E premte, 29.03.2024, 01:47 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Aborti selektiv, plaga e re mesjetare e shoqërisë shqiptare!

E shtune, 16.03.2013, 11:00 AM


Aborti selektiv, plaga e re mesjetare e shoqërisë shqiptare!

Nga Elvi Sidheri

Po shikoja këto ditë një intervistë të ambasadorit amerikan në Tiranë dhe e dini çfarë më ra më tepër në sy mes gjithë gjërave që ai kishte thënë?

Përveç çështjeve të “nxehta” që lidhen me dhunën në familje, me integrimin e vendit, me të drejtat e komuniteteve të margjinalizuara etj, ajo që më shumë më preku edhe mua si lexues të deklaratave të ambasadorit...ishte përmendja nga ana e tij e një fenomeni të turpshëm sa edhe kriminal që sa vjen e po përhapet si virus shfarosës në shoqërinë tonë.

Bëhej fjalë pra, për abortet selektive që siç duket po shtohen në mënyrë të frikshme në Shqipëri.

Gjë kjo e cila sipas disa parashikimeve, do të bëjë që ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët vendi jonë të ketë distanca astronomike mes dy sekseve, pra një diferencë madhore mes meshkujve dhe femrave.

E të thuash që siç e kam ditur unë së paku, deri vonë përveçse një shoqëri ku predominojnë moshat e reja, kjo e jona ka pasur edhe një lloj shumice të lehtë femërore!

Shumicë numerike kuptohet, pasi siç e dimë, i yni mbetet “stoikisht” një vend ku femra përfundon përherë në rolin e saj mbështetës brenda mureve të shtëpisë, ku asaj i rezervohen ngahera grushtat, shpullat, kërcënimet, fyerjet, frikësimet, vrasjet, dhunimet e shumëllojta, poshtërimet e gjithçka e mundshme.

Vend ky i yni, ku femra sipas edhe studimeve të mirëpregatitura...ku ajo  edhe në administratë bën punën e “shefohet” nga ndonjë mashkull oportunist, barkderr e flokëpak, i pushtetshëm pra me një fjalë!

Vend ku akoma femrës së aftë, pa pikën e turpit e në mënyrën më fyese ekzistente, i drejtohen me titullin aspak joshës “burrneshë”!

Sepse në Shqipëri...e jo vetëm në zonat e saj malore nga ku kjo shprehje prapanike origjinon...sepse tek ne pra, që femra të quhet e zonja e vetes, ajo i bie të jetë “çseksuar’ letrarisht dhe të jetë bërë BURRË në mënyrë që ajo të meritojë vlerësimin e respektin përkatës.

Më pas kur femra shqiptare s’është burrneshë, ajo mund të jetë “rekordmene” apo përse jo edhe “biznesmene”!

Sa mirë, pra do jetë një grua “rekord-burrë” e po aq një femër “biznes-burrë”!

...PIKA QË S’U BIE SE NGA GRATË RROJNË-shkruante  Çajupi qëmoti ndërsa ...burrat ndënë hije loznin e kuvendonin tërë ditën e ditës, siç bëjnë rëndom edhe sot fundja!

Sepse qysh në atë kohë tashmë të largët, kur Andon Zakua nga Zagoria e kulturuar e Gjirokastrës ishte gjallë e shkruante këto vargje, që atëherë pra, burrat mblidheshin nën rrapin e fshatit dhe ia merrnin qetësisht-përtacisht me llogje e punën ua taksnin “shqiptarisht” grave të tyre të ngrata.

Puna është se në kaq kohë që kur Çajupi cyste këtë plagë autentike antifemërore të shoqërisë shqiptare, vitet kanë rrjedhur e gjërat po aty kanë ngelur.

Pas Andon Zakos erdhi pavarësia, u krijua shteti ynë “i lirë e i mosvarun”, u ngjit në fron një mbret deri diku përparimtar, grave iu dha në Shqipëri e drejta e votës para shumë vendeve të Perëndimit, atyre iu hoq ferexheja e zezë që u mbulonte edhe sytë, u krijuan shkolla e institute, erdhi më tej edhe Partia me shokun Enver, i cili gratë i futi në shkolla, universitete e punëra të ndryshme, u dha profesione, mjeke, mësuese e artiste, derisa na kapi vala demokratike dhe arritëm tek ditët tona.

Rrugës së këtij zhvillimi nacional mes shumë rrymash e regjimesh, gruan e bënë edhe kooperativiste me llërët përveshur e duart  të zhytura në “komposton” me jashtëqitje lopësh që na e kishin mësuar shokët kinezë, atë e burrëruan me detyrim, duke u menduar t’a emancipojnë duke i dhënë asaj trajtat e njeriut të ri socialist “tornitor-traktorist” i cili sërish burrë që burrë ishte, por fundja prapëseprapë gruaja në gjithë këto vite, ndonjë përparim në pozicionin e saj shoqëror edhe e arriti.

Prandaj ishte mëse legjitime pritshmëria që pas-vitet 90-të për gruan shqiptare, të sillnin hopin përfundimtar cilësor përpara në rrugën e saj tejet të mundimshme drejt barazisë gjinore!

E vërteta është që këto 23 vite demokraci, kemi pasur gra të suksesshme në biznes, në art, në politikë e kudo.

Gratë, motrat, nënat, gjyshet, të dashurat e shoqet tona, janë afrimuar brenda Shqipërisë e jashtë saj dhe ato kanë mbajtur në këmbë familjet tona gjatë këtij tranzicioni shumë të tejzgjatur shqiptar.

Gratë kanë qenë në ballë të protestave të 90-ës që hodhën me të pasme përtokë regjimin kriminal 45 vjeçar komunist.

Gratë mbajtën familjet të bashkuara gjatë viteve të varfërisë ekstreme post-moniste, ato ushqyen fëmijët, mbajtën rradhat e tmerrshme të bukës e të vajgurit.

Ato i kërcyen anijeve të emigrimit dhe ia dolën të rrisin e të shkollojnë fëmijët e tyre në emigracion.

Ndoshta ato dhe karizma e tyre që pikërisht në kohë të vështira del më tepër në pah, bënë të mundur që në 97-ën gati-lufta civile të mos shëndrrohej realisht në një konflikt të tillë mes shqiptarësh.

E më pas ishin pikërisht gratë shqiptare ato që në një mënyrë apo një tjetër kanë qenë në krye edhe të rilindjes ekonomike të Shqipërisë.

Sepse jo sipas ndonjë hiperbolizimi qeveritar, por vendi jonë vërtetë është një vend mesatar për nga zhvillimi ekonomik tashmë, një shtet i integruar në shumë organizma të rëndësishëm europianë e ndërkombëtarë i cili një ditë duan apo s’duan politikanët tanë, sërish do të hyjë me ose pahir në Bashkimin Europian.

Një vend i tillë, i cili historikisht dhe gjeografikisht është pjesë e Europës, nuk mund t’i lejojë vetes më trajtimin antinjerzor që gruas rëndom i bëhet përbrenda shoqërisë së tij.

Prandaj burrneshat, biznesmenet apo rekordmenet, nuk do të duhej kurrësesi të ishin pjesë e mendjes dhe fjalorit të përditshmërisë sonë shqiptare.

Sepse janë pikërisht të tilla detaje në dukje të vogla e të parëndësishme, ato që përgjithësisht bëjnë edhe diferencën thelbësore mes gjërave.

Si do të na ndihej ndonjë burrë, i njohur, famshëm apo anonim qoftë...po t’a quanin “burrëgrua???

Po nëse një rekordbërësi mashkull do t’i thoshin “rekordwoman”???

Po sikur dikujt tjetër mashkull apo burrë me njëfarë suksesi në biznes t’i thoshin “bizneswoman”, po ai si do të ndihej???

Keq do ndiheshin të gjithë padyshim, do fyheshin, do çirreshin e do protestonin papushim!

Lëre pastaj që si mes shqiptarësh, këtë do e merrnin si vënie në lojë të maskilizmit të tyre, si ulje abuzive të testosteronit të tyre mashkullor, si ironi me prirjet e tyre seksuale me anë të këtyre formave femërore të vlerësimit të punës e veprave të tyre etj!

E pra, kështu them unë se ndihen gratë në Shqipëri kur i cilësojnë maskilisht gjasme për t’i vlerësuar, me këto mënyra mashkullore!

Deri në një moment mund të kisha menduar se bëhej fjalë për mosvëmendje e injorancë të pastër gjuhësore, por tashmë që së paku 7 në 10 klasa në shkollat tona studiojnë anglisht si gjuhë të huaj, besoj se dallimi mes “man” e “woman” është i qartë si drita e diellit apo prezenca e hënës në një natë pa re.

Për t’u kapur me arsyen përse po shkruaj, tani po kaloj direkt në temën kryesore për sot, pra seleksionin antinatyral që shqiptarisht bëhet ndaj të “palindurave” ende të rracës sonë.

Charles Darwin-i dhe darvinizmi që  pasoi teorinë e tij të evolucionit, na mëson e tregon për “seleksionin natyral”!

Tek neve ndërkohë, Darwin-in e kemi kthyer si shumë gjëra të tjera me kokë poshtë dhe kemi shpikur “seleksionin shqiptar antinatyral”!

Sepse natyra për neve shqiptarët, është diçka relative në fund të fundit!

Ne kemi të drejtën hyjnore, të cilën perëndia na e ka dhënë vetëm neve shqiptarëve, që me natyrën të luajmë si të na e dojë kokrra e qejfit.

Neve i rrjepim shtratet e lumejnve që aty kanë rrjedhur prej mijëra vitesh e me zhavorrin e tyre ndërtojmë pallatetet në mes të qyteteve tona të cilave për nga dendësia e godinave për metër katror, as Hong Kongu s’u del dot përballë denjësisht!

Neve me sëpatë në dorë e vrull revolucionar në shpirt, i futemi pemëve me themel dhe i presim një nga një, sepse për ne bimësia është një koncept abstrakt me të cilin mund të luajmë si të na e dojë zemra!

Neve çajmë malet jo për të bërë vetëm tunele (Kalimash, Kërrabë), por mbi të gjithë se na duhen gurore, gurë për të ndërtuar lokale që të duken si kështjella të lashta, ndërsa vetë kështjellat që të lashta janë prej vërteti...i lëmë të rrënohen përditë e më shumë.

Neve natyrën e tjetërsojmë sipas dëshirës në bregdet, në male, kodra, gërxhe e ç’të mundim!

Tani kur natyrës ia shpallëm sfidën në secilën shfaqje të saj, pse të mos i hynim edhe rendit natyror në lindjet e fëmijëve tanë të ardhshëm?!

Kështu teorisë së respektuar darviniste të seleksionit natyral edhe përsa i përket raportit femër-mashkull në lindjet e fëmijëve, neve i jemi futur dhe kemi ndërhyrë duke e bërë peshoren gjithmonë e më tepër që të rëndojë nga ana e meshkujve.

Kështu lindin meshkujt, pasi femrat tashmë për shkak të teknikave moderne që të lejojnë të përcaktosh gjininë e fëmijës shumë herët, ato pra “dënohen me moslindje” që në fazën e tyre fetusore të prezencës në barkun e nënave të tyre.

Por lexues të dashur, po qe se çështja e abortit, mbetet një temë e nxehtë, e cila ndan akoma fort laikët nga fetarët lidhur me zbatueshmërinë e tij, kjo e abortimit selektiv të femrave, është diçka që së paku duhet NDALUAR ME LIGJ!

Po pikërisht kështu dhe asgjë më pak se kaq.

Sepse siç është demonstuar tërë këto vite të gjata, çdo praktikë tjetër për t’iu kundërvënë këtij proçesi, do ishte e dështuar që në fillim.

Pra fjalime të kota, simpoziume, konferenca, tentativa sensibilizimi publik (në një vend si i yni që rrallë ka treguar ndonjë provë të mirëfilltë ndërgjegjshmërie publike ndonjëherë) etj, këto gjëra pra veç në dështim do të përfundonin.

E ndërkohë që femrat do vazhdonin të dënoheshin me moslindje në vazhdimësi dhe raporti natyror mashkull-femër në vendin tonë kështu edhe më tepër do fundosej në diferenca aspak natyrale.

Një propozim për të cilin kam dëgjuar i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili propozonte që abortet mos bëheshin tek privatët, por vetën në klinika ose spitale shtetërore, do ishte një hap sidoqoftë në drejtimin e duhur.

Por nuk do mjaftuar me kaq.

Dhuna në familje, femrat e vrara, keqtrajtuara, dhunuara, therura, kokëprera, djegura, shantazhuara, prostituuara etj, asnjë nga këto fenomene nuk ka pësuar ndonjë rënie të ndjeshme, megjithëse Shqipëria disponon një legjislacion të admirueshëm në këtë fushë.

Pra burrat shqiptarë, kanë vazhduar të vrasin, therin, dhunojnë, godasin, rrahin, t’u shkelin të drejtat e të margjinalizojnë femrat shqiptare edhe pse ligji këtë gjë ua ndalon!

Kjo është arsyeja pse sot diskutohet që krimi në familje të dënohet me jo më pak se 38 vite burg pa ulje dënimi!

Edhe kjo po qe se në parlament mbildhen deputetët që sipas traditës “burrërore” shqiptare janë shumica dërrmuese pikërisht meshkuj në kuvendin shqiptar që votohet gati në 50% edhe nga femrat...dhe aty të votojnë këtë ashpërsim të dënimit për të tilla krime brutale.

Por seleksioni antinatyral i lindjeve i cili godet vetëm femrat e palindura ende, nuk mund të ndalet përveçse me anë të një ndërgjegjësimi të publikut dhe të instancave vendim-marrëse lidhur me nevojën e pashmangshme për përpilimin e hyrjen në fuqi të një ligji i cili i ndalon këto aborte kriminale antifemërore.

Ndryshe brenda pak vitesh, meshkujt shqiptarë të cilët rëndom nga 6 veta në një tavolinë lokali mbildhen si traditë, në të ardhmen do të jenë të detyruar që për femrat as të mos të ëndërrojnë më dot në Shqipëri.

E kjo për një arsye të thjeshtë sepse me këtë ritëm femra do të na bëhet një krijesë e rrallë, gati si një “specje në rrezik zhdukje”!

Padyshim që komuniteti “i krahut tjetër” do të ketë përfitimet e veta nga kjo rënie drastike e numrit të femrave në shoqërinë shqiptare, pasi për efekt normal, meshkujt shqiptarë që femrën e urrejnë që në bark të nënës e ndaj s’e lënë as të lindi...më pas do jenë të detyruar të mësohen me mosprezencën e saj e kështu që natyralisht do fillojnë për “mungesë resursesh” të tërhiqen nga njëri-tjetri se s’do kenë ç’të bëjnë, jo për gjë!

Ky është një nga problemet më reale e më akute që i kanoset shoqërisë tonë o njerëz!

Ka shumë rëndësi që në çdo sferë të jetës sonë shqiptare gruaja, vajza e femra të jetë pjesë e barabartë e zhvillimit, drejtimit, shkollimit apo qeverisjes.

Por më tepër rëndësi se tërë këto gjëra me peshë të pallogaritshme, ka sido që të jetë, lejimi që vajzat e femrat të paktën...”TË LINDIN”!

Po s’ua mundësoi shoqëria jonë as të lindurit femrave, ç’pallavra tregojmë pastaj për emancipim, për kuota gjinore në parlament, institucione e qeverisje?

Kjo është A-ja e së drejtës së njeriut e aq më tepër të 50% të llojit tonë shqiptar e të rracës njerëzore po ashtu, e së drejtës së femrës pra!

Turp t’iu vijë gjithë atyre prindërve që zgjedhin si “të lindshëm” një mashkull e si “të sakrifikueshme” një femër!

Por shteti e ligjet prandaj ekzistojnë, që të rregullojnë veprimtaritë shpesh të mbrapshta të njerëzve, të cilëve sidomos kur janë meshkuj (Mea Culpa edhe nga unë si mashkull)...u merr koka erë lehtë.

Shteti me forcën e ligjit pra është nevoja imperative që të ndërhyjë dhe t’i japi fund kësaj praktike antinjerzore e cila tashmë prej kohësh siç treguan së fundi edhe shifrat e OKB-së, është bërë një fenomen më shumë se shqetësues tek ne.

Po qe se një apo dy prindër, nuk e dinë rëndësinë e një jete femërore e cila do lindi pasi është formësuar në barkun e së ëmës, atëherë shteti duhet të ndërhyjë që këtë jetë potenciale femërore t’a mbrojë e t’a lejojë t’i jepet shansi që t’a shohi dritën e jetës.

Kjo gjë s’ka as edhe një lidhje të vetme me të drejtën legjitime për abort, për të cilën jam dhe do të jem edhe unë vetë.

Por aborti selektiv, i cili prek vetëm ekskluzivisht njërën gjini, pra atë femërore, ky është i dënueshëm e mbi të gjitha antiligjor, diskriminues e i palejueshëm.

Ka një shpjegim deri diku ezoterik por edhe real, që tregon kuptimin e emrit të perëndisë në gjuhën hebreje.

Thonë se hebrenjtë pra, perëndisë të cilës në përgjithësi nuk ia përmendin emrin, pasi i referohen dhe e shkruajnë me shkronjën hebreje “Yod”, ata sidoqoftë i thonë Jehovai ose IEVE!

Fjala IEVE në gjuhën antike hebraike ka kuptimin qiellor të së hyjshmes vlerë të universit!

Besimtarët e lashtë hebrej, në mijëvjeçarët e largët i falnin adhurimin e shpirtërave të tyre tokësorë një qënieje të përveçme, një elementi unik që përqëndronte në materien e tij universale nektarin e gjithësisë, plus-minusin e krijimit, kripën dhe sheqerin, mashkullin e femrën, gjithçka në “Një”!

Religjioni epik i këtij populli mbijetues, ky besim aq i rrallë në autenticitetin e tij të mbinatyrshëm, blatonte përmes rradhëve të pandara të shkronjave harmonike të kësaj gjuhe, bekimin që këta njerëz merrnin nga perëndia e tyre që mishëronte bashkërisht në veten e saj si “një dhe të pandashme” femëroren e mashkulloren e dimensionit jetësor të kësaj bote.

Eva e flakur prej Eden-it Biblik, kështu s’ishte asgjë tjetër veç emrit “Eve” (He-Vav-He në alfabetin hebraik) që ishte bashkangjitur në përjetësi me shkronjën e perëndishme “I” (Yod në hebraisht) e cila simbolizonte emrin e pacitueshëm të perëndisë e ajo sillte unifikimin final të këtyre dy komponentëve të pazëvendësueshëm.

Me të ashtëquajturin “Mëkat Origjinal” merr fill një lëngatë e gjatë femërore që kalon nëpër librat e shenjtë dhe hyn e del duke u ulur shpesh këmbëkryq në realitetin tonë të përditshëm.

Femra është e tillë ( e lënguar, e keqtrajtuar, e përzënë e nënçmuar) edhe pa qenë etnikisht shqiptare, por me siguri duke u çertifikuar si e tillë, ajo plotëson më tepër trajtat e përflakura të karakterit të saj, ashtu siç edhe historia e ka njohur dhe legjitimuar.

IEVE pra në hebraisht është një...nuk ka Yod pa He-Vav-He.

Hebrenjtë e lashtë e kishin kuptuar në mënyrë brilante atëherë sekretin e njëkohësisht misterin e Jetës dhe ai është i thjeshtë:...

...-Që esenca e mbihumanes, e të perëndishmes dhe e vetë universit tonë, është e ndarë pazgjidhshmërisht mes femrës dhe mashkullit!

Kur t’a kuptojmë edhe ne këtë gjë, ku i dihet që edhe këto anti-natyrizma që bëjmë...ndoshta do të ndalen e femra do marri respektin dhe vendin e duhur në shoqërinë tonë, por deri sa të vijë ajo ditë...shteti duhet të vërë ligjin në vend e njerëzit të detyrohen që femrën t’a lënë së paku të lindi!



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora