Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kalosh Çeliku: Gozhdë e Nastradin Hoxhës

| E diele, 17.03.2013, 10:57 PM |


MAQEDONIA ËSHTË GOZHDË E NASTRADIN HOXHËS

NGA KALOSH ÇELIKU

Eh, lexuesi im i nderuar, sikur këto politikanë shqiptar, këto akademikë, këto intelektualë, këto shkrimtarë, këto gazetarë, këto patriotë me kësula të bardha në kokë, shalla kuqezi përqafe e pa to, të punonin e reagonin me kohë për arsimin në gjuhën shqipe, kulturën shqiptare! Vërtetë, do të hapte një faqe të re historia. Nuk do ta lodhnim sot shumë kokën me “Makedonska enciklopedija”, Letërsi maqedonase e marrëzira të tjera se, a jemi kaçakë dhe a kemi zbritur nga mali. Gazetat t’i mbushim kotnasikoti plot reagime e vajtime të grave. Edhe, kush?! Trusakatët, që më së shumti sot kanë faj për këtë gjendje momentale shqiptare si “akademikë”, “analistë” politik të vendit e importuar me shumicë e pakicë nga Kosova e Shqipëria. Partizanë “besnik” të partive politike shqiptare, anëtarë jurie të çmimeve letrare republikane e përpiluesë të “makedonska eciklopedija” e Letërsisë maqedonase. Popullin shqiptar, me “organizatorë të fshehtë” sot ta thirrin me protesta në rrugë: “Pranverë shqiptare”. E në të vërtetë, ai është në rrugë me vite, i papunë falë partive tona politike shqiptare. Po, ja që nuk reagojnë burrat e botës në mjetet e informacionit, nuk protestojnë në rrugë me parulla e pankarta në duar për arsimin e politizuar deri në palcë, nuk e ngrejnë zërin për liri. Dorën në zemër, me të gjitha forcat reaguan për “Makedonska enciklopedija”. Punë e madhe. Pamfleti politik, që na e dhuruan “vëllezërit”, duam - s’duam ne, do të përfundojë në Bibliotekën Popullore Universitare të Shkupit: “Shën Kliment Ohridski”, ose nëpër shtëpitë e lexuesve të “vëllezërve” të Njerkës e shqiptarë. Nuk më pengon kjo, dhe as që kam kohë e ndërmend të merrem në Ditën e sotshme historike me një pamflet të këtillë teknefes që e polli mushka me fletët e së cilës nesër torbeshët do të fshijnë bythën e shesin fara kungulli nëpër qytet.

E rëndësishme është se, më pengon Vetëvetja. Politizimi katastrofal i arsimit shqiptar dhe kulturës shqiptare. Fatkeqësisht, e kemi nën nivelin e pas kohës së Luftës së Dytë Botërore. Ne nuk kemi ende në nivel arsim shqiptar evropian, ne nuk kemi ende kulturë të arrirë shqiptare botërore. E në anën tjetër, kemi kohë për të harxhuar energji për një pamflet politik mushke. Kohën e fundit, edhe për zgjedhje lokale. Shqiptarët nuk duhet të tremben se, mezi më në fund u bashkuan partitë politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe LSDM) për “rrëmbimin” e komunave shqiptare: Kërçovën dhe Strugën. Shyqyr Zotit, erdhi dita që edhe këto “parti politike rivale maqedonase” u bënë si gjithmonë bashkë, dalin krah për krahu në zgjedhje lokale kundër shqiptarëve. Gjithë jetën mbetën të ndarë në serb e bugllarë: edhe në kohën e Serbisë, edhe në kohën e Turqisë, edhe në kohën e Gjermanisë, edhe në kohën e Jugosllavisë së shokut Tito, edhe në kohën e IRJ të Maqedonisë. Vetëmse, kur janë në pyetje shqiptarët që kanë zbritur nga mali, ato bëhen bashkë këmbekokë si një parti politike. Historikisht, kjo do të thotë: shqiptarët vazhdojnë të jenë Buba pas dere për partitë politike “maqedonase”, që edhe në ditën e sotshme nuk e dinë se ku e kanë kokën e ku bythën.

“Analistët” e Oborrit shesin plot “mend”, përpiqen t’i hapin rrugë për në Evropë këtij shteti artificial të Shokut Tito në mes të Ballkanit. Që, është bërë si gozhda e Nastradin Hoxhës ngulur në mur, kur e ka shitur Shtëpinë. Anekdotën e Nastradin Hoxhës besoj se e dini, nuk ka nevojë në këtë shkrim profetik të ju marrë kohë. I madhë e i vogël thonë: Partitë politike shqiptare duhet të bashkohen në këto zgjedhje lokale, shkaku, se: i humbëm Strugën dhe Kërçovën. Gabim i madh. Partitë politike shqiptare nuk duhet të bashkohen në këto zgjedhje lokale, le t’i masin kush si di dhe si mundet forcat politike duke u përçarë copë-copë deri në varr. Përmëtepër, nuk e di pse çojnë kaq shumë inatë, pluhur e tym politik, kur në Kërçovë edhe kandidati tjetër “maqedonas” është me prejardhje shqiptare nga një fshat i malësisë. Faleminderit, duhet thënë partive politike të “bashkuara maqedonase”. Njohuri të sakta nuk kam me kandidatin për kryetar komune nga Struga. Me siguri, edhe ai është me prejardhje shqiptare. Vështirë është në këtë Maqedoni të Shokut Tito, sot të gjejsh ndonjë maqedonas të pastër për farë nga gjaku. Shumica janë me prejardhje bullgare, serbe, vllehe, turke e ndonjëri edhe shqiptare. Burra e gra, mos u zini kot për zgjedhjet lokale, turruni e ua jepni me të dyja duart votat e lira demokratike edhe kandidatëve të tjerë të partive politike kundërshtare “armike”, edhe ato janë shqiptarë. Energjinë politike mos e harxhoni kot, kur pas dere i kemi zgjedhjet parlamentare. Koha është, këtu t’i masim forcat me palën tjetër kundërshtare politike “maqedonase”. Tjetër punë është ajo se, kandidatët e partive politike “maqedonase”, nuk janë të fesë myslimane, po të asaj ortodokse. E gjithë kjo, shumë pak rëndësi ka në këto zgjedhje lokale. Kryetari i komunës së Kërçovës, patjetër në mos sot, nesër do të jetë shqiptar. E, tashti i cilës partie politike: BDI, apo i kualicionit VMRO-DPMNE - LSDM, shumë pak ka rëndësi në Ditën e sotshme historike.

O shqiptarë, mjaftë më pavetëdije punuat e luftuat për armiqtë historik! Shtetin e shokut Tito, që pas Luftës së Dytë Botërore e polli pas mullarit me barë Jugosllavija  e sot e përkundin serbët e bullgarët në djep me ninulla shoveniste - nacionaliste. Popullin artificial pakicë të prodhuar nga shqiptarët, bullgarët, serbët, vllehët, turqit e romët. E ktheni kokën pas një herë edhe për shqiptarët, popullin shumicë në këtë vënd, që me plot arsye u takon të udhëheqin me Qeverinë e Shtetit. Pse jo, le t’u kërkojnë shqiptarëve një herë edhe “vëllezërit” e Njerkës gjuhë amtare, shkolla, flamur, Universitet, Akademi të shkencave e të drejta kombëtare. Veten le ta provojë edhe ky popull artificial në rolin e lypsit te Ura e Gurit. I bindur jam se, shqiptarët do t’ua jepnin me të dyja duart të gjitha këto të drejta kombëtare. E nesër?! Nesër, shohim e bisedojmë në Kuvendin shqiptar të Maqedonisë se, sa banorë të “vëllezërve” të Njerkës do të ketë ky shtet multietnik, që me këmbëngulje duam ta ndërtojmë ne shqiptarët. Edhe njëherë them: ktheni kokën, shikoni prapa në lëmë!  Arsimin e keni në gjendje katastrofale, me pak shpirt nëpër shkolla. Ende nuk keni shkolla fillore. Planprograme. Tekste shkollore. Lektyra shkollore. Abetare.

E këndej, ia futni pordhë politike në mes të ditës në qiellin e kaltërt me diell mbi kokë kundër enciklopedisë të “vëllezërve” të Njerkës. Përgëzime, në një “Mbrëmje Gala”: “Milingona e artë” (ku ka milingonë të artë?!...), Puntormadhja bashkë me “Nova Godinën” në një juri “profesionale”, mes çmimeve politike parazgjedhore lokale, Çmimin e artë të karrierës ia japin edhe DoktorZiut. Urime! Gojën plot e them: ju jeni edhe kundër fëmijëve të juaj në bangat shkollore. Vite me radhë i keni lënë pa lokale shkollore. I keni lënë edhe pa mësuesë. E them këtë se, më ka ardhë më deri në fyt. E kam vjellë ushqimin (bukën). E kam vjellë “politikën madhore”. I kam vjellë edhe zorrët. Dhe, nuk kam më çka të vjellë, nxjerr jashtë nga barku për në hale pas Shtëpie.

Poezinë, jo nuk e vjellë. Edhe librat e Rilindasëve. Pamarrë parasysh se, çka do të bëni ju si politikanë “evropian” me historinë shqiptare. Kërkesës së Qeverisë turke për ta ndryshuar, “pastruar nga ofendimet historike shkencore”. E di, politkanët duan t’i vjellë edhe këto pasuri e dhunti të Zotit, po ja që unë nuk dua t’i vjellë. Unë e vjellë politikën e tyre teknefese “madhore”. Unë i vjellë argatët e tyre trusakatë brez pas berzi. Dhe, unë i vjell me gjithë zorrë spiunët e tyre shekullorë. Pse, do të thoni ju si lexues?!

Nuk ka problem, edhe këtë fshehtësi do t’ua rrëfej si shkrimtar. Vetëmse, nesër nuk dua të më ankoheni te partitë politike “shqiptare”. Nëna  e juaj Njerkë. Shkaku, ngase: Nëna juaj Njerkë, nuk u jep tambël si Nëna e juaj e vërtetë. Djepin nuk di ta përkund me ninulla shqiptare deri në mëngjes. Nuk ju merr në gji si Nënë shqiptare.

Punemadhe, do të thoni ju burrat e mejdanit me brekët nëpër këmbë. Nuk është ashtu, lexues i nderuar. Nuk është njësoj të pish tëmbël te  Njerka dhe të thithish gji nga Nëna shqiptare. E them këtë se, thirrem dhe u besoj ligjeve të Natyrës. Vërtetë, është e përkryer kjo filosofi natyrore. Kot mundohemi ne artistët me këmbëngulje t’i bëjmë konkurencë filosofike. Natyra është ajo, që momentalisht është e pakalueshme me kryevepra. Nesër nuk dihet, del ndonjë burrë nëne dhe e kalon edhe Nënën Natyrë.

Fatkeqësi, kombëtare, ë?! Partitë politike, nesër kush do t’i marrë në gji?! Kush do t’i përkund në djep?! Kush do t’u jap tagji?! Kush do t’i nxjerrë në rrugë çdo katër vjet në zgjedhjet komunale e Parlamentare?! Tymeflakë, në emër të popullit do të nxjerrin nga goja për “fitore” e pushtet. Zërin do ta ngrejnë lartë nëpër fushata zgjedhore për Gjuhë shqipe. Universitet shqiptar. Akademi shqiptare. Shqipëri Etnike. Punemadhe. Edhe kësaj radhe le t’u jap Njerka gji me shtamba. Vetëmse, një gjë duhet ta pranojnë: janë kopila. Kopila edhe do të vdesin brez pas brezi, hyjnë në varre si kopila. Profetike, ë?!

Kopilat, dihet e kanë Njerkën. Dhe, Babën e rrejshëm. Vetëm, nuk e kanë tambëlin e Nanës. Gjirin, që edhe të vdekurin e çon nga varri. Tambëli i Nanës është jeta. Shpirti. Gjaku që ecën nëpër damarë. Lufta që e bëjmë ne shqiptarët nëpër shekuj brez pas baezi për liri. Edhe, në doni të ju flas, shkruaj marrëzira: Mjerimi. Po, kur do të ju dalë gjumi shekullor, ngrisni zërin si kaçakë mali për Shtet shqiptar?!

Nesër. Ose, pasnesër?! Vonë. E them këtë se, nesër më do të keni vdekur, gërhisni në varr. Ndodhë, të sharroni shelgje nëpër livadhe. Ndonjëri, ndoshta do të bëjë edhe çerepë. Saç me shpuzë nuk do të keni ta piqni bukën në mes të odës. Saç me shpuzë.

O Imzot, edhe kësaj radhe mos ua merr për të madhe! Nuk shohin me sy. Nuk dëgjojnë me veshë. Nuk dinë me tru. Ua ke dhënë sytë, po nuk i shohin shenjat e Dritës. Ua ke dhënë veshët, po nuk e dëgjojnë lodrën matanë Kodrës. Ua ke dhënë kokën, po nuk e kanë në qafë në këto vrapime maratonike.

Halli?! Edhe një lutje: ua kthe në kokë! Në mes të Shkupit nuk kam vend si shkrimtar rehat ku të pi as edhe një kafe. Rrugët e Bit- Pazarit janë të bllokuara me “besimtarë mysliman” me gjithë këto xhami në Çarshi të Shkupit e nëpër katunde me dy e katër minare që i luten Allahut në mes të sokakut me këmbët dhe trutë në legen e bythët në hava. Në shërbim të kujt është ky bërllok mysliman “shqiptar”, që vendin e ka në xhami e jo në rrugë t’i lutet Allahut?! Amani, mos më thuani se është në shërbim të Xhamisë Shqiptare! O Imzot, sa i lumtur do të isha që ky “xhematë” mes sokaqeve të Bit-Pazarit të faleshte e luteshte për shkolla shqiptare. Matanë, te këmbët e Urës Gurit më presin misionarët grek (Metropolitë të Beogradit). Përkarshi, Olimbia Ilire me gratë e bukura e fëmijët në gji duke u dhënë tambël. Filipi i Maqedonisë u bënë roje duke i përshëndetur me grusht si xhaxhi Enver me shpatën në brez. Aleksandri i Madh me shpatën në dorë e ka shaluar kalin për luftë matanë Vardarit. Mëshirë, o Zot! Nuk e bëjnë këtë se duan, po nuk dinë. Patjetër, duhet dikushi  t’u pri në ballë. Rrok për dore. Tjetër është ajo se, këtij populli i prinë në ballë gjysmanalfabetët e partive politike e fetare. Edhe një herë ju lutem në emër të Krishtit e Muhamedit, mos e merrni më qafë dhe fajësoni popullin shqiptar në këtë jetë e në atë jetë, rrëzë Kalasë Dardane!...

Dënimi duhet vuajtur gjithësesi, dëgjova një zë nga qielli. Edhe një rrufe në qiell të hapur mbi lisa. Rrufeja, kurrë nuk ka shti në ferra. Pajtohem. Vetëmse, nuk i dorëzoj armët e mejdanit. Atëherë, së paku le të jetë sa më i lehtë dënimi historik, pa dhimbje. Nëse është nevoja le të digjemi në zjarr të Xhehnemit! Njëherë e përgjithmonë t’i lajmë mëkatet si popull i zgjedhur nga Zoti, që me siguri edhe ai ka prejardhje shqiptare.

Jo, përsëri bërtiti zëri nga qielli. Juve si popull shqiptar, u ka nemur Turku. E nama, përderisa të zë vend fluturon në qiell e tokë. Fatkeqësisht, kësaj radhe zbriti në tokë, në mesin e shqiptarëve. Këmbëkryq u ulë edhe në xhami. Hoxha thirri në minare.

Ndihmë! Ndihmë, o Zoti Madh! Na shpëto edhe kësaj radhe nga robëria pesqindvjeçare anadollake! Asimilimi. Ti e di se ne më nuk kemi të lindim edhe një Skënderbe, që të na çlirojë nga halldupët, heqi prangat e robërisë. E patëm një, po edhe këtë duan të na e marrin “vëllezërit” e Njerkës. U kemi dhënë mjaftë. Po, këto siç duket e kanë barkun e madh tinar. Thesit nuk janë duke ia lidhur grykën. Përmëkeq, e kanë një thes të grisur me arna. Specat u bien udhës. Patlixhanat. Edhe, patatet e kalbura…

Mëshirë, o Zot! Ecin rrugës e flasin jerm. Ndonjëri ka përmirë edhe në sofër të xhindeve. Sokaqeve të Bit-Pazarit flet vetmevete marrëzira. Babashehu i fry në Tyrbe. Hoxha kot përpiqet t’ia këthejë në kokë me një hajmali për qafe. Përsëri, ai pas “namazit” nga xhamia delë në protesta politike me “organizatorë të fshehtë” në rrugë. Nuk e zënë magjitë, xhindet e kanë në dorë. Natë për natë e hudhin dorë më dorë mbi çatia. Majë lisave. Nuk e dinë ku e kanë bythën e ku kokën. Përmëtepër, Hoxha i Allahut kur më sheh mua i pari që zbres nga autobusi dhe dua ta kalojë rrugën në vizat e bardha, më ikë dhe futet te dyqani i një vëllai të një partie politike me kokën e bythën në grazhd. E sa di unë, bota përparimtare do kokë e jo bythë të ngritura në hava nëpër Bit-Pazar.

Zoti Madh, siç duket është me ne shqiptarët, po shqiptarët nuk janë me Zotin. Rrufeja nuk shti në ferra. Shqiptarët kanë shumë ferra nëpër oborr, përpara Shtëpisë. Fat, që ferra kanë edhe “vëllezërit” e Njerkës me qerre. E pak lisa rreth Lëmës e Livadhit. Fitorja është e atij që e ka Rrapin në mes të Livadhit me lisat kokë më kokë. Armën e luftës që e ka varë në një degë lisi. Dhe, e ka lidhur gjokun pullali nën hije.

Bashkimin e partive politike shqiptare, mund ta bëjë vetëm populli shqiptar. Kryetarët e komunave shqiptare t’i zgjedhë me votën e lirë demokratike. Edhe atë, pa bashkimin e partive politike shqiptare në këto zgjedhje vendimtare lokale. Tekefundit, kushdoqoftë kryetar i Kërçovës dhe Strugës, ato kanë qenë dhe janë komuna shqiptare.

Histori më vete është ajo, se: Maqedonia është një gozhdë e ndryshkur të cilën e ka ngulur në mur Nastradin Hoxha për ta varë setren kur e ka shitur Shtëpinë...