?
Nga Ndue Ukaj
Gjatë
pushtimit osman, për pesë shekuj, shqiptarëve ju mohua liria, fjala dhe
zhvillimi normal. Dhe jo vetëm kaq. Atë përjetuan akulturim, zvetënim moral dhe
përkundër përpjekjeve vetëmohuese për mbijetesë, kur shkoi Perandoria Osmane,
ata mbeten pa shkolla, pa tempuj bukurie, pa universitete dhe pa ndonjë
atmosferë të shëndoshë kombëtare. Po ashtu, administrata e saj ishte e mjerë,
ashtu siç ishte e mjerë e gjithë jeta shqiptare. Përveç elitës shqiptare të
bashkuar rreth Kishës Katolike në Shkodër (dhe vise tjera), arbëreshëve të
Italisë dhe patriotëve në emigracion, shumica e ambienteve shqiptare,
s’dalloheshin për asgjë të rëndësishme në aspektin kulturor e shpirtëror. Shkollat
shqipe ishin të pakta, për biblioteka s’mund të flitej, ndërkohë që
infrastruktura ishte e mjerueshme. Për këto fakte, flasin të dhëna të shumta
historiografike. Thënë troç, panorama e tokave arbërore gjatë dhe pas pushtimit
osman ishte tmerrësisht e zymtë dhe e mjerë. Pasojat e gjendjes së mjerë të
shqiptarëve, eruditi Faik Konica në tekstin “Shqipëria-vend i çuditshëm” do t’i shpjegoi kështu: “Para se gjithash,
prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër
pesëqind vjet.”
Mbi këto
rrënoja, sigurisht se ishte vështirë të mendohej të ndërtohej e ardhme e
ndritshme për kombin. Mirëpo, elita e kohës, duke e kuptua përgjegjësinë që
kishte, ju përvesh punës. Menjëherë pas çlirimit nga robëria e gjatë dhe
barbare osmane, shqiptarët e ndritur, ndërmorën një përpjekje titanike për
emancipim kombëtar dhe synimi kryesor i tyre ishte oksidentalizmi, nëpërmjet
shkollave, librit dhe shtypit kulturor. Ata e ushqyen etjen e gjatë për liri
dhe kulturim, nëpërmjet arsimit dhe kulturës, ku letërsia luante një rol
parësor. Ky projekt, pati suksese
evidente në kulturë, ngase elita që u formua sidomos në vitet e 30-ta, u dha
shqiptarëve shpirt oksidental, shpirt ky që u theksua sidomos në kulturë e arte.
Të arriturat e asaj kohe, sot, përbëjnë tharmin tonë kombëtar. Kujtojmë këtu
veprat e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Ndre Mjedes, Vangjel Koces, Anton
Harapit, Fan Nolit, Mithat Frashëri (Lumo Skendo), Enrest Koliqi, Mitrush
Kuteli, Lazër Shantojen, Vinçenc Prendushin, Branko Merxhanit, e shumë të
tjerë, pa të cilët kultura shqiptare sot do të ishte një skelet i frikshëm dhe
pa farë përmbajtje. Kjo përpjekje, u ndërpre në kohën e lulëzimit ma të madh,
nga komunistët e verbuar, që e plandosen edhe njëherë Shqipërinë londineze në
mjerim.
Ndërsa në
Kosovë, oksidentalizmi i shqiptarëve, ishte problem në vete dhe për shkak të
rrethanave, ishte ma kompleks. Ndihmesën e parë reale për ta mbrojtur kulturën
shqiptare pas çlirimit osman, e dha Ernest Koliqi, i cili, në cilësinë e
ministrit të arsimit në Shqipëri, dërgoi
në Kosovë qindra mësues me mision që ta mbronin dhe përhapnin fjalën shqipe. Më
vonë, në vitet e 70-ta, një elitë kulturore e emancipuar dhe e ushqyer me idetë
liridashëse perëndimore, i dha një impakt tjetër të rëndësishëm zhvillimit kulturor
të Kosovës, nëpërmjet avancimit të letërsisë dhe mendimit kulturologjik e
filozofik. Në këtë kohë, u botua shumë dhe u përkthye shumë. Më vonë, emrat e
shquar, si Ibrahim Rugova, Anton Çetta, etj, bën përpjekje të mëdha që
nëpërmjet edukimit dhe faljes, të oksidentalizojnë Kosovën. Me kohë, këto dy
figura, do të bëhen edhe prijës të idesë për lirinë dhe mëvetësinë e
Kosovës. Ky projekt, i ushqyer në një
truall të etur për liri dhe përparim, mbeti një projekt esencial për
oksidentalizmin e shqiptarëve të Kosovës, me një përmasë ndikimi edhe te
shqiptarët tjerë në ish Jugosllavi.
Tani
shqiptarët jetojnë të lirë, mirëpo kjo liri s’ka arrit t’i përmbushë kërkesat e
tyre. Sendërtimi i lirisë fizike, s’është plotësuar me lirinë e shpirtit, apo
thanë ndryshe, s’ka qenë në akordim me të. Për më tepër, kjo liri s’ka mbërri
me krijua lumturi të përgjithshme për shqiptarët, sepse është reduktuar te
përmasa e saj fizike. Shqiptarët veç faktit se përballen me krizë të
demokracisë, brishtësi të institucioneve, ekonomi jo stabile, korrupsion
kapilar, vazhdojnë të përjetojnë edhe një krizë të rënd shpirtërore, rrënjët e
së cilës janë historike.
Shqiptarët
sot përjetojnë një krizë dhe dekadencë, sidomos në pikëpamje politike. Në
opinionin publik, media dhe debate të ndryshme, s’flitet gjë tjetër përpos për
krizën shqiptare. Kjo krizë, nganjëherë na bën të dukemi qesharak para botës
perëndimore, ku aspirojmë të integrohemi si komb. Ka të tillë që mendojnë se
kjo krizë vjen si rezultat i krizës identitare të njeriut shqiptar, pas shumë
degdisjeve e që ka pësuar njeriu shqiptar, nga robëria e gjatë dhe pamundësia
me jetua i lirë.
E gjithë
kjo krizë, është për të ardhur keq ngase s’ka prodhuar një mendim alternativ
shqiptar. Veç stërtheksimit dhe
sforcimit të faktit se ndodhemi në krizë, s’shihet asgjëkundi ndonjë përpjekje
serioze që të ndihmohej komb që ta tejkaloj këtë krizë. Pikërisht për këtë,
ndjehet ankthshëm mungesa e një ideje të shëndoshë dhe e një parimi
udhërrëfyes.
Mbi çfarë
parimesh duam ta orientojmë të ardhmen e kombit?
Duke e
kuptuar mirë këtë gjendje, si shkrimtar që i lexon mirë shenjat e kohës, Ismail
Kadare shkroi esuen e tij të shkëlqyer Identiteti europian i shqiptarëve, me
çka deshi t’i kontribuojë mjegullës së krijuar
artificialisht për kahet që duhet t’i ndjek kombi shqiptar në të
ardhmen. Kadare i bindur në substratin oksidental të shqiptarëve, të rrënjët e
tij thellësisht europiane, duke ripohuar shumë të vërteta tjera antropologjike
dhe kulturore, shkërmoq gjitha mëdyshjet dhe dilemat, se kah duhet të orientohen
shqiptarët.
Në çfarë
mënyre duhet nxitur debate të shëndosha për të ardhmen e kombit, ku palët s’do
të bëjnë punën e tifozllëkut, por do të inkuadrohen me dashuri të natyrshme,
për ta vu përpara çdo interesi, të mirën e përbashkët që është e mira e kombit? Për këtë, duhet elita shqiptare të vihet me
tërë qenien në shërbim të së mirës, një gjë që këtyre viteve të fundit s’e ka
bërë si duhet.
Duke e
parë këtë gjendje, pohimet që dëgjojmë se shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga
paaftësia dhe mosdëshira për t’i harmonizuar divergjencat, në funksion të mirës
së përbashkët, janë reale. Pa u pajtua për këtë pikë, e ardhmja pozitive e
shqiptarëve, është thënë sa e sa here, do të mbetet vetëm një dëshirë për të
cilën duhet të punojmë shumë.
Na duket
i dobishëm një mendim i Ardian Ndrecaj-t, nxjerr nga eseu Shija e harrume e të
qenunit njeriu, botuar te Hylli i Dritës, nr. 1. 2006, për t’i përmbyllë këto
përsiatje, ku ai ndër të tjera pohon: “Të vetmit që e duen qytetin dhe
qytetnimin janë ata që pranojnë me u sakrefikue në themelet e tij.”
E ardhmja
e ndritshme e kombit shqiptar, do të varet pikërisht nga fakti sa jemi në
gjendje të sakrifikojmë për ta ndërtuar të ardhmen e tij, me një synim madhor,
që duhet të jetë dashuria e sinqertë dhe vepruese për të mirën e kombin.