E premte, 29.03.2024, 06:34 AM (GMT)

Kulturë

Ilir Çumani: Mjerimi në spitale

E hene, 18.03.2013, 08:10 PM


MJERIMI NË  SPITALE DHE MORALI I  “SHËRBËTOREVE” TE HIPOKRATIT

Një situatë alarmante në spitale e ka nxjerrë krejtë  të paaftë premtimin politik se gjërat kanë ndryshuar  në mjekësi. Kjo është arsyeja që autori  e shpreh  këtë  në artikullin e tij dhe rreshton një sërë argumentesh…

NGA ILIR ÇUMANI*

Mediat spanjolle janë tmerruar me spitalet shqiptare. Në një reportazh të publikuar nga 20 minutos thuhet se spitalet në Shqipëri janë si në Luftën e Dytë Botërore.

Në shkrim thuhet se më shumë infektohesh në spitale, sesa shërohesh.

Ilaçet mungojnë, ndërkohë që brenda në ambientet e QSUT – së,  mund të gjesh që nga kafet e deri tek serviset e makinave. Drejtuesit e spitaleve janë partiakë të thekur,  - thuhet në shkrim,  - ndërsa korrupsioni është në nivele alarmante. Në shkrim thuhet se mungojnë qendrat shëndetësore në vend, ndërsa shumë banorë duhet të ecin kilometra të tërë për të marrë shërbimin parësor. Ndryshe ndodhte në komunizëm,  - thuhet në shkrim, - ku edhe zonat më të thella kishin shërbim mjekësor dhe ai ishte falas.

Ky ishte komenti që bënte shtypi spanjoll për gjendjen e mjerueshme të spitaleve tona, por pa hyrë akoma edhe me thellë në detaje të jetës së përditshme të këtij shërbimi që në përgjithësi çdo hallexhi do ta pranonte  kokëulur varfërinë,  mungesën e ngrohjes dhe të ujit, por asessi nuk do të dëshironte dhe nuk do të pranonte  të përfundonte dyerve të spitaleve tona që janë në pikë të hallit.

Shumë njërëz nuk kanë mundësi të vizitohen sepse nuk kanë të ardhura dhe jetojnë në një minimun jetik të varfërisë, në luftë me mbijtetesën. Po me jetimët çndodh!? Po me të moshuarit e vetmuar dhe të braktisur!? Po me invalidët, personat me aftësi të kufizuara!? Ata janë në mëshirë të fatit,  rrezikojnë   jetën çdo çast,  sepse asnjë mjek nuk i prek me dorë nëse nuk paguajnë...

Si kudo, edhe mjekësia është dehumanizuar ca më shumë nga  disa sektorë të tjerë publik dhe privat në këto 22 vjet të tranzicionit të zgjatur pa shkak. Të dypunësuar  në sektorin shtetëror edhe në atë privat,  një pjesë  jo e vogël e mjekëve  në marëdhënie okulte  dhe bashkëpunim me segmente të caktuara të sistemit  administrativ   korruptiv  që tashmë kanë krijuar oligarkinë e tyre në këtë sektor  jetik të vendit,  janë kthyer në një babëzi kolektive drejtë  një pasurimi galopant dhe pa fre ku mund të thuhet pa frikë se, ata janë evazionistët më të  çuditshëm dhe më të mëdhenj fiskal duke mos deklaruar fitimet e tyre marramendëse me bekimin e pushtetit dhe politikës.

Duke patur akses në marëdhënie dhe punën shtetërore, nën ndikimin e trafikut të influencës të lidhur  në mënyrë nepotike me hierarkinë dhe njerëzit e pushtetit, qëllimshëm  ata e  kanë degraduar në mënyrë  të shëmtuar shërbimin spitalor publik, për të begatuar shërbimin spitalor privat,  nga i cili burojnë fitime marramendëse. E gjitha kjo nuk është rastësi. Përkundrazi!

Gjatë këtyre 22 vjetëve, shpesh herë kemi dëgjuar kinse nëpër  fushata elektorale dhe foltoret e  institucioneve më të larta të shtetit shqiptar oratorë politik që flasin me pathos për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat që duhen  të ndërrmeren    të gjithë sektorin  e mjekësisë, por, pakkush e kupton se kjo është thjeshtë  një  “lojë”  dhe  demagogji e atyre që na kanë  keqqeverisur dhe na keqqeverisin në mënyrë  abuzive.

Arsyeja është fare e thjeshtë.  Oligarkia që ka mbërthyer   në mënyrë kapilare pikat kyçe të  korrupsionit  galopant në tërë rrjetin e  shërbimit mjekësor,   reciprokisht jep edhe merr me politikën  në mënyrë të ndërsjelltë. Në këtë kuptim, kupola  e kësaj oligarkie,  (që janë militantët partiakë që drejtojnë hallkat kyçe administrative të sektorit të shëndetësisë në vend), e ka keqpërdorur dhe e keqpërdorë  elitën e inteligjencës mjekësore  si një aset  elektoral  për të bërë lobimin në favor të pushtetit politik, të atyre që na qeverisin në mënyrën më të keqe dhe  të pamerituar.

Nga ana tjetër  si shpërblim,  politika  me veprimet dhe mosveprimet e saj, gjithmonë ka ditur të mbyllë  sy e vesh në favor të kastës oligarke që mban peng  reformën mjekësore. Pra, e gjitha kjo,  është një marëdhënie midis politikës dhe  kupolës  oligarkike  në interest të këtyre të fundit dhe  në dëm të qytetarëve të këtij vendi.

Është kjo një nga shumë arsyet përse korrupsioni  masiv në Shqipëri  për më shumë se dy dekada "noton"  në mënyrë  skrupuloze dhe të rafinuar  në gropën e zezë sociale,  nga ku të ardhurat që përfitohen në rrugë të  paligjshme dhe të pandershme,  përqëndrohen në pak duar  të atyre që konsiderohen  sot  “elita e kapitalizuar”  e  disa profesionistëve arrogantë dhe prepotentë  në marëdhënie me të varfërit dhe shtresat e pambrojtura të shoqërisë.

Ja edhe një arsye më shumë, përse arkës së së shtetit  i mungojnë  çdo vit qindra miliona euro,  që, nëse ato do të mblidheshin  me drejtësi duke respektuar  barazinë e ligjit,  konkurrencën e ndershme të ekonomisë së tregut të lirë, këto të ardhura të konsiderueshme  për buxhetin e shtetit  do të  vlenin  për  të tjera punë  dhe shërbime publike e sociale  në favor të përmirësimit të kushteve  dhe cilësisë të jetës  së qytetarëve dhe njerëzve në nevojë.

Nga përvoja e praktikës botërore  del se  në çdo vend  të botës së lirë demokratike,  një mjek, një kirurg, një stomatolog, çdo profesionist i fushës  humane, në veprimtarinë dhe punën e tij ka një normë,  një kriter dhe tregues të punës që bën në lidhje me numrin e pacientëve që trajtohen prej tyre. Një kirurg në Gjermani, Austri, Zvicër, Francë, Suedi, Norvegji, Itali, Turqi  apo edhe Greqi, nuk mund të realizojë më shumë se 1 deri në 2 operacione në javë.  Këtu në Shqipëri, një kirurg planifikon dhe realizon 3 deri në  5 operacione në ditë. Një stomatolog, në vendet e perëndimit planifikon dhe mund të shpenzoj  si kohë të gjithë ditën me 1 deri në  2 pacientë, ndërsa këtu në Shqipëri, një stomatolog planifikon dhe kalon në duart e tij edhe  më shumë se 10 pacient në ditë.

Një mjek i zemrës, kardiolog, radiolog, patholog, gastrohepatolog, urolog, endokrinolog, pediatër, hematolog, etj,  në vendet e perëndimit nuk mund të planifikoj më shumë se 1 deri në 2 vizita në ditë me pacientët e tij.  Këto konsulta, kontrolle  dhe vizita mjekësore planifikohen  nga mjeku specialist më herët, me një grafik  sipas numrit  të caktuar të popullatës dhe juridiksionit territorial që mbulon me këto shërbime.

Arsyeja përse mjeku  specialist në  vendet e perëndimit  e  shpenzon të gjithë ditën e tij të punës  me 1 apo  2 vizita mjekësore,  ka të bëjë me faktin sepse pacienti i tij i nënshtrohet  një  konsulte të thellë dhe të gjithëanshme,  me  procedurë  të gjatë  e të detajuar   për ekzaminimin e problemit shëndetësor që ai ka, duke mos përjashtuar edhe konsultat  në ekip me mjekë  të specialiteteve të tjera  të cilët thërriten në konsultë nëse nevojitet, sipas rastit.

Kurse në Shqipëri, në klinikat private dhe shtetërore, një pjesë mjekëve që kanë monopolizuar ekstremisht në pak  duar shërbimet në profesionin e tyre duke mos u lënë  as radhën të rinjve që janë specializuar  dhe kanë marrë njohuri edhe më bashkëkohore në shumë universitete prestigjoze të botës, planifikojnë dhe munden të realizojnë 50 deri në  100 vizita dhe diagnostikime  rutinore  në ditë,  kundrejtë pagesave shumë të kripura dhe të papërballueshme nga pacientët e këputur, tarifa  të cilat në të shumtën e rasteve nuk deklarohen prej këtyre mjekëve.

Por,  megjithë kohën e pamjaftueshme fizike të disa mjekëve  specialistë të spitaleve tona publike dhe private për të përballuar  në një ditë  të vetme me sforco në një aventurë të paimagjinueshme një numër rekord vizitash apo ndërhyrje kirurgjikale,  madje disa herë tej normës dhe standarteve  që aplikojnë homologët e tyre në vendet  fqinjë dhe në përëndim, pyetja që të lind me të drejtë në këtë rast është: sa rezultat,  garanci, saktësi dhe cilësi kanë këto ekzaminime  dhe konsulta,  përfshirë dhe ndërhyrjet kirurgjikale  tek pacientët e trajtuar nga këta mjekë?

Për të  mos paragjykuar të gjithë  atë armatë të shëndoshë të  mjekëve  që me punën, integritetin  dhe përkushtimin e tyre profesional,  një jetë të tërë kanë dhënë dhe  japin një kontribut të çmuar në mbrojtjen dhe shpëtimin  e  shumë jetëve njërëzore,  siç janë mjekët e nderuar dhe tepër të respektuar,  Dhimitër Kraja,  Ilirjana  Ruka, Feçor Agaçe, Themistokli Sinjari, etj,  është vendi të përmend dy episode që nuk e nderojnë aspak këtë profesion  human dhe po aq fisnik. Përkundrazi, e  kompromentojnë dhe e njollosin rëndë atë.

Para pak ditësh, pata një bisedë  interesante me një mjek të nderuar që mban në shpinë një karrierë të gjatë 40 vjeçare,  një profesor,  pedagog  dhe shkencëtar i shquar në fushën e endokrinologjisë shqiptare, autor i shumë teksteve , librave dhe studimeve në këtë fushë. Ishte shumë i dëshpëruar, por edhe i fyer rëndë njëkohësisht.  Jo për faktin se një spital i njohur privat (që çdo ditë bombardon mediat me reklama  pa fund për shërbimet që ofron), i kishte ndërprerë kontratën e punës. Jo! Madje, vetë profesori e kishte kërkuar këtë ndërprerje  të kontratës me këtë institucion shëndetësor privat. Arsyeja ishte fare e thjeshtë.

Profesori  i nderuar,  duke patur integritetin e tij profesional dhe  atë moral, edhe pse rrogën e kishte  mjaft të mirë në këtë vend pune, nuk u bind  dhe nuk i’u nënshtrua disa kërkesave absurde të administratorit,  kërkesa  këto që  binin ndesh me kodin etik, profesional  dhe parimet  humane të mjekut. Pas 6 muaj pune në këtë spital,  profesori u thirr nga administratori  i  këtij institucioni  privat i cili  i kërkonte  që të gjithë pacientët që vinin për vizitë  tek ai, të mos i përcillte vetëm me një vizitë,  por t’i mbante sa më gjatë,  ti sorollaste pa fund përmes  bërjes së vizitave, konsultave  dhe analizave të panevojshme  që kishin si qëllim mbushjen e arkës  së administratorit.

Pas këmbëngluljes së admninistratorit për të arritur marrëveshjen  në favor të tij me mjekun, profesori i nderuar  zgjodhi  të dorëzonte çelësat e klinikës së tij  për të qenë faqebardhë dhe i qetë me ndërgjegjen,  duke mos u bërë pjesë e një krimi të shëmtuar social.  Sot, kur shumë nga kolegët dhe ish – studentët e tij  kanë hapur klinikat private dhe ushtrojnë profesionin e tyre, profesori  i njohur endet në kërkim të një pune ku të mos ketë  më telashe dhe andrralla nga ato që u përmendën më sipër.

Në kontrast me shembullin e mësipërm, do të përmendja edhe një rast tjetër të ndodhur kohë më parë me një mjeke mjaft e njohur në spitalin  neurologjik të qëndrës spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë.  Mjekja  neurologe ushtronte  profesionin e saj privat në mjediset e spitalit shtetëror. Paradite,  gjatë orarit  zyrtar të punës,  kjo mjeke kufizonte vizitat shtetërore, dhe gjatë këtij orari kontaktonte,  planifikonte dhe organizonte  vizitat me pacientët e saj pas orës 13.00, kohë që konsiderohej  përmbyllja e orarit të punës  me shtetin. Pas këtij orari, vizitat që do të bënte  më tej konsideroheshin  vizita dhe konsulta private dhe  radha tek dera e klinikës së saj në godinën shtetërore ku ajo paguhej nga taksapaguesit shqiptar  zgjatej pafund.

Atë ditë shoqëroja një të njohurin tim, i cili ankohej për një dhimbje  të  vazhdueshme të kokës që  e bezdiste shpesh dhe e shoqëronte prej javësh.  Pas vizitave  me pacientët që  kishin qënë  në radhë  para nesh, (vizita  që nuk zgjatnin më shumë se pesë minuta), erdhi edhe radha e të njohurit tim. Hymë së bashku dhe mjekja na zgjati dorën me një buzëqeshje të sforcuar, duke nisur pyetjet me pacientin që ankohej nga dhimbja e kokës.

Pas një komunikimi të shkurtër pyetje – përgjigje  mes mjekes dhe pacientit,  mbretëroi një heshtje… Pacienti  e humbi qetësinë dhe filloi të fliste pa pushim  për problemet e tij në lidhje me shqetësimet që kishte duke e pyetur mjeken se nga se vinte ky shqetesim!  Pa i ngritur sytë nga tavolina e punës, duke i mbushur një recetë me barna,  përgjigja nën zë e mjekes ishte: Asgjë! Është një dhimbje  banale...  Përdorë  këto ilaçe dhe do të vish përsëri për vizitë.

Me recetën e barnave  në dorë,  mjekja e drejtoi pacientin  tek  paradhoma  e sekretares së saj ku ai duhet  të paguante shumën prej 3.000 lekë të reja për këtë vizitë. I hutuar, pacienti  nxorri nga xhepat paratë për të paguar vizitën e mjekes ,  vizitë që nuk zgjati më shumë se  tre minuta,  duke mos marrë  nga sekretarja  as faturën e  kësaj pagese të padokumentuar. Jashtë  radha ishte litar. Afro 40 - 50 pacientë të tjerë prisnin vizitën me mjeken, e cila  për ironi të fatit, sot,  është një nga titullaret  kryesore në  një nga institucionet  më të rëndësishme të arsimit universitar.

Pra, shihet qartë se,  me sa seriozitet dhe me ç'farë cilësie punohet në dëm të pacientëve hallexhinj në emër të fitimit…! Në këtë kuptim, duke analizuar të gjitha këto sjellje e dukuri të pasinqerta dhe aspak korrekte të marëdhënieve  pacient  –  mjek ,  duhet thënë  pa frikë se,  për disa nga këta mjek, pacientët e gjorë konsiderohen si individë që domosdoshmërisht duhet të kalojnë në duart e tyre  vetëm për të paguar një grusht me para, por jo si qënie humane që duhen trajtuar me respekt e dashuri për atë çka ata e vuajnë me shëndetin e tyre.

Këtu respekti dhe vlera për jetën nuk janë ç’vlerësuar vetëm nga aksidentet e shumta,  nga sjelljet dhe mardhëniet tepër stresante dhe neurotike që në përgjithësi njerëzit i ndeshin  në jetën e përditshme nga hallet dhe problemet e shumta që ata kanë, por, edhe nga arroganca e keqpërdorimi i pushtetit politik, monopolizimi i pushtetit  admnistrativ dhe profesional që sapo përmendëm më lart.

Pikësëpari, vlera e jetës së njeriut në Shqipëri është ç'vlerësuar në mënyrën më banale  nga  ata që  në të vërtetë duhet ti japin  kuptimin e vërtetë  dhe dimensionin real jetës,  nga ata mjekë  të pandërgjegjshëm dhe aspak human  që në emër të moralit të parasë  përdhosin dhe mohojnë vlerat universale  të humanizmit.

Ja përse spitalet tona publike edhe pas 22 vjetësh nuk po e marrin veten dhe kanë degraduar në një mjerim të thellë social nga këta hipokritë dhe matrapazë socialë  pa zemër dhe pa shpirt, të maskuar  nën petkun  e bluzës  së  bardhë të HIPOKRATIT.

Është koha për një zgjim të madh qytetar në mbrojtje të vlerave  dhe jetës, ashtu siç ndodh kudo në botën e qytetëruar demokratike, për të mos lejuar më  tej makutërinë e disa sharlatanëve të tillë që kanë në dorë jetën e njeriut dhe që  marrin  dita ditës nëpër këmbë DINJITETIN NJERËZOR....

*Autori është Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora